Ngjyrat e Divorcit

Kur një cift ndahet nuk është aspak një situatë e lehtë dhe sidomos kur në mes qëndron një fëmijë.


Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet dhe ndarja mund të menaxhohet edhe në mënyrën më të mirë të mundshme,  por gjithsesi një ndarjë në fund të fundit ndarje mbetet dhe pasojat nuk janë asnjëherë te lehta për tu kaluar nga të dyja palët.

Nuk do flas në këtë post për pasojat apo metodat se si të menaxhohet më mirë një divorc, pasi nuk e kam idenë dhe jam ende duke e mësuar. Nuk do flas për mënyën se si një fëmijë mund  ta përballoj më së miri këtë fenomen që shtohet gjithmonë e më shume vitet e fundit dhe as do analizoj pse-të e shtimit të këtyre rasteve.

Nuk do flas për gabimet qe mund të bëjnë të dyja palët apo se kush mund ta ketë më shumë fajin e kush më pak.

Do flas për ate të bukurën martesë  që ëndërrojmë që në vegjëli , se si ndihesh kur mbaron e si shoqëria jonë e bukur ende në 2019 vazhdon e bën të njëjtat gjëra prej shekujsh. Pavarësisht se si mbaron. Pavarësisht nëse janë të dyja palët që e vendosin apo vetëm njëra palë. Në një fund të tillë të dy personat  kanë brejtjet e veta ,dhimbjet e veta, dyshimet e veta. (kush më shumë e kush më pak)

Kush vjen nga periudha e komunizmit apo ka prekur qoft edhe vitet e fundit të asaj periudhe e ka të fortë  atë ndjenjën  e familjes së bashkuar dhe “të duruarit cdo gjë për hir të familjes”.  Janë rritur me atë familjen e “madhe dhe bashkuar” dhe ndoshta fjala “divorc” as që ekzistonte në fjalorin e këtyre personave ose e kanë shumë të vështirë ta pranojnë.

Edhe unë si shumica e Shqiptarve jam rritur me po atë ndjenjë te fortë dhe se gjëja më e shtrenjtë në këtë botë është familja. Ndaj që kur isha e vogël ëndërroja të kisha atë familjen time perfekte me dy fëmijë që më dhuronin shumë dashuri, (e kisha vendosur tashmë në mendjen time që do ishin dy)  me personin që doja dhe do isha e lumtur deri në fund të ditëve.

Por ndodh edhe që kjo gjë nuk realizohet. Ndodh që përballesh edhe me më shumë vështirësi se cmund të kesh imagjinuar. Ndodh edhe që kompromiseve tu vijë fundi. Ndodh edhe që në një pikë të jetës tënde vendos nëse do të jetosh një jetë të tërë për inerci duke mos qënë e lumtur por për hir të botës, familjes, fëmijës etj etj të vazhdosh të qëndrosh në atë martesë. Ose vendos që ti japësh komplet një drejtim tjetër jetës tënde dhe vendos që dëshiron të gjesh sërish veten dhe lumturinë tënde.

#ngjyrateciftit

Në fakt që e vogël unë kam zgjedhur gjithmonë rrugën më të vështirë, atë me më shumë ngjitje dhe zbritje dhe atë që shumë veta nuk do e zgjidhnin. Nëse divorci është apo jo rruga më e vështirë po jua lë juve ta vendosni për secilën prej jush pasi mendoj se është një gjë shumë personale dhe jo universale.

Falenderoj ata personat që nuk kanë respektuar aspak heshtjen time dhe faktin që kam dashur të jem e rezervuar mbi këtë pjesë.
Ata personat që mendonin se kishin jetuar me mua orë e sekondë dhe kishin parë cdo hap dhe ecuri të martesës sime sa që mendonin të jepnin udhëzime si të veproja. Jo këshilla, por udhëzime me idenë e fortë se ata e dinin se cfarë ishte më e mirë për mua dhe tim bir.

Ata persona që kujtonin se dinin më shumë se unë se cfarë dua unë, se cfarë më bënë mua të lumtur.
Ata persona që nuk reshtën  kurrë së foluri mbrapa shpine dhe së analizuar situatën time personale sikur të ishte një emisjon “Opinion” I Blendi Fevziut.
Ata persona që shikonin tim bir me keqardhje sikur të ishte jetim dhe jo me prindër të ndarë.
Ata persona që të mernin në telefon (kur hera e fundit që I kishe parë apo folur do ketë  qënë para disa vitesh) dhe me gjoja keqardhjen e tyre të pyesnin si ndodhi dhe prisnin të dëgjonin fije e për pe arsyjet e divorcit. A thua se u detyrohesha një shpjegim të tjerëve? A thua se e kisha për detyrë të shuaja kureshtjen e tyre të madhe që gje tjetër nuk ishte vec kureshtje për të bërë më shumë llogje? E kur nuk e shuaje atë kureshtje apo nuk  mernin përgjigjen që prisnin, fillonin edhe jepnin edhe mëndë: Po cfarë do më shumë nga jeta ëë? Nuk të ka rrahur, nuk pi alkol, cigare, drogë. Nuk të ka tradhëtuar. Cfarë kërkon më shumë ti? Jeta kështu është. Ja as unë nuk jam e lumtur me burrin tim por ama familjen nuk e shkatërrova dhe femijët do I martojmë dhe do I pleqërojmë bashkë.

Ju që mendoni se jeni brënda shpirti tim dhe e dini gjoja se cfarë ka bluajtur këto vite dhe sa e vështirë ka qënë të mari një vendim të tillë. Ju që keni bërë aq shumë kompromise sa që keni humbur shpirtin tuaj dhe për këtë gjë duhet ta bëja edhe unë, se kështu ju e konsideroni të drejtë. Ju që keni vite që nuk jetoni dhe nuk e dini c’është dashuria dhe respekti në cift pasi keni vite që e keni humbur dhe ndaj ndoshta për tu ndjer mirë ju duhet ta bëjnë të gjithë. Ju që nuk ëndërroni asgjë më tepër se sa të gjeni një person tjetër që do ju sjelli bukën në tavolinë në fund të ditës. Ju që nuk keni luftuar qoft një herë në jetën tuaj për ëndrrat tuaja por I keni lënë të tjerët ti shkelin dhe ti varrosin. Ju që nuk keni ngritur kokë por keni lejuar që tju mposhtin dhe tju nënshtrojnë për “mos të dalë jasht kopesë se ju ha ujku”. Ju që nuk dini cdo të thotë të duash dhe të luftosh për një të ardhmë më të mirë pasi keni gjithë jetën që bëni viktimën dhe vetëm qaheni por nuk keni levizur qoft gishtin më të voglë për të ndryshuar jetën tuaj për më mirë. Ju që I hidhni fajin vetëm qeverisë, Shqipërisë, familjes që ju ka rritur, shoqërisë dhe mentalitetit që ju ka ndrydhur. Ju që keni harruar të ëndërroni dhe jetoni vetëm për NDER. (temë më vete kjo, nuk do zgjatem)

Ju që gjoja iu dogj shpirti kur morët vesh lajmin e divorcit tim. Juve, po po juve. Nuk ju detyrohem asnjë shpjegim dhe nuk kam për tjua dhënë kurrë.

#thankyou

Faleminderit nga zemra atyrë që nga ana tjetër kur  dëgjuan dicka tillë nuk u dyndën si gratë te Marigoja  por pritën kur unë të isha gati të hapja zemrën dhe të flisja për një gjë  kaq personale dhe delikate.
 Faleminderit që nuk u munduat të më influenconit me idetë tuaja por respektuat zgjedhjen time dhe u mjaftuat me një përgjigje : “Nuk ishte e shkruar”.
Faleminderit që më këshilluat realisht por pa më ushtruar presion që ta shikoja me sytë tuaj. Faleminderit që nuk dyshuat qoft një herë që ky ishte një vendim që më takontë vec mua dhe asnjë personi tjetër.
Faleminderit që nuk u bëtë bashkë me “kopenë”  për të më parë me sytë: “E shkreta, u nda nga burri”.
Faleminderit që respektuat heshtjen time dhe nuk u munduat të shpalosnit teorit tuaja prej Sherlock Holmes dhe ta kthenit në pazarin e së djelës ku cdo kafshë hap gojën sa për të nxjerë një tingull e asgjë më shumë.
Faleminderit që u treguat aq delikat sa mos të fusnit tim bir në mes dhe e shprehët qartë se cfarë do lloj vendimi të merja, për ju ishte e rëndësishme të isha e lumtur.

Asnjë person nuk e di komplet historinë kur mbaron një martesë, përvec ciftit. (ku ndonjëherë  edhe  direkt të interesuarit mund tu duhen vite për ti kuptuar gjithë arsyet)  Asnjë nuk e di sa sakrifica kanë bërë apo skanë bërë dy persona që kanë qënë bashkë. Asnjëri nuk e di sa komunikim apo munges komunikimi ka pasur. Asnjëri nuk e di sa janë dashur apo nuk janë dashur. Asnjëri nuk e di sa vuajnë dy persona qe ndahen dhe sa kohë u duhet për të marë veten.

Ngjyrat e jetës kanë brënda edhe ngjyrat e divorcit. Ngjyrat e divorcit kanë brënda një ylberë të tërë nuancash dhe kushdo ka të drejtë ti ndiej, ti përjetoj dhe ti kaloj sic mendon se është më e duhur për veten.

#ngjyratemarteses #ngjyratejetes #ngjyratedivorcit

Ju gjithashtu mund te lexoni

1 Comment

  1. Jam krenare per ty e per hapat e tu ne cdo moment te jetes! Mi mbushe syte me lot por jane lot lumturie per lumturine tende! Jam shume e sigurte qe ky shkrim do motivoje e do i vije ne ndihme femrave shqipetare te emancipuara apo ne proces emancipimi. Uroj te gjesh paqe, bekim e shume dashuri ne epoken tende te re! Love ya

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *