Ngjyrat e Mirënjohjes për 2019

Jam mirënjohëse që cdo ditë mund të zgjohem, të buzëqesh, të shikoj, të eci, të flasë, të marë frymë lirshëm dhe të gëzoj tim bir.

Ja tek jam e ulur para kompjuterit dhe jam duke menduar rreth këtij viti dhe per cfarë jam mirënjohëse. Vendos të bëj një listë këtë herë pasi dëshiroj vërtet  që mos të marim asgjë për të mirëqënë. Kam kuptuar që edhe oksigjeni që na mbush mushkritë nuk duhet marë si I mirëqënë në këtë jetë ndaj ja tek jam duke renditur disa prej gjërave për të cilat ndiej se jam mirënjohëse.

Kthej kokën dhe shikoj  tim bir që fle I qetë me një buzëqeshje ëngjëllore. Nuk mund të mos e nis këtë artikull duke mos përmendur atë që është mirënjohja më e madhe me të cilën nis ditën time.

Jam mirënjohëse që kam një fëmijë trazovac, energjik, të palodhshëm dhe shumë kurioz si ai. Shpesh më vë durimin në provë, por është falenderimi im I mëngjesit cdo ditë që zgjohem: Faleminderit Zot që më ke dhuruar një krijesë të tillë dhe të lutem jepi  shëndet e jetë.

Jam mirënjohëse që kam dy prindër që më mbështesin (pothuajse) gjithmonë. Shpesh nuk I kuptojnë zgjedhjet e mia dhe shpesh do donin  të diskutonin më shumë, por si një akrep kokëforte  që jam, në fund nuk u lë shumë hapësirë le të themi për këto diskutime dhe jam e lumtur që ata e kuptojnë dhe nuk mundohen të më “mbysin” me tabut dhe frikat e tyre.

Jam mirënjohëse që zoti më vuri në rrugën time disa persona nga të cilët mësova shumë dhe pata mundësinë të krijoja disa raporte miqësore të cilat më dhanë jo vetëm kohën e tyre por edhe ngjyrat e ndryshme të një jete plot ngjitje dhe zbritje.
 “Personazhe” si ato zanat e përrallave të cilat në gjithë vecantinë e tyre dhe bukurinë unike që kanë më përcollën mjaft  vlera të rëndësishme që unë si një person  “përjestësisht e uritur” për dije dhe njohuri arrita të përthithja sa më shumë që pata mundësi.

Jam mirënjohëse për miqësitë që mbijetuan gjatë rrugës dhe që festojmë këtë vitë vazhdimësinë e asaj miqësie të pastër dhe të sinqertë.

Jam mirënjohëse që pavarsisht se ndodhem në një shtet ku shpesh më nxjerr pjesën time më të keqe, por kur është nevoja për ndihmë dhe solidaritet të gjithë gjenden dhe tregojnë vlerat që ky popull ka trashëguar prej shekujsh dhe kurdoherë të hapin derën dhe zemrën e tyre.

Jam mirënjohëse që pavarsisht punës së lodhshme dhe stresuese, orareve të gjata e shpesh dërrmuese jam në gjëndje të paguaj për jetesën time dhe të tim biri.

Jam mirënjohëse që disa persona më shtyjnë cdo ditë nga pak për të vazhduar pasionet e mia e mos të dorëzohem kurrë.

Jam mirënjohëse që pavarsisht vështirësive te ndryshme që mund të hasi një mama e vetme në Shqipëri, unë gjithsesi kam patur fatin të takoj gjithmonë njerëz të mirë dhe të gatshëm për të dëgjuar dhe këshilluar.

Jam mirënjohëse që edhe pse mund të kem vënë shpesh në dyshim dashurinë e të madhit Zot ai gjithmonë ka gjetur një mënyrë për të më treguar që nuk jam vetëm në këtë rrugëtim të quajtur Jetë.

Jam mirënjohëse që këtë vit gjeta disa persona me të cilët ndajmë pasione të ngjashme dhe sido që të mari jeta vitin tjetër, jam e lumtur që pata mundësinë ti takoja dhe të ndaja me ato eksperienca jete me vlerë të lartë shpirtërore dhe profesionale.

Jam mirënjohëse që pavarësisht përfundimit të martesës, im bir ka gjithmonë pranë të atin dhe kalon shpesh kohë me të duke krijuar kujtime të bukura për tim bir, për një fëmijëri më të shëndetshme.

Jam mirënjohëse që I mbijetuam 2 tërmeteve, që jemi mirë dhe që kemi ende një shtëpi ku mund të jetojmë.

Jam mirënjohëse  që pata mundësinë të kaloja disa pushime të “qeta” (për aq të qeta sa mund të jenë me tim bir) sivjet ne jug, duke zbuluar një Costa Smeralda të dytë në vendin  tonë që nuk kisha vizituar më parë.

#thankful

Jam mirënjohëse që edhe pse dukej një ditë shumë banale dhe njerëzit që më rrethojnë ishin shumë të zënë me punë dhe relativisht mund ta kishin mendjen tek unë apo  ditëlindja ime, në fund të ditës disa surpriza (vërtetë surpriza) mjaft të këndshme m’u prezantuan. Jam mirënjohëse që personat që më rrethojnë shpenzuan një aset të rëndësishëm sic është  koha, nga koha e tyre e cmuar, për të menduar dhe gjetur një dhuratë të personalizuar si ato që mora këtë vit. Jane këto dhurata unike që të bën të kuptosh vlerësimin që kanë për ty disa njerëz dhe është një nga ato gjërat që nuk do merja kurrë për të mirëqënë.

Dhe në fund një listë mirënjohëse për :
ngjyrat e jetës,
ngjyrat e ushqimit,
ngjyrat e traditës,
ngjyrat e lirisë,
 ngjyrat e eksperiencës,
ngjyrat e buzëqeshjes,
 ngjyrat e lotëve të gëzimit,
ngjyrat e njerëzve në jetën time,
ngjyrat e ndryshimit,
ngjyrat e sfidave,
ngjyrat e lindjes së diellit,
ngjyrat e perëndimit,
ngjyrat e kafes,
ngjyrat e cajit,
 ngjyrat e ëmbëlsirave, (oh ato ngjyra I adhuroj)
ngjyrat e pushimeve,
ngjyrat e detit,
ngjyrat e malit,
ngjyrat  e një dite të re,
ngjyrat e reve të bardha,
ngjyrat e dashurisë,
ngjyrat e faljes,
ngjyrat e të falurit,
ngjyrat e dhurimit,
ngjyrat e adhurimit,
ngjyrat e një shtëpie të ngrohtë,


…ngjyrat e Femrës.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *