Ngjyrat e një sekondi

“Kur u njoha me burrin tim isha vetëm 19 vjece. U dashurova menjëherë me atë dhe mbas një viti u martuam. Jetonim me prindërit e tij dhe ishim shumë të lumtur. Shume shpejt u bëmë me një djalë dhe lumturia jonë nuk kishte kufi. Ishte fillimi i viteve 90. Shqipëria në atë kohë ishte rrëmujë, sapo kishim dalë nga një periudhë 50 vjecare diktaturë dhe njerëzit dukeshin si kafshët e liruara nga zinxhirët. Kaluam nga një epokë ku ktheheshe nga puna turni i tretë vetëm dhe nuk guxonte njeri të fliste, në një epokë ku edhe ditën nuk guxoje të dilje vetëm. Burri im nuk po e shikonte të ardhmen tonë më në Shqipëri dhe kishte dëgjuar disa miqtë e tij që po kalonin kufirin në këmbë në Greqi dhe kishin mundësi tu dërgonin lekë familjeve për ti ndihmuar.
Mbas shumë diskutimesh vendosëm që do nisej ai më përpara dhe më vonë të gjenim një mënyre si të kaloja kufirin unë me djalin dhe të bashkoheshim sërish në Greqi. Burri u nis me një shokun e tij dhe duhet të prisnim një letër ose lajmë nga të njohur pasi nuk kishte telefona si tani. Lajmi më erdhi mbas një jave që në tentativën për të kaluar kufirin ishin kapur nga një ushtar Grek dhe ishin zënë. Ushtari Grek kishte vdekur ndërsa burri im dhe shoku i tij përfunduan në burg për 20 vjet.
E prita në shtëpi me prindërit e tij dhe rrita djalin me shumë sakrifica. Doli nga burgu për sjellje të mirë mbas 15 vjetësh dhe kur u kthye në shtëpi mu duk sikur koha nuk kishte kaluar fare. Mezi gjeti punë këtu dhe pas pak muajsh edhe një punë të dytë. Një ditë e mora në telefon ndërkohë që po kthehej nga puna e dytë për ti thënë të ndalonte të blinte bukë. Mu përgjigjë në telefon dhe më tha: Prit 1 sekond…dhe se dëgjova më zërin e tij. Në atë moment një makinë me shpejtësi kishte dalë nga rruga dhe ia mori jetën.
Ishte një burrë dhe baba shumë i mirë dhe i dashur, pavarësisht si shkoi jeta. Po të kishte qëndruar në Shqipëri ndoshta tani do kishim një shtëpi dhe një familje të lumtur. Djali im i ngjan shumë atij si fizikisht dhe në shpirt. Uroj të mari nga ditët e mia dhe të jetoj edhe jetën që i ati nuk pati mundësi.”

*Foto credit: freepik


Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *