Ngjyrat e një ëndrre_Pjesa I

Çfarë mund të bësh tjetër pasi prek fundin?

Mua më ndodh gjithmonë në këtë mënyrë. Një dreq e di ku gjej forcën pastaj dhe ngrihem më e fortë se më parë.

Po kështu më ndodh që në një fragment sekonde çdo gjë më bëhet e qartë dhe një dritë më ndizet në tru. Sikur deri në atë moment çdo gjë të ketë  qenë e fshehur, e zymtë e paqartë dhe krejt papritur hapet perdja kështu  aktorët dhe skena ndriçon e gjitha. Më ndodh  vazhdimisht dhe deri sa të ndodh  kjo do kem përplasur disa herë kokën ose do kem bërë gabimet më trashanike në jetë.

Do ishte shumë bukur sikur ky ndriçim të ndodhte pa u munduar shumë apo pa kaluar shumë kohë duke shkulur flokët për të gjetur një zgjidhje. (thonë se bënë pjesë e karakterit të akrepit)  Por asnjëherë  deri tani nuk ka ndodhur në këtë mënyrë. Më është dashur të mundohem mirë e mirë, të shteroj gjithë energjitë në alternativa të ndryshme. Të provoj çdo lloj metode që më vjen në mend dhe pastaj Tak, ja tek shfaqet para meje si një yll që shkëlqen në qiell të pastër pasi kalon mjegulla e zymtë.

Kështu më ndodhi kur u riktheva serish ne mëmëdhe në 2014.

E dija se çfarë të bëja këtë herë për mos të ndrydhur ëndrrat e mia apo veten time. Ajo që jam me pëlqen, më pëlqen shumë madje. Nuk dua të transformohem në  dikush që nuk jam. Nuk aspiroj ëndrrat apo objektivat e dikujt tjetër. Nuk aspiroj karrierën apo jetën e dikujt tjetër.

Thjesht dua të jem kjo që jam, sipas mënyrës sime, kudo që të jem.

Hapi I parë sapo u ktheva nga Milano ishte të gjeja një qytet që përshtatej me tipin tim dhe që mund të ofronte mundësi të ndryshme një personi si unë, ku mund te vlerësohet për veçantitë që ka, pa u marrë  nëpër këmbë për pikat e forta apo te dobëta. (e di do ishte ideale kjo gjë kudo)

Transferohem në Tiranë sepse fati deshi që një “mikja ime” Italiane ishte menaxhere e një projekti në Shqipëri  dhe kërkonin dikë që të formonin me një rol specifik.

I thashë po ne telefon pa e menduar gjatë dhe nisa nga zero pasi nuk isha aspak e asaj fushe.

#ngjyratejetes

Duke qenë e hapur për eksperienca te reja, (kjo ndjenjë do më bëj gjatë viteve të eksperimentoj shumë dhe duke jetuar në shtete të ndryshme) nuk ngurova të merrja gazetën çelësi dhe të kërkoja shtëpi me dikë që mund të ndaja qiranë si fillim.

Isha si në fillimet e mia në Milano. Nuk e njihja si qytet dhe nuk dëshiroja të rrija vetëm. (shumë shpejt do zbuloja se të jetuarit vetëm do kishte qenë zgjedhja më e mirë dhe se ndarja e shtëpisë plus shpenzimeve në Shqipëri ishte një eksperiencë më vete, që nuk kishte të bënte fare me eksperiencën që kisha pasur në Milano)

E kotë të them që ishte një katastrofë dhe shumë shpejt u kthye në makth. Fjala “respektim privatësie” nuk ekzistonte në fjalor dhe shumë shpejt do kuptoja që ishte problemi më i vogël për mua.

Duke qenë shumë koherente me termin privatësi, pasi respektoj në maksimum atë të të tjerëve, mund ta imagjinoni se sa kjo gjë më shqetësonte dhe më bezdiste kur të tjerët nuk e respektonin privatësinë time. Rezistova pothuajse  2 muaj dhe kërkova lirin time kur pashë që kupa u mbush.  (mund të shkruaj një libër të terë për eksperiencën që pata asokohe me vajzën e “dashur” nga Laçi por le të themi që nuk meriton as kohen dhe as vëmendjen)

Në momentin e parë që u transferova në Tiranë ndjeva se përveç punës doja të bëja diçka për vete. Diçka që më bënte vërtet të lumtur. Kur isha e vogël shkruaja shume. Në periudhën e adoleshencës  shkruaja më pak, por ndryshoi zhanri dhe gjithashtu ikja ne Itali e la pak në harresë pasionin tim për të shkruar.

Kështu që nisa të shkruaj sërish. Më erdhi nga dita në ditë frymëzimi dhe nuk ndaloja dot. Shkrimi ishte një kërkim I vetvetes në mënyre shume specifike, me një romancë në mes por me tepër e fokusuar te kërkimi I vetvetes dhe fuqia e femrës.

Ne Shqipëri femrave u limitohet ky pushtet (kudo nëpër botë në fakt por këtu më shumë). Le të filloj tu jap diçka që mund ti ndihmoj thashë me vete. Një vizion tjetër të jetës. Një dritare ndryshe. Pikë vështrimi tjetër nga ai që janë mësuar të shikojnë gjithmonë.

E dija nga eksperienca ime personale që një libër të publikohej nuk ishte e lehtë në Shqipëri. ( 2 librat që kam publikuar, në moshën 11 dhe 17 vjeçe, kanë parë dritën falë mbështetjes familjare pasi kostot kanë qenë tërësisht në dorë të individit ndryshe nga tani ku mund të hiqen nga shtëpia botuese)

#ngjyrateendrrave

Ndaj vendosa të veproj në këtë mënyrë; Po e shkruaj në italisht pasi shtëpitë botuese ne Itali janë gjithmonë në kërkim të talenteve të reja dhe plus kisha më shume njohje e kontakte në atë kohë. Pastaj nëse më krijohet mundësia dhe libri ka një reagim të mirë, po e përkthej në shqip.

Dhe kështu bëra. Ditën punoja dhe natën shkruaja. (kur vendos një gjë në mend nuk ka gjë që më ndalon)

Për 3 muaj rresht arrita në një pikë të mirë  të dorëshkrimit dhe vendosa të dërgoja vetëm kapitujt e parë disa shtëpive botuese në Itali.

Mora fryme thellë, bëra gati një prezantim për veten dhe dërgova e-mailin  me dy kapitujt e parë. (dy kapituj mendova do mjaftojnë për të ndezur etjen e tyre dhe më vonë do kem mundësi të dërgoj një pjesë tjetër ndërkohë që punoj për ta përfunduar)

Nuk mund të përshkruaj emocionin që kisha në atë moment. E dija qe dikush do e pranonte. E njihja brumin tim. E njihja veten time. E dija që ajo që kisha shkruar kishte diçka të rëndësishme dhe do mirëpritej mirë.

Dërgoj çdo gjë dhe mbyll kompjuterin. Do prisja përgjigjen e tyre  me qetësi dhe deri atëherë vendosa që nuk do shqetësohesha për asgjë. Nuk do vija ne dyshim veten time dhe nuk do humbisja shpresën. (pavarësisht se frika dhe dyshimi ndonjëherë me shoqëronin në netët pa gjumë)  Por meqenëse  kisha punuar shumë ato muajt e fundit e meritoja pak çlodhje dhe vendosa të bëja një pushim në jug. Shfrytëzoj rastin të shkoj të takoj edhe prindërit në Fier e bëj një ndalesë aty për një natë. Nuk u tregova për projektin tim të ri, nuk i kisha thënë askujt në fakt pasi nuk doja të isha nën presion dhe doja tu jepja lajmin kur të kisha një përgjigje pozitive apo kur të kisha përfunduar së shkruari librin komplet.

#ngjyrateshpreses

Lë kompjuterin tek prindërit dhe nisem për dy ditë relaksim në jug. Kur kthehem zbuloj diçka që do ndryshonte komplet planet e mia.  Më kishin vjedhur çantën e kompjuterit bashkë me pasaportën dhe disa sende të tjera personale brenda.

Nuk mund ta merrni me mend dëshpërimin tim. Nuk kisha ruajtur asgjë në drive, usb apo vend tjetër. Çdo gjë që kisha shkruar ishte në atë kompjuter.

Me mungoi fryma, fotot e gjithë atyre viteve, dorëshkrimi. Mos!

Ne atë moment mendova vërtet se fizikisht nuk po merrja dot frymë  dhe u paralizova.

Do kem qëndruar në atë pozicion nuk e di as vetë se sa kohë. Thjesht prisja atë dritën e famshme në fund të tunelit. E dija që duhet të ishte diku aty. E dija që nëse nuk ishte aty atëherë nuk kisha arritur fundin ende dhe kjo ishte më keq, domethënë kisha ende rrugë për të kapur fundin që të ngrihesha. Nuk arrija dot as të qaja e të nxirrja atë mllefin që më ishte akumuluar. Një lëmsh mu mblodh në grykë e më bllokonte edhe te kapërcehesha. Por lotët nuk më dilnin.

Mbas një jave më vjen një lajm nga puna. Zyra e Tiranës do mbyllej dhe mua me ofronin një rol ne Qipro, në zyrat qendrore të kompanisë.

Ok ja tek shfaqet drita. Tani boll mendova. Do lë gjithçka dhe do nisem drejt eksperiencës se re qe mu ofrua. Në djall të vejë kjo punë. Nëse fati nuk donte ta publikoja këtë libër do të thotë që nuk kishte ardhur momenti, që bota nuk është ende gati ta mirëpres atë shkrim dhe unë di ta njoh një humbje e te eci përpara.

Paketova gjithë gjërat e mia dhe brenda dy ditëve transferova çdo gjë në Fier tek prindërit.

Gati për aventurën e re. Gati për të jetuar emocione të reja në një shtet që nuk kisha jetuar kurrë dhe as që e kisha imagjinuar se do kishte qenë ndonjëherë zgjedhja ime.

Por ajo dreq adrenaline dhe etja për te jetuar çdo gjë 360 gradë pa u penduar asnjëherë do më bëj të sakrifikoj shumë gjëra më vonë  në jetën time. Zgjedhje qe nuk pendohem kurrë, me duhet ta cilësoj. Por jo gjithmonë ka qenë e lehtë dhe shpesh më është dashur të luftoj edhe kundra familjes për gjërat qe unë dua. Shpesh kam pasur vetëm kundërshtime në vend që të kisha mbështetje . Është më e “lehtë” kur ul kokën dhe bën atë qe të thuhet apo për atë që je edukuar të bësh. Të rritesh, të diplomohesh, të martohesh dhe pastaj fëmijë e familje. (po me këtë renditje)

Mirëpo unë nuk isha bërë për të ndjekur një renditje që të tjerët  kishin vendosur për mua. Unë kisha dhe kam ende sot prioritete e mia. Kam mënyrën time të të  jetuarit dhe të zbuluarit të bukurën, lumturinë dhe sensin e jetës.

Pasi mbërrij ne Qipro, që me surprizën time më të madhe zbuloj se ai vend do më rrëmbej një copëz të zemrës sime, me vjen një email.   Mbas 2 javesh në Qipro më vjen emaili I famshëm nga një prej  shtëpive botuese që kisha dërguar kapitujt e parë. U kishte pëlqyer dorëshkrimi dhe donin të më takonin për të biseduar më tepër rreth ofertës që kishin.

Tani mendova? Pikërisht tani që nisa jetën time nga e para me një projekt qe nuk më lë aspak kohë për këtë gjë? Tani që planifikova jetën time komplet ndryshe nga çfarë kisha në plan para 6 muajsh?
Më rrëshqitën lotët e nxehta në faqe. Mbylla kompjuterin dhe s’iu përgjigja kurrë atij emaili.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *