Ngjyrat e një ëndrre_Pjesa 2

Çfarë mund të bësh tjetër pasi prek fundin?

Kur u ktheva nga Italia në 2014 kisha plot shpresa dhe fantazoja një botë më të mirë. Një botë të cilën unë do ndihmoja ta përmirësoja.
Një botë që në sytë e mi dukej sikur kishte pritur vetëm ardhjen time për t’u zgjuar nga një makth I tmerrshëm. Një botë ku virtytet e mia do gjenin vend shumë lehtë dhe unë si një “Wonderwoman” me shpatën e mprehtë në dorë do vendosja rregull, paqe dhe lumturi. (u ndodh të gjithëve kjo sapo rikthehen në Shqipëri më besoni)
Do mjaftonin shumë fare pak muaj për të zbuluar të vërtetën e hidhur.

Bota nuk po priste një shpëtimtare si unë e mbushur me  ngjyrat e shpresës. Bota kishte nevojë për një luftëtare që në fillim të mbijetonte dhe më vonë të luftonte për veten e për të tjerët. Por jo për një shpëtimtare. (mbrojtëse, hero, çlirimtare)  Njerëzit nuk donin të shpëtonin.  Ishin zhytur aq thelle e për një kohe aq shumë te gjatë në atë “mjerim” dhe skena të ndryshme viktimizimi të përditshëm që quanin jetë, saqë fjalët e mia u dukeshin si fjalët e Jezusit kur fliste popullit hebre për herë të parë. (ok ndoshta sapo krahasova veten me Mesian, nuk jam e tillë dhe nuk besoj do shndërrohem në shenjtore një ditë , thjeshtë dua të kuptoni murin e lartë që ndesha në atë periudhë) Më quajtën të çmendur.
 “Studiove disa vite në Itali dhe kujton se di çdo gjë tani. Po të ishe aq e mirë qëndroje andej”- ky ishte refreni që dëgjoja çdo ditë në atë periudhë.

E çmendur! Sigurisht nuk kishin komplet faj duke jetuar në një realitet ku çdo ëndërr të ndërpritet pa marrë  fluturimin normalisht s’kishin si mos ta mendonin në këtë mënyrë. Realiteti i Fierit ishte plot e përplot me tabu dhe “ëndrra vrarës” që nuk linin vend ëndrrave apo ngjyrave pozitive.

Po kaq shumë kisha ndryshuar unë në ato 7 vite larg këtij vendi? Kaq shumë isha transformuar sa mos të kuptoja  një gjë kaq të thjeshtë?
-Shiko, është shumë e thjeshtë; më thoshte im atë- Sistemi komunist në fund doli I vetmi që mbijetoi dhe fitoi. Shiko ku është Kina një superfuqi botërorë e shiko ku janë shtetet e tjera. Vetëm luftë nga të gjitha anët. (kishte një farë logjike edhe arsyetimi që kishte im atë, pavarësisht se mua më digjte)

Ndoshta ishte vërtetë e thjeshtë, populli donte vetëm të kishte një punë qe tu siguronte bukën në fund të muajit, ujë, drita, rrugë të shtruara dhe lokale ku të kalonin kohën e tyre të lirë. Kaq pak ngjyra, nuk donin nuancat e ndryshme të jetës. Përkundrazi, disa përqafonin vetëm ngjyrat bardhë e zi dhe nuk kishte mënyrë ti bindje për diçka ndryshe.

Po unë ku isha në gjithë këtë? Unë ku gjendesha kur njerëzit kishin hequr dorë nga ëndrrat dhe ishin adaptuar realitetit te një vendi qe nuk mundësonte as gjerat më bazike të jetës?

Kështu kishte qenë edhe me përpara? Kështu ishin njerëzit edhe me përpara se te nisesha unë të studioja në një shtet tjetër? Apo thjeshtë tani po më hapeshin mua sytë sepse po përballesha drejtpërdrejt.

“Hiq dorë më thoshte im atë, nuk je më në Itali apo në perëndim, duhet të sillesh si në Shqipëri. Do thyhesh hundën tënde nëse vazhdon me këto ide.”

freepik

Është e vërtet i thoja, kemi shumë punë përpara por edhe ai perëndimi I famshëm nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ai perëndimi I famshëm ka qenë një herë e një kohe një popull barbar (duke u nisur nga vikingët nordik e deri në ekstremistët e Hitlerit)  e më vonë u zhvilluan dhe u krijua perëndimi që njohim sot. 

 Ato shtetet e famshme  dikur hodhën bombën në Nagasaki dhe Hiroshima për ti dhënë fund një lufte me luftë dhe lanë pasoja që ende sot ndihen në ajrin e atij vendi. Të njëjtat shtete që kanë një histori 500 vjeçare dhe jo 2000 vjeçare si ne, tashmë drejtojnë botën.
Ato vendet e famshme të etur për pushtet dikur gjymtuan trojet tona dhe na ndanë.
Po diku ato u zgjuan dhe përparuan.
Po në ku humbëm? Në cilën pikë të historisë e humbëm fillin dhe identitetin tonë? Në cilën pjesë u dorëzuam dhe ulëm kokën për t’iu nënshtruar një politike kaq “ëndrra vrasëse” ?

Fundja jemi po I njëjti popull qe në 90’ hodhëm poshtë një diktaturë (pavarësisht se sollëm një diktaturë tjetër, thjeshtë me emër te ndryshëm, por kjo është çështje tjetër që nuk do e analizojmë sot) dhe u liruam nga zinxhirët qe na mbanin kokulur.

S’paska shpresë për në për tu mare shembull një dite siç tani në marrim shembull ato shtetet e famshme?
Po unë nuk jam një person i tillë. Unë nuk dorëzohem lehtë dhe nuk lejoj asnjeri të më thotë çfarë mund apo s’mund të bëjë.

Kështu nisi rruga ime drejt zbulimit të vetvetes.
Nisa të kërkoj punë pasi të shpëtoja botën më duhej edhe të mbijetoja fillimisht dhe pastaj të shpëtoja të tjerët.

Punë kishte kudo, por shumë gjëra nuk shkonin:

*Isha femër dhe disa poste nuk mund ti mbuloja. (sipas tyre, jo sipas meje)
*Gjuhët që zotëroja dhe eksperienca ishin te tepërta për punët dhe pagën që më ofronin në Fier.
*Nuk kisha miq që të ma shtronin tapetin e kuq dhe thjeshtë ti vija gishtin cilit post doja.
*Nuk pranoja kompromise apo tu lëpihesha personave që kishin në dorë një vend pune relativisht të mirë.

Ishte e paimagjinueshme për mua të filloja tani të kërkoja ndihmë familjes pasi kisha punuar që ditën e parë që kisha zbritur në Itali dhe isha shumë e pavarur për të bërë kaq hapa mbrapa. Këtë nuk e pranoja kurrsesi nga vetja.

Shuka kokën disa here në shumë dyer me CV tim. U rrëzova. U ngrita sërish. U mundova të mos e humbisja shpirtin tim pozitiv dhe objektivin tim. Por sa më shumë kohë kalonte dhe sa më shumë dyer më përplaseshin në fytyre aq më shumë ndihesha sikur kisha bërë gabimin më të madh qe isha kthyer.

Mbas 2 muajsh kërkimesh në qytetin ku jetonin prindërit e mi, u lodha. U dorëzova.

Do thoni kaq pak durove?

freepik

Çdo ditë ngrihesha me një ide të bukur dhe çdo ditë kur shtrihesha të flija ndihesha sikur po mbytesha në ajrin qe thithja. Po ai ajër aq I domosdoshëm për mushkrit e mi, po më mbyste e më digjte kraharorin. Sa ngjyra të ndryshme kam hasur në atë periudhë nuk mund ti numëroj.

E kuptova që punë nuk do gjeja lehtë dhe jo aq shpejt sa mendoja. Iu ktheva një ëndrre që kisha pasur që 18 vjeçe, të ngrija një biznes. (nuk kisha asnjë lek për këtë gjë, por kisha idenë dhe dëshirën e madhe për të punuar)

Në fakt Italia më ka mësuar një gjë shumë te mirë: Nëse ke një ide je në rrugë të mirë drejt suksesit, kërko atë qe ka lek dhe nuk ka ide që të financoj.  

Përpara se ti ofroja një plan biznesi dikujt më duhej të hidhja hapat e para dhe të kisha diçka konkrete në dorë. Ndaj flas me tim atë dhe i shpjegoj idenë time që lidhej me fshatin ku ata ishin rritur. Kisha dëgjuar që mjaft prej tyre nuk i shfrytëzonin tokat pasi çdo familje kishte të paktën një fëmijë jashtë shtetit që kujdesej për ata dhe u dërgonte fonde çdo muaj. Pra tokat shfrytëzoheshin shumë pak ose aspak.
Kisha dëgjuar gjithashtu nga gjyshërit e mi që në kohën e kooperativave ato toka kishin qenë ideale dhe prodhohej me shumicë pambuku që eksportohej në vendet fqinje. Duke ditur vlerën e çmueshme të pambukut në ditët e sotme supozoja të ngrija një biznes të mirë dhe të vlefshëm për të gjithë.

“Unë do kërkoj një kredi të butë në bankë për lëndën e parë si fillim, do gjej investitorin Italian që do investoj për rrogat e punonjësve në muajt e pare, do lidh kontratë disa vjeçare për eksportin e pambukut pasi dihet që Italia është shtëpia e modës dhe ka nevojë gjithmonë produkte të tilla Viti i parë ndoshta nuk do ketë shumë fitim pasi ata që kanë tokat do marrin një rrogë mujore për shkak të fondeve të pakta. Por nga viti i dytë do bëj të mundur të lidh kontrata qiraje për tokat, përveç rrogës mujore që  do bëj  çmos të  jetë e kënaqshme për të gjithë. (pasi në planin tim ata që ofronin tokat e tyre do ishin edhe punonjës e bashkëpunëtorë për të ndërtuar një biznes të bazuar në vlera respekti reciprok e mos të kisha njerëz që të vidhnin apo të ma punonin mbrapa krahëve) Duke parë fitimet e tyre nga viti i dytë mendoj do mund të përfshijmë më shumë toka e kontrata më fitimprurëse. Shumë prej tyre nuk po merren me bujqësi e blegtori në këto momente e as po i shfrytëzojnë në ndonjë mënyrë ato toka. Në këtë mënyrë do kenë diçka me çfarë te merren dhe gjithashtu do kenë një ekonomi më të mirë familjare, do kenë mundësi të jenë pjesë e një biznesi që drejtohet nga njerëz që ndajnë të njëjtat vlera me ata. Të rinjtë do kenë mundësi të ndjekin ëndrrat e tyre, universitetin apo çfarë do që duan pasi kanë një prurje fikse çdo muaj e mundësi për më shumë. ”

freepik

Isha armatosur me entuziazmin tim dhe isha shumë e sigurt qe im atë do ishte krenare për mua.
Për habinë time, im atë lëshon një qeshje kumbuese e më rreshton listën e tij pse nuk realizohej ai plan kurrsesi. Më tregoi që edhe po të realizohej si plan, kush do e ruante pambukun 24 orë pasi fshatarët e tjerë do fillonin ta vidhnin, ca për ta shitur vetë e ca për inat se nuk merrnin pjesë në këtë plan.

Atëherë i thashë le ti përfshijmë te gjithë e punojmë të gjithë si një familje e madhe.

Qeshi sërish e këtë herë edhe më shumë.

Nuk punon më njeri më tha. Shumica ka një familjar jashtë shtetit që i ndihmon çdo muaj. Ata pak që shquhen si punëtorë kane bizneset e tyre apo një punë të mirë në komunë, shkollë apo mjekësi. Të tjerët ngrihen në mëngjes të bëjnë 2-3 ore punë, ato më të nevojshmet dhe pastaj janë gjithë ditën duke dredhur duhanin, duke fjetur gjumë apo duke parë futboll. (nga më I riu tek më I vjetri)

Nuk e besova tim atë. Kishte 30 vjet që ishte larguar nga fshati dhe nuk e dinte se çfarë mendonin njerëzit atje. (mendova)

Shkoj të takoj  xhaxhain tim në fshat që gëzonte një respekt në komunitetin e tij dhe mund te bënte diçka për mua.

Me dëgjoi me vëmendje deri në fund. Më përgëzoi për idenë dhe shpirtin tim sipërmarrës dhe në fund më dha të njëjtat arsye që më kishte dhënë im atë.
Sërish nuk u dorëzova dhe tek lokali i tij shikoj një tavolinë me burra që po pinin kafen. U kërkoj edhe atyre mendimin rreth kësaj çështjeje dhe këtë herë jo vetëm që qeshën por më thanë të kthehem në Itali sa më shpejt se ky vend nuk ishte për njerëzit si puna ime.

U ktheva tek prindërit në Fier e demoralizuar sa s’ka më. Po çfarë ti këtë ndodhur vallë këtij populli mendova? Mos nuk më morën seriozisht sepse jam një vajze e re dhe nuk u ngjalla besim?
Im atë me thotë ti lë ëndrrat mënjanë e të gjeja një punë nëse mendoja të jetoja këtu.

E tmerruar preva biletën më të afërt qe gjeta dhe u shkova në Milano të takoja miqtë e mi. Kisha nevojë të ndihesha e gjallë sërish. Miqtë e mi më kujtuan se unë nuk jam një person që dorëzohet para vështirësive dhe se duhet të gjeja mënyrën e duhur për të dhënë kontributin tim në këtë botë e të ndihmoja njerëzit, nëse ky ishte vokacioni im.

Atë moment marrë telefonatën e mikes time Italiane për projektin e zyrës në Tirane dhe unë rikthehem, këtë herë e qartë me synimet e mia.

#ngjyrateendrrave #ngjyratesipermarreses #ngjyrateveshtiresive #ngjyratetabuve #ngjyrateendrravrasesve #ngjyratemosbesimit  #ngjyrateshpreses #ngjyratpozitive #ngjyratejetes #colorourlives

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *