Ngjyrat e dhunës

“A do ti lajë uji i gjithë oqeaneve këtë gjak nga duart e mia? Jo, në vend të kësaj, duart e mia do të njollosin flakën e deteve, duke i kthyer ujërat e gjelbërta  në të kuqe.” Makbeth

Aurela Gace i këndon jo vetëm bukurisë femërore por prek edhe temat delikate siç është ajo e keqtrajtimit dhe dhunës së grave. Këto dekada të fundit  ky problem nuk po gjen zgjidhje edhe pas shumë fushatave sensibilizuese.  E kush tjetër veç ajo, një furtunë femër, mund të sjelli kaq pastër dhe thjeshtë një mesazh kaq të rëndësishëm për gjithë vajzat dhe gratë e dhunuara.

Do ju lutesha ta lexoni me kujdes tekstin e kësaj kënge dhe e mësoni mirë siç dini himnin kombëtarë pasi behet fjale për atë të shtrenjtën jetën tuaj:

S’më ka parë të qajë,
Le t’më shohë tani,
I kam thënë më fal,
Unë për fajet e tij.

Çfarë kërkon më shumë ai ?
Të më shkelë, s’më shkel njeri.

E kam mbushur sot,
Një valixhe plot me lot,
Se e dua plot, sa e di një Zot,
E di një Zot!

Më lëndon, lëndon e unë e fal,
Por do shkoj se veten dua gjallë.

Sa shumë tokë e ujë,
Me të do t’më ndajë,
E kur të mos më ketë,
Lotët vetë le t’i thajë.

*Jetën s’ma ka dhënë ai,
E t’ma marrë s’ma merr njeri. *

Vargjet mbartin një mesazh shumë të qartë dhe nuk lënë vend për interpretim. “Jetën s’ma ka dhënë ai, e për t’ma marrë s’ma merr njeri” pikë.

Jam dashuruar me këngën “Ma thuaj ti” kur e dëgjova për herë të parë dhe pas 4 vitesh Rozana Radi godet sërish me tekstin e “Veten dua gjallë” më mjeshtëri e kthyer në melodi nga një super këngëtare  si Aurela Gace.

Ti mund të falësh gënjeshtrat e tij, tradhtinë (për arsyet e tua, nuk mund të gjykoj)  mund ta falësh që nuk e ke kurrë një person që të mbështet e të jep kurajë, faktin që ndihesh e huaj në shtëpinë tënde gjithë jetën. Faktin që ndihesh thjesht një shërbëtore e asgjë më tepër. Mund të falësh çdo gjë, POR nuk mund të falësh dhunën qoftë ajo verbale apo fizike.

Kemi pare raste të ndryshme tek emisioni “Dua të të bëj të lumtur” që tregojnë qartë problemet e dhunës ndaj grave dhe faljes në shoqërinë tonë  duke maskuar frikën me shprehjen “për hir të fëmijëve apo për mos të prishur familjen” : bëhet fjalë për këtë histori ne 2019 https://www.youtube.com/ëatch?v=vGkJtk_ëkVk

Ashtu siç ishte rasti tjetër mbas një viti në janar të 2020:  https://www.youtube.com/ëatch?v=eXYnilOUVzM&t=9s ky rast ma theu zemrën e më ka lenë pa fjalë. Kur dëgjova historinë e dhunës në pyll nuk mund mos të kem frikë për këtë grua që përjeton këtë horror dhe mundohet të mbijetojë çdo ditë.

Femra të tilla që kanë një zemër kaq të madhe e falin kaq shumë, vazhdojnë mos të humbasin shpresën për te ndihmuar personin që kane zgjedhur të krijojnë familje  pasi mendojnë se një dite do behet me mirë,  janë vërtet shumë të forta e për tu admiruar. Këto femra kanë marrë një përgjegjësi  të madhe: të transformojnë bishën në një princ. Mirëpo bisha nuk transformohet në një princ nëse nuk do dhe kjo nuk është një përrallë e Gabrielle-Suzanne de Villeneuve “E bukura dhe bisha”. Kjo është një jetë reale që nuk ka buton “replay” dhe ju nuk mund të lejoni dikë t’ju shkeli shpirtin tuaj në këtë mënyrë. Ju mund të ndani shtratin tuaj për 20, 30,40 vjet dhe vjen një ditë e bukur e jeta juaj kërcënohet nga personi që keni ndarë çdo ditë, çdo frikë, çdo vështirësi e çdo ëndërr. Personi që duhet t’ju mbrojë nga egërsitë  dhe vështirësitë  e jetës bëhet ekzekutori juaj. Ato sytë që dikur ke dashur dhe të kanë rrëmbyer zemrën bëhen sytë e fundit që do shikosh në ato çastet e fundit të agonisë. Ato duar që dikur të kanë dhuruar dashuri e kanë prekur çdo centimetër të lëkurës tënde përgjaken me të kuqin gjak që rrjedh në venat e tu. Ajo zemër që dikur strehonte të bukurën dashuri tani ulëret mbyturazi fjalën shpëtim. Loti i fundit në cep të syrit shpërndan të fundit amanet dhe çdo gjë shuhet e bëhet sterrë, hi e zi.

Pse vallë mendon se ke lindur për të vuajtur? Cilido qoftë mëkati që mendon se ke bërë, ta siguroj që nuk meriton një jetë të mbushur me dhunë e frikë. Pse vallë mendon se meqenëse “ky fat të ra” nuk ke mundësi ta ndryshosh? Dora që godet nuk të do por thjesht do të godasë dhe pikë. Nuk ka “por” nga mbrapa fjalës. Ai që të do nuk të vret, nuk të lëndon, nuk të dhunon, nuk të përçmon, nuk të shpërfytyron. Nuk ka vend për interpretime të kësaj sjelljeje makabre. Nuk do mund ta shuash etjen e tij për dhunë edhe duke falur jetën tende ndaj ngrihu dhe shpëto. Është etje e kripur ajo e nuk mjaftojnë as gjithë burimet e kësaj toke për ta tretur. Ngrihu dhe lufto për të shenjtën jetë që të është dhuruar.

E dashur vajzë që ke pranë një djalë të tillë, shpëto sa je në kohë dhe mos prano kompromise kur jeta jote është në rrezik.

E dashur grua që ke një burrë të tillë, pasi je munduar shumë herë ta nxjerrësh nga skëterra atë njeri dhe ke e falur kur shenjat në trupin tënd janë zbehur , fali vetes një jetë më të mirë dhe shpëto. Shpëto sepse askush nuk do të bëj martire duke duruar vuajtjet dhe dhunën e vazhdueshme. Askush nuk e di çfarë realisht përjeton çdo ditë.
Ti ke lindur për të qenë gjallë dhe jetën nuk ta ka dhënë Ai, ndaj askush në këtë botë nuk duhet të ta marri.

“A do ti lajë uji i gjithë oqeaneve këtë gjak nga duart e mia? Jo, në vend të kësaj, duart e mia do të njollosin flakën e deteve, duke i kthyer ujërat e gjelbërta  në të kuqe.” Makbeth

 #rozanaradi #aurelagace #vetenduagjalle #lufto #shpeto #stopdhunes #stopkeqtrajtimittegrave #stopdhunesndajgruas #stopvrajsevetefemrave #stop #dashuronimosdhunoni #dashuronimosvrisni #dhuronidashuri #dhuronijete #duatetebejtelumtur

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *