Ngjyrat e Kristina Rexhaj

Asnjë nuk e njeh ndoshta me këtë emër pasi në rrjetet sociale njihet me emrin e “Oniro.Studio”.

E keni dëgjuar ndonjëherë fjalën rezinë? Është një material plastik qe vitet e fundit është përhapur shumë dhe kompanitë në mbarë botën kanë krijuar një trend te ri; veshja e dyshemesë duke i transformuar në art 3D që merr jetë brenda shtëpisë, biznesit apo ambienteve të ndryshme.
Mua më ndodhte shpesh qe i shikoja këto video ne 9gag se si krijoheshin objekte te ndryshme nëpërmjet kësaj metode dhe mbetesha gjithmonë e mrekulluar nga rezultati final. (adhuroj cdo lloj forme të artit)
Ndërsa unë i shikoja këto video thjesht sepse më pëlqen e bukura dhe arti, një vajzë tjetër ishte e përpirë nga bota shumëngjyrëshe e rezinës. Kristina Rexhaj kishte një pasion për pikturën dhe ngjyrat e jetës. Dashuria e saj për artin i ka rrënjët e thella dhe kur te mësoni kush është ai qe e ka frymëzuar do kuptoni se sa e devotshme është kjo vajzë.
Kristina nis të shikoj emisionin e piktorit Amerikan Robert Ross, (krijuesi dhe prezantuesi i “The Joy of Painting” në vitet 1983-1994) që në Shqipëri ritransmetohet nga vitet 2000. Kështu fillon dashuria e saj për pikturën dhe duke ndjekur hap pas hapi këshillat e Bob Ross, siç e quanin të gjithë, fillon të hedh në telajo pikturat e para. Jeta me rrjedhën e saj e çojnë drejt fakultetit të arkitekturës por Kristina nuk harron dashurinë e saj të parë, artin e pikturës. Si një njeri që adhuron te bukurën dhe me një kuriozitet të pashtershëm, njihet me materialin qe do i japi ngjyrë dhe jete ëndrrave të saja, rezinën. Fillon të shikoj çdo video në youtube se si mund të punohet me këtë material që falë cilësive të shumta që ka, me pak kreativitet, mund të marri krahë dhe të mishërohet në çdo objekt. Punimi i parë është një dërrasë që amvisat e përdorin në kuzhinë.

Syri i artistes nuk e zhgënjeu pasi të gjitha punimet e para bliheshin nga miq e të njohur pa mbushur javën nga momenti i krijimit. Nisi kështu krijimi i një rrjeti klientësh, ku çdokush që kishte blerë objekte të punuar me rezinw nga Kristina, sugjeronte punimet e saja dhe kërkesat shtoheshin çdo ditë e më shumë.

Arkitektura mbetet gjithmonë në zemrën e saj por tashmë një tjetër pasion vlon ditë e natë. Ndodh kështu që në 2017 organizon një ekspozitë pranë Universitetit Polis ku edhe kupton se jeta e saj nuk do ishte më njësoj. Veprat shiten pothuajse të gjitha dhe ajo vendos të shfrytëzojë këtë mundësi për tu shkëputur nga puna si arkitekte dhe te nisi udhëtimin e saj plot ngjyra me këtë produkt aspak ose shumë pak të njohur në Shqipëri.
Sfidat nuk mungojnë si një autodidakte që është por ajo e di që ka nevojë vetëm për vullnet dhe shumë prova derisa të arrij në perfeksionin dhe cilësinë që me krenari tani pohon se zotëron.
Lind kështu ideja e studios pasi kërkesat e shumta për punimet me rezinë kërkojnë gjithashtu hapësirën e duhur ku Kristina jo vetëm të krijoj por të pres klientët dhe te ekspozoj punën e saj. Tashmë ëndrra kishte marrë krahë e ishte kthyer në biznes. Ngjyrat nuk ishin më vetëm në studion e saj ku teston e punon pa pushim por në çdo produkt qe Oniro Studio (Oniro në greqisht do te thotë ëndërr) kishte dorëzuar në shtëpitë dhe bizneset e klientëve prej vitit 2016.

Studio e parë hapet pranë kompleksit Magnet (Kontakt Shpk) dhe më vonë në Rrugën Myslym Shyri ku Kristina organizon edhe workshop individual ose në grup për personat që dëshirojnë të mësojnë se si të punojnë dhe të krijojnë më rezinë.
Kurioziteti dhe etja për më shumë dije i japin shtysë që Kristina të lexoj pafundësisht libra mbi sipërmarrjen, vetë-zhvillimin dhe marketingun. Veçon autobiografitë apo librat që e kanë frymëzuar më së shumti të kategorisë si : “Shoe Dog” që i dedikohet krijuesit dhe themeluesit te Nike, “Shtëpia që Jack Ma Ndërtoi” (themeluesi i Alibaba), Brian Tracy etj.

Kristina është vetëm 26 vjeçe dhe si shumë vajza e gra të suksesshme kuptoi se çfarë e bënte të lumtur, punoi fort dhe arriti të realizonte ëndrrën e saj.
“Bëni atë që më shumë doni dhe nuk do të punoni kurrë një ditë tjetër në jetën tuaj.” E kemi lexuar dhe dëgjuar aq shumë herë këtë shprehje, e kemi stampuar me ndonjë poster me përmasa të mëdha në shtëpi apo zyrë e megjithatë sërish biem pre e situatave të ndryshme që na sjell jeta dhe shpesh përfundojmë duke punuar për diçka apo dikë që nuk na bën të lumtur.
Kristina është një vajzë e zgjuar dhe ka kuptuar herët se çfarë do nga jeta, mori guximin që ëndrrat e saj mos të mbesin thjesht ëndrra të bukura por u dha krahë e ngjyra. Jo vetëm kaq, por me artin e saj është duke i dhuruar ngjyra personave që e ndjekin apo blejnë produktet e saj kreative. Nëse do veçoja një produkt që mban komplet emrin e Kristinës, pasi nuk e gjeta online nga asnjë artist tjetër, ai është “Syri” që artistja e ka sjellë me nuanca të ndryshme për klienta të ndryshëm. Asnjë produkt nuk është prodhuar terësisht i njëjtë për 2 ose më shumë veta. Artistja deshiron të jetë origjinale duke sjellë cdo herë produkte unike për secilin nga klientët e saj, ndaj në momentin që blini nga Oniro Studio jeni duke u pasuruar me një objekt që vetëm ju do e keni 100% të tillë.

Vështirësitë për një vajzë të re në biznes dihen tashmë dhe priten gjithashtu që të hasen pasi janë të pashmangshme dhe ndoshta më mirë kështu pasi janë pikërisht këto vështirësi që të bëjnë të kuptosh nëse një ëndërr ia vlen ta kthesh në profesion apo biznes e ti dedikosh jetën tënde. Por në rastin e Oniro Studio vështirësitë janë edhe në faktin që në Shqipëri duke mos u njohur shumë si punë, mjaft njerëz mund të mos e vlerësojnë artin me rezinë apo produktet artizanale, duke pasur pritshmëri të larta por me koston më të ulët. Por Kristina nuk e humbet kurajën dhe shpirtin pozitiv pasi ajo adhuron atë se çfarë bën, e bën me zemër dhe siç pohon “Herët a vonë do vij suksesi, s’ka ku të shkoj”.

Është e vërtetë, njerëzit që vendosin zemrën dhe trurin në atë që bëjnë do arrijnë suksesin pasi zotërojnë aftësitë e nevojshme që u duhen: Vullnetin e përditshëm duke mos u dorëzuar kurrë, dashurinë dhe kreativitetin për të qenë unik.
Kristina adhuron gjithashtu interior design dhe projekti i saj i ardhshëm është pikërisht të ngrejë një studio që do të merret vetëm me këtë pjesë. Gjithsesi, fokusi për momentin është të rrisë Oniro dhe produktet e saj të shiten online edhe jashtë Shqipërisë, po kështu një ditë të këtë showroomin e saj.
Duket si përrall e di. Një vajzë një ditë vendos të mësoj diçka të re në youtube dhe duke shpalosur aftësitë e fituara me punën dhe këmbënguljen e shume viteve, ia del mbanë dhe tani bën çdo ditë një punë që i jep kënaqësi pafund.
“Çdo person është i projektuar, gjenetikisht i ndërtuar, për të bërë diçka të veçantë. Kështu që e vetmja gjë që duhet të bëni është të zbuloni se çfarë dini të bëni më mirë, në cilën fushë ju mund të shndrini dhe të veproni.” (Brian Tracy)

@oniro.studio #resinart #resine #artizanale #ngjyrateartit #ngjyratejetes #ngjyratefrymezimit #historijete #historisuksesi #colorourlives

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *