Ngjyrat e depresionit

“Unë jam një mësuese prej 25 vitesh dhe e kam zgjedhur këtë profesion sidomos sepse adhuroj fëmijët.
Me burrin tim të parë jam njohur në gjimnaz. Ishte një nga ato dashuritë e para që e kupton se do jetë për gjithë jetën. Mbasi përfundova universitetin vendosëm të martoheshim pasi që të dy donim të krijonim familjen tonë. Të dy adhuronim fëmijët dhe mezi prisnim të bëheshim prindër. Provuam për 5 vjet rresht dhe shkuam edhe jashtë shtetit për të tentuar çdo gjë të mundshme. Jeta nuk kishte rezervuar për ne këtë fat dhe të dy u dëshpëruam shumë.
Mjekët konfirmuan se isha unë problemi në çift. Mundësitë e mia për të pasur një fëmijë ishin 3-5 %. Ndihesha në faj për burrin që kisha në krahë pasi po e privoja nga një gëzim të tillë. Edhe unë ëndërroja të kisha një fëmijë të timin por në ato momente barra e rëndë që kisha mbi supe më pengonte të mendoja për plagët e mia dhe mendoja vetëm për burrin. Duheshim shumë dhe mendoja çdo ditë çfarë mund të bënim. Shkova edhe në mjekë popullorë e çfarë nuk tentova, por asgjë nuk funksionoi. Unë i propozova të adoptonim një fëmijë në jetimore por reagoi aq keq sa nuk ia kujtova më. Më thoshte se ndoshta një ditë Zoti do na dhuronte një fëmijë e mos ta humbitnim shpresën. Koha kalonte dhe harmonia që kishim po venitej. Faji që ndieja po më mbyste dhe çdo ditë vdiste një copëz të zemrës sime. I propozova që të formonte jetën e tij me dikë tjetër por ai nuk e pranonte kurrsesi. Më vinte keq për atë por ndihesha edhe e lumtur që kisha pranë një njeri të tillë, që më donte aq shumë dhe vazhdonte të ëndërronte me mua pa e humbur shpresën.
Derisa një ditë më thotë që nuk mundet më dhe dëshiron të ndahet. 10 vjet martesë e tillë na kishte shkatërruar të dyve. Unë e vuajta shumë por nuk ia bëra të ditur kurrë pasi doja që ai të ishte i lumtur. Vuajtja ime u shtua më shumë kur mora vesh se ishte bërë baba 8 muaj pasi më kishte kërkuar divorcin.

Nuk e kisha problem që ai kishte nisur jetën e tij aq shpejt por fakti që u bë prind aq herët më bëri të kuptoi që vitin e fundit që kishim jetuar bashkë kishte qenë një gënjeshtër. Më bëri të vuajë fakti që unë i kisha kërkuar të riniste jetën dhe ai vazhdonte të ngulte këmbë se besonte tek ne, besonte se një ditë do ishim një familje e kompletuar. Aq shumë e besonte sa kisha filluar të besoja edhe unë e të shpresoja se një ditë do mund të kisha një fëmijë nga gjaku im. E gjitha kjo më zhyti në një depresion, në një botë paralele sterrë të zi që nuk shikoja as dritë e as ngjyra gjëkundi.
E vetmja gjë që më ndihmoi të kaloja atë periudhë depresioni dhe dhimbje pa kufij ishin nxënësit e mi. Ndihesha me fat që të paktën kisha ata dhe fokusimi te puna më ndihmoi ta kaloja atë periudhe të jetës që shumë pak e kujtoj dhe rrallë e tregoj. Pesë vjet pasi isha divorcuar njoha personin më të mrekullueshëm që mund të gjendet mbi tokë. Ishte i ve me dy fëmijë dhe lumturia që më solli nuk ka të përshkruar. Adhuroj familjen që kam krijuar me atë dhe fëmijët i dua sikur të jenë fëmijët e mi.
Jeta edhe një herë kishte vendosur të më surprizonte. Në moshën 42 vjeçare zbuloj se isha shtatzënë dhe lumturia arrin në qiellin e shtatë. Nuk mund ta besoja se pas kaq kohe që kisha humbur çdo shpresë mund të provoja një ndjenjë të tillë. Fillova të ëndërroja për emrin, për dhomën, për rrobat që do blija edhe pse nuk e dija gjininë.
Sprovat për mua nuk kishin mbaruar dhe jeta më gjunjëzon edhe një herë sikur donte të më jepte një mësim. E humba fëmijën kur isha 9 javëshe dhe këtë herë nuk kisha forcë të ngrihesha e të jetoja.

U mbylla në shtëpi dhe nuk kishte njeri që të më nxirrte nga dhoma. Refuzoja të haja dhe burri im ishte i shqetësuar, cdo ditë bënte çmos për të më ngritur moralin edhe pse e kuptonte vuajtjen time pasi e dinte sa shumë e kisha ëndërruar një fëmijë të timin. Mendonte se do më humbiste dhe nuk ishte në gjendje të përballonte një humbje të dytë në jetë. Më vinte keq për atë dhe nuk doja të vuante për fajin tim por nuk kisha as dëshirën më të vogël për të jetuar në atë kohë. Ndonjëherë mendoja se do kishte qenë më mirë mos të kisha rënë shtatzëne kurrë. Të paktën s’do kisha pësuar këtë dhimbje. Edhe një herë ndihesha e zhgënjyer nga trupi im.

Mbas 1 muaji nxënësit e mi filluan të vijnë cdo ditë në shtëpi mbas mësimit. Herë një e nga një e herë në grupe. Në fillim më bezdiste prania e tyre dhe fakti që duhet të sforcohesha të flisja me ata. Nuk doja të shikoja apo të flisja me asnjë në atë periudhë.
Pa e kuptuar vizitat e tyre u bënë të përditshme dhe të nevojshme për mua. Mezi i prisja të vinin mbas dreke në shtëpi. Fillova të përgatis ëmbëlsira të ndryshme që ti ndaja me ata. Nga ana tjetër ata ndanin me mua historitë e ditës në klasë, shqetësimet e tyre si adoleshentë që ishin dhe shpesh herë kur i përshëndesja më thonin se u mungoja në shkollë.

E fala veten për gjithë mendimet e këqija që kisha pasur në atë kohë dhe kuptova se sa me fat që isha. Në fund të fundit kisha pranë një njeri të mirë me të cilin kisha një familje dhe isha e rrethuar nga njerëz që më donin të mirën.
Pas një viti u riktheva në punë dhe kjo falë asaj drite dhe shpresës që më dhanë ata fëmijë. Ata ndoshta nuk e dinë, por më shpëtuan nga humnera e depresionit ku kisha rënë, dhe jo vetëm një herë.”

Foto credit: freepik

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *