Ngjyrat e Alba Ruco

E keni parasysh skenën legjendare e Audrey Hepburn përpara dyqanit të Tiffany në filmin “ Breakfast at Tiffany’s” ?

Elegante dhe ikonë siç vetëm ajo mund të jetë. Kështu e imagjinoja veten time sa here kaloja përpara Argjendari Pirro. Shikoja reflektimin e vetes me një fustan të zi, të gjatë dhe elegant, me syzet që më mbulonin rrathët e syve dhe brioshin e kapuçinon në dorë. Por pjesa më e rëndësishme dhe që nuk mund të mungonte ishte bizhuteria me perla rreth qafës dhe unaza e veçantë në dorën e djathtë. (sigurisht, mua më mungonin disa centimetra gjatësi dhe kisha disa kile më tepër, por ky detaj në fantazitë e mia nuk përbente problem themelor)

Por një femër tjetër që nuk kishte asgjë për ti pasur zili Adrey-t , me një elegancë po kaq unike si gurët që përfaqëson, qëndronte nga ana tjetër e vitrinës brenda “Argjendari PIRRO”, Alba Ruco.

Argjendari PIRRO lind si një ëndërr e të atit për të realizuar stemën e Kongresit të 9-të në vitet 86-87, për të materializuar ëndrrën e tij pas studimeve në Inxhinierinë Mekanike. Për të realizuar portretin e udhëheqësit Hoxha në formë sa më precize, ai ndërtoi një makineri të personalizuar pantografi për punim miniature.
Vlerësimi me mirënjohje nga institucionet e pushtetit, krijoi vazhdimësinë më tej në organizimin e ekspozitës së parë të artit ne Shqipëri në 1990, ku morën pjesë personalitete dhe figura të njohura. Ekspozita e parë u pasua me disa eksperienca pune dhe porosi të veçanta individuale. PIRRO hodhi themelet e asaj çka sot është industri e artistikës dhe dizajnit, e nisur nga vizioni i dy prindërve të saj.

Ndërkohë që PIRRO rritej dhe krijonte një trashëgimi të artit dhe estetikës, Alba nga ana tjetër po koleksiononte pasionet e saj deri sa një ditë vendos të vazhdoj studimet para universitare dhe universitare në Angli prej moshës 17 vjeçare, që u pasuan më tej në Master dhe Specializime për gjemologjine dhe dizajn bizhuterish në Amerikë dhe Tailandë.  


AJP (Accredited Jewelry Professional Program) është Programi Profesional i Akredituar i Argjendarisë në mbarë botën që mbulon jo vetëm studimin mbi gurët e çmuar por çdo aspekt të argjendarisë, të ofruar nga GIA (Gemological Institutë of America) që është Instituti Gjemologjik i Amerikës. Është një kurs i shkëlqyeshëm i ofruar nga GIA për këdo që dëshiron të zhvillojë njohuri të mëtejshme në Tregtinë e gurëve të çmuar dhe certifikimin e tyre. Pra nëse dëshironi të jeni I sigurt qe një gurë ka vlerën, pastërtinë dhe cilësinë që ju kërkoni, ju duhet një specialiste si Alba.

A thua se duhet të shkonte kilometra larg për të kuptuar qe vokacioni i saj kishte qenë gjithmonë para syve? Sigurisht që jo, por jeta ka mënyra të mistershme  për të treguar se çfarë ka rendësi vërtetë për secilin nga ne. Zgjedhjet dhe prioritetet janë individuale për çdo njeri dhe çdokush mund të dojë të shndrijë e të rrethohet me aureolë shumëngjyrëshe duke kuptuar vetë cila aureolë është e duhur për të. Dashuria për gurët mund të ketë qenë një pasion i lindur dhe i edukuar gjatë jetës, duke pasur pranë xhevahire kaq të çmuar siç janë prindërit e saj. Por vullneti për tu bërë specialiste në certifikimin e gurëve të çmuar është tërësish fryt i studimeve dhe punës shume vjeçare që Alba ka ndërmarrë. Me siguri një moment ndriçues, ose ndoshta një konfirmim i radhës për Albën, ka qenë eksperienca me grupin më të famshëm të zbulimit dhe tregtimit të Diamanteve prej 1888, “De Beer Group”.

Specializimet e shumta në këtë fushë dhe eksperienca në grupin De Beer e kishin pasuruar jo vetëm me njohuri të larmishme rreth gurëve të çmuar, por i kishin ndezur dëshirën për të sjellë diçka inovative dhe komplet unike në tregun Shqiptarë. E armatosur me shpirtin e saj pozitiv dhe kreativ vendos të kthehet në Tiranë dhe të japi kontributin e saj në biznesin e familjes. E kotë të themi që realiteti kaq i ndryshëm midis Tiranës dhe Londrës do i tregonte shumë shpejt që rruga drejt suksesit nuk ishte e shndritshme as sa hija e një diamanti. 

Sfidat kanë qenë të ndryshme, sidomos pas kthimit nga një vend që vrapon me hapa gjigande në biznes, si Londra. Ishte e vështirë të pranonte se gjërat nuk mund të funksiononin si atje për shume arsye. Ndryshimi i mentalitetit në menaxhimin e stafit kreativ ishte një nder sfidat më të mëdha që duhet të ndërmerrte. Implementimi i marketingut Online ishte një tjetër  hap i vështirë qe vazhdon edhe në ditët e sotme, kjo ndoshta edhe për shkak se marketingu dixhital ne Shqipëri nuk është ende në stadin e vendeve të zhvilluara. (edhe pse po ecim me hapa të shpejtë e nuk do vonojë që marketingu Online do ketë më shumë fuqi se kanalet e tjerë) Këto sfida i kujtojnë vështirësitë që gjithashtu e kanë shoqëruar gjatë studimeve të gjemologjise deri në orët e vona e ndërkohë duhet të ishte e pranishme edhe në punë.

Të punosh me familjen ka shume avantazhe, por edhe disavantazhe të cilat ata që nuk e kane provuar nuk i kuptojnë. 
Përpos këtyre, klima e biznesit në Shqipëri sa mikpritëse është në ditë të mira, aq e pasigurt është në ditë të vështira. Është një luftë e përditshme për të mbajtur gjallë një ëndërr arti. 

Diamanti është një karbon që kërkon miliona vite trysni që të kthehet në një gur të çmuar. Alba e di fort mirë që këto vështirësi janë të nevojshme për të krijuar dhe skalitur gurin me cilësinë më të vyer, karakterin e saj.
Të jesh grua në biznesin shqiptar është shumë e vështirë. Përveç faktit qe roli jot shikohet inferior ose plotësues për burrat, mund të vijnë edhe komente denigruese për të nxjerre në dritë që ti je këtu prej burrit, ose babait tënd

Megjithatë, në ketë ambient shpesh bëhesh më e fortë dhe moskokëçarëse, për të ecur para duke parë vetëm dritën tënde në fund të tunelit. Por shpesh vetë motivimi nuk mjafton, ka edhe ditë të errëta ku vlerat e njerëzve të afërt rrezatojnë mbi vendimet tona. Disa nga këto vlera që e shoqërojnë Albën janë thjeshtësia, vullneti, kurioziteti, integriteti, pasioni, karizma, humanizmi dhe durimi. Ndër të gjitha këto, personat që e njohin mirë do cilësonin në mënyrë të veçantë pozitivitetin si karakteristik  dalluese mbi personat e tjerë. Është e vërtetë, pozitiviteti bën që Alba ti tejkaloj vështirësitë e saj personale dhe profesionale dhe të krijoj rrugën e saj të suksesit duke vazhduar mbi hapat e trashëgimisë familjare, por duke e personalizuar me nuancat e freskëta dhe inovative që Alba sjell çdo ditë me punën e saj. Kush thotë që është një fat dhe nuk  kupton punën e madhe që qëndron nga mbrapa, nuk ka njohur familjet e mëdha miliardere  që kanë humbur gjithë pasurinë për shkak të pasardhësve që kanë marr në dorë biznesin dhe e kanë çuar drejt falimentimit. Mjafton të lexoni historitë e shkatërrimit financiar të familjeve si: Pulitzers, Hartfords, Kluges, Vanderbilts etj.
Nga një studim i “business insider” 70% e familjeve të pasura humbasin pasurinë e tyre nga gjenerata e dytë, dhe një 90% nga gjenerata e tretë, sipas konsulentëve të pasurisë së Williams Group

Me siguri një event shume i rëndësishëm dhe ka ndihmuar në rritjen e saj ka qenë edhe lindja e djalit para dy vjetësh. Alba pohon se e ka përmirësuar dhe bërë më të fortë. “Fuqia e tij është vetëmohuese dhe tashmë kam arsyen më të bukur për të shkuar përpara.”
Përveç familjes, ajo që e  motivon është pasioni qe ka për punën dhe të mos i lërë gjërat përgjysmë, sigurisht edhe dëshira për të jetuar jetën. Gjithmonë e ka parë çdo gjë që i ndodh si një fat të cilin e krijon ajo vetë. “Kam mësuar të pranoj se gjërat qe më ndodhin janë pasojë e përgjegjësisë time, prandaj bëj ato që më bëjnë të ndihem mirë mua dhe që më sjellin reagime të mira përreth.”

Albës 10 vjet më të vogël do i jepte disa këshilla shumë të sinqerta: “Do i këshilloja të stresohej më pak për gjerat, ti merrte me sportivitet dhe me qetësi. Të rebelohesh ndaj njerëzve nuk është zgjidhje për situata të caktuara. Të mbash përgjegjësinë që të takon dhe thjesht të mundohesh të gjesh zgjidhje optimale.”
Pra fokusi të zgjidhja e problemit dhe jo tek faji apo fajtori.
“Do i kisha këshilluar edhe që të merrte sa më tepër eksperienca dhe oportunitete që të ofrohen në momente të caktuara, jo vetëm në fushën që jam sot. “
Çarmatoseshe sinqeriteti i saj në këtë pikë, por është një virtyt tjetër që zbuloj të Alba dhe e bën akoma dhe më të bukur në sytë e mi këtë grua që ka brenda një miks ngjyrash kaq të ndezura. E imagjinoj tek flet gjithë pasion për punën e saj me një aureolë ngjyrë jeshile si shpresa dhe balancimi që ka krijuar. Ngjyrë të kuqe kur flet gjithë energji dhe pasion për ëndrrat dhe projektet e ndryshme. Ngjyrë portokalli kur flet për komunikimin social dhe shpirtin pozitiv që për atë janë shumë të rëndësishme. Ngjyrë blu kur flet për vetëbesim në atë që do. Ngjyrë lejla kur flet për kreativitet dhe ngjyrë të bardhë kur flet për pastërtinë e gurëve të çmuar që ajo adhuron.

Bizhuteria për Albën (po ashtu edhe për PIRRO) është e shenjtë, sepse i di shumë mirë sfidat e realizimit të saj nga A-ja të ZH-ja, në të gjitha mënyrat. “Të them të drejtën, çdo ditë ne dëgjojmë histori të ndjera dhe shumë të veçanta për bizhuteritë personale që krijojmë. Na ka rastisur të lidhemi edhe ne fort me ato histori, dhe t’ju besojmë, të qajmë edhe ndonjëherë nga gëzimi kur shikojmë sa shumë i lumturojmë sytë që shkëlqejnë. Para disa vitesh një mikesha ime më tha ti shkrija disa bizhuteri të saj dhe me to donte të bënte diçka tjetër. Vetëm para disa ditësh i thashë nuk kemi mundur ti shkrijmë, sepse përveç mundit dhe pasionit të derdhur për bizhuteritë e bukura qe ajo kishte zgjedhur me një shije të hollë, vendosja e tyre prej saj vetëm ja ka shtuar vlerën. Bizhuteritë e saj i kam akoma në një sepete të vogël dhe nuk mendoj se do i shkrijmë ndonjëherë.”

Tashmë Alba mbështetet tek një skuadër që i beson realizimin e idesë dhe prodhimin e  bizhuterive të ndryshme, por edhe pjesën tjetër të dhuratave artistike qe përbëjnë një pjese thelbësore të identitetit të “Argjendari PIRRO”. Këto të dyja kane procese shume të ndryshme pune. Por nuk mungojnë edhe modelet qe frymëzohen nga klientët, të cilat janë shume specifike dhe të veçanta sipas dëshirës së tyre. Gjithmonë procesi fillon me një skice në 3D e cila konfirmohet nga departamenti teknik, më pas nga klienti nëse është porosi e veçantë, për të vazhduar me printimin 3D dhe me pas derdhjen në ar. Pas fazave të limimit e lucidimit, vendosen gurët nëse ka, dhe pastrimi përfundimtar, me pas kodimi në sistem me detajet përkatëse. Lumturia në sytë e atij që e tërheq këtë dhuratë përbën një moment shume intim dhe të veçantë që Alba dëshiron ti koleksionojë si momente frymëzimi që e ndihmojnë në vazhdimësinë e punës duke mos humbur në asnjë çast pasionin me të cilën punon.

Kjo femër do ju frymëzojë edhe më shumë kur të zbuloni që prej 2020 i është bashkuar grupit “Innvest Fund” (për më tepër info mbi Innvest Fund, lexo “Një bashkëpunim SUKSESI ) për ti ardhur në ndihmë çdo personi që ka një ëndërr, një ide dhe dëshiron ta kthejë në biznes.
“U bëra shumë kureshtare për ketë platformë që po shpërndante një frymë tjetër për sipërmarrësit dhe investitorët. Më pëlqyen shumë panelet e bisedave dhe profilet e të ftuarve. Mendoj se kemi nevojë të sfidojmë veten vazhdimisht në aspektin intelektual dhe INNVEST po ja arrin këtë më së miri.”
Nëse dëshironi të realizoni ëndrrën tuaj, mos ngurroni të ndiqni disa këshilla që Alba nuk kursehet për të gjitha ato vajza dhe gra që duan të arrijnë suksesin. Sigurisht nuk është e thjeshtë të nisësh një kompani, por as edhe ta mbash atë sukses. Nëse keni një ide por nuk keni fonde apo eksperiencën  e duhur për të hedhur hapat e parë, ku më mirë se në këtë platforme ku ka kaq shumë gra sipërmarrëse që do ju besojnë jo vetëm një fond financiar por edhe këshilla duke u bazuar nga eksperienca e tyre shumë vjeçare.

 “Ajo që unë do theksoja më tepër është këmbëngulja për ëndrrën do rezultojë në sukses nëse ajo ndiqet hap pas hapi. Në çdo vendim që do merrni, mundohuni të inovoni dhe të keni në skuadër ekuilibrues të mirë. Edhe kur bëni gabime, pranojini dhe vazhdoni të njëjtën rrugë. Mos punoni duke pasur në mendje rezultatin ekonomik, por pasionin për ëndrrën tuaj. Këmbëngulja për të do bindi këdo qe ju vleni dhe suksesi nuk do vonojë.”

motivation #success #successfulwomen #amazingwomen #beyourownsuccess #colorourlives

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *