Ngjyrat e Jeta Zagragja

“Nëse dëshiron të marrësh, duhet më parë të mësosh të japësh.”

Vajza e këtij artikulli e ka mësuar këtë gjë shumë herët në jetë dhe ndaj mendoj se ka marrë mbrapa atë dashuri, mbështetje e sukses nga universi pasi ka dhënë pa kufij përpara se të fillonte të korrte frytet e saj. Ngjyrat e ylberit nuk mjaftojnë për të përshkruar nuancat shumëngjyrëshe të një vajze si Jeta Zagragja.

Kur kam lexuar librin “The One thing” i Gary Keller & Jay Papasan mendova se nuk më përshtatej aspak pasi unë jam personi tipik që nuk mund të bëj dot vetëm një gjë. (edhe pse teoria e tij më gjen dakord në shumë pika) Këto kohë zbulova një vajzë kryeneçe dhe me një shpirt të madh altruizmi që me siguri do vendoste në dilemë autorët e librit “The One Thing” pasi jeta e saj karakterizohet qysh herët me punë dhe aktivitete të shumta që kanë ardhur duke u shtuar me kalimin e viteve dhe nuk është ndalur kurrë vetëm tek “një gjë”.

Jeta Zagragja është një vajzë nga Prishtina që ka pasur një rrugëtim të vështirë dhe plot sfida, por arriti të ketë sukses dhe sot është drejtoreshë në kompaninë UCX Market në Kosovë. Me 2 prindër që e kanë mbështetur hap pas hapi dhe e i kanë dhënë forcë që të kërkojë gjithmonë më shumë në jetë dhe nga vetja. Me një mama arsimtare dhe te atin qe ka mbuluar një post te rëndësishëm në telekom Kosova, janë munduar ti transmetojnë vlerat humane më të rëndësishme dhe Jeta këtë nuk e ndërron me asgjë në botë. “Janë themelet e fortë që kanë hedhur që në vegjëli që më bënë të jem personi që jam sot”.

Lufta e Kosovës ka lënë gjurmë të thella tek të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe Jeta i mban mend shumë mirë vështirësitë e asaj kohe. Plagë të tilla lënë shenja që kërkojnë kohë dhe shumë punë me veten dhe Jeta do e kuptoj më së miri këtë gjë vite më vonë, duke u gjendur në një kontinent tjetër. Me prindërit që detyrohen të merren me punë të ndryshme për të mirëmbajtur familjen pasi në kohë lufte ishte e pamundur të ushtronin profesionin që kishin, Jeta ndjen nevojën të japë kontributin e saj për të ndihmuar. Kështu nis eksperiencën e parë të punës në një moshë shumë të vogël. Ishte 11 vjeçe dhe sapo kthehej nga shkolla drejtohej tek dyqani që prindërit kishin hapur në atë periudhë. Puna zgjaste deri në orët e vona të darkës por ky nuk ishte një justifikim për prindërit e Jetës për mos të shkëlqyer edhe në shkollë. Ndaj shtysa e tyre për një edukim më të mirë  bën të mundur që Jeta në moshën 17 vjeçe të transferohet në Maqedoni për të mbaruar shkollën e mesme.

Universiteti e kthen sërish në Kosovë duke nisur karrierën universitare për degën Ekonomi dhe Menaxhim Biznesi në Universitetin Rochester Institute of Technology (i njohur ndryshe si Universiteti Amerikan i Kosovës). Jeta me karakterin e saj që nuk ndalet kurrë vetëm tek një detyrë, por duke punuar në bibliotekën e shkollës, themelon një klub bamirësie. Një takim shumë i rëndësishëm në atë periudhë, që do ndikojë në krijimin e një marrëdhënieje të bukur mentorimi më vonë, është pikërisht njohja me Mimoza Kusari, asokohe drejtoreshë Ekzekutive e Universitetit. Këshillat e saj dhe mbështetja në projektet e ndryshme që Jeta ka ndërmarrë më vonë, i vlerëson si një nga pikat kyçe të formimit të saj profesional. Vlerësimi tjetër dhe model frymëzimi gjithashtu ka qenë bordi drejtues i ProCredit Bank në Kosovë ku Jeta ka nisur punë si asistente ekzekutive e Drejtorit të përgjithshëm, ndërkohë që vazhdonte universitetin. Pasuria kulturore dhe mësimet e tyre të çmuara kanë qenë sa frymëzuese aq edhe me impakt imediat pasi Jeta ka përthithur çdo mësim të mundshëm dhe është munduar ti vendosi në praktikën e saj të përditshme. Nisur nga kjo ndoshta lexoj në sytë e saj atë dëshirën për të qenë një model si mentorët e saj jo vetëm për punonjësit e kompanisë por edhe për njerëzit  që ajo “prek” me punën apo fjalimet e ndryshme që mban në eventet e shumta ku është shpesh e ftuar.  

Eventi që ndoshta do i ndryshoj komplet jetën dhe do i bëj të përballoj ato shenjat e luftës, disa prej të cilave  i kishte zhytur thellë në harresë e disa ishte munduar ti anashkalonte, ishte mbërritja në USA. E mbështetur nga një bursë e plotë e organizatës joqeveritare KAEF (Kosovo American Education Fund), Jeta niset për një Master në Administrim Biznesi (MBA) në Universitetin Roosevelt, në Çikago.

Jeta niset me një qëllim të qartë dhe fokusin maksimal; të mbaroj masterin dhe të kthehet në Kosovë për të realizuar projektet profesionale që kishte në plan. Por nuk mund të linte kurrsesi mënjanë punën vullnetare, duke gjetur mënyrën e saj për tu ardhur në ndihmë refugjatëve  që kishin nevojë për të plotësuar  CV e letër prezantimi për të gjetur punë. Jeta do krijonte shume CV të tilla në ditë e do angazhohej edhe aty me organizata të ndryshme vullnetare. Njëra prej të cilave ndodhej në anën tjetër të qytetit dhe do detyronin Jetën të ngrihej ne 5 të mëngjesit për të qënë prezente çdo ditë dhe më vonë të shkonte në leksione në Universitet. Nuk e dëgjoj kurrë të ankohet gjatë intervistës dhe më bën të mendoj se çfarë super grua duhet të jetë. Përulësia është një karakteristikë  që i bashkëngjitet vajzave dhe grave të tjera që kam intervistuar këto kohë dhe kjo e fut automatikisht në listën time të grave që admiroj.

Puna vullnetare e ka shoqëruar dhe vazhdon ta shoqërojë edhe sot e kësaj dite Jetën dhe ndaj prej 2018 i është bashkangjitur bordit drejtues të organizatës KAEF. Me krenari pohon se deri tani kanë ndihmuar 106 studentë nga Kosova duke i mbështetur me bursë të plotë në shtetet e bashkuara të Amerikës. Studentë që më vonë janë kthyer dhe kanë zënë poste shumë të rëndësishme në organizata, kompani apo administrata shtetërore.

Vështirësitë e Jetës nuk kanë qenë vetëm në periudhën e luftës së Kosovës. Vështirësitë e kanë shoqëruar edhe gjatë rritjes ku është detyruar të përballet me stereotipat që shoqëria ka krijuar për vajzat dhe gratë. “Ky absurditeti që një vajzë duhet të jetë  e butë dhe mos të ngrejë kokën nuk më ka tërhequr asnjëherë. Nëse ke të drejtë mbi diçka dhe je në gjendje ta mbrosh me argumente të vlefshëm sërish konsiderohesh agresive dhe arrogante. Por unë nuk jam ndalur përpara këtyre stereotipave. Kam thënë të timen dhe kam luftuar për kauzat që unë kam besuar dhe i kam çuar deri ne fund.”

Dëshira e madhe për të mësuar nga mentorët e saj si dhe vendosmëria që e karakterizon, do ndihmojë në krijimin e asaj që Jeta është sot: Një sipërmarrëse e suksesshme, një grua model dhe frymëzuese, një udhëheqëse në sfera të ndryshme. Jeta është tipike e gruas që mund të rrish me orë të tëra ta dëgjosh dhe nuk do lodheshe kurrë. Historitë e saj personale dhe profesionale janë pa diskutim histori që shumë gra do donin të dëgjonin dhe të rrëmbeheshin nga ajo drita vezulluese që e rrethon. E shikoj në të ardhmen (në mendjen time)  në një TED Talk për Ballkanin teksa fton çdo grua të thojë “PO” çdo mundësie që i jepet në jetë.

“Në kompaninë tonë numërohen 80 punonjës dhe 70% të posteve drejtuese janë vajza dhe gra që e kanë merituar atë postë pasi janë luftarake, kanë thënë PO mundësisë që i është ofruar nga jeta në një moment të caktuar.”

Teknologjia nuk është një fushë ku mbizotërojnë gratë dhe së fundmi në universitetet e Shqipërisë po vihet re mungesa e përfshirjes së vajzave në shkencat ekzakte. Ndaj Jeta ka marr përsipër edhe një mision tjetër: “Sa herë që më vjen një ftesë për të mbajtur një fjalim, siç ishte i fundit për pavarësinë e Kosovës, po ashtu edhe në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, unë theksoj rëndësinë jetësore të edukimit. Brezat e rinj duhet të kuptojnë që edukimi është gjëja më e rëndësishme nëse duan të kenë sukses në jetë. Nëse duan një ditë të jenë udhëheqësit e kombit apo të drejtojnë kompani internacionale dhe jo vetëm, duhet ti japin prioritet edukimit. Dikush më ka dhënë një mësim të vogël kur kam qenë ende në fillim të universitetit dhe unë e kam kthyer në një model jete: Duhet të fokusohesh tek gjëja më e rëndësishme, tek ajo që ka prioritet dhe jo tek ajo më urgjente.”

Më kujton pikërisht një mësim nga Gary Keller në librin “The One Thing” – Mjaft përdorët fjalën prioritet në mënyrën e gabuar. Quhet prioritet, përparësi – në njëjës- dhe jo prioritetet.”

Nuk mund të mungonte mbështetja e saj në Innvest Fund (për më tepër info mbi Innvest Fund, lexo “Një bashkëpunim SUKSESI )  pasi është një pilastër i rëndësishëm i grave sipërmarrëse në fushën e inovacionit dhe teknologjisë në Kosovë. Jeta nuk dëshiron të limitohet vetëm në rolin e një investitoreje por dëshiron të jetë gjithmonë e pranishme për çdo vajzë dhe grua që do të ketë sukses në jetë duke ndarë çdo këshillë dhe eksperiencë profesionale.

 Innvest Fund është duke realizuar një punë të palodhshme me idet e reja dhe personat  që dëshirojnë të jenë një ditë jo vetëm sipërmarrëse të suksesshme në biznesin e tyre por edhe modele frymëzimi si Jeta dhe investitorë të tjerë. Mos lejoni që një ide e juaj të bllokohet për shkak të burokracive të ndryshme që kanë shpesh bankat apo që frika e të tjerëve të ndikojë duke hequr dorë nga ëndrra juaj.

Jeta Zagragja ka disa këshilla shumë të rëndësishme pikërisht mbi këtë temë : “Guxoni më shumë. Thoni “PO”, ndërmerrni riskun dhe përqafoni ndryshimet. Thoni PO dhe sfidoni veten duke dalë jashtë zonës suaj të komfortit. Mund të kesh frike, pasi të gjithë kemi frikë nga ajo që nuk njohim, por merr guximin dhe vepro. Duhet ta dish që 50% e punës është e kryer në momentin që shfaqesh në atë event, takim, intervistë. Njohja me persona të tjerë që mund të japin një suport, që mund të të mësojnë diçka më shumë do jetë gjithmonë më e vlefshme se një thjesht “JO” por që më vonë mund të ndikojë ndjeshëm vazhdimësinë e jetës tënde. Në momentin që I thua “PO” sfidës së radhës, je duke I thënë “PO” vetes dhe çfarëdo që ka rezervuar ajo PO për ty.”

“Në momentin që angazhoheni dhe ndaloni së bëri mbrapa, një seri e tërë ngjarjesh, takimesh dhe ndihme materiale do të lindin për t’ju ndihmuar. Gjesti i thjeshtë i angazhimit është një magnet i fuqishëm i ndihmës “. (Napoleon Hill)


Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *