Ngjyrat e vendimarrjes

“Lexoj e dëgjoj shumë fraza të tilla këto ditë si: çdo gjë do shkoj mirë, do i rikthehemi sërish jetës që kishim, çdo gjë do kthehet si më parë. Sinqerisht unë NUK DUA që mbas këtij virusi jeta ime të jetë si më parë. Unë dua që të jetë absolutisht më mirë seç ishte para këtij virusi.
Më në fund mora guximin të largohesha nga shtëpia ku jetoja me burrin tim. Ai ishte në Cremona kur nisi te përhapej virusi në Itali dhe nuk mundi të kthehej në kohë. Kjo gjë më dha kohën të mendoja dhe të merrja guximin të bëja diçka që duhet të kisha bërë shumë kohë më parë. Mora vajzat e mia dhe shkova te prindërit duke u thënë se nuk mundesha më të jetoja me një person të tillë. Në fillim nuk donin të më dëgjonin pasi i druheshin mentalitetit. Pastaj u qetësuan disi dhe më vonë i kuptuan arsyet e mia. Telefonatat nga Italia nuk pushojnë çdo ditë dhe me një dhunë verbale të paimagjinueshme por unë nuk heq dore nga vendimi që mora. Dua që sapo kjo pandemi të kalojë, të gjej një punë dhe të rris vajzat e mia duke u ofruar çdo gjë që meritojnë. E di që babai i tyre nuk do më ndihmojë pasi në këtë mënyrë më ka mbajtur gjithë këto vite pranë tij, duke prekur pikat e mia më të dobëta ; për hir të vajzave dhe pamundësisë ekonomike. Por unë nuk ndryshoj ketë herë. Nuk dua që gjërat të kthehen siç ishin, është tmerri im më i madh. Unë dua që gjërat të përmirësohen dhe të kem një jetë më të lumtur me vajzat e mia. Unë dua që ato të rriten e ta kuptojnë që një person i tillë nuk është i mirëpritur në jetën e tyre dhe askush nuk duhet ti trajtojë në atë mënyrë. Unë dua që ato të jenë krenare për mua dhe të mësojnë që nëse një person në të ardhmen do i trajtojë në atë mënyrë ato të kenë forcë dhe shembull të largohen para se të jetë tepër vonë. Unë nuk mund ti jap këshilla të mira kur nga ana tjetër këshillat që i jepja vetes ishin të gabuara. Unë dua që ato të mësojnë nga gabimet e mia dhe të jenë të forta dhe të pavarura. ”

Foto credit: Freepik

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *