Ngjyrat e Detina & Argita Zalli

E keni parasysh se si jeta ju sjell jo atë se çfarë doni por atë për të cilën keni vërtet nevojë?

Ja kështu nis historia e dy motrave binjake nga Patosi i Fierit.

 Kur dëgjova për herë të parë për motrat Zalli u bëra shumë kurioze duke u nisur nga ajo pak histori që kisha zbuluar nga një intervistë online. Një kolegia ime më jep kontaktin e tyre dhe vendos tu shkruaj për ti bërë një intervistë pasi mendoja se kishin një histori për të ndarë.
Kurrë nuk do e merrja me mend që historia e tyre do ishte një frymëzim për mua në radhë të parë.

Dy motrat Detina dhe Argita nisen familjarisht për në Angli në vitin 1999. Ëndrra e familjes ishte Amerika por nuk gjetën mënyrë për tu larguar në kontinentin aq shumë të hiperbolizuar dhe premtuar si “Toka e ëndrrave”. Fati do që motrat të mbërrijnë në Angli dhe aty nisin shkollën. Sakrificat e atyre viteve kanë qenë të mëdha për të gjithë familjen. Nuk kishin ende leje qëndrimi dhe nga ana tjetër duhet të mbijetonin me një shumë të vogël nga ndihmat financiare që shteti Britanik parashikonte për gjithë emigrantët . Detina kujton atë periudhë si një ndër periudhat më të vështira të jetës së saj. “Kanë qenë vite të vështira në shumë aspekte për të gjithë ne, por unë dhe Argita pavarësisht se ishim të vogla donim të ndihmonim familjen në çdo mënyrë dhe nuk ndaluam kurrë së bëri çmos për tu ardhur në ndihmë”. Detina kujton vështirësitë që shumë emigrantë kanë kaluar në ato vite duke ikur nga Shqipëria për një të ardhme më të mirë, por jo gjithmonë ajo e ardhme dukej shpesh në horizont. Të paktën jo në vitet e parë të emigrimit. Motrat studiojnë shumë pasi ishte një kusht i domosdoshëm që prindërit u kishin vendosur dhe ato duke u rritur e bëjnë me dëshirë të madhe. Shkëlqejnë në shkollë dhe fatmirësisht marrin gjithë  mbështetjen nga stafi pedagogjik. Por medalja ka dy faqe dhe faqja tjetër në këtë rast nuk është aspak e lehtë. Refuzimi i emigrantëve në atë kohë (por jo vetëm) dhe bullizmi janë dy plagë që motrat i kanë mbajtur ndër vite të fshehur edhe ndaj prindërve. “Fëmijët anglez mund të jenë shumë të ashpër dhe kritikues.  Ne me Argitën e kemi vuajtur shumë dhe nuk kuptonim në atë kohë çfarë të keqe u kishim bërë që silleshin në atë mënyrë. Shumë vite më vonë do zbulonim se sjellja e tyre kishte qenë e shtyrë nga një ambient toksik familjar. Shumë prej atyre fëmijëve jetonin me prindër që kishin varësi ndaj alkoolit apo drogës. Kishin probleme dhune në familje etj etj. Do kishte qenë bukur disa gjëra ti kishim ditur më përpara pasi nuk do e kishim përjetuar në atë mënyrë ato vite shkolle. Por gjithsesi kurrë nuk është vonë. Tani ata persona që në shkollë na krijonin aq shumë telashe na marrin në telefon për të na uruar kur na shikojnë në ndonjë revistë, na ftojnë në përvjetorë me ish studentët që kemi qenë në klasë dhe ne kemi një lidhje shumë të mirë tani.”

Periudha e gjimnazit duket më e lehtë për motrat Zalli pasi ambienti që i rrethon është tërësisht i një mentaliteti tjetër, me fëmijë të një sfere sociale ndryshe nga i pari. Motrat nuk ndahen kurrë nga njëra-tjetra dhe janë vërtet mbështetja e vetme që kanë nevojë për të arritur disa rezultate në jetë. “Kemi qenë gjithmonë fëmijë të mbarë. Nuk më kujtohet që të kemi mërzitur ndonjëherë prindërit, përkundrazi. Ne ishim shumë të lidhur me familjen dhe e vuanim kur prindërit kishin vështirësi ekonomike. Pavarësisht se bënin çmos që unë dhe Argita të kishim çdo gjë dhe të fokusoheshim te mësimet, ne nga ana tjetër bënim çmos ti ndihmonim me çfarë të mundeshim, qoftë edhe punë të rastit me orare të limituara që na lejohej si studente.”

I imagjinoj të dyja të kapura prej dore në ato rrugët e Londrës të përshkruara aq mirë nga J.KRowling. Të frikësuara nga bota e egër që i rrethon dhe zymtësia karakteristike e Londrës. Por ato si një dritë  në fund të tunelit shndrijnë dhe përhapin dije e dashuri.

Argita është ajo motra që ka lindur 5 minuta më herët dhe ndoshta kjo gjë i ka dhënë rolin të sillet si motra më e madhe e të ketë kurajo në shumë gjëra, në krahasim me Detinën. Argita kujton që shpesh ndihej në rolin e mamit pasi kontrollonte Detinën nëse kishte mbaruar mësimet apo punët që kishin ndarë në shtëpi. Motrat kanë një marrëdhënie shumë në simbiozë me njëra-tjetrën dhe pothuajse çdo gjë e kanë bërë bashkë në jetë.

Pavarësisht se guximtarja ka qenë gjithmonë Argita, në momentin që duhet të merrnin një vendim për universitetin ishte Detina ajo që reagoi dhe veproi për të dyja. Ëndrra e tyre deri në ato momente kishte qenë mjekësia, por për fat të keq nuk zotëronin dokumentet e duhura për të marrë pjesë në përzgjedhjen e këtij fakulteti. Detina atëherë gjen një shteg në ligjin Anglez dhe bën kërkesë në universitetin e Mjekësi Molekulare në Brighton të Britanisë dhe jo vetëm për vete por plotëson formularët edhe për motrën, Argitën. Argita surprizohet nga një reagim i tillë I së motrës por është e lumtur që ajo për herë të parë del nga zona e saj e komfortit dhe vendos të vazhdojnë bashkë edhe karrierën universitare. Motrat pranohen nga universiteti duke qenë dy studente të ekselencës por jo pa kaluar edhe karvanin e fundit të vështirësive. Brenda shumë pak kohe duhet të zgjidhnin çdo problem me lejen e qëndrimit që mund të kishin dhe të fillonin leksionet. Këtë  herë fati deshi që njerëz të mirë tu vijnë në ndihmë dhe bashkë më avokatin e tyre të bëjnë kërkesë tek Home Office (departamenti i qeverisë britanike që merret me punët e brendshme, përfshirë ligjin dhe rendin, imigrimin dhe transmetimin, në Angli dhe Uells) dhe të arrijnë në kohë të pajisen me leje qëndrimi të rregullt për të gjithë familjen.

Më në fund duket sikur nga ky moment fati u qesh dy motrave pasi i vetmi shqetësim që kanë është universiteti dhe do zbulojnë pikërisht që vokacioni i tyre ka qenë shkenca.
E imagjinoni gjithë mekanizmin që jeta ka vendosur të ndërthurë që një “rastësi” e tillë të sjellë dy shkencëtare të shquara si ato? Më kujton rastin e Alexander Fleming që zbuloi penicilinën krejt rastësisht në 1928.

Pasi mbarojnë të dyja karrierën universitare me nota të shkëlqyera dhe hapi tjetër është doktorata, pikërisht këtu rrugët marrin drejtime të ndryshme.  Detina sërish guxon dhe provon të bëj një kërkesë në Harvard. Nisi si një lojë për të testuar veten por  me habinë e saj më të madhe intervista  e saj në skype me pedagogun përgjegjës në Harvard  ishte mbresëlënëse. Nuk e priste një përgjigje pozitive dhe sidomos në një kohë aq të shkurtër. Ndoshta nuk ishte gati emocionalisht të shkëputej nga motra e saj me të cilën kishte ndarë çdo gjë deri në ato momente, por fati kishte rezervuar surpriza të tjera. Detina konkurron me shumë shkencëtarë nga e gjithë bota dhe në fund do duhet të shkoj në Harvard, për t’iu bashkangjitur një stafi pedagogjik të universitetit më prestigjioz.

Shume shpejt do zbulonte se jo vetëm shkenca kishte vend në zemrën e saj por edhe mësimdhënia. Detina duke qenë kaq shumë e lidhur me të motrën Argitën dhe familjen, e pati të vështirë të shkëputej dhe hezitoi në fillim udhëtimin për në kontinentin e ri. “Më kujtohet që i thashë Argitës të më shoqëronte në USA. Ajo la çdo gjë që me të cilën po merrej në ato momente dhe erdhi një muaj në Amerikë me mua. Zbuluam qytetin bashkë dhe Argita më dha kurajo mos të kthehesha në Londër pa mbaruar programin për të cilën kisha aplikuar. Mu deshën 6 muaj të kuptoja që zgjedhja e Amerikës kishte qenë një zgjedhje e duhur dhe qëndrova 4 vjet duke shfrytëzuar në maksimum atë eksperiencë”

Sërish motra më e ndrojtur do marri një vendim që do e nxjerri jashtë zonës së saj komforte dhe do bëj që të eksperimentoj gjithë ngjyrat e aventurës në një shtet që ndodhej kilometra larg familjes.

Pjesa tjetër është histori: Detina do t’u japë studentëve të mjekësisë lëndën “Facial Anatomy Development and Genetics”, do merret me kërkimet dhe eksperimente të ndryshme në fushën e mjekësisë molekulare dhe bioteknologjisë, do jetë e pranishme në shume evente shkencore të organizuar me ajkën e shkencëtarëve nga e gjithë bota, së bashku me të motrën Argitën do marrin pjesë në evente shkenco-mjekësor në Shqipëri dhe Kosovë. Do themelojnë bashkë një organizatë jo fitimprurëse për të këshilluar dhe ndihmuar në çdo mënyrë studentët e mjekësisë dhe mjekë në kërkim të doktoratave të ndryshme. Në Amerikë një influencë të fortë Detina do ketë nga presidenti Obama. Në fakt leadership është një tjetër karakteristikë që Detina do zbuloj gjatë viteve në Amerikë dhe e imagjinoj një ditë duke drejtuar një Universitet prestigjioz ne Angli ose në krye të një organizate botërore shkencore.

“Më kujtohet që emali im ishte plot me pyetje nga më të ndryshmet. Ishin studentë që kërkonin këshilla për specializime të ndryshme, për politikat e universitetit ku unë kam studiuar apo bashkëpunuar, për revistat më të mira shkencore ku mund të publikonin artikujt e tyre shkencorë, bursat që mund të përfitonin e si funksiononin, pikëpyetjet që kishin nga pikëpamja shkencore e fushës ku unë jam specializuar etj etj. Unë merresha me shumë aktivitete të ndryshme gjatë ditës, nga puna në universitet si pedagoge, me kërkimet e vazhdueshme në fushën e tumorit, kisha krijuar edhe një familje por sërish nuk mund të flija pa u kthyer përgjigje të gjithëve. Jo vetëm unë por edhe motra ime Argita, kthenim përgjigjen në 12 të natës çdo personit që na kishte shkruar. Aty menduam të themelonim një organizatë me emrin “We speak science” dhe plani është ta rrisim sa më shumë duke ndihmuar shumë studentë shqiptarë nga e gjithë bota. Duam një ditë të kemi mundësi të mirëpresim investitorë që të mund të krijojnë bursa të ndryshme për tu ofruar studenteve ekselentë dhe në nevojë. Investimi në brezat e rinj dhe në shkencë mendoj është një  ndër investimet më të rëndësishme”.

Detina është specialiste pikërisht në studimin e proteinave të cilat kanë të bëjnë me lëvizjet e qelizave kanceroze, me migrimin e qelizave dhe proteinave. Së bashku me Argitën kanë përmbledhur gjithë kërkimet e tyre mbi fushën e kancerit dhe do I publikojnë për të gjithë falas në një libër PDF.
Letërsia është një dashuri tjetër që I bashkon motrat pasi në 2015 publikojnë librin “Good morning Hope”.

Detina tashmë është kthyer në Londër dhe aktualisht punon si Senior Lecturer in Precision Cancer Medicine në Universitetitn e Oxfordit. Nuk dëshiron të përkufizohet pasi ajo është një nënë, një bashkëshorte, një motër, një bijë, një grua dhe shkencëtare. Ka akumuluar çmime të ndryshme e mirënjohje gjatë viteve por në asnjë pikë të bisedës sonë ndjeva ndopak vanitet. Ngjyrat e ëndrrave të saj janë vetëm në fillim të këtij rrugëtimi dhe nuk kanë shpërthyer ende.

Ndërkohë Argita, motra që gjatë gjithë historisë që Detina më tregon ka qenë ajo që ka mbajtur shumë herë peshën më të madhe nga të dyja, nuk është ndalur as kur në spital kishte dhimbjet e lindjes e të gjithë prisnin të lindte nga momenti në moment. “Kisha nisur specializimin në Imperial College London falë një burse që më ishte ofruar nga Universiteti për Digital Learning Designer mbi teknikat e mësimdhënies. Kursi ishte I ndarë në 2 Tema për tu mbrojtur dhe unë kisha planifikuar çdo gjë. Do dorëzoja temën e parë dhe duhet të kisha një jave para se të lindtë djali. Por djali kishte planet e vetë dhe filloi të jepte sinjale 1 javë para. Unë qëndroja në spital me kompjuterin duke punuar mbi temën derisa dhimbjet e lindjes nuk më lejuan më. Kursi vazhdoi normalisht dhe bashkë me djalin e vogël ndiqja leksionet që aq shumë më kishin pasionuar. Aty kuptova që kjo ishte diçka që do doja të bëja gjithë jetën time – të mësoja pedagogët metoda të reja studimi në mjekësi dhe shkenca- dhe jam shumë e lumtur që këtë vit ka filluar implementimi në universitetet e Anglisë. Punova fort me specialistë të mjekësisë derisa hartuam këtë plan që shpresojmë më vonë të implementohet në gjithë botën. Fati më kishte rezervuar edhe surprizën e radhës pasi edhe temën e dytë të përfundimit të kursit e zhvillova gjatë shtatzënisë së dytë. Të gjithë më thonin ta ndërprisja dhe ta rifilloja një ose dy vite më vonë por unë kisha një qëllim shumë të qartë. Kisha një fëmijë të vogël që merrja çdo ditë në leksione me vete, studioja dhe kërkoja pambarimisht metoda të reja, ndërkohë përgatitesha për ardhjen e fëmijës së dytë. Doja që kur djali I dytë të vinte në jetë unë të kisha mbyllur një cikël të rëndësishëm të karrierës sime universitare dhe të mund ti dedikohem familjes sime duke vazhduar pasionet e mia profesionale. Ka qenë një lodhje e vazhdueshme por në asnjë pikë nuk mendova të hiqja dorë. Tani kam kohë më të lirë për fëmijët dhe ndoshta këto vite do jenë të vështirë pasi kanë një diferencë shumë të vogël mes tyre, por fatmirësisht unë dhe Detina kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi prindërit tanë që na ndihmojnë shumë. Bashkëshortët janë gjithashtu një pilastër shumë të rëndësishëm në jetën tonë dhe për këtë ndihemi me fat.”

Argita po ashtu si e motra ka fituar mjaft çmime të ndryshme dhe njëri prej tyre që e bën të ndihet veçanërisht krenare është “Top Teacher award”.
Motrat shkencëtare që tani janë edhe pedagoge në Universitetet e Anglisë janë një shpërthim frymëzimi për çdo vajzë dhe grua. Dashuria që përcjellin me punën e tyre të palodhshme dhe çiltërsia që I karakterizon nuk më bën të dyshoj në asnjë çast për suksesin e tyre. Vajza të vuajtura që u është dashur të përballen me çdo lloj vështirësie në jetë por kurrë nuk u dorëzuan. Me një dëshirë të madhe për edukimin tashmë shndrijnë krahas emrave të njohur shkencorë në gjithë botën dhe unë ndihem dyfish krenare pasi çdo sakrificë dhe mund është duke u sjellë mirënjohjen që meritojnë.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *