Ngjyrat e Sabrina Shehu

Vajza e këtij artikulli do ju japi një ndër mësimet më të rëndësishme në jetë, siç ka bërë edhe autorja e famshme që ajo adhuron, JK Rowling. (keni një artikull në blog mbi autoren që e gjeni këtu)
Ngjyrat e jetes se Sabrina Shehu-t

Ngjyrat e jetes se Sabrina Shehu-t, te një vajzë me zemër të madhe, që adhuron të bukurën dhe lufton për atë që do të arrijë në jetë edhe kur ka gjithë botën kundër. Kjo vajzë do ju japë një mësim të rëndësishëm jete dhe unë jam kaq e lumtur që arriti të flas hapur me mua duke prekur një temë që kam përzemër dhe më konfirmoi se sa guximtare është. (do ta kuptoni më poshtë pse)

Sabrina 27 vjeçe, ka qenë gjithmonë një vajzë e ndjeshme, e brishtë herë herë dhe impulsive. Ëmbëlsia dhe këmbëngulja  janë karakteristika  që e veçojnë më shumë se çdo gjë tjetër.
Hera e parë që tregon këmbëngulje të fortë në atë që do dhe arrin të fitojë është ndoshta momenti kur zgjedh fakultetin dhe universitetin se ku do studiojë. Vizatimi dhe fotografia kanë qenë gjithmonë një pasion që e kanë shoqëruar gjithë jetën dhe që ajo ka vazhduar duke ndjekur kurse të ndryshme. Por për diplomën ka pasur projekte të tjera. Projekte të cilat jo gjithmonë u mbështetën nga familja e saj, ashtu si shumë projekte të tjera më vonë, por që ajo arriti ti ketë si suport duke përdorur gjithë armët bindëse që zotëron – sinqeritetin çarmatosësh dhe fuqinë e ëndrrave duke i bërë edhe të tjerët të besojnë në to.

“Më kujtohet që kur zgjodha arkitekturën prindërit e mi për arsye të ndryshme nuk e pranuan dhe unë pasi përdora çdo mënyrë për ti bindur, solla zyshën në shtëpi që të fliste me ata dhe tu shpjegonte se isha e zonja në atë që bëja dhe nuk ishte thjesht një kapriço e momentit. Në fund u dorëzuan dhe pranuan.”
Por lufta nuk mbaroi me kaq pasi Sabrina ndodhet jashtë shtetit për arsye personale në periudhën që zhvillohen provimet e shtetit për universitetet përkatëse dhe kështu humb mundësinë për të studiuar në një universitet publik. Pasi bën një kërkim dhe studim të vogël, vendos një plan “biznesi” të thjeshtë duke u treguar prindërve se pro-t peshonin më shumë dhe argumentet ishin aq bindëse sa që prindërit miratuan planin për të studiuar në një universitet  privat si Polis. Sërish, bukuria shumëngjyrëshe jo vetëm e shpirtit por edhe e këmbënguljes rezulton fituese ndaj çdo kundërshtimi dhe mbaron me sukses karrierën universitare për arkitekturë.

Pasionet nuk i lë kurrë pas dore dhe gjatë kësaj kohe ka investuar tek vetja duke ndjekur kurse të ndryshme online e jo vetëm, duke koleksionuar cilësi të ndryshme dhe të ngjashme që do e ndihmojnë në ëndrrën e saj. Veçon ndër këto programin që ndoqi në Paris për rreth 2 javë mbi ekzistencializmin dhe kreativitetin, duke përvetësuar çdo leksion mbi komunikimin  dhe duke përfituar një përqasje ndryshe në jetën e saj për temat që më parë e preknin më tepër dhe reagonte në mënyrë impulsive. Tashmë jo vetëm më e pjekur por edhe më racionale në komunikimin e saj autentik dhe të vërtetë duke mbajtur përgjegjësi të plotë të asaj që përcjellë tek të tjerët. (aftësi keto që besoj e kanë ndihmuar  shumë në rrugën e saj si sipërmarrëse)
Një investim tjetër që do ketë rëndësi në formimin e saj profesional është edhe programi 2 javor në Firence në punimet artizanale me qeramikë. Sabrina ndjek shume intuitën e saj dhe është duke zbuluar jo vetëm veten në të gjitha dimensionet por duke u formuar edhe nga ana profesionale në fusha të ndryshme që më vonë do mund ti gërshetojë të gjitha bashkë dhe të ketë sukses.

Duke u nisur  pikërisht nga pasioni i hershëm për fotografinë, hedh hapat e para si një sipërmarrëse e re pasi përfundimit të universitetit. Në 2017 hap blogun e saj në instagram dhe brandin për shitjen e unazave @un.jewelry . Fillon kështu të ndjekë kurse të ndryshme marketingu, duke u specializuar gjithashtu në këtë fushë të larmishme. Mënyra se si promovon produktet fillon të bjeri në sy bizneseve të së njëjtës fushë në Tiranë dhe këtu fillojnë kërkesat  e bashkëpunimit në fushën e marketingut dixhital. Kërkesat shtohen çdo ditë e më shumë, ndërkohë Sabrina  zbulon se kreativiteti bashkë me aftësitë e tjera në të cilat ka investuar gjatë këtyre viteve janë duke zënë shumë shpejt gjithë kohën e saj. Ideja për të qenë e pavarur, aftësia për të mësuar çdo gjë të re që i tërheqë vëmendjen si dhe dashuria e pasioni që vendos në atë që bën, duke e bërë sa më unike dhe të personalizuar, lënë shpejt gjurmë në treg duke krijuar një rrjet klientësh besnikë.

View this post on Instagram

#office

A post shared by ᴛʜᴇsᴀʙᴅᴇsɪɢɴʜᴏᴜsᴇ• (@thesabdesignhouse) on

Sabrina e shikon të arsyeshme të punësojë persona me role të ndryshme duke plotësuar çdo kërkesë të klientëve të saj që tashmë janë biznese në fusha të ndryshme. Themelon kështu @TheSabDesignHouse ku ofron shërbime që shkojnë nga Interior design, realizim videosh, fotografi, marketing, SEO, graphic design etj. E dashuruar me Londrën që kur lexonte librat e Harry Potter, së bashku me një mik vendosin të hapin një zyrë të dytë në Mbretërinë e Bashkuar me planin që një ditë te ketë mundësi rritje klientësh nga e gjithë Evropa dhe është duke punuar në maksimum për ta finalizuar në 2020.
“Më është dashur të luftoj shumë për të arritur ato që dua. Në fillim kam hasur vetëm kundërshtime dhe me shume punë kam arritur të kem mbështetjen që më është dashur nga familja. Është më e lehtë të qëndrosh brenda kornizave që shoqëria ka vendosur gjithë këto vite se sa të guxosh aq shumë sa të hidhesh në diçka që nuk njeh dhe nuk ke sigurinë nëse do ketë sukses. Fatmirësisht unë kam një raport shumë të mirë me prindërit e mi dhe lidhja jonë është e bazuar e gjitha te komunikimi. Kam qenë gjithmonë e hapur me ata dhe nuk kam preferuar ti gënjej apo deformoj të vërtetën edhe kur e kam ditur që e vërteta mund të më pengonte së bëri atë që doja”.

Vështirësitë që mund të hasi një vajzë e re në biznes, sidomos kur nis nga zero pa pasur përvojën e nevojshme apo një kapital të mjaftueshëm mund të vëri në provë të vështirë durimin dhe pozitivitetin që e karakterizon. Por Sabrina shquhet për punën konstante që bën me veten jo vetëm në aspektin profesional por edhe atë personal. Është pikërisht kjo punë e madhe në njohjen dhe pranimin e vetes që unë admiroj kaq shumë te kjo vajzë. I është dashur të sakrifikojë një aset shumë të rëndësishëm, siç është koha, duke punuar me orare të gjata por me një qëllim të caktuar dhe fokus maksimal. Ka pasur humbje dhe largim njerëzish nga jeta e saj gjithashtu, që jo gjithmonë kanë kuptuar dhe kanë ndarë atë “pikturën përfundimtare” që ajo ka shumë të qartë në mendje dhe punon pa pushim. Por më vonë i është dashur të përballet edhe me një mentalitet aspak të lehtë duke qëndruar para disa bizneseve të mëdha që duke e parë kaq të re në moshë nuk kanë besuar në punën e saj dhe profesionalizmin që ajo mund të përcillte.
“Një mikja ime para 5 vjetësh më ka dhënë një këshillë që unë e kam kthyer në motiv jete: Jepu njerëzve përgjigje me punën që bën e jo me fjalë dhe çdo njeri do të japi të drejtë në fund”.
Dhe Sabrina beson absolutisht në këtë gjë pasi është pikërisht puna e saj që e ka bërë një sipërmarrëse ku rritet çdo ditë e transmeton vlera të rëndësishme nëpërmjet kreativitetit së saj.

Sabrina vazhdimisht më përsërit që kur ka qenë më e vogël ka hasur ndoshta shumë vështirësi për shkak të karakterit të saj të brishtë dhe nënvlerësimit që mund të ketë pasur të vetja. Por unë nuk kam përpara aspak një Sabrinë të tillë. Unë shikoj një Sabrinë të suksesshme që mund të frymëzojë çdo vajzë që do preki jetën e saj në një mënyrë apo në një tjetër.
 Shikoj një vajzë që ka një guxim të jashtëzakonshëm dhe ka arritur të ketë sukses në jetë sepse duke njohur frikat e saj ajo nuk ka lejuar që ato ta limitojnë në jetë apo të heqë dorë nga ëndrrat e saj. Përkundrazi, i ka kthyer ato frika në armën më të fortë të karakterit dhe ka mësuar ti përdori më së miri në favorin e saj duke e ndihmuar në rrugëtimin e saj. Sabrina në sytë e mi është një shpirt kaq i bukur dhe i veçantë sa vetëm arti i Kinsugit mund ta shpjegojë me qartësi dhe pastërti si agimi i mëngjesit.

“Kur një tas, një filxhan çaji ose një vazo e çmuar bie duke u copëtuar në një mijë copa, ne i hedhim ato dhe mërzitemi pasi bashke me ato kemi hedhur edhe një copëz kujtimi qe është i lidhur me atë objekt. Megjithatë, ekziston një alternative, një praktikë japoneze që bën të kundërtën: nxjerr në pah thyerje, i zbukuron ato duke i riparuar dhe i shton vlerë objektit të thyer. Quhet kintsugi ose kintsukuroi që do të thotë fjalë për fjalë ari (“kin”) dhe për t’u ribashkuar, riparuar (“tsugi”).

Ky art japonez përshkruan përdorimin e një metali të çmuar – i cili mund të jetë ari ose argjendi i lëngshëm – për të bashkuar pjesët e një objekti qeramike të thyer, duke forcuar brinjët e rinj të krijuar. Teknika konsiston në bashkimin e fragmenteve duke i dhënë asaj një pamje të re përmes plagëve të zbukuruara.  Arti i përqafimit të dëmtimit, për të mos u turpëruar nga plagët, është mësimi delikat simbolik i sugjeruar nga arti i lashtë japonez kintsugi.”

Janë pikërisht pengesat që kemi kapërcyer, vështirësitë, vuajtjet dhe traumat e ndryshme që mund të ndryshojnë si njeri, por s’do të thotë që ndryshimi është gjithmonë një analogji për keq. Ndryshimi mund te jete një forme e arrirë duke ndryshuar perspektivë për veten dhe jetën qe me përpara nuk do kishe  pasur mundësi pa këto çarje, plagë e shenja të padukshme.
Kështu plagët bëhen bukuri për tu “ekspozuar” pasi ti ke arritur ne njohjen dhe pranimin e vetes në atë pikë që këto plagë nuk të definojnë se cila je por janë thjesht një konturim i bukurisë se personit që ti ke arritur të jesh.

E si mund të ndihmojë kjo metodë në jetë? Duke përdorur një dozë të duhur të durimit, mirëkuptimit dhe përqasjes me mendjen e hapur ndaj vetes dhe të tjerëve. Duke kuptuar ato pjesë të cilat të çuan deri ne thyerjen vazos së Pandorës, jo me arsyen për ti analizuar apo fajësuar,  por për ti përqafuar e pranuar qe ndodhën dhe çfarë mësimi mund te nxjerrësh nga ato që mund të shërbejë në të ardhmen.

Ja ky është mësimi më i rëndësishëm që një vajzë si Sabrina mund ti japi vajzave dhe grave të tjera.
Pikërisht sepse është një vajzë e veçantë dhe jam e bindur se do jetë frymëzim për shumë vajza të reja që kanë një ide dhe duan ti realizojnë si ajo duke marrë në dorë fatin e tyre, Sabrina i bashkohet grupit të INNVEST Fund. (për më tepër info mbi INNvest Fund, lexo “Një bashkëpunim SUKSESI )

Fokusi kryesor është rritja e @TheSabDesignHouse dhe brandid të unazave në mënyre që të dy kompanitë të jenë të  strukturuar dhe konsoliduar në staf dhe rrjet klientësh.
Delegimi i punës është ende një aspekt që e sfidon por ajo është duke punuar fort për të realizuar një rutinë të shëndetshme si në punë edhe jashtë saj. 
Jam e sigurt që kudo që fati do e drejtojë ajo do triumfojë pasi zotëron një aftësi shumë të veçantë – besimin tek vetja.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *