Ngjyrat e Uta Ibrahimi

Kjo vajzë ka sfiduar fushat dhe malet e Kosovës , deri në majën e Everestit, duke ngritur flamurin e Shqipërisë dhe Kosovës për herë të parë nga një vajzë alpiniste.


“Njëherë që je atje lart kupton se sa e vogël është bota aty poshtë”. Ndoshta duhet të dërgojmë liderit e çdo shteti që të kuptojnë se sa pa kuptim janë luftërat që njerëzit bëjnë prej shekujsh dhe vuajtjet që shkaktojnë. Sillemi sikur jemi padronët e kësaj bote edhe pse mund të kemi eksploruar 1% të saj. Sillemi sikur të jemi ne që kemi krijuar natyrën dhe jo e kundërta. Sillemi sikur jemi qenia më superiore dhe inteligjente edhe pse vazhdimisht kryejmë akte nga më të ultë që tregojnë shkallën e egoizmit dhe shpesh injorancës. Kushedi nëse pas 2000 vjetësh qeniet që do evolojnë dhe popullojnë planetin tonë nuk do tregojnë për njerëzimin si qeniet që u vet zhdukën nga planeti.

Kush është Uta

Uta Ibrahimi lind në Gjilan në 1983 dhe në moshën 17 vjeçare transferohet me familjen në Prishtinë. Diplomohet në fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Prishtinës. Nis menjëherë punë në kompaninë Ogilvy Karrota, një agjenci marketingu me zyra në mbarë botën. Mbas 7 vjetësh shkëputet dhe një karrierë tjetër e pret për vitet e ardhshme si marketing dhe event organizer në drejtimin e Festivalit të njohur të Filmit Dokumentar DokuFest. Pikërisht kur mendoi se kishte gjithçka- një punë të mirë, udhëtime, festa të ndryshme, jetën që çdo e re mund të dëshirojë duke marrë pjesë në shumë evente ku ka mundësinë të takojë shumë të rinj të nacionaliteteve të ndryshme – ja tek zbulon që kjo jetë nuk e bën më të lumtur.

 Ndryshimi

Jeta e bukur në pamje të parë nuk po  i jepte më sodisfaksionin e dikurshëm dhe Uta kupton se ajo që ka nevojë është një jetë më e shëndetshme. Kishte nisur prej vitit 2011 hiking në Kosovë dhe malet i kishin rrëmbyer zemrën. Çifti moshatar Bashkim dhe Dita ishin frymëzimi i parë i Utës për të kërkuar lumturinë në natyrë. “Shikoja gruan e Bashkimit, Dita, një 60 vjeçare që ngjiste malet dhe transmetonte qetësi, lumturi e shumë pozitivitet. Mendoja me vete nëse ajo në këtë moshë mund ta bëjë atëherë edhe unë mund ta bëjë”.
Nisi kështu nga një frymëzim i vogël që në 2014 fillon të stërvitet në mënyrë profesionale. Në 2016 takon Xhim Begeja në Tiranë dhe i shpreh dëshirën për t’iu bashkangjitur grupit të tij për të ngjitur Malin Everest duke sfiduar të gjithë dhe gjithçka.

Vështirësitë

Ka vuajtur shumë mentalitetin e mbyllur dhe të ashpër të burrave ballkanas. Gjykimi se ishte një vajzë dhe pritej të mos shkonte përtej asaj se çfarë kishte vendosur shoqëria. Kur shfaqi dëshirën për të ngjitur malet si profesioniste, asnjë nuk e mori seriozisht dhe bilës shumë persona i shkuan kundër duke i thënë se nuk është një sport për vajza. Kishte një arsye pse  ishin burrat ata që ngjisnin majat më të larta në gjithë botën. Por Uta nuk dorëzohet dhe vazhdon e vetme në ëndrrën e saj.


Kujton që në Valbonë pëson një incident dhe përfundon në spital me një këmbë të thyer. Mjeku i thotë që nuk mund të lëvizte për 6 javë dhe duhet të bënte terapi për të rimarrë veten. Por Uta pas 1 jave kishte nisur të stërvitej edhe pse me shumë dhimbje dhe në vizitën e radhës me mjekun pas 6 javësh ishte gati për ekspeditën e saj.
Në ekspeditat e para nuk mori kurrë mbështetjen nga grupi i alpinistëve nga Kosova me arsyen se ishte një vajzë dhe nuk do ishte në gjendje ta përballonte alpinizmin në nivel profesionistësh.
Shumë ekspedita i ka bërë falë donacioneve nga njerëz të ndryshëm që pse nuk e njihnin kanë kontribuar nëpërmjet fondacionit që Uta ka hapur, utalaya.com  

Ngjyrat e majave më të larta

2014: Musala Bullgaria 2925m, Mount Olympus Greqi 2918m
2015 :  Mont Blanc 4880m France,
2016: Ercyes 3916m Turqi, Mali Hasan 3200m Turqi, Aldaglar 3599m Turqi, Emler 3500 m Turqi, Yalung 5700m Nepal, Nurbu 5800m Nepal, Ramdung 5925m Nepal
2017: Labuche East 6119m Nepal, Mönch 4107m Zvicër, malin Everest 8848m Nepal, Manaslu 8163m Nepal.
2018 : Mount Rainier 4392m USA, Island 6189m Nepal, Ama Dablam 6812m Nepal, Cho-Oyu 8201m Nepal, Lhotse 8516m Nepal si pjese e projektit  “National Geographic Team”.
2019 : Gasherburum  8080m Nepal që Uta kujton si ekspeditën më të vështirë për të deri tani.

“Unë gjithashtu kam marrë pjesë në një Projekt GIZ në Shqipëri për turizëm ndërkufitar në Malin Sharr. Themelova kompaninë time të guidës në natyrë në Ballkan “Butterfly Outdoors Adventure”. Drejtoj grupe për shëtitje dhe joga, turne çiklizmi dhe ngjitje dhe gjithashtu udhëtime më të vogla ecjeje për fëmijë me nevoja të veçanta”.

Karakteristikat e Uta-s

Vendosmëria dhe pozitiviteti me siguri janë 2 tiparet që bien në sy gjatë intervistës me Uta. Duke marrë pjesë në shumë evente si Tedx Talk Albania apo kudo që është e ftuar, synon të nxisë vajzat dhe gratë të luftojnë për ëndrrat dhe lumturinë e tyre, të frymëzojë sa më shumë vajza të jetojnë shëndetshëm dhe të lidhen me natyrën si një pjesë e pandashme e jetës sonë.

Uta ka një rutinë të hekurt që e ndjek prej disa vitesh tashmë: zgjimi ne 5.30 dhe vrapon 15km çdo mëngjes. Mbas punës sërish 1-1.5 orë fitness ku tani për shkak të koronavirusit detyrohet ti bëj në shtëpi të gjitha duke mos ndryshuar rutinën e saj por duke u munduar të qëndroj në formë për të realizuar planet që ajo ka për të ardhmen. “Zakonisht vrapoj 160 km në javë për tu përgatitur para një ekspedite”. ( dhe këtu ndihem keq dhe shikoj veten time që në këtë kohë izolimi arrij a jo të bëj 10mijë hapa në javë, ndoshta)  Fatmirësisht Uta ndan edhe disa këshilla me mua duke më kujtuar se për të bërë të veten një rutinë të duhen 21 ditë dhe pastaj çdo gjë bëhet në mënyrë më natyrale dhe pa shumë sforco. Thjesht duhet të qëndrosh konstante dhe lineare me atë që bën.

Projektet

Aktualisht janë 45 alpinistë nga e gjithë bota që kanë ngjitur majat më të larta ( mbi 8000m) dhe 3 prej tyre janë vajza.

Përveç projektit themelor që është ngjitja e 14 majave më të larta në gjithë botën duke e futur në listën e alpinistëve që e kanë arritur këtë objektiv, Uta dëshiron që dy flamujt e rëndësishëm për të, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, të jenë prezentë në këto male për herë të parë nga një vajzë.
“Dua të frymëzoj njerëzit që ta shohin jetën si mundësi për të pushtuar majat, cilado qofshin këto maja”.


Synim tjetër shumë i rëndësishëm është që të promovoj bukuritë e natyrës shqiptare kudo nëpër botë duke bashkëpunuar më turizmin dhe organizata të ndryshme të mjedisit.
Shpirt i bukur ai i Utës që pavarësisht se mbështetja nga qeveria apo nga bashkëpunëtorë që tani janë krahas saj, në fillim ka arritur të sponsorizoj ekspeditat e para vetëm nëpërmjet zemrës së mirë të njerëzve që dhuruan fonde nëpërmjet fondacionit të saj Utalaya. (eksperiencë kjo e jashtëzakonshme që Uta e ka shumë për zemër pasi nuk e priste kurrë që të akumulonte një shumë të tillë)
Gjithë eksperiencë e saj si alpiniste dhe vështirësitë në ngjitjen e këtyre majave, Uta i ka realizuar në një libër për fëmijë që do dali shumë shpejt. (le ta nisim nga fëmijët këtë edukim të rëndësishëm për natyrën dhe përqasjen ndaj ëndrrave)


Një Uta shumëngjyrëshe

“Sa herë më pyesin se nga e gjej frymëzimin për të ngjitur majat e botës, përgjigja nuk është asnjëherë e njëjtë. Është sikur të më pyesin pse jetojmë…” Këtu gjeni videon e plotë të fushatës që Uta realizoi në 2018.

Ju ftoj ta ndiqni, ta ndani si mesazh dhe të ndihmoni sado pak këtë vajzë të mrekullueshme, pasi falë kësaj vajze flamuri i Shqipërisë dhe Kosovës do valëvitet në qiell duke ngjyrosur retë dhe majat e maleve më të larta në botë duke na bërë krenare akoma edhe një herë që kemi mes nesh një xhevahir shumëngjyrësh si ajo, një alpiniste trime dhe një motivim i përditshëm i çdo mali vështirësish që jeni duke ngjitur në jetë.

“Barrierat qëndrojnë tek të tjerët, jo tek vetja. Çdo njeri mund të realizojë atë që më shumë dëshiron nëse nuk lejon që limitet e të tjerëve te kthehen në limitet individuale”.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *