Ngjyrat e Mireda Thana

Mireda Thana

“Ju nuk mund të kontrolloni gjithçka, por mund të përdorni gjithçka që keni nën kontroll për ta bërë atë të mundur.” Mireda Thana

Filloj këtë artikull duke kërkuar ndjesë për kohën që do ju marrë duke e lexuar por nuk arrita të përmbahesha e të mos zgjatesha. Por më besoni, janë 10 minuta të jetë suaj të shpenzuar mirë dhe në fund do më falenderoni. (shpresoj)

“Overthinking”

 Lumturia arrihet me sforco!? Jeni sforcuar të jeni të lumtur dhe t’ia keni arritur?
Është praktikisht e pamundur. Lumturia nuk është sforcim. Nëse nuk je e lumtur me një situate të jetës tënde duhet të bësh diçka dhe ta ndryshosh. Nëse nuk je e lumtur me veten, duhet të ndërmarrësh një sërë hapash që do sjellin ndryshimin fillimisht të personit që je dhe rrjedhimisht do bësh disa zgjedhje që do të bëjnë më të lumtur. (kjo besoj gjen dakord të gjitha palët e s’ka nevojë për kundërshtime)

Por si mund të arrihet ky ndryshim pikë së pari? Le të nisim nga bazat. Nëse nuk njeh veten se kush je (jo kush dëshiron te jesh, por kush realisht je) nuk mund të ketë transformim për mirë.
Ju ka rastisur të dëgjoni njerëz që qahen vazhdimisht se asgjë nuk po shkon mirë në jetën e tyre dhe se PO të kishin këtë apo atë pjesë në vijë do mund të arrinin këtë apo atë rezultat në jetë? Ka shumë gjëra kontradiktore në këtë fjali. Pikë së pari, kurrë nuk do kesh gjithçka në vijë 100%  që të lejojë të marrësh disa vendime për lumturinë tënde. Jeta është e ndërtuar me të gjitha ngjyrat e sfidave, vështirësive, ndryshimeve, planeve që evolojnë vazhdimisht. Nuk kam njohur ende një njeri që të më thotë se në një moment specifik të jetës së vet çdo gjë po shkonte për mrekulli dhe se nuk kishte asnjë vështirësi apo problem. Asnjë!

Kështu që…

Ndaj bëjmë një hap mbrapa. Nëse duam një planet më të shëndetshëm për fëmijët tanë, një jetë më të bukur, një familje më të lumtur, një të ardhme më të shndritshme, një punë më të mirë etj etj, ndryshimi duhet të fillojë nga ne. Ndryshimi i jetës është një reaksion zinxhir që fillon me transformimin e një individi fillimisht. Që të realizohet ky transformim duhet të arrihet njohja e thellë e personit që je, të kuptosh çfarë duhet ndryshuar dhe si mund të ndryshohet.  Për të njohur veten, por sidomos për të kuptuar se çfarë duhet të ndryshosh dhe cilat janë etapat për ta arritur këtë në mënyrë graduale dhe sistematike, po aq edhe natyrale, të duhet ndihma dhe ekspertiza e një “luftëtareje të dritës” që kanalizon gjithë energjinë tënde në drejtimin e duhur. Një nga këto luftëtare është Mireda Thana.

Kush është Mireda

Mireda përfundon arsimin akademik për Ekonomi në Tiranë dhe specializohet në fushën e marketingut. Eksperienca profesionale në sistemin bankar dhe atë akademik janë duke e përgatitur për një rol më të rëndësishëm në jetë. Duke nisur që nga mangësitë e sistemit tonë arsimor (që tashmë dihen dhe nuk keni nevojë ti lexoni edhe këtu) dhe më vonë në mungesën e kulturës së bashkëpunimit në ambiente pune, Mireda kupton që dëshiron të bëjë diçka për veten fillimisht dhe pastaj të shfrytëzojë gjithë njohuritë e saj profesionale për të ndihmuar të tjerët. Përjetimi në vetën e parë i vështirësive që mund të shkaktojë një ambient toksik në punë dhe pastaj pasqyrimi në jetën sociale, ndezën dëshirën tek Mireda që në 2017 të kërkojë programet specifike që do ndryshojnë komplet rrjedhën e jetës së saj.
“Të gjithë kemi një qëllim në këtë jetë, por duhet kuptuar kush është dhe për këtë i duhen bërë disa pyetje vetes. Kur e ke të qartë arsyen pse ke ardhur në këtë jetë dhe cila është shenja që dëshiron të lësh, rruga duket e qartë si kristali” Fluturon kështu në Zvicër dhe Holandë për të ndjekur programet që i nevojiten nga afër. Sot Mireda është e certifikuar nga Team Coaching International (kompani internacionale me një historik prej një dekade në mbarë globin) dhe është mëse e lumtur për rrugën që ka zgjedhur.

Modus operandi

“Ne po jetojmë në kohë prosperiteti të lartë dhe kompani të suksesshme, ku përqendrimi është vendosur në rezultate dhe shpesh kostot në burimet njerëzore janë të larta. Kompanitë shpesh operojnë nën kulturën e stresit, frikës dhe pasigurisë, ndërkohë udhëheqja shpesh është e papërgatitur për të ndryshuar këtë kulturë dhe për të rritur performancën e ekipit, veçanërisht sepse këta udhëheqës janë krijuar nga vetë ky sistem. Janë pikërisht këta drejtues që janë në gjendje të krijojnë ndryshime dhe të transformojnë kulturën e kompanisë. Është kultura e besimit, hapjes dhe kujdesit që krijon një produktivitet të qëndrueshëm dhe atë ku ndërhyrja stërvitore e ekipit krijon ndryshimin në kompani duke ndihmuar ekipet të zhvillohen dhe të jenë më bashkëpunues.”

Çfarë shërbime ofron Mireda

Kur kalon 8-9 orë gjatë ditës në punë dhe shikon problematikat e shumta në ambientet e punës, orientimi i Miredës bëhet gjithmonë e më shumë drejt biznesit duke u ardhur në ndihmë gjithë bizneseve shqiptare në disa mënyra:
 *Rritje e performancës  nëpërmjet një “team coaching retreat” – ideuar pikërisht mbi karakteristikat e çdo kompanie dhe e personalizuar për çdo biznes.  
* Team diagnostic- ku të gjithë anëtarët e ekipit plotësojnë një formular me disa pyetje specifike, në mënyrë që të nxjerrin në pah pikat e forta dhe pikat më të dobëta – duke punuar rrjedhimisht mbi pikat më të dobëta të cilën ulin produktivitetin e kompanisë dhe përkeqësojnë  me ndotjen e ambientit toksik. (rrjedhimisht njerëzit nuk janë të lumtur dhe puna bëhet e padurueshme)
* Gjithashtu edhe seanca Individuale.  (rreth detajeve të programeve që ofron Mireda kliko këtu )

“Kush ka nevojë për këto shërbime duhet të gjejë mënyrën që funksionon për të. Kimia dhe besimi janë 2 faktorë kryesorë për të përmbushur më së miri qëllimin e Business Coaching.”

Vështirësitë

Vështirësitë janë në vazhdimësi dhe gjithmonë të ndryshme. Nisim nga fakti që në momentin kur vendosi të ndiqte programet që i mundësuan certifikimet e duhura, Mireda ishte shtatzëne me vajzën e dytë. Shtatzënia është një ndryshim në vetvete. Të përballosh udhëtimet në avion kur je shtazënë nuk është e lehtë, më besoni e kam provuar. Stresi dhe lodhja për të ndjekur një plan sipas një programi që ke vendosur dhe dëshiron mos ti shtysh më gjërat pasi 1 je një person koherent dhe 2 je nënë dhe e di çfarë të pret pasi lind fëmija. Koha është e çmuar dhe gjërat do vijnë e do vështirësohen duke pasur 2 fëmijë, një biznes familjar dhe një ëndërr për të cilën po lufton ta finalizosh.
 Për ata që po mendojnë në këtë pikë, po nëse ka një biznes familjar pse u mundua kaq shumë? Ta merrte me qetësi? Ja pse e adhuroj këtë grua. Siç edhe Mireda e përsërit shpesh gjatë bisedës sonë: Kur e kupton pse ke ardhur në këtë jetë dhe cila është shenja që dëshiron të lësh mbrapa, rruga është e qartë…por askush nuk tha e lehtë.

Nga ana profesionale

Vështirësitë e vazhdueshme janë në aspektin profesional ku vetë puna e Miredës nuk njihet ende mirë në Shqipëri, por ndoshta edhe në disa vende të botës, (ndërkohë që në USA Simon Sinek, Brendon Bershard e me shokë janë duke jetuar majat e suksesit pasi roli i tyre është përqafuar tashmë nga një numër i madh biznesesh)   dhe më vonë në skepticizmin e njerëzve para se të takojnë Miredën në seancën e parë që ajo ofron falas.
Nuk kanë qenë të pakta as vështirësitë që ka hasur në momentin kur hoqi dorë nga puna “e sigurt” dhe vendosi të hidhet në një shërbim kaq të ri dhe inovator sic është “Business Coaching”.

Plus

Mireda është një nënë, një bashkëshorte, një grua në karrierë, një sipërmarrëse dhe një investitore. Balancimi 100% me siguri nuk arrihet kur je një grua me një shumëllojshmëri ngjyrash – “shoku I ngushtë në këto raste është gjithmonë ndjenja e fajit – si për punën dhe familjen”- thotë Mireda dhe më gjen tërësisht dakord me këtë frazë.

Ngjyrat e këshillave më të veçanta

“Ta shkëpusim veten nga prototipet ideale dhe të bëjmë thjesht maksimumin tonë. Mos të fajësojmë veten apo ta gjykojmë.  “Be kind with yourself.” Bëni veten prioritet pastaj do jeni në gjendje të përmbushni çdo rol dhe qëllim për të cilën keni ardhur në jetë. ”

“Vështirësitë janë dhe do jenë gjithmonë. Identifikoni çfarë ju vetë dëshironi dhe çfarë ju bënë të lumtur, fokusohuni tek ato dhe suksesi do arrijë. ”

“Besimi tek vetja (ose vetëbesimi) vjen si rezultat i përzgjedhjes së besimit që jemi të aftë të bëjmë zgjedhjen më të mirë. ”

“Frikërat e ndryshme në jetë duhen përballuar jo vetëm kur je mirë por edhe në momentet jo aq të bukura. ”

“Mos nënvlerësoni rutinën e shëndetshme. Edhe në kohë koronavirus menaxhimi i kohës është shumë i rëndësishëm. Ka aktivitete të negociueshme dhe ato të pa negociueshme që duhet ti jepni prioritet gjithmonë.”

Planet dhe projektet

Rritja e rolit të këtij shërbimi në bizneset shqiptare pasi suksesi i qëndrueshëm vjen si rrjedhim i investimit në mënyrë të barabartë në prodhim edhe në pozitivitet si ekip.
“Underpromise dhe overdeliver” është motoja e Miredës dhe unë nuk mund të shtoj asnjë pikë apo presje më shumë pasi puna e saj flet më së miri për benefitet që çdo njeri apo biznes mund të përfitoj.

Nuk mund të mungonte një rol kaq i rëndësishëm si ai i Miredës në një grup që synon pikërisht të ndihmoj bizneset e reja të marrin krahë dhe të kenë jo vetëm sukses por edhe jetëgjatësi duke drejtuar në mënyrë inovatore. Ndaj Miredën do e keni një mentore të çmuar si pjesë e @InnvestFund.  ( (për më tepër info mbi INNvest Fund, lexo “Një bashkëpunim SUKSESI )

Konkluzion

Për mos të keqkuptuar rolin e Miredës duhet të kuptoni  një gjë të thjeshtë:
* Life coaching nuk është zgjidhja e problemeve me një shkop magjik nga një zanë si Mireda. Punën duhet ta bëni ju dhe vetëm ju e keni në dorë.

* Nuk është vetëm për njerëz që mund të kenë vështirësi në një moment të jetës së tyre.

*Life coaching është edhe për persona të cilët janë të suksesshëm por ndiejnë se dicka I mungon për të qenë të lumtur apo për të qenë versioni më I mirë I vetes, për persona që janë gjithmonë duke vrapuar dhe nuk arrijnë dot të menaxhojnë kohën në mënyrën më të frytshme. (kujtojmë se suksesi nuk matet nga sasia e punëve që bën por nga kualiteti brenda një kohe më të shkurtër)

Pra në cilën do fazë të jetës që ndodheni, të paktën njëherë në jetë do ju këshilloja të provonit një life coaching individual ose Business coaching në grup. Siç thotë edhe Mireda, jo domosdoshmërish me Miredën, por me cilido coaching që ju keni kimi dhe besoni tek puna që mund të bëni me veten.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *