Ngjyrat e Sara Karaj

Kjo vajzë më bëri të pres pak për të realizuar këtë artikull, por ia vlejti dhe siç mendoja nuk më zhgënjeu aspak. Reale, spontane, e çiltër dhe gjithashtu profesionale në maksimum kur bëhet fjalë për punë.

Pak histori

Na ishin njëherë e një kohe tre miq që donin të dërgonin video njëri-tjetrit, si video të xhiruara nga ata por edhe video që kishin parë në TV, por nuk mundnin. Tre miqtë dhe gjithashtu kolegë aso kohe në Paypal – Chad Hurley, Steve Chen dhe Jawed Karim- u mblodhën në 2005 dhe hodhën online versionin e parë të Youtube në 14 shkurt. Në maj të 2005 versioni beta kishte përfunduar  dhe vetë Jawed Karim hedh online videon e parë në historinë e youtube-it. (shiko videon e parë prej 19 sekondash në Youtube) Ndërkohë që brande të mëdha si Nike filluan ta shfrytëzojë për marketing nëpërmjet videove virale, vlera e youtube u rrit brenda vitit. Sipas statistikave te Morgan Stanley në 2019, Market Value i platformës Youtube ishte 160 Bilion Dollar. ( lexo artikullin e business insider për më shumë info)

Tani Youtube është platforma e dytë e kërkimit më e madhe në botë (mbas Google) dhe ju mund të shikoni 360 gradë video nga çdo fushë që mund t’ju vijë në mend. Vajza e këtij artikulli gjithashtu e nisi rrugëtimin e saj në youtube pikërisht për të shuar kureshtjen e disa mikeshave që shpesh herë e pyesnin si e kishte realizuar make up-in.

View this post on Instagram

Warm ☀️🍂

A post shared by Sara Karaj (@sara.karaj) on

Kush është Sara Karaj

Sara lind dhe rritet në Tiranë nga një familje që ndoshta nuk ka pasur shumë në fillimet e saj por ka dhuruar gjithmonë shumë dashuri, prezencë dhe vlerat më të rëndësishme të jetës. Janë pikërisht këto baza që e kanë shoqëruar gjithë jetën dhe gjithçka ka vendosur e ka bërë më shumë dashuri dhe pasion duke i garantuar suksesin që ka arritur në një moshë kaq të re.
Sara vendos të transferohet në Gjermani pasi gjithmonë ka besuar në krijimin e pavarësisë së saj dhe eksperienca më e mirë që dikush mund të marri duke përballuar vetë jetën është kur largohesh nga siguria që ke krijuar pranë familjes. Do jenë sfidat e radhës dhe fakti që në një moshë kaq të vogël të mësojë se çdo të thotë të menaxhosh jetën më buxhetin e limituar që ke, që do kthehen në mësime të rëndësishme jete. Transferimi i radhës është në Austri për të vazhduar karrierën universitare për Arkitekturë.

Zanafilla e vlogut

Sara ka pasur gjithmonë një natyrë kurioze dhe i pëlqen të eksperimentojë me ngjyrat. (fakt ky që do lidhet edhe me brandin e saj vite më vonë) Duke ndjekur video tutorial të huaj, fillimisht sepse dëshiron të ketë një informacion të plotë të produkteve kozmetike që dëshiron të blej (këtu kupton që nuk bën zgjedhje me sy mbyllur por të matura) dhe më vonë për t’iu përgjigjur pyetjeve të mikeshave të saj “se si kishte realizuar një make-up specifik”. Pasioni për të bukurën dhe kurioziteti se si krijohet e bukura i jep shtysën që të ndajë këto kërkime dhe eksperienca në një video të parë në youtube. Nuk mendoi kurrë se kjo gjë do merrte masa të tilla. 
Sara përdor ngjyrat e tokës, pastel dhe një grim të lehtë duke përcjellë në këtë mënyrë gjithmonë e më shumë imazhin e saj në platformën e Youtub-it me freski dhe mesazh për vajzat që fillojnë ta ndjekin.

Me siguri një faktor kryesor që ndihmoi në rritjen e saj në fazat e para është pikërisht fakti që Sara është gjithmonë spontane dhe jep vlerësimin e saj për produktet që teston në mënyrë konkrete duke i testuar ato më përpara se të realizojë videot. Dëshiron të japë mesazhe reale dhe të frymëzojë vajzat që fillojnë ti shkruajnë gjithmonë e më shumë duke i dhënë frymëzim të realizojë më shumë video. Në intervista të ndryshme Sara ka pohuar se janë disa gjëra për të cilat nuk është e disponueshme të bëjë kompromise dhe njëra prej tyre është që të japi mendimin e saj për një produkt që nuk është në linjë me mendimin e saj të sinqertë. Ndaj dhe për këtë i është dashur të refuzojë bashkëpunime të shumta kur i është kërkuar të realizojë video tutorial apo review për një produkt specifik. Për këtë ju ftoj të ndiqni një nga videot që më ra në sy kur fillova të ndiqja Sarën në youtubë.

Vështirësitë

Nëse mendoni se Vlog do të thotë thjesht video të bukura dhe plot buzëqeshje e keni menduar gabim. Ka një punë të madhe mbrapa që kërkon pasion dhe vendosmëri për ti realizuar edhe pse mund të kesh ditë që nuk dëshiron të bësh gjë. Kur je vetëm në hapat e parë nuk ka përfitim monetar, je thjesht duke investuar dhe asgjë më tepër. Je duke investuar në kohë, në kërkime dhe mësime për tu përmirësuar, në produkte që duhet të testosh para se të realizosh një video. Para 6 vjetësh kompanitë në Shqipëri nuk kishin këtë përqafim me influencërat për të marketuar produktet e tyre ndaj edhe mbështetja ka qenë e vështirë. Ndërkohë që në Austri kishte krijuar ndjekësit e parë dhe kompani të huaja filluan ti dërgojnë testet e para për të ndarë online mendimin e saj rreth cilësisë dhe përdorimit.

 Sara kujton se në fillimiet e saj fakti që ishte larguar nga Shqipëria dhe nuk kishte qenë prezentë ne realitetin Shqiptar kishte të mirat dhe të këqijat e veta. Një nga këto, nuk kishte kuptuar që në Shqipëri youtube nuk ishte aq i përhapur për të ndjekur video, pasi përdorej më së shumti për të dëgjuar këngë dhe shumë njerëz nuk kishin një llogari ku mund të komentonin apo të pëlqenin videot ,ndaj edhe feedbacku që merrte ishte i vakët. Gjithashtu fakti që në atë kohë nuk kishte vloggere shqiptare e sidomos për beauty dhe fashion, ishte një risk më vete. Nga ana tjetër duke guxuar dhe duke qenë vetvetja mundi të krijonte rrugën duke eksploruar vetë vështirësitë dhe duke mësuar nga to. Nis kështu të realizoj video të shkurtra në instagram më kontent të ndryshëm, për të drejtuar njerëzit që e ndiqnin në rrejtët sociale në  kanalin e saj në youtube.  Nga ana tjetër largimi i kishte dhënë mundësinë të eksploronte realitete të reja dhe të krijonte një open mind të cilën ajo dëshironte ta transmetonte edhe tek vajzat që e ndiqnin.

PLUS
Të punuarit nga shtëpia ka edhe anën negative ndaj Sara kupton se ka nevojë të ndajë punën (tashmë konsiderohet punë pasi pjesën më të madhe të ditës e kalonte duke realizuar videot) dhe kërkon studion e saj të parë ku kthehet në zyrën e saj  me kohë të plotë. Prej aty nisin gjithë mrekullitë shumëngjyrëshe që më vonë e kthyen emrin Sara Karaj në një brand.

Jo të pakta janë edhe gjykimet apo paragjykimet që ka marrë në vitin e parë. (jo se tani nuk janë por Sara ka mësuar si ti përballojë duke mos lejuar të prekë shpirtin e saj të bukur) Popujt e Ballkanit njihen për këtë gjë, jemi të vështirë dhe ndoshta luftërat e ndryshme që kemi përjetuar na ka bërë shumë skeptik dhe jemi të gjithë pak Shën Tomaso ,ku para se të besojmë kemi nevojë “të prekim dhe të ndiejmë” . Kështu edhe suksesi i Sarës ka ardhur gradualisht duke prekur zemrat e vajzave, por duke u rritur gjithmonë e më shumë.

Dashuria, pasioni, kurioziteti dhe thjeshtësia

Me siguri kur bën diçka të re në një realitet jo shumë suportues, ke nevojë herë pas herë edhe për fjalë të mira. Sara e kuptoi që në fillim ku qëndronte problemi me realitetin shqiptar dhe veproi shpejt duke e zgjidhur një herë e mirë problemin me ndjekësit e saj. “Mbaj mend emocionin që përjetova herën e parë që takova ndjekësit e mi dhe kuptova që ato shifra klikimesh dhe komente të shumta nuk ishin thjesht virtual, por njerëz që besonin vërtet tek unë dhe më mbështesnin. Aty kuptova rëndësinë e asaj që po bëja dhe përgjegjësinë që kisha në mesazhet që doja të përcillja”.

Kuriozitet i vogël

Një kujtim që do veçonte nga fëmijëria (edhe pse janë të panumërt pasi ka pasur fatin të ketë një familje që i ka dhuruar shumë dashuri dhe mbështetje në çdo vendim që ka marrë) është i lidhur me ato momentet kur shkonin të hanin qoftet te piramida. (mos shtrembëro buzët nëse nuk prisje këtë përgjigje, ke përpara një person real dhe për këtë unë e përgëzoj pafund

Kuriozitet 2

Nëse je duke menduar se ka një familje të pasur apo një të dashur super të pasur që e ka suportuar ekonomikisht për të arritur suksesin që ka, mos e vazhdo më tej këtë artikull. Kjo vajzë ka ngritur çdo gurë të suksesit të saj vetëm me pasionin dhe dashurinë që ka për atë që bën. (nëse nuk e ke ndjekur më parë, fillo ta ndjekësh tani dhe do e kuptosh sa reale që është)

Copëza jete

“ Ka shumë momente të rëndësishme. Mendoj që çdo moment dhe çdo vendim që ti merr, ndikon sado pak në ndryshimin e jetës tënde. Mendoj se 3 momentet më të rëndësishme të jetës time kanë qenë: Hapja e kanalit në youtube, hapja e kompanisë time te kozmetikes dhe e tashmja!”

Suksesin ia dedikon pasionit dhe këmbënguljes. “Nëse bashkohen këto të dyja, nuk ka asgjë që të ndal”.

Sara ka lexuar gjithmonë libra motivues dhe histori suksesi që në moshë të vogël dhe libri “Girlboss” ka pasur një impakt imediat tek ajo: “Libri që mendoj se ka bërë diferencën në mënyrën e të menduarit të situatave, ka qene “GirlBoss”. Edhe pse jo shumë i vlerësuar nga kritikët e librave, do ta mbaj mend gjithmonë si librin që më ka motivuar të bej atë që dua, pa frikë.”

Ndërkohë që ajo që e frymëzon është vete Jeta.
“Mendoj se është gjëja më me vlere që kemi! Pyetja ime më e madhe ka qenë gjithmonë: Cili është qëllimi im këtu. Dhe kërkimi i këtij qëllimi më ka shtyrë të bëj gjithmonë përpara”.

Si lindi “Sara Kosmetics”

“SKosmetics ka qenë një nder ëndrrat e mija që adoleshente, të cilën realisht mendoja se nuk do ta arrija kurrë. Por pasioni dhe këmbëngulja mund të të bëjnë të arrish gjëra që nuk i ke menduar ndonjëherë.

Planet janë të krijojmë produktet që për mua janë idealet për një përdorim të thjeshtë dhe një kualitet maksimal. Ky ka qenë qëllimi im gjithmonë për SKosmetics.” Nëse dëshiron të provosh produktet kozmetike të realizuar nga një vajzë Shqiptare, këtu ke linkun e Skosmetics.

Marketingu me syrin e një Influencere

“Ka filluar të përdoret masivisht marketingu Online dhe në Shqipëri. Jemi akoma shume në fillime në krahasim me pjesën tjetër të globit. Mendoj se kompanitë ( jo të gjitha) kanë nevojë për një buton refresh në departamentet e tyre të marketingut, për të pasur ide me inovative dhe tërheqëse dhe në bashkëpunimet që ato dëshirojnë të bëjnë.

Fatmirësisht unë kam bashkëpunuar me shumë kompani të huaja dhe kam kuptuar sa shume kohë dhe pasion i kushtojnë çdo bashkëpunimi me influencers aty. Kjo mendoj se mungon shumë në Shqipëri”.

Bashkëpunim me @InnvestFund

CEO i Innvest Fund, Fabiola, ka qenë prezentë që në momentin e parë që Sara vendosi ta bej SKosmetics realitet.

“Kemi diskutuar shumë mbi platformën dhe si ti ktheja mendimet e mia në konkrete”.
Sigurisht duke ditur vështirësitë që mund të hasi çdo vajzë që dëshiron të realizojë ëndrrat e saj dhe ti kthej ato në biznes, Sara nuk mund të mungonte në iniciativën e grupit InnvestFund duke u bërë pjesë aktive si Prime Investor. (për më tepër info mbi INNvest Fund, lexo “Një bashkëpunim SUKSESI )

Kush ka “fuqi” të influencojë?

“Çdo kush ka fuqi të influencojë! Në kanale dhe platforma të ndryshme online, në shtëpi, kudo!

Nëse dëshiron ta kthesh influencën tënde në profesion, do të të duhet shumë përkushtim, prova dhe durim!
Ndërkohë që për projektet e të ardhmes Sara dëshiron të jenë surpriza të jetës pasi ashtu si Vloggere erdhi në mënyrë krejt natyrale e pa plane për të arritur një sukses të tillë, ashtu dëshiron të përjetojë edhe të ardhmen e mistershme. “Nuk do ta kisha menduar kurrë veten para 10 vitesh si një 24 vjeçare me gjërat që kam arritur sot, kështu që nuk e di as se ku do më çojë pasioni për të bërë gjëra të bukura as pas 10 vitesh. Ajo që mund të them me siguri është që do vazhdoj të insistoj dhe të bëj atë që më pëlqen më shumë.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *