Ngjyrat e Brisejda Reka

Brisejda Reka e brisisbijoux

Kur do t’ju duhet të merrni një avion apo të kaloni nga aeroporti Nënë Tereza, kërkoni për këtë vajzë dhe përshëndeteni, pasi më besoni, ka një buzëqeshje të ndritshme që do depërtojë thellë në shpirt e dashur padashur do ju përfshije tërësisht.

Kush është Brisejda Reka

Brisejda Reka është një nga ato vajzat që do e shikoje me orë të tëra e nuk do ngopeshe duke e parë. Ka atë hijeshinë femërore plot ngjyra që rrezaton aq ngrohtë e ëmbël sa është e pamundur ti rezistosh.

Brisejda lind dhe rritet në Tiranë në një familje shumë të ngrohtë e të dhënë mbas saj dhe së motrës. Diplomohet në fakultetin e  Shkencave Sociale dhe përfundon me një master në marketing. Në vitin 2007 punësohet pranë aeroportit Nënë Tereza duke kaluar ndër vite pozicione të ndryshme. Ka një raport shumë special dhe të afërt me të motrën dhe është mësuar të ndajë çdo gjë me atë; nga sekretet e moshës, dyshimet që e shqetësojnë, tek këshillat dhe konfrontimet pa filtra. Në momentin kur motra zgjedh të largohet nga Shqipëria, Brisejda e vuan tepër këtë largim dhe duket sikur humbet gjysmën  e saj më të shtrenjtë. Nis kështu një rrugëtim I ri shumëngjyrësh dhe I papritur për të.

Si lindi @BrisisBijoux

Nga monotonia që e kaplon dhe mungesa e vazhdueshme që ndjen për të motrën vendos një ditë të humbasë kohën dhe të shikojë disa punime artistike online. I pëlqen e bukura, por ajo e bukura vintazh  që vështirë të gjendet në ditët e sotme. Nga një kërkim në tjetrën vë re se ato orë që kishte kaluar duke parë videot e ndryshme artistike dhe punime artizanale nuk kishte menduar për largimin e së motrës. Vendos kështu të thellojë më tepër njohuritë në këto video për të mbushur sa më shumë kohën e saj të lirë dhe mos të bjeri pre e mërzitjes që shpesh I bënte shoqëri në atë periudhë.

#jewellery

Në 2015 fillon të bëjë punimet e para që janë kryesisht punime me lëkurë të bizhuve të ndryshme. Kështu koha kalon duke punuar në aeroport, duke ushqyer nga youtube pasionin e ri dhe duke prodhuar bizhutë me stilin e saj të veçantë. Dashuria për stilin klasik e ndihmon të reklamojë punimet e para në një dyqan veshjesh vintazh dhe aty kupton që punimet e saj nuk janë aspak të këqija, përkundrazi. Lind nevoja ti pagëzojë punimet e saj më në fund duke I paraqitur si “BrisisBijoux” (nga frëngjishtja “Stolitë e Brisit”).

Në 2016 njihet me artin e rezinës dhe përpin çdo video të mundshme që gjen online për të mësuar çdo gjë rreth punimit me rezinë. Në këtë pikë ndjen nevojën të zgjerojë  jo vetëm punimet që bën por edhe rrjetin e klientëve. Nis kështu bashkëpunimin me @Nji_mar_nji_mrapsht ku ekspozohen punime të ndryshme artizanale. Brisejda merr pjesë gjithashtu në çdo panair që mund ta ndihmojë të rritet në këtë fushë.

#rezineart

Ngjyrat e vështirësive

Brisejda ka punuar për shumë vite me turne të ndryshme dhe ka pasur raste kur kthehej në shtëpi mbas turnit të tretë (në orët e para të mëngjesit) e nuk mund të flinte. Pasioni I ri për rezinën e kishte përfshirë deri në palcë dhe ajo punonte deri në orët e vona të pasdites duke mos pushuar aspak ose shumë pak para se të kthehej sërish në punë. Ndaj koha në dispozicion ka qenë e limituar dhe I është dashur të sakrifikojë disi lirinë e saj. Duke qenë autodidakte, çdo shpenzim që ka bërë vitet e para për të realizuar punimet, ka qenë thjesht për të mësuar dhe investim për atë pasi asgjë nuk I është kthyer mbrapsht. I është dashur kohë dhe shume eksperimente, pa pasur praktikisht një edukim universitar për atë që po bënte dhe duke nisur nga zero. Çdo punim ishte një faqe e bardhë që nuk dihej se si do përfundonte. Por dalë ngadalë faqet e bardha filluan shpejt të mbushen  me gjithë ngjyrat e ylberit dhe punimet erdhën duke formuar stilin e tyre të veçantë e duke lënë shenjën e firmës së @BrisiBijoux.

Vështirësitë gjithashtu  kanë qenë dhe mbeten me pastërtinë e lëndës së parë, erzinës, që Brisejda e ka me merak dhe nuk ka arritur të gjejë një furnitor të mirë në Shqipëri. Ndaj shpesh duhet të përballojë kosto aspak të ulta për të sjellë lëndën e parë nga jashtë kufijve.

Ngjyrat e tulipanit

Një mike e saj i kërkon të vendosi në rezinë një tulipan që për të kishte një rëndësi të veçantë dhe nuk donte ta humbiste. Brisejda nisur nga kjo kërkesë kupton rëndësinë që kanë dhurata të tilla dhe nevoja për ti ruajtur për shumë vite me të njëjtën pamje. Ndaj fjala hapet shpejt dhe shumë nuse vendosin ta kontaktojnë për të vendosur lulet e buqetës së dasmës në rezinë duke I konservuar gjithmonë të “freskëta” së bashku me kujtimet e asaj dite.

Ngjyrat e familjes së Brisejda Reka

Brisejda ndihet me fat pasi gjatë gjithë rrugëtimit të saj ka pasur përkrahje nga prindërit e saj. Ka një raport shumë të mirë me babanë dhe ka qenë pikërisht ai si shtysë në punimet e para me rezinë që I ka mundësuar veglat e ndryshme për punën që duhet të zhvillonte. Ka kontaktuar dhe negociuar për materiale të ndryshme që @BrisisBijoux ka pasur nevojë gjatë viteve dhe e ka ndihmuar të krijoj studion e saj në një ambient të shtëpisë ku Brisejda humbet orë të tëra me kënaqësi.
E përfytyroj në mendjen time të ulur në ballkon, ndërkohë që të tre hanë mëngjesin dhe përkëdhelen nga rrezet e para të diellit, Brisejda Reka hedh në fletë punimin e radhës që do realizojë me shumë dashuri, duke krijuar kujtimin e radhës… duke ndriçuar buzëqeshjen e munguar.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *