Ngjyrat e Anda Petani

anda petani

“Merr frymë thellë”

Kjo është fraza e parë që dëgjon kur ke një problem dhe nuk arrin dot të mbushesh më frymë ose kur thjesht je duke kaluar një krizë paniku dhe të vjen mendja vërdallë sepse nuk arrin dot të mbushesh më frymë.
Hapi i parë që bëjnë kur lind është nëse merr frymë normal dhe të kontrollojnë mushkëritë e zemrën. Duket kaq e thjeshtë, një veprim i lindur që në momentin kur vjen në këtë jetë dhe ti thjesht duhet të ndjekësh instinktin tënd. Nuk ta mëson njeri. Thjesht merr frymë.

E megjithatë për shumë njerëz ky veprim kaq i thjeshtë dhe bazik kthehet në një vështirësi sikur po ngjit malin here herë në jetë. Me siguri këtë periudhë që jetuam (e vazhdojmë ta jetojmë) me pandeminë na bëri të kuptojmë që të marrësh frymë lirshëme të mbushësh mushkëritë me oksigjen nuk qenka kaq e mirëqenë. Do e kishit imagjinuar ndonjëherë se instinkti më bazilar në jetë do kishte qenë në rrezik? Me siguri do ju ketë ndodhur që herët e para që keni dalë jashtë me maskë, pak nga vështirësia e të marrit frymë me maskë e pak nga frika që na rrënjosën në tru, keni patur vështirësi të bënit një nga veprimet e lindura e më të thjeshta – atë të marrit frymë lirshëm.

Kush është Anda

Merr frymë dhe relaksohu. Merr frymë dhe ngadalëso hapin. Merr frymë dhe frymëzohu nga historia e vajzës së këtij artikulli.
Anda Petani lind dhe rritet në Fier. Diplomohet në Fakultetin e Shkencave Sociale për Psikologji në Tiranë. Kthehet në Fier pas mbarimit të universitetit dhe gjen një vend pune në prefekturë (e di çfarë po mendon tani, ëndrra e shumë Shqiptarëve të punësohet në shtet). Anda ka fatin të njohë shumë njerëz në vitet që punoi në një zyrë të tillë, por jo gjithmonë ishte një fat i mirë.

Përballimi i njerëzve nga shtresat sociale të ndryshme (dhe shpesh jo aq të edukuar) krijon një ambient toksik rreth e rrotull që e bëjnë te mendojë se ndoshta këtë punë nuk do mund ta bënte edhe për shumë vite. Për të lehtësuar stresin e krijuar në punë, që tashmë po i kthehej edhe jashtë ambienteve të zyrës, fillon një regjim fitness dhe ushqimor të cilin e ndjek me rreptësi tashme prej shumë vitesh.

Veçantitë e Anda Petani

Do kuptoni po të shikoni faqen e saj në Instagram që format e tilla nuk krijohen duke qëndruar ulur pjesën më të madhe të ditës dhe pjesën tjetër të qahesh e të nxjerrësh justifikime që nuk ke kohë për asgjë. Anda ka disa veçanti që e ndihmojnë të ketë sukses në çdo gjë që vendos të arrijë – është këmbëngulëse, pozitive dhe shumë kurioze. Ndaj si një person i bukur që është nuk ndalet vetëm së pari jetën si spektatore por dëshiron ta jetojë 360 gradë. Mos u çudit nëse të them që jeta e saj do ndryshojë në një mënyrë që se pret.


Mund të listoj disa pasione dhe sjellje që ndjek deri në këto momente që po shkruaj artikullin për të kuptuar më mirë personalitetin e saj; (e precizoj deri tani sepse me siguri po ta takoj pas 1 viti jam e sigurt që listës do i jetë shtuar diçka më tepër) fitness të rregullt, yoga dhe meditim, ushqim të shëndetshëm dhe për këtë është shumë rigoroze e nuk bën kompromise, gjuhët e huaja, kitarën që ka nisur leksionet prej disa muajsh dhe është një gjithë përthithëse librash. 
Është njeri i lexuar do thoshte mamaja ime në këto raste.

Ndryshimi i jetës

Megjithëse ndjek një rutinë të shëndetshme dhe mundohet të shkëputet me trup e shpirt pasi del nga puna, realiteti jashtë mureve të zyrës nuk ishte po aq i lehtë. Jeta do e vendosi para një prove shumë të vështirë dhe Anda humbet të atin për shkak të një sëmundje terminale. “Merr frymë” e dëgjoi shpesh ato kohë, por ja që nuk ishte aq e thjeshtë. Goditja e radhës ishte si një thikë që qëllon në kraharor dhe nuk del kurrë. Vendosi më në fund të bënte diçka për veten dhe të dilte nga ai tuneli ku shikonte vetëm errësirë skëterrë e aspak ngjyra e dritë. Kërkon për një kohë të gjatë rrugën që duhet të ndjekë dhe merr në konsideratë alternativa të ndryshme. Më në fund duket sikur drita shfaqet në fund të tunelit dhe niset në Indi për të jetuar eksperiencën e saj më unike në 2018.

Ngjyrat e Indisë

Mbërritja në Indi është një nga ato momentet që do shënojë kthimin 360 gradë të jetës së saj dhe të personit që është. Shumë personazhe të njohur janë shprehur se jeta e tyre ka ndryshuar komplet pasi kanë vizituar Indinë; Sharon Stone, Julia Roberts, Oprah, Steve Jobs etj. Edhe Anda nuk mund ti shpëtonte magjisë shumëngjyrëshe të Indisë. Rrugëtimi i saj kishte nisur nga një seancë meditimi dhe kishte vazhduar me jogën. Pas disa vitesh që ushtronte jogën vendos të trajnohet si mësuese Yoga në vendin ku pikërisht ka zanafillën prej 5000 vitesh – në Indi. Dashurohet aq shumë me këtë shtet sa vendos të shtyj biletën e avionit dhe të qëndroj edhe një muaj tjetër duke marrë mësime edhe për masazhe e fizioterapi të mirëfilltë. Dy muaj në Indi, duke ndjekur me rreptësi programin për të cilën kishte shkuar fillimisht, i rikthejnë ato ngjyrat e shpirtit që ka pasur në kohën kur unë e kam njohur në gjimnaz.
Nëse keni parë filmin “Eat Pray Love” me Julia Roberts do e kuptoni shumë mirë që mbarimi i këtij rrugëtimi ështe shpërthyes në shumë kuptime dhe arrin më në fund të fitojë paqen për të cilën kishte nevojë.

Si lind Yoganda

Kthimi në realitet sërish në Shqipëri dhe në qytetin e lindjes e shkund disi nga ëndrrat e bukura por Anda nuk heq dorë. Vendosë një datë skadimi dhe përgatitet për ndryshimin e radhës që dëshiron të bëj. Mbledh gjithë fondet që kishte kursyer ato vite në punë dhe vendosë të hap studion e saj të Yogës dhe shumë shpejt do ofrojë edhe masazhe me natyre fizioterapie. Yoganda lind në 2019 dhe Anda vendos të hidhet në këtë sfidë duke investuar jo vetëm kursimet e saj por edhe njohuritë e ndryshme që ka përfituar gjatë viteve. Njëra prej tyre është pikërisht të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme  duke u pajisur me një certifikatë si dietologe. Fitness nuk e lë kurrë pas dore dhe plotëson kështu imazhin e një personi perfekt që do donit të ndiqnit nëse doni të jetoni shëndetshëm. Ndiqeni në faqen e saj në Instagram dhe do më besoni.

Vështirësitë

 Vështirësitë kanë qenë të panumërta por kjo vajzë nuk më zhgënjen në asnjë moment ndërsa flasim në studion e saj aq mirë të arreduar dhe plotësuar nga aureola e saj shumëngjyrëshe që të sjell në mend Aurora Borealis.
Vështirësitë kanë qenë si gjatë viteve kur punonte në prefekturë, duke qenë femër pikë së pari dhe duke u përballur me një opinion aspak të lehtë siç është ai i vendlindjes sime, Fier. Ka një rend që duhet ndjekur nëse je femër në qytete të tilla dhe Anda mendon, jeton dhe vepron jashtë kornizave. Kështu që  mund ta imagjinoni se sa herë i është dashur të përballet e të luftojë për mos të vrarë personin që është për shkak të këtyre stereotipave që janë krijuar dhe duket sikur nuk do çrrënjosen kurrë.


Në momentin që gjithashtu vendos të largohet nga një punë e sigurt në shtet dhe të hapë një studio  yoge duke mos ditur nëse do ketë sukses, ishte sfida e radhës.
 Ishte më e lehtë ndoshta tu komunikoje familjarëve se do bashkëjetoj para se të martohem dhe me shumë mundësi do e prisnin më mirë se sa tu jepje një lajm të tillë.  Por sërish Anda me pasionin e saj dhe dashurinë që ka për çdo gjë që bën në jetë arrin ti bëjë ballë ndërhyrjeve të ndryshme e të lodhshme që erdhën në atë kohë nga çdo njeri që u mundua ti ndryshonte mendjen.
Fakti që Fieri nuk kishte një studio Yoga mund të ishte një avantazh por edhe një dështim nëse njerëzit nuk e kanë në kulturë një aktivitet të tillë. 

Quote

“Çdo herë që do mundoheni të bëni diçka ndryshe dhe do dilni jashtë zonës suaj të komfortit, do ndesheni në shumë vështirësi dhe njerëzit do jenë kundra jush. Pikërisht atëherë do kuptoni që jeni në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdoni përpara.”

Anda tashmë ka krijuar klasa të ndryshme yoga duke nisur ditën në orën 10 të mëngjesit dhe e përfundon në 7 të mbrëmjes. Ka ditë që oraret janë full dhe ajo duhet të kalojë nga njëra orë në tjetrën pa pushim. Pozitiviteti i saj përfshiu shumë persona që do kishin një nevojë të madhe për këtë aktivitet dhe ndaj suksesi u duk që në muajin e parë. Nëse ju ndodh të jeni në Fier, mos ngurroni të rezervoni një sesion Yoga me këtë vajzë pasi do ngeleni e mrekulluar dhe po patët një mendje të hapur ku i dihet, mund të dilni edhe tjetër njeri…më e mirë. 

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *