Ngjyrat e Granita Lila

Granita Lila

Granita Lila është një grua nga Gjakova që pata fatin ta njoh dhe intervistoj falë edhe suportit që Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pasur këto kohë me bizneset e vogla.  Për të zbuluar më shumë lexoni artikullin dhe do e kuptoni.

Kush është Granita

Granita Lila lind në Gjakove dhe shpërngulet në Prishtinë për të ndjekur studimet universitare në akademinë e arteve për pikturë. Ishte viti 1999 kur Kosova po kalonte ndoshta periudhën më të vështirë të të gjitha kohërave dhe asgjë nuk ishte e sigurt në atë moment. Granita kishte një ëndërr që lidhej më arkitekturën por në fund për arsye të ndryshme zgjedh fakultetin e pikturës. (ëndërr kjo që do vazhdojë ta ndjekë ndër vitesh)

 Pas mbarimit të universitetit në 2003 has vështirësi të gjejë punë në profesionin e saj dhe nis një kalvar ë vështirësish. Për ti bërë ballë kostove në Prishtinë është e gatshme të bej çdo punë dhe nis kështu eksperienca e saj në financë, marketing, agjent shitjesh e deri në muzeun e Kosovës ku punoi si skicografe. Ardhja në jetë e fëmijës së dytë e detyron këtë herë të qëndrojë në shtëpi për gati 2 vjet.

Granita përjeton pasigurinë dhe dëshpërimin në ato kohë dhe lufton me veten për të gjetur rrugën e saj. Nis një sërë kërkimesh për të nisur punë diku, por fakti që ishte nënë e dy fëmijëve (dhe kjo mesa duket konsiderohet një limit në shumë kultura botërore duke detyruar shumë gra të ulin pritshmërinë e tyre e të ndihen si të paafta për punë) e kthyen këtë mision të pamundur dhe Granita heq dorë.

Si lindi Dhé by Granita

Ishin pikërisht ato dy vite qëndrimi në shtëpi dhe mbyllja e shumë dyerve që i dhanë Granitës dëshirën për tu marrë me diçka kreative. Nis kështu të shikoj video të ndryshme me punime artizanale dhe të eksperimentoj me argjilën. Punimet e para janë pjata të vogla ndoshta jo perfektë por të veçanta dhe të ngrohta. Mund të kuptosh shumë mirë dashurinë që Granita ka vendosur në ato punime artizanale. Mund të shijosh gjithë ngjyrat e mundit dhe pasionit të saj.

Punimet e para ia prezanton familjarëve dhe miqve që duke i pëlqyer nxitin Granitën të bëjë edhe më shumë. Fillon kështu rruga e re e këtij pasioni që Granita kurrë nuk e kishte marrë me mend se mund të merrte këto përmasa.

“Zoti formoi njeriun nga balta e tokës” shpjegohet kaq thjeshtë nisja e njerëzimit. Por Granita e lidh materialin e saj me një kuptim që nuk lë vend për diskutim për asnjë njeri të cfarëdo etnie apo feje që është: Nisur nga katër elementët – ajri, uji, zjarri dhe dheu (toka).
Në vitin 2017 hap instagramin me 10 punimet e saj. “Isha e bindur se po nis diçka me punu dhe kjo më dha forcë.”

Zhvillimi i Dhe_by_Granita

 Dy vitet e para Granita punonte nga shtëpia duke kthyer një ambient të shtëpisë në studion e saj private. Ditët fluturonin aty brenda dhe Granita sapo gjente pak kohë të lirë niste të realizonte porositë që kishte marrë nga klientët e saj që tashmë ishin shtuar. Oraret e vona, pasi të gjithë kishin rënë në gjumë dhe mund të shijonte qetësinë, ishin bërë të zakonshme tashmë në jetën e saj.

Vazhdoi kështu për 2 vjet duke punuar nga shtëpia derisa kërkesat e shumta e bënë të kuptojë se ndoshta kishte ardhur momenti të merrte një studio dhe dyqan ku mund të ekspozonte edhe punime që ajo bënte me shumë dëshirë duke i dhënë krahë kreativitetit të saj. Por fondet nuk ishin të mjaftueshme dhe frika se ndoshta kostot do kalonin përfitimet e tunduan disi.


Në 2019 fati do që të marri pjesë në një konkurs të organizuar nga UNDP e CHwB Kosovo në kuadër të punimeve artizanale dhe Granita fiton me punimet e saj. Gërshetimi i fakultetit, që kurrë nuk kishte dhënë frytet aq shumë të pritura deri tani, dhe të pasionit të saj të ri më në fund gjeti rrugën e përkryer për të dalë në dritë dhe për ti dhënë më shumë besim tek vetja. Hap dyqanin që tashmë është kthyer në një MUST për çdo shqiptar apo të huaj që ndodhen në Prishtinë për të marrë me vete një copëz arti me motive të ndryshme të traditës së Kosovës dhe Shqipërisë.

Veçantitë e Granitës

Kjo grua e di shumë mirë se çdo të thotë të jesh e zonja të bësh diçka por të mos jepet mundësia ta shfaqësh atë aftësi dhe pse jo të përfitosh prej saj duke fituar disa të ardhura çdo muaj. Ndaj, pjesa që më tregon në këtë pikë të bisedës sonë më le pa fjalë dhe rrit admirimin që kam për atë dhe shumë gra si ajo.

Fjalët ishin hapur tashmë prej dy vitesh që punonte nga shtëpia dhe shumë gra i kërkonin këshilla se si mund të bënin si ajo dhe punimet e tyre të mund ti shisnin. Fillon kështu krijimi i një rrethi grash, punëtore sa s’ka më, që herë pas herë takohen dhe shkëmbejnë idetë duke ndihmuar njëra tjetrën të shikoj ato ngjyrat e ylberit që Granita tashmë kishte arritur pas shumë mundimeve.

Këshillat e Granitës janë sa të vlefshme aq edhe kreative dhe vendos kështu ti përshijë në dyqanin e saj duke ekspozuar gjithashtu punimet e tyre. Granita realizon design për objekte të ndryshme dhe i ndihmon duke i drejtuar të kenë ngjyrat e duhura dhe cilësinë e duhur në mënyrë që ti përshtaten edhe stilit që ajo tashmë ka krijuar. Nëse u bie rruga në Prishtinë mos ngurroni të suportoni një biznes të vogël por aq të veçantë si ai i @dhe_by Granita

Vështirësitë

Vështirësitë kanë qenë të panumërta në faza të ndryshme të jetës së saj. Ato që kanë shënuar më shumë Granitën janë pikërisht vitet kur u bë nënë dhe nuk mund të gjente një punë. Fakti që kishte ëndërruar gjithmonë arkitekturën por nuk mundi ta vazhdonte si universitet e bëri të mendojë shpesh mos ndoshta kishte bërë zgjedhjen e gabuar dhe se me shumë mundësi me një diplomë të tillë do kishte qenë më e lehtë jeta e saj.

Nisja e punimeve me argjile nga ana tjetër nuk i dha besim tek vetja që në fillim dhe dyshimet e kanë munduar për shumë kohë. Gjithashtu edhe besimi tek punimet e saj ka munguar derisa reagimi i shumë njerëzve e bëri të kuptoj se puna e saj vlente.
Në fund vit kërkesat janë të shumta dhe Granita mezi arrin ti plotësojë të gjitha por ndihet me fat që ka bashkëshortin dhe familjen e tij që i vijnë në ndihmë për tu kujdesur për fëmijët ndërkohë që ajo punon më orë të tëra pa pushim.

Takimi me Kryeministrin Albin Kurti

Takimi me Albin Kurti ishte aq i papritur sa Granita nuk i besohej deri në momentin që ai u shfaq në dyqanin e saj dhe bleu disa punime të bëra nga ajo. (lajmin e keni këtu )  Kështu rashë në gjurmët e saj unë dhe shumë persona të tjerë që tashmë i bëjnë kërkesa Granitës çdo ditë duke e ndihmuar ta kalojë këtë periudhë pandemie dhe të rrisë ëndrrën e saj të biznesit që e nisi nga zero, ose në këtë rast ndoshta vlen më shumë të them nga “balta”.

Planet për të ardhmen kanë në fokus krijimin e një mundësie të transportojë këto punime edhe jashtë kufijve pasi deri tani e ka pasur të vështirë këtë realizim, pavarësisht se kërkesat nuk kanë munguar kurrë, përkundrazi sa vijnë edhe shtohen çdo ditë e më shumë. Ndaj nëse keni një mundësi ta ndihmoni këtë grua të veçantë mos ngurroni ta kontaktoni. Do dashuroheni me punimet e saj që janë një gërshetim perfekt i tradicionales dhe modernes. Gjithashtu me misionin e saj- promovimi i kulturës dhe vlerave që Kosova dhe shqiptarët e Kosovës mbartin.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *