Ngjyrat e Elona Bakiu

Elona Bakiu

“Pasioni dhe vullneti janë 2 gjëra të cilat e shtyjnë njëra tjetrën përpara pambarimisht.” Elona Bakiu

Kush është Elona Bakiu

Elona Bakiu, lindur dhe rritur në Tiranë, ka mbaruar fakultetin e arkitekturës dhe urbanistikës.
Pas 5 viteve intensive në universitet, fillon të punoj në studio të ndryshme arkitekture.
Merr pjesë në disa konkurse, ku do të veçonte; rivitalizimin e qytetit te Kukësit, zgjatimin e bulevardit të ri, Tirana policentrike. 

Punon për disa vite arkitekte free lancer duke marrë pjesë në projekte të ndryshme, derisa më në fund vjen oferta që do ti ndryshoj jetën (të paktën në fazën e parë të këtij artikulli) duke punuar pranë një kompanie ndërtimi dhe bëhet pjesë e grupit projektues të një projekti të madh rezidencial në të cilin vazhdon edhe në ditët e sotme.

Po të shikoni faqen e saj të Instagramit do mendoni se keni të bëni me një travel blogger. Fotot shumëngjyrëshe e të kuruara, udhëtimet e panumërta dhe stili mjaft i veçantë i Elonës për të kapur këndin më të bukur të vendeve që ka vizituar gjatë viteve dhe vendos ta ndajë në rrjetet sociale duke e paraqitur jo vetëm në mënyrë profesionale, por duke ndërtuar stilin e saj si një influencer e vërtetë.

Si lindi ideja e videove stopmotion?

Gjatë shtatzënisë, duke parë në rrjetet sociale profile të bloggereve të huaja, e ngacmon një video shume interesante, e cila i mbeti gjatë në memorie. “Kjo video më bëri që të aplikoja stopmotion-in tim të parë (një vajzë bebe që luan nga barku me babain e saj).”
Videon e gjeni këtu.

Pak Histori

Stop motion është një teknikë e filmimit të animuar në të cilën objektet manipulohen fizikisht në lëvizje të vogla midis kornizave të fotografuara individualisht në mënyrë që kur të shfaqen të krijojnë lëvizje të pavarur ose të ndryshojnë kur seria e kornizave të luhet përsëri.

Filmi i parë i stopmotion ishte The Humpty Dumpty Circus në vitin 1898, i krijuar nga regjisorët dhe producentët J. Stuart Blackton dhe Albert E. Smith. Teknologjia ka evoluar dhe po ashtu stopmotion ndaj sot mund të krijohen video dhe filma të animuar me një cilësi shumë më të mirë. Por përveç se duhet të jeni fotografë të mirë, duhet të keni edhe shumë durim e pasion për ta bërë këtë punë krijuese pasi mund të kërkojë shumë kohë për të realizuar një video që në fund paraqitet si disa sekonda.

Vështirësitë

“Duke qenë një person gjithmonë në lëvizje dhe në aktivitet, me shumë ide e dëshira në mendje, vështirësia më e madhe ka qenë menaxhimi i kohës i cili theksohej gjithmonë e më shumë me mbarimin e universitetit si edhe pas lindjes se vajzës.”

Pasioni i ri gjithashtu kërkon kohë por Elona e bën me shumë dëshirë duke sakrifikuar edhe oraret e gjumit që tashmë me një fëmijë të vogël janë luks më vete.

Elona ndoshta nuk e di por është duke çuar marketingun në një stad tjetër me pasionin e saj të stop motion dhe gjithashtu shpirtin e saj kreativ që sjell çdo herë një copëz arti me videot e realizuara.

Ngjyrat e ndryshimeve

“Dita kur u bëra nënë për herë të parë ndryshoi totalit rrjedhën e përditshmërisë.

Mëmësia është një status i cili shoqërohet me mjaft lodhje dhe vështirësi presa i përket menaxhimit të kohës, sidomos kur ti ke qenë një person super aktiv në jetën tënde para fëmijës. Nga ana tjetër bashke me vajzën lindi dhe pasioni i ri për videot kreative dhe ishte pikërisht vajza që më shty drejt këtij pasioni. Presa i përket organizimit te kohës duhet të jem mjaft rigoroze në planifikimin e orëve të ditës në ditë të ndryshme.”

Tashmë dita e saj ndahet mes 10-12 orë punë në fushën e arkitekturës dhe pjesa tjetër me vajzën dhe videot. (duket sikur dita ka më shumë se 24 orë për Elonën por dihet në këto raste, kur një person punon me pasion arrin të gjejë kohë për çdo gjë në jetë)

“Bashkëpunimi me disa persona të huaj më ka ndihmuar jashtë mase në profesionin tim duke marre kështu eksperienca të reja të cilat më kanë shërbyer shumë në vitet në vijim.”

Veçantitë e Elonës

E ëmbël sa më s’ka, dashuron të bukurën dhe është shumë kurioze. Nuk ndalet vetëm të jetë  një nënë dhe një arkitekte në karrierë por shkon përtej çdo pritshmërie duke u kthyer shumë shpejt për mua një influencer ose një themeluese e kompanisë së marketingut dixhital me një risi në tregun shqiptar falë kreativitetit të saj.

“Pavarësia për mua është gjithçka, në këmbim të saj nuk pranoj asgjë. Pasioni gjithashtu është diçka që kurrë nuk mund të ndaloj së realizuari.

E frymëzon në jetë:

“Dëshira për artin, për të bukuren, kreativiteti, dëshirat  për të realizuar të gjitha pasionet e mia (arkitektura, udhëtimet, stopmotions).”

“Personat pozitivë dhe  kreativë më influencojnë e më shtyjnë akoma më shume të realizoj dëshirat e mia.”

Vendi/et e preferuar

“Do të theksoja Balin ku kam gjetur vërtetë qetësinë që më kish humbur prej kohësh për shkak të vrullit të jetës. Gjithashtu udhëtimi me fugon nga Dubai në Abu Dhabi ka qenë një nga eksperiencat unike. Fluturimi me balonë në Cappadocia si dhe xhiro me biçikletë në Versaje kanë qenë momentet që jam ndjerë më e lumtur e më shumë vetvetja se kurrë.”
Po ti hidhni një sy Instagramit të saj do e kuptoni se si ngjyrat e këtyre vendeve mund të rrëmbejnë shpirtin e çdo turisti, sidomos të një turisti të veçantë si Elona që shikon përtej të bukurës sipërfaqësore.

Këshilla të rëndësishme

“Nuk duhet kurrsesi të dorëzohesh, as në ato momentet kur mendon që nuk ke fuqi, që nuk do ia dalësh, sepse pikërisht një hap pas momentit që ti mendon se është fundi, aty ndodhet drita. Pa dhimbje nuk ka ndryshim, dhe magjia ndodh jashtë zonës së komfortit.”

Unë nuk kam dështuar. Thjesht kam gjetur 10,000 mënyra të ndryshme që nuk do të funksionojnë.” (Thomas Edison)

Planet

*Krijimi i koncepteve të reja të interior design.
*Krijimi i një brandi për pëlhurat e interierit dhe për fëmijët. 
*Projektimi dhe ndërtimi i disa godinave në shërbim të kreativitetit të fëmijëve dhe aktiviteteve të moshës se tretë.

“Pasuria e vetme më e fuqishme që të gjithë kemi është mendja. Nëse stërvitet mirë, mund të krijojë pasuri të mëdha në atë që duket se është thjesht një çast.” Robert Kiyosaki 

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *