Ngjyrat e Anita Likmeta

Anita Likmeta

 “Vullneti është fuqi. Ndoshta sot është ajo ditë, kur ne mund ti japim fund Mesjetës sonë.” Anita Likmeta.

Kush është Anita Likmeta

Nuk do mjaftonin disa rreshta për ta përshkruar këtë vajzë, grua, humanitare me shpirtin e pastër që pasqyrohet aq mirë edhe nga ngjyra e kristaltë e syve të saj. Një person që është rritur mes shumë vështirësish, me një nënë të divorcuar që largohet në fillim të viteve 90’ në Itali për një të ardhme më të mirë, por askush nuk e kishte paralajmëruar për ngjyrat e errëta të imigracionit që do haste në ato vite.

 Abuzimet ne pagë, oraret e gjata në punë me ditët që nuk kishin ndryshim nga njëra tjetra dhe ku një rreze shprese dukej shumë e largët. Por nëna e saj është një luftëtare, që nuk dorëzohet dhe lufton me mish e shpirt për tu siguruar një të ardhme fëmijëve të saj. E vetme në një shtet të huaj ku gjuhën nuk e dinte, me një mentalitet shumë ndryshe nga Shqipëria e izoluar nga komunizmi.

Anita ka marrë pikërisht këtë shpirtin e saj guximtar dhe forcën e madhe që e karakterizon. Bëmat nisin herët në bankat e shkollës në Rrubjekë, Durrës dhe më vonë në Itali kur transferohet ne vitin 1997 falë  sforcove të panumërta që e ëma kishte bërë për tu bashkuar me atë më në fund si një familje.

Ngjyrat e ylberit te Anita Likmeta

Nuk ka frikë të thojë të sajën edhe për ato tema që dikush që jeton brenda kufijve të Shqipërisë ndoshta do mendonte dy herë. E ka ndjekur kudo ajo frika e rrënjosur nga sistemi i diktaturës komuniste, se mos bënte diçka gabim, qoftë edhe më të voglin e të parëndësishmin gabim dhe mund ti krijonte vetes skeletet në dollap që dikush mund ti përdorte kundra saj.

Ndoshta edhe për këtë është treguar e kujdesshme të ndjekë një rrugë të pastër kudo dhe kurdo dhe fakti që askush nuk mund ta prekë pasi e shkuara e saj është e pastër dhe e qartë si kristali, ka arritur me kokën lartë të ngrejë zërin dhe të shfaqet në programe të ndryshme televizive, në gazeta italiane dhe evropiane duke treguar faktet me syrin e saj dhe jo ashtu siç e kërkon partia apo interesi i masës.

Do të gjeni artikuj për lirinë e fjalës, për emigrantët, për pushtetin dhe pushtetarët e korruptuar, për frikërat e një populli të shtypur që gjejnë nëpërmjet saj fjalët e duhura e të zgjedhura me kujdes që të godasë atë apo ata që vetëm meritojnë. Buçasin fort thirrjet e saj për liri, pavarësi dhe ngritja kundra padrejtësive.

 Ndoshta sepse padrejtësitë e shumta e kanë shoqëruar atë ndër vite derisa u rrit dhe mësoi të vetëmbrohet duke demaskuar ata që mundoheshin ta ndrydhnin  e ta përkulnin sepse ishte veç një femër dhe një emigrante. A thua se ky ishte mëkat dhe duhet ta bënte të ultë kokën e të jetonte në hije? Vështirësitë e bënë më të fortë, në fillim vargu i padrejtësive në Shqipëri dhe pastaj ato që përjetoi në Itali.  

Rrugëtimi aspak i lehte i Anita Likmeta

Kujtimet e saj në Itali nisin në periferi të Peskarës dhe mentaliteti në atë pjesë të Italisë ishte i mbyllur dhe shumë gjykues. Por Anita nuk uli kokën kurrë sepse nuk kishte motiv.

Në moshën 14 vjeçare për ti ardhur në ndihmë të ëmës që duhet të ushqente 3 fëmijë e të paguante qira, ujë, drita, shkollim etj fillon punën e saj të parë dhe prej asaj dite nuk ka reshtur kurrë së punuari.

Në moshën 15 vjeçare bie në sy për bukurinë e saj mesdhetare me sytë e shkruar që të përpijnë dhe humbet pasi mund të tregojnë më qindra histori që do të mbajnë zgjuar më netë të tëra (po nga ato netët e dimrit). I propozojnë të bëhet modele dhe ajo shfrytëzon rastin të fitojë diçka më tepër nga ana financiare duke u bërë imazhi i disa reklamave. Ndaj mos u habitni kur të shikonin fotot e saj dhe të perceptoni një konfidencë të pashpjegueshme, pasi tashmë është mësuar më kamerën dhe telekamerën.

“Kuptova diçka në ato vitet e para të formimit tim në Itali- rruga e vetme për të dalë nga mjerimi dhe për të arritur më shumë në jetë ishte të studioja dhe të bëhesha dikush. Ndaj studiova fort dhe bëra çmos të isha e përpiktë në planet e mia për të ardhmen duke u diplomuar para afatit përfundimtar dhe duke kërkuar gjithmonë më tepër nga vetja.” Diplomohet në 2012 në “Histori dhe Filozofi” në Universitetin e Romës “La Sapienza”.

Jeta e çon në eksperiencën e radhës në Francë në 2011 ku do të kaloj 2 vite shumë të rëndësishme për atë në shumë aspekte. Formimi profesional dhe takimi me disa personazhe të njohur do ti japi atë shtysën që kishte nevojë për të kuptuar çfarë dëshironte të bënte në jetë.

Të gjithë duam të lëmë një gjurmë në këtë botë që kur të mos jemi më të kujtohemi për bëmat tona apo për një kauzë për të cilën kemi luftuar dhe e kemi pasur për zemër. Anita jam e sigurt që do kujtohet për shumë gjëra dhe ndoshta një ditë duke lexuar “Memoir” të saj do kuptoni akoma edhe më shumë se çfarë perle është kjo vajzë. Unë do veçoj disa fragmente nga jeta e saj që më bën të ndiej aritmi të fortë:

Nga ana profesionale

Në Franc i jepet mundësia të xhirojë një dokumentarë  me regjisorin e famshëm Mohamed Mazouz , ku takon dhe interviston figura të njohura. Ndër ta edhe shkrimtarin e kandidat për  çmim Nobel, Ismail Kadare. Shkëmbimi i ideve sidomos për periudhën e komunizmit dhe gjendjes aktuale në Shqipëri qoftë nga ana politike po ashtu edhe ajo sociale e gjejnë të përgatitur Anitën duke impresionuar shkrimtarin e njohur Kadare.

Ai nuk dinte se mbrojtja e diplomës së saj universitare ishte pikërisht Shqipëria-Italia e viteve 1922-1943 dhe interesi i Anitës për vendlindjen shkonte përtej te lexuarit disa tituj gazetash. Anita gjithashtu angazhohet gjatë gjithë kohës duke shkruar artikuj të ndryshëm për temat si politike, imigracion dhe integrim (tema që i ka shume përzemërt).

Në zgjedhjet e 2018 kandidohet  si përfaqësuese e Shqiptarëve që ndajnë të njëjtat vlera dhe ideale si ajo me lëvizjen politike “10 Volte Meglio”(nga ku e dëgjoj edhe unë për herë të parë emrin e saj). E thotë edhe emri- 10 Herë më Mirë- por idealet e saj nuk ishin aq të përafërt me idealet e partisë ndaj vendosë të braktisë karrierën në politikë pasi shumë shpejt do e kuptojë që do ishte e kushtëzuar dhe limituar, gjë që binte në kundërshtim me personalitetin e saj. “Liria e fjalës, e shprehjes dhe pavarësia ime janë dy gjërat për të cilat nuk do bëja kurrë kompromise.”

Nga ana personale do veçoja:

Takimin me aktorin Bujar Lako, siç e quan ajo “Babai që nuk pata kurrë” dhe një histori shumë domethënëse kur ajo ka qenë e vogël dhe frekuentonte shkollën 8-vjecare në Shqipëri, pak para se të largohej përfundimisht në Itali. Padrejtësia që vuri re ndaj një miku të saj nga ana e profesorit në klasë e bëri që të ngrinte kokë dhe të kërkonte drejtësi për një akt aspak të bukur, sidomos kur vjen nga ata që duhet të na edukojnë, duke u dhunuar barbarisht nga profesori në sy të nxënësve të tjerë. “Je një parazitë”- i ulëriti ai ndërkohë që e gjuante pa turp një krijesë të vogël e të pambrojtur si ajo.
“Bolshevikë”- iu përgjigj Anita mes lotësh dhe e përgjakur, por aspak e tunduar të hiqte dorë nga ajo që besonte verbërisht. (historinë e plotë e gjeni këtu)

Ngjyrat e humanizmit

Një vajzë e guximshme që nuk tundet nga themelet e forta të idealeve që ka krijuar ndër vitesh duke jetuar jetën 360 gradë dhe si protagoniste në çdo moment. I është dashur të rritet shpejt për mënyrën se si jeta erdhi për të por ajo nga çdo vështirësi rilindi akoma edhe me e fortë se më parë.

Nuk u ndal para murit të lartë të paragjykimit kur ishte ende e vogël në Itali ashtu siç nuk u ndal para formave të ndryshme të gjykimit kur ka vendosur personalitetin e saj me fytyrë dhe emër çdo herë që është thirrur në emisione të ndryshme në Itali për të thënë të sajën.

 E ka thënë dhe vazhdon ta thotë duke u angazhuar në shumë aktivitete të ndryshme që e përfshijnë dhe që shpesh nuk do e merrni vesh se pas tyre fshihet ajo pasi i pëlqen të ndihmojë të tjerët dhe tu lërë vendin e reflektorëve për të gëzuar momentet e rëndësishme në historinë që ata po ndërtojnë duke dhënë kontributin e saj në forma të tjera.

Pikërisht në këtë aspekt ka marrë pjesë në themelimin e shumë start-up-ve dhe është ende prezentë si bashkëpunëtore dhe aksionere në shumë prej tyre, siç janë: Creation Dose, OpenBox, Agora Europe.

Gjithashtu ka shkruar për gazetat si: “Il Fatto Quotidiano”, “Huffpost Italia” “Il Giornale”, “Linkiesta” etj. Ka marrë pjesë në programe televizive Italiane të ndryshme si: “Che ci faccio qui” në Rai3, “Tv Talks” në SkyTg24, “Nemo nessuno escluso” në Rai2 e në shumë programe të tjerë.

Humanist 2.0 sic e konsideron veten: një historiane dhe filozofe e pasionuar pas komunikimit dixhital; një gazetare, shkrimtare, copywriter, blogger dhe ndoshta një ditë regjisore që do na prezantojë në ekranet e mëdha botërore sepse me besoni, kjo nuk eshte hera e fundit qe do dëgjoni emrin e saj.
“Çdo grua që takon është një mundësi, jepi këtë mundësi vetes sa herë të mundesh. “

Dua ta mbyll këtë artikull me një pjese nga blogu i saj:
“Sot, kur qielli ka ndriçuar nga vetëtimat, unë përkulem tek vullneti i vetëm që më lëviz brenda: të bëj atë që do doja të kishin bërë për mua. Të ndihmoj të tjerët.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *