Ngjyrat e Jorida Dervishi

“Për të bërë gjëra të mëdha duhet të nisja nga gjërat më të vogla.” Jorida Dervishi

Kush është Jorida Dervishi

Jorida Dervishi është një vajzë 29 vjeçare nga Korça që ka një histori sa unike aq edhe frymëzuese. Në moshën 18 vjeçe transferohet në Tiranë për të përfunduar studimet universitare në fakultetin e Ekonomisë. Vështirësitë kanë nisur që në ditën e parë në Tiranë ku i është dashur pothuajse një vit të ambientohet me ndryshimin radikal që kryeqyteti me stilin e tij të jetesës ofron.

Jorida kujton një moment të veçantë gjatë periudhës si studente ku thekson se pikërisht aty kuptoi se kishte lindur për të bërë diçka ndryshe në këtë botë. Një projekt universitar i jep jetë ngjyrave të fantazisë dhe dëshirës për të sjellë një risi në Shqipëri. Projekti bazohej në ide inovatore që çdo grup studentësh duhet të prezantonte duke sjellë një risi në tregun Shqiptar.

Kështu Jorida bashkë me dy mikeshat e saj prezantojnë një “abazhur që flet” i realizuar komplet nga ato dhe me një ide biznesi të studiuar mirë. Projekti fiton çmimin e parë dhe dhe Joridës i ndizet drita e sipërmarrëses. Vështirësitë për ta realizuar me një kosto të përballueshme dhe të hidhej në treg me një çmim konkurrues e bëjnë që të heqë dorë nga kjo ëndërr. (edhe pse Jorida e ka gjithmonë një sy drejt këtij projekti dhe mendon se një ditë do mund ta përmirësoj dhe të bëj diçka me të)

Ndryshimi rrënjësor

Pas përfundimit të universitetit, i ofrohet një vend pune në profesionin e saj dhe Jorida është gati të nis jetën e saj profesionale. Kishte punuar shumë gjatë viteve universitare për tu diplomuar në kohë dhe me një mesatare të mirë kështu që kishte ardhur koha të që mundimet e atyre viteve në universitet të jepnin frytet e tyre.

Por fati kishte diçka tjetër në mend për këtë vajzë. I fejuari e fton që të shpërngulet ne Milano pasi ai ishte stabilizuar atje prej disa vitesh dhe kjo ishte mundësia e tyre e vetme për ta çuar këtë lidhje në një stad tjetër. Jorida kishte dyshimet e veta por në fund zgjedh të shpërngulet ne Milano dhe të rifilloj çdo gjë nga e para.

“E dija që diploma ime me siguri nuk do vlente atje ose do më duhej të bëja akoma edhe shumë provime për tu konvertuar në një diplomë të njohur nga shteti Italian, por nga ana tjetër duhet të filloja nga një gjë akoma edhe më bazike- të mësoja gjuhën para se të studioja librat Universitar.”

Kështu në 2014 transferohet në Itali dhe nis të frekuentojë qendrën që ofronte mësimin e gjuhës Italiane falas në zonën ku jetonte. Kurrë nuk do e kishte menduar se pikërisht ky vendim do kishte pasur një efekt domino mbi rrjedhën e historisë që do zbuloni më poshtë.

Ngjyrat e vullnetarizmit

Jorida vë re se në qendrën ku studionte gjuhën Italiane kishte shumë pak gra, për mos të thënë aspak. Kur u mundua të merrte vesh arsyen i thanë se oraret e mësimit nuk përkonin me oraret e tyre të lira. (mësimi i gjuhës Italiane niste në orën 4 ndërkohë që në këtë orë zakonisht gratë ishin duke marrë fëmijët nga shkolla dhe më vonë nuk kishin mundësi të dilnin nga shtëpia)

Por ajo që Jorida kuptoi ishte gjithashtu se shumë prej këtyre grave imigrantë vinte nga një kulturë ku ndoshta burrat nuk e shikonin të arsyeshme gjithashtu orarin e pasdites apo darkës ideale për këtë aktivitet. Për mos të harruar gjithashtu faktin që vinin nga shtresa sociale të ndryshme dhe jo të gjithë e pranonin idenë e një klase ku përfshiheshin edhe burra të tjerë të panjohur.

Ndaj Jorida kupton shumë shpejt këtë limit dhe mbas dy muaj që ishte në Itali, flet me drejtorin e qendrës. I thotë se dëshiron të japë mësime falas 3 herë në javë duke krijuar një grup vetëm me vajza dhe gra me një orar para se të nisnin klasat e tjera (kështu qendra do ishte vetëm për ato).

Drejtuesit të qendrës nuk iu besua në fillim pasi Jorida vetë ishte duke mësuar Italishten dhe dy nuk mendonte se ajo do mund të bindte aq shumë gra sa të frekuentonin qendrën 3 herë në jave. Nga eksperienca e tij kjo ishte një sfidë dyfish e vështirë, por vlerëson mundimin e Joridës dhe ia plotëson dëshirën.

Ajo që ai dhe shumë të tjerë nuk dinin, ishte se Jorida nuk ishte një vajzë që dorëzohej lehtë dhe ishte në gjendje të trokiste në çdo derë të asaj lagjeje për të mbledhur gjithë grat e huaja që kishin nevojë për të mësuar gjuhën Italiane. Jo vetëm që ia arriti qëllimit por diçka tjetër më e bukur lindi më vonë nga një veprim i thjeshtë prej vullnetareje.

Ngjyrat e suksesit

 Në 2015 Jorida nis punë duke asistuar gjimnazistët Italian nëpërmjet leksioneve private. (këtu më kujton veten time para 12 vjetësh kur nisa të njëjtën punë sapo isha transferuar në Milano si studente) E besoj verbërisht këtë gjë që do pohoj tani- Shqiptarët janë ndoshta populli më i zgjuar në këtë kontinent (dhe kam njohur e jetuar me popuj të ndryshëm këto 10 vitet e fundit) dhe nëse nuk arrijnë të kenë sukses në Shqipëri, kjo ndoshta është edhe faj i politikës sonë që vazhdon prej shekujsh të detyrojë trurin të largohet. Ok do ndalem me kaq në këtë pjesë pasi është një temë delikate dhe nuk dua të shpërqendroheni nga objektivi kryesor i këtij artikulli, që është historia e Joridës.

Në një nga njoftimet e radhës, Jorida ndeshet me një familje Italiane që ka nevojë për ndihmën e saj dhe ekspertizën që kishte krijuar ato kohë duke ndihmuar shumë djem edhe vajza të mësonin dhe të përgatiteshin për provimet në kohë rekord. Zonja ishte një pedagoge ne Universitet dhe prej këtu nis bashkëpunimi i radhës.

Mbetet e mahnitur me mënyrën se si Jorida shpjegonte dhe u mësonte gjimnazistëve lëndë të ndryshme dhe i propozon të punojë, në universitetin ku ajo jepte mësim, si tutore në degën e gazetarisë. Kështu nis puna part-time në universitet por pa lënë asnjëherë mbrapa mësimet private me gjimnazistët dhe puna vullnetare me qendrën ku jepte mësim gjuhën Italiane grave emigrante nga shtete të ndryshme.

Projekti i radhës- Libri

Thonë se kur jep shumë po ashtu merr mbrapa akoma edhe më shumë. (kush e di pse, por unë nuk dua të vë në dyshim universin dhe as ti dal kundra, përkundrazi)

Jorida fillon të bashkëpunojë me qendra të ndryshme, nga zona të ndryshme të Milanos, që tashmë fillojnë ta kontaktojnë vetë dhe ajo kupton rëndësinë që po merr puna e saj. Mbledh historitë shumëngjyrëshe që vajzat dhe gratë i tregojnë kur takohen dhe kupton se ka një potencial që duhet shfrytëzuar.

Kupton se të gjitha historitë kanë disa pika të përbashkëta dhe pasi merr aprovimin e personave që rrëfejnë këto histori, nis projekti i librit “La mia storia e’ la tua storia”. Ideja ishte të tregonte historitë e emigrantëve që jetonin në Itali,  të ndihmonte integrimin e tyre në një shoqëri kaq ndryshe nga ajo që ata vinin. Shumë prej tyre vuanin paragjykimet për shkak të prejardhjes apo ngjyrës së lëkurës.

 Disa kishin qenë dikush në shtetin e tyre dhe në Itali mund të bënin nga punët më të ndryshme që s’kishte lidhje fare me arsimin që kishin përfunduar. Ishin nomadë në kërkim të një të ardhme më të mirë por shpesh kjo e ardhme në vendet e zhvilluara të perëndimit dukej më e errët se sa me ngjyra. Duke njohur historitë e tyre Jorida dëshiron që të gjithë ti shikojnë për personat e bukur që janë dhe tu japin mundësitë e barabarta që meritojnë.

Vështirësitë janë të ndryshme dhe të shumta pasi disa prej tyre nuk flasin mirë Italishten dhe disa kanë histori shumë delikate, ndaj duhet pasur kujdes në përzgjedhjen e gjuhës që duhet përdorur duke respektuar gjithashtu edhe vullnetin e tyre për të treguar vetëm një pjesë të asaj që dëshirojnë të ndajnë. Por Jorida me shumë durim dhe dashamirësi dëgjon çdo histori që ata ndajnë me të. “Duhet të njohim të vërtetën për të mposhtur frikën që krijohet rreth emigrantëve.”

Jorida “mbërrinnë USA

Një artiste Amerikane, Jackie Naile, e njohur për stilin e saj të veçantë që tregon historitë e emigrantëve nga e gjithë bota nepërmjet fotografisë counotype, bie në gjurmët e Joridës dhe i kërkon një bashkëpunim duke ditur se Jorida kishte kontakte me shumë qendra që merreshin me emigrantët në Itali. Jackie realizon edhe një foto reportazh me Joridën duke qenë se edhe ajo ishte një emigrante Shqiptare në Itali. Mbas një viti Jorida merr lajmin se historia e saj ishte përzgjedhur për të prezantuar ekspozitën e artistes në Brooklyn së bashku me librin e saj.

Bashkëpunimet e radhës vijnë njëra pas tjetrës dhe Jorida duket se është vetëm në fillim.

Shkruan për tematikat që e prekin më tepër në gazeta të ndryshme: Per i diritti umani, Immezcla, Poliscritture, Ultima voce.  Bëhet aksionere e qendrës “Scuola Migranti con le Donne” dhe ëndërron që një ditë të krijojë një fondacion ku të ndihmojë sa më shumë emigrantë. Në 2019 vjen edhe bashkëpunimi me Migrantas me qendër në Berlin.

Misioni i tyre shoqëror dhe aktivitetet e tyre bazohen në përfaqësimin e tregimeve të emigranteve përmes artit dhe pikturave duke i vendosur ato në rrugët e qyteteve dhe për herë të parë nëpërmjet Joridës do sjellin dëshmi edhe nga Italia. Jorida tashmë ka bërë hapin e parë duke fluturuar në Berlin dhe duke treguar historinë e saj. Pandemia bëri që disa plane dhe takime që ishin organizuar të shtyheshin por me siguri do rinisi më fortë se kurrë.

Projektet

Projektet janë të mëdha dhe gjithmonë në zhvillim pasi Jorida e ka tashmë një fokus primar në mendje dhe është duke punuar në krijimin e fondacionit. Që nga momenti që përfitimet e librit të saj nuk i shkojnë në xhep por lidhen me fondin e qendrës që ndihmon emigrantët mund të kuptoni fare mirë shpirtin e madh dhe shumëngjyrësh të kësaj vajze.


Bashkëpunimi me “Per i diritti umani” ka si projekt edhe xhirimin e një dokumentari me Joridën që interviston emigrantët në gjithë territorin Italian.
Në prill të 2020 i propozojnë të jetë bashkautorë e një libri ku si temë kryesore do ketë lirinë e shprehjes dhe do jete gjithashtu një material që do përfshihet në Universitetin e Padovës.

Ka nisur gjithashtu të shkruajë volumin e dytë e “La mia storia e’ la tua storia” por që kërkon kohë dhe unë e shikoj shumë shpejt duke fluturuar në shtete të ndryshme si përfaqësuese e emigrantëve që i kanë besuar jo vetëm historitë e tyre por edhe zemrën.

“Puna vullnetare nisi më tepër  si një mundësi që doja të krijoja për gratë që kishin vështirësi të komunikonin dhe të bashkëvepronin me persona të tjerë që të dilnin dhe të ndiheshin të pranuara.”

Këshillat mbi guximin

“Asnjëherë mos prisni nga të tjerët. Duhet të jeni ju ndihma e parë që i jepni vetes. Guximi është risk kam menduar kur isha studente, por tani për mua guximi është të ngrihesh çdo ditë me dëshirë e ta nisësh në pikën ku e ke lënë një ditë më përpara.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *