Ngjyrat e Rudina Hoxha

 “Nuk është më I forti ai që fiton  – por ai që më lehtësisht I përshtatet ndryshimeve”- e përsërit shpesh Rudina Hoxha gjatë bisedës sonë dhe unë nuk mund të mos jem dakord me të duke parë analizën që qëndron mbrapa kësaj shprehjeje.

Pikërisht kjo shprehje më kujtoi se si ndikoi dhe periudha e pandemisë që sapo kaluam (ose ndoshta për shumë biznese akoma nuk ka mbaruar).  U duk qartë që nuk ishte madhësia e biznesit apo sa të pranishëm ishin në treg disa brande para pandemisë, se sa mënyra e tyre e reagimit dhe adaptimit gjatë pandemisë apo mesazhet që përcollën në një kohë të tillë.

Brandet e mëdha në Itali jo vetëm që ndihmuan gjatë kësaj periudhe por fituan akoma edhe më shumë pikë pikërisht se u adaptuan shume shpejt dhe në mënyrë efikase gjatë këtyre muajve të vështirë:
*Një mjek dhe 2 inxhinierë nga Breshia shndërruan maskat e zhytjes në respirator.
*inxhinierët e fabrikës së armëve Beretta filluan të ndërtojnë valvulat për maskat e modifikuara.
*Këmishat njëpërdorimshe për mjekët filluan të prodhohen nga Armani dhe Calzedonia.
*Ferrari me inxhinieret e tij filluan të prodhojnë respiratorë për gjithë Italinë.
* Gucci dhe Prada filluan të shpërndajnë maska.
* Ndërsa për xhelin dezinfektues u kujdesën Bulgari dhe Ramazzotti.

Këto për të treguar që edhe bizneset multimilionerë e dinë sa e rëndësishme është adaptimi i shpejtë edhe efikas në kohë të vështirë. (për mos të folur për marketingun që i mundësuan kompanive pa i dedikuar asnjë euro marketingut në kuptimin e plotë të fjalës)

Kush është Rudina

Të njëjtën gjë e beson edhe gruaja e këtij artikulli që ndan një ide kaq themelore siç e ka shprehur edhe autori vet, Darwin: “Nuk është specia më e fortë apo më inteligjente që mbijeton, por ajo që i përshtatet më lehtë ndryshimit”.


Rudina Hoxha është një grua që në pamje të parë të dhuron shumë ngrohtësi me zërin e saj dhe mënyrën e prezantimit. Duke folur me të kupton që është inteligjente dhe shumë kërkuese. Është pikërisht ndoshta ky faktor kërkues që e bën të marri një vendim që do i ndryshoj komplet jetën. Pas përfundimit të universitetit dhe specializimit në gjuhët e huaja në Tiranë, gjithashtu një eksperiencë disa vjeçare në gazetari, vendos të bëj një specializim  2 vjeçar në USA.


Eksperienca në Universitetin e Pittsburgh-ut i jep atë shtysën që ka nevojë një grua me horizont si Rudina. Kthehet në Shqipëri me shumë ëndrra dhe e determinuar për ti plotësuar një e nga një si një “bucket list” që ka në jetën e saj. Afatet e skadimit janë të rëndësishëm për atë dhe ajo e shikon si mënyra më e mirë për të menaxhuar kohën.

Si lindi FOLLOW BUSINESS ALBANIA

Udhëtimi në USA e bëri të kuptojë që Shqipëria ka nevojë të njihet në mbarë botën për ato bukuritë e mrekullueshme që na ka falë nëna natyrë dhe bota ndoshta deri tani kishte njohur më tepër anën politike se sa artin, kuzhinën, bukurinë natyrore dhe mundësitë e panumërta për të hapur një biznes sidomos në një qytet shpërthyes si Tirana. Ndaj u tha u bë.

Gjatë viteve që kishte punuar si gazetare për media të ndryshme Shqiptare, kishte krijuar kontaktet e nevojshme për të bërë hapin e parë. Hedhja në treg e një reviste që do merrej me çdo gjë, përveçse me politikën. E bukura në këtë rast është se do ishte tërësisht në gjuhën angleze duke bërë të mundur që këto mrekulli për të cilat Rudina dëshiron të shkruaj, të lexohen qartë sidomos nga të huajt.

Lind kështu në 2015 revista “Follow Business Albania” Një revistë e pavarur dhe apolitike, siç e quan edhe Rudina që qarkullon fillimisht në ambasada dhe më vonë në mbarë tregun e huaj duke promovuar të bukurën Shqipëri me gjithë ngjyrat që mbart vendi ynë. Një përmbledhje prej 80 faqesh që publikohet në hardcopy çdo tre muaj.

Dashuria për gjuhët e huaja ka një zanafillë të hershme dhe Rudina më tregon se ka nisur që në moshë të vogël kur ajo kishte një fjalor të gjuhës angleze dhe nis të mësoj çdo ditë fjalë të reja duke i vendosur vetes si detyrë të mësoj sa më shumë fjalë në anglisht. E ka kuptuar herët rëndësinë që do kishte gjuha angleze në mbarë botën dhe ndaj vendimet që ka marrë ndër vite kanë qenë gjithmonë në fokus të planit më të madh që ka pasur për jetën.

Revista “Follow Business Albania” pati një sukses të menjëhershëm dhe vazhdon të rritet çdo ditë pasi ideja e Rudinës ishte i një standardi si Forbes, ndaj dhe profesionalizmi e dedikimi është i një shkalle të tillë që nuk lë vend për diskutime. “E lodhur edhe unë si shumë njerëz nga politika, ideja ime e parë ishte të nxirrja një botim që do të nënvizonte aspektet më të mira të Shqipërisë në turizëm, biznes, diplomaci, art dhe kulturë”.

Pak histori

Themeluar në vitin 1917 nga Bertie Charles Forbes(nga ku ka marrë edhe emrin), revista Forbes ishte e vetmja revistë në fushën e biznesit në Shtetet e Bashkuara përgjatë viteve 1920. Kur Malcolm Forbes vdiq në 1990, djali i tij Steve Forbes u bë kryeredaktor dhe vazhdon me këtë rol prej dekadash.

Me siguri e dini vlerën që ka ndërtuar Forbes prej 103 vjetësh dhe unë nuk dyshoj aspak se Rudina mund të ndërtoj një perandori të tillë. Dashurinë për punën e saj e konsideron si ajo dashuria e nënës për fëmijën; e pastër dhe e palodhshme.

Nuancat e ndryshme në fushën e medias që kemi hasur vitet e fundit na kanë lënë një shije jo fort të ëmbël e të besueshme, mund ta konfirmoni më së miri në rolin kyç që pati media në përhapjen e frikës në mbarë botën gjatë pandemisë së Covid-19. Por njerëzit si Rudina janë pikërisht ata që bëjnë diferencën dhe të bëjnë të besosh sërish në rreshtat që lexon online.

Çfarë ka rëndësi për Rudinën

Për Rudinën në jetë ka rëndësi familja e saj me vajzën që adhuron, e vërteta dhe e bukura. E frymëzojnë thjeshtësia dhe njerëzit pozitiv ndaj edhe ajo përcjell pozitivitet në çdo aspekt që e përfaqëson. “ Në linja të përgjithshme ndihem me fat pasi sa herë që kam dashur të intervistoj një diplomat apo personazh të rëndësishëm për revistën “Follow Business Albania”, në një mënyrë apo një tjetër rrugët tona janë ndërthurur dhe unë ia kam arritur qëllimit tim.”

Teoria e atraksionit ka funksionuar më së miri me Rudinën dhe unë mësoj në çdo hap të bisedës sonë se një mori virtytesh shumëngjyrësh e karakterizojnë dhe ndërthuren bashkë në harmoni duke krijuar një karakter të veçantë siç është ai i Rudinës:


*Njerëzit solar janë të hijshëm dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse eleganca e denjë për t’u shfaqur.
*Janë të gatshëm të guxojnë shumë në jetë.
*Njerëzit solar janë ata që kanë një vetëbesim të matur dhe që dinë të përballen me realitetin në një mënyrë të ekuilibruar ndaj rrallë herë do i shikoni të dështojnë. (edhe pse Rudina në një interviste qe ka bërë për vizione.info ka pohuar se Suksesi vjen pas 10 dështimeve ndaj jam e sigurt që ka pasur momentet e saj gri)

Por ajo që karakterizon gjithashtu njerëzit pozitiv është reagimi i shpejtë ndaj sfidave dhe ngritja nga dështimet akoma edhe më të fortë.
Diplomacia është një aftësi tjetër që Rudina ia njeh vetes dhe duke lexuar disa nga intervistat e saj mund ta konfirmoj këtë cilësi.

Evente të rëndësishme

Tre janë eventet e rëndësishme që kanë lënë gjurmë në kujtesën e Rudinës deri tani:

1-Një është eventi për patentat ndërkombëtare – European Inventor Awards- ku prezantuesi I eventit është një poliglot I madh dhe në fund të eventit takohet më Rudinën dhe I thotë qe ka mbetur i mrekulluar nga udhëtimi i tij në Sarandë.

2-Takim po kaq i veçantë ka qenë edhe me ish kancelarin Austriak Franz Vranitzky ku Rudina pati mundësinë ta intervistonte në “Europa caffe” në qendër të Vjenës. “Ishte një intervistë ndryshe nga të tjerat. Përveç faktit që po intervistoja një personazh të atij kalibri, zoti Franz ishte një person shumë i veçantë dhe hulumtues. Kujtuam gjithë ngjarjet e errëta të vitit 1997 dhe rolin kyç që ai kishte pasur si ndërmjetës i forcave politike në Shqipëri për ti ardhur në ndihmë vendit tim.”

3-Nje forum që organizohet çdo vit “Alpbach European forum” – Do ia këshilloja çdo të riu të merrte pjesë të paktën një herë në jetë pasi jam e sigurt që do kthehet ndryshe dhe ajo kuti e vogël ku është rritur deri në atë moment do jetë e vogël dhe nuk do i shkoj më përshtat. Merr një zhvillim intelektual në një kohë relativisht të shkurtër që ndoshta jashtë forumit do të duheshin vite të tëra pune dhe studime.”

Projektet

Rudina eksploron gjithmonë metoda dhe rrugë të reja pasi monotonia e vret shpirtin e saj kreativ. Ndaj kur në janar të 2020 i ofrohet mundësia për të themeluar një revistë të dytë si “Star Business” nuk e mendon dy herë. Duke pasur eksperiencën e mëparshme në financë dhe gazetari, kontaktet e krijuara nëpërmjet revistës së parë japin frytet dhe themelimi i STAR BUSINESS vjen shumë natyrshëm. (STAR BUSINESS është një revistë ekonomike dedikuar financave, sistemit bankar, analizave ekonomike, biznesit, teknologjisë dhe inovacionit.) Në kopertinën e saj do të shikoni gjithmonë një diplomat të shquar duke krijuar kështu stilin që e dallon nga revistat e tjera.

Rudina ndan edhe një surprizë të fundit pasi është bashkë themeluese e revistës “Trailblazing Magazine” që do I dedikohet tërësisht turizmit 360 gradë ku do ketë një rol themelor në promovimin e zonave turistike që ka gjithë riviera Shqiptare. Së bashku me një mik portugez, ekspert në turizëm botëror prej dekadash, vendosin të nxjerrin në pah edhe bukuritë e Shqipërisë duke afruar sa më shumë të huaj që janë në kërkim të veçantive që vendi jonë ofron. Emri vjen nga vetë kuptimi i fjalës Trailblazing: prezantimi i ideve ose metodave të reja inovatore.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *