Ngjyrat e Ilisia Abazaj

Ilisia Abazaj

Për të realizuar këtë artikull mu desh relativisht shumë pak kohë pasi gruaja e këtij artikulli ka një talent të fshehur, përveç talenteve të tjera që do lexoni më poshtë.

Nuk kishte hapësirë për analiza të mëtejshme nga ana ime dhe e falënderoj pa masë që u tregua kaq e hapur në këtë intervistë. Kërkoj ndjesë për atikullin e gjatë por kur ta lexoni do e kuptoni që kjo grua ka shumë po shumë për të dhënë dhe unë e adhurova në cdo rresht e detaj.

Kush është Ilisia Abazaj

Ilisia Abazaj, lindur dhe rritur në Tirane, çdo gjë rreth jetës e lidh me këtë qytet. Pasi mbaron studimet e larta për Ekonomi dhe masterin në fushën e Marketingut, vitet e para të punës provon në firma private që do rezultojnë eksperienca të shkurtra por mjaft domethënëse. Fusha më e larmishme ku mund te gjeje punë në 2009 ishin firmat private dhe departamenti i financës.

Mbas eksperiencës në atë fushë kuptoi që nuk kishte shume lidhje me atë dhe se rrugëtimi I saj duhet të mbaronte aty, për arsye që në vetë karakterin e saj punët fikse me një rutinë të fortë të ndërtuar prej dekadash nuk linin shumë vend për liri në të shprehur, vendimmarrje apo për të sjellë risi e ndryshim në ditët që dukeshin vetëm njëngjyrëshe. Ky ishte momenti kur vendos ti dedikohet marketingut si në arsimin pasuniversitar ashtu edhe në profesion, por ajo që nuk dinte ishte se ky vendim gjithashtu ishte vetëm fillimi I asaj që më vonë do e ndihmonte të ngrinte një biznes nga hiçi duke I dhënë gjithë eksperiencën e nevojshme në këtë fushë.

Si lindi TeePee Art

Ilisia ka qenë një artiste e lindur edhe pse gjatë jetës iu desh të hiqte dorë dhe të adaptohej duke ndjekur një universitet që nuk kishte shumë lidhje me atë. Kreativiteti ka qenë një dhunti që ka lënë gjurmë jo vetëm në kujtimet e saj por edhe në fletoret dhe librat e shkollës: “Çdo libër e çdo fletore ka pasur skica. Nuk kam pasur kurrë një fletore të pastër në kuptimin që të mos kishte vizatime neper të.”

Kërcente dhe ushtrohej para pasqyrës duke kënduar edhe pse pohon se nuk ka pasur veshë për muzikë, por ka qenë një fëmijë që ka jetuar atë botën shumëngjyrëshe në çdo aspekt. Rritur mes punimeve me dorë që sot njihen si “Art and crafts”, këtë duket se e ka të trashëguar nga e ëma që gjithashtu është një grua e mrekullueshme dhe ka pasur jo vetëm ëndërr në sirtar artin por edhe  talentin në pikturë e punime me dorë, që e ndante vetëm me familjen.


Pushimet verore i kalonte duke qepur rroba kukullash, duke punuar varëse e byzylyk, transformonte rrobat, u shtonte elementë si gurë, qëndisje, çngjyrosje e xhinseve. Më vonë në gjimnaz këto mini aftësi apo dëshira që kishte, filluan të marrin forma duke marrë pjesë në Rin Fest -et e shkollës si stiliste apo prezantuese.

Mbas shume vitesh në tregun e punës kuptoi se kishte ende vend për të eksploruar brenda vetes. Duke kthyer kokën nga periudha e gjimnazit, mban mend që gjithmonë ka dashur të jetë një sipërmarrëse. Për vite me radhë ka menduar se cila ishte rruga e saj dhe e kuptoi në momentin kur lindi djali, Gred.”Ardhja e djalit ndriçoi jetën time në shume dimensione. Aty lindi jo vetëm një mami por dhe një krijuese që kishte fjetur për shume vite. Teksa informohesha në internet rreth rritjes së fëmijëve, shume faqe e profile te ndryshme me prezantonin me tendat teepee të cilat rrinin aq bukur në ambientet e fëmijëve. Ishte dashuri me shikim të parë dhe pa kurrfarë hezitimi realizova brenda vetes idenë që e lidhja dikur me sipërmarrjen.”

Kreativiteti dhe ideja e sipërmarrjes gërshetohen bashkë dhe emocioni që mund të sillte një produkt të ri në treg, që nuk ekzistonte, e bëri të kuptoj gjithashtu që adhuron sfidat.

 Emri i biznesit të vogël erdhi nga vete emri i tendave. Fillimisht kjo ide u krijua vetëm online. Tendat janë imitimi i tendave të Indianeve vendas të Amerikës, të cilët si njerëz nomadë që ishin i kishin kthyer tendat në shtëpi që mund ta lëviznin dhe ta merrnin me vete kudo.

Ato quheshin Teepee, (shqiptohen Tipi) dhe mendoi pse jo ta prezantonte si fjale e huaj pasi përcjell kuriozitet tek njerëzit mbi veçantinë, duke kërkuar kështu domethënien dhe është e lehtë të kujtohet në momentin që e zbulon. Gjithashtu, Ilisia duke qenë një eksperte e marketingut e di shumë mirë që e rëndësishme për një brand është që emri të lidhet e produktin dhe të thërrasë në mendjen e njerëzve një ide të qartë të asaj që ofron.

Këtë ide ia prezanton mamasë, e cila ushtronte në atë kohë profesionin e mjekes por një artiste në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Me një talent në pikturë, qëndisje, qepje dhe një ëndërr të parealizuar siç ishte piktura, të dy mama e bijë filluan të skicojnë dhe realizojnë tendën e parë. Pa e ditur se deri ku mund ti çonte kjo rrugë, u shtynë nga dëshira për të krijuar me ngjyrat e larmishme të kreativitetit që kishin qëndruar për shumë kohë në zonën gri të harresës.

Ngjyrat e produktit të parë

Produkti i parë u bë si provë por shume mire i realizuar. Tenda e parë e dizenjuar, e cila u bë për 2 nipërit e saj binjakë, pati një impakt shumë pozitiv në rrethin familjar. Më vonë realizoi edhe tre tenda të tjera që nuk patën rezultatin dhe suksesin që Ilisia priste. Ishte një moment specifik që shënoi kthimin e historisë dhe i dha shpresë Teepee Art që mund të kthehej në një biznes të plotë. Një kliente shumë speciale, vet artiste, e cila krijonte torta të bukura, Lucia nga Pastelito i kërkoi të ndërtonte një tendë sipas ngjyrave të preferuara, duke i dhënë një ide të përgjithshme të cilën Ilisia bashkë më të ëmën e realizuan më së miri.

 Ndikimi që pati tenda ishte aq shpërthyese sa mund të them me plotë gojë që është momenti fillestar që shënon edhe hyrjen në treg të tendave të realizuara nga Teepee Art.
“Momenti kur ndodhin gjerat është mjaft domethënës. Ti je aq i përgatitur në atë moment aq sa dhe rezultati është tamam ai që merr, pa futur në mes faktorin Fat. Shumë gjëra mund ti kisha bërë ndryshe por e rëndësishme është ti kuptosh në kohë e të kesh mundësi ti pasqyrosh në momentin që të jepet mundësia.”

Tani produktet janë të shumta dhe të personalizuara. Mjafton ti hidhni një sy faqes në instagram të @TeePeeArt dhe do e kuptoni më së miri dashurinë dhe pasionin që vendos Ilisia në çdo produkt.

Vështirësitë e Ilisia Abazaj

Vështirësitë kanë qenë pafund. Teepee Art lindi në Mars të vitit 2015 dhe Ilisia ishte një mami me një bebush 8 muajsh.

Kur djali u bë 10 muajsh filloi punë në një institucion shtetëror po në fushën e Marketingut e Shitjes. Kështu që jeta ndahej mes djalit, familjes, punës stabël dhe një dashuri e pasion i ri që kishte lindur e kërkonte të ushqehej përditë. Kjo ngarkesë vazhdoi për 4 vjet me radhë.


Ndërkohë që djali rritej dhe po ashtu përkujdesja ndaj tij kërkonte më shumë kohë, Teepee Art gjithashtu  po rritej dhe koha produktive për të po transferohej mbas orës 10 të natës kur djalin e kishte zënë gjumi. Po kështu, mamaja vazhdonte profesionin e saj si mjeke dhe i duhej të punonte pasditeve duke u ndihmuar dhe nga një tjetër rrobaqepëse. “Çdo gjë në këto 5 vite ka qenë një ngarkesë dhe lodhje, nuk e di si dhe ku e kemi gjetur kohën por kurrë nuk thamë do heqim dorë.”

 Tani gjërat kanë ndryshuar pasi Ilisia hoqi dorë nga puna stabël prej 2019 dhe iu dedikua komplet TeepArt . Gjithashtu e ëma këtë vit doli në pension dhe të dyja mama e bijë realizojnë gjithë kërkesat e klientëve duke u dedikuar kohë, dashuri dhe kujdes në çdo detaje dhe cilësi.

Vështirësitë kanë qenë edhe në gjetjen e materialeve pasi Ilisia synon produkte unike me cilësi. Edukimi i tregut dhe konsumatorit është një tjetër vështirësi nga ana tjetër që has shpesh pasi jo gjithmonë kuptohet raporti i punës se një artizani me raportin e çmimeve. Ka pasur kërkesa nga produkte që mund të gjenden në Pinterest në faqe të ndryshme, me një çmim shumë minimal që shpesh nuk mbulonte as kostot e lëndës së parë.
Koha që kërkon një produkt mund të shkoj nga disa minuta në disa ditë, si në rastin e tendave, dhe kjo kohë duhet vlerësuar me çmimin e duhur.

 Sfida e fundit ishte hapja e një dyqani fizik në momentin më të papërshtatshëm gjatë pandemisë apo procedurat që lidhen në marrëdhënie me shtetin. Kërkesa e klientëve për të parë nga afër produktet e jo vetëm online e bënë të nevojshme që Ilisia të investonte në hapjen e një dyqani ku ekspozon dhe shet produktet e TeePee Art. “Kërkesat kane qenë si nga prindërit ashtu dhe nga arkitekte e arredues. Dyqani do me jepte mundësinë te njihesha nga afër me klientët e të rrisja besimin e tyre. Nga ana tjetër doja që sërish të ndërmerrja një sfidë ndaj vetes, ishte koha të ngrihesha e të beja një hap më tej.” Ndërkohë TeePee Art vazhdon njëkohësisht punën Online dhe nuk ka reshtur as gjatë periudhës së Pandemisë.

Dita tipike e Ilisias

Ditët nuk i ngjajnë njëra tjetrës, duke mos u bere të mërzitshme dhe duke mos dështuar në atë që Ilisia ka dashur gjithmonë të evitojë- rutinën. Dita fillon herët gjithmonë me përgatitjen e djalit për në parashkollor. Me pas kalon në planin e përgjithshëm që përfshin porositë: realizimi i tyre, ku Ilisia ndjek procesin me mamanë e saj apo takon marangozët në lidhje me porositë e dhëna dhe ecurinë e punës.

Komunikimi me klientët është i vazhdueshëm dhe kërkon shume kohe gjate ditës, këtë mund të vini re nga rrjetet sociale sa e pranishme është por edhe në përgjigjën e shpejt që mund të marrësh kur i shkruan. Përgatitja e fotove apo postimeve janë të përditshme dhe bëhen sërish nga Ilisia. Po ashtu marrëdhënia me kompaninë e transportit apo korrierët është e përditshme.

 Një dite i dedikohet furnizimit, te cilin serish e bënë vet, apo blerje të materialeve të ndryshme oline. Një dite tjetër janë pagesa të ndryshme në bankë apo vajtje në poste, pastaj janë gjithë procedurat doganore te disa produkteve të gatshme qe sjell nga Holanda. “Pasditen jam munduar t’ia dedikoj tim biri duke e angazhuar në kurse sportive apo aktivitete të ndryshme argëtuese e kulturore.

Ndjej si çdo nënë të jem kritike ndaj vetes që i kam borxh shume orë të munguara loje. Por përsëri mundohem te gjej balancën mes punës dhe familjes. Shpesh herë djali më shoqëron gjate takimeve te ndryshme të punës (dhe këtu më kujton veten ku shpesh më është dashur të marrë më vete tim bir në takime dhe vëntë të ndryshme ndaj e kuptoj fare mirë se çfarë do të thotë). Djali shpesh thotë se një ditë Teepee Art do te jetë i imi dhe unë gëzohem që në një mënyrë apo në një tjetër mundohemi të kalojmë sa më shumë kohë bashkë.”

Çfarë e bën të lumtur

“Balanca. Jam një Peshore dhe në shenjë horoskopi. Tentoj gjithmonë të gjej ekuilibrin mes gjërave. Lodhem shumë për këtë gjë por kur e gjej ndihem e lumtur. Gjërat për mua në parim janë të thjeshta: qetësi shpirtërore, miq të mirë përreth që të mbushin shpirtin, një xhiro në natyrë, një libër i bukur motivues, një vend i ri për tu vizituar, një projekt i çuar deri ne fund, rritje dhe progres i vazhdueshëm, shëndet i mirë e një mendje plot me ide. Por më e rëndësishme, të shikoj tim bir te jetë mirë në çdo drejtim.”

Frymëzohet nga pasioni për gjerat e bukura, arti, arkitektura e dizajni, moda, natyra, ngjyrat, fotografia. Frymëzohet nga bota e fëmijëve, e pastër, e çiltër e përsosur. Frymëzohet nga njerëz inspirua, atë që janë bërë vet, që kanë një histori të bukur për ti treguar botes ( si Ilisia) dhe një sukses që fshihet pas dështimeve të bukura e sfidave pafund. Nisur nga kjo edhe librat që lexon kohët e fundit janë pikërisht libra motivues duke e shtyrë të kërkoj dhe të bëj më shumë në sfidat e radhës.

Çelësi i suksesit

“Çelës suksesi do rendisja disa: këmbëngulja e durimi qe nuk më bënë të heq dorë edhe kur shumë njerëz nuk besonin tek ëndrra ime por vazhdova përpara. Pasioni për te krijuar i cili është i pastër njësoj sikurse kam qenë fëmijë. Rritja e vazhdueshme personale dhe profesionale si dhe vizioni ku do te jesh një ditë.” Po të keni blerë apo parë në Instagram faqen e saj do kuptoni që Tendat janë produkti me te cilët Ilisia është më shumë e lidhur.

Jo vetëm se është produkti i parë i realizuar nga ajo por edhe për faktin që përfaqëson një inovacion në tregun shqiptar. “Mua më njohën në treg si vendi ku prodhohen tendat Teepee. Janë produkte që kanë një mision: të nxisin imagjinatën dhe lojën brenda saj, të mbajnë larg fëmijët nga teknologjia, tu ofrojnë atyre siguri dhe ngrohtësi aty brenda njësoj sikur janë ne mini shtëpizën e tyre.”

Mësim i rëndësishëm në jetë

“Ajo që unë kam kuptuar me vite është që njeriu është një qenie shumë e fortë e mundet në shumë aspekte të jetës të japi më të mirën. Duhet gërmuar aty thellë brenda vetes se çfarë do të jesh e të përfaqësosh. Nuk ka asgjë të keqe nëse preferon një jete të thjeshtë, të qetë e pa shumë luhatje e sfida, por mos u ndiej keq nëse dhe jeta aq do të të japi. Por nëse je personi që kërkon nga vetja, që di potencialet e tua, pëlqen sfidat, nuk pranon kufizimet, pranon humbjet dhe ke aftësinë të ngrihesh sërish, mirë bën të mos rrish tek divani sepse ti do ta vuash gjithë jetën që nuk e hodhe hapin e parë.”

Projektet

Për momentin dhe 2-3 vitet e ardhshme është  e fokusuar tek puna oleinë dhe dyqani, shtimi dhe përmirësimi i produkteve dhe njohje më të gjerë në Shqipëri.” Dalja jashtë Shqipërisë sigurisht është synim por dua që të vij si rezultat kur të jem vërtet e fortë në tregun vendas.”

Këshilla të çmuara

“Këshilla ime për çdo person është të bëjë atë gjë që di të bëjë më mirë jo atë që të imponon shoqëria dhe nevoja. Unë jam partizane e gjërave të reja, të jesh ti e para që e fut si risi. Jemi në epokën më të mirë, atë të epokës online, të duhet një ide dhe një investim minimal. Unë e nis nga vetja, kur ia dola unë me shume ngarkesa kohore dhe emocionale dhe shume pak ndihmë, jam e bindur që mund t’ia dalin shumë të rinj e të reja. “

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *