Ngjyrat e Uarda Shahinaj

Uarda Shahinaj

Kush është Uarda Shahinaj, AK.A @addasall

 Uarda Shahinaj lind dhe rritet ne Tiranë. Pasioni për gatimin e ka zanafillën që në vegjëli kur të dielat e ëma përgatiste pitet për të festuar të dielat ashtu siç ka hije.

Kush është Uarda

Uarda është rritur në një shtëpi të madhe tipike Shqiptare kur të dielat festohen gjithmonë duke mbledhur rreth tryezës çdo të vogël dhe të madh të familjes. Janë ato momentet e para që ti mëson se si përgatitet brumi, konsistenca e  duhur, si hapen petët dhe shumë sekrete të tjera për ata që ndajnë të njëjtin pasion në kuzhinë.

Dashuria dhe pasioni shumëngjyrësh për gatimin merr trajta të ndryshme kur  transferohet në një shtet si Italia, ku gatimi trajtohet si një art i shenjtë. Kështu lind edhe dëshira për ta ndarë me të tjerët. Hap kështu faqen e saj në facebook në 2011 dhe fillon të ndjekë foodbloggere që në ato vite në Itali ishin në majën e suksesit.

Ndërkohë në atë periudhë platformat si Giallozafferano apo foodblogger si Sonia Peronaci ishin në kulmin e famës pasi realizonin video dhe receta aq të thjeshta dhe aq mirë të strukturuara sa çdo njeri që ka pasion gatimin mund të frymëzohet dhe të nisi një blog.

Uarda mësoi shumë shpejt që dashuria e saj për gatimin shkon përtej artit të mirëfilltë të gatuarit pasi përqasja që ka jo vetëm me ushqimin por edhe me mënyrën se si ajo e ndan këtë pasion më të tjerët, i japin ngjyra një ideje në shpirt.

Ndaj fillon të shikoj tutoriale se si të hapë një blog ku mund të hedhë fotot e gatimeve që realizonte çdo ditë, pa pasur asnjë lloj eksperience apo ekspertize. Një punë autoditakte, bashkë me ndihmën dhe këshillat e çmuara të bashkëshortit të saj që më vonë do sjellin një brand të certifikuar.

Ajo se çfarë nuk dinte ende Uarda, ishte se dashuria që vendoste në recetat dhe pasioni për fotografinë do krijonte jo vetëm një brand por do mundësonte edhe në publikimin e librit të saj të parë e të dytë duke e plotësuar figurën e saj profesionale 360 gradë.

Si lindi ADDASALL

Ditët kalonin kështu duke gatuar, fotografuar, shkruar artikuj në shqip dhe Italisht dhe kur pa se vizitorët po shtoheshin gjithmonë e më shumë vendosi të kalojë në një nivel tjetër. Kontakton një studio web delevopers të cilët krijuan një website ad-hoc për atë dhe nevojat që kishte.

Kështu në 2012 lind @addasall një platformë tashmë e strukturuar në mënyrë që recetat e ndryshme, udhëtimet dhe lifestyle të mund të gjenden shumë lehtë nga ndjekësit e saj. Faqja ka edhe hapësirën e saj e-commerce pasi Uarda merret edhe me promovimin e librave të saj që shënojnë gjithashtu një moment të rëndësishëm për atë pasi e njohin me pasionin e radhës; atë të nutricionistes. (unë pata fatin të kem një kopje gjatë karantinës të një plani ushqimor që Uarda ua dhuroi ndjekësve të saj dhe kam mbetur e mrekulluar)

Ndoshta Uarda nuk kishte një plan biznesi të mirëfilltë kur e nisi këtë blog ndaj edhe pohon se emri erdhi shumë natyrshëm (për miqtë e saj Ada- çdo gjë të Adës) dhe nuk mendoi gjatë për të, por ajo që me siguri përfshin ndër vite si receta, lifestyle dhe udhëtime do i japin shtysë që në gusht të 2015 të publikojë librin e parë “Jeto, dashuro dhe Ushqehu.”

Nëse ju sjell ndërmend filmin me Julia Roberts, mos u ngatërroni, ju siguroj se libri i Uardës është komplet stil tjetër dhe i personalizuar. Aty do të gjeni receta klasike, receta nga udhëtimet e saj, receta nga mikeshat dhe ushqime italiane. Plus një kolazh të bukur fotosh nga vendet që Uarda ka vizituar, pasi udhëtimet dhe fotografia janë një pasion tjetër që e kanë shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit të saj dhe që gjithashtu e kanë ndihmuar të realizojë vetë çdo set fotografik të pjatave që publikon, po ashtu të fotove që përfshihen në të dy librat  e saj.

Në dhjetor të 2017 publikon librin e saj të dytë #te dielave. “Libri i dytë është ai që më personifikon më së miri, janë totalisht receta të miat, fryt i ndjesive dhe frymëzimeve të çdo gjëje të bukur ku inspirohem. “Të dielave” është një Himn për ushqimin e shtëpisë. Atë të vërtetin.”

Pikërisht këto vlera që mbart dhe dëshiron të transmetojë me çdo recetë dhe çdo postim janë ato që e veçojnë Uardën dhe kanë bërë të mundur të krijojë një komunitet në profilin e saj që rrallë herë ose asnjëherë nuk do shikoni të gjykojnë apo të komentojnë në mënyrë negative, siç ndodh tashmë rëndomtë në profilet e rrjeteve sociale të çdo personazhi të njohur.

Kuriozitete dhe veçanti

Uarda është një grua që adhuron të ndajë recetat, udhëtimet, këshilla dhe shumë gjëra të tjera që mund të ndihmojnë vajzat dhe gratë që e ndjekin në shumë aspekte, por është shumë struktë me privatësinë e saj. Është munduar të fokusohet te mesazhet që dëshiron të transmetojë nëpërmjet punës së saj dhe kjo e bën akoma edhe më të veçantë si grua dhe sipërmarrëse.

Jemi mësuar kaq shumë tashme të lidhim një biznes online me figurën që themeluesi/ja duhet të përfaqësojnë, sa që shpesh shpërqendrohemi nga roli kryesor që ka një biznes dhe jemi në kërkim të thashethemeve të radhës për sa i përket individit dhe jo rolit parësor që ka ai biznes apo brand. Ndaj Uarda më ka tërhequr vëmendjen që ditën e parë që e njoha në një postim Instagrami dhe vazhdoj ta ndjek me shumë dashuri dhe admirim.

Uarda pohon se është një njeri që kënaqet “me pak” dhe e frymëzon thjeshtësia. “Mua më lumturon dhe një kafe e pirë në qetësi, në atë ballkonin e vogël të shtëpisë time që ju shihni aq shpesh në foto”. Më kujton një frazë shumë domethënëse e pot ngjyra nga Mehmet Murat Ildan:

“Arti suprem është arti i të qënurit i lumtur me gjërat më të thjeshta dhe artisti më i madh është personi që e kryen këtë art në mënyrë të shkëlqyeshme në jetën e tij të përditshme! ”

Do guxoja të thoja me plotë gojë dhe e bindur se Uarda duhet të jetë vërtetë një person i lumtur pasi bënë diçka kaq bazike por në të njëjtën kohë shumë të vështirë: Të jetë e lumtur në jetën e saj me zgjedhjet që ka bërë dhe bënë çdo ditë. (e di është një gjë që duam të arrijmë të gjithë, por sa nga ne janë vërtetë të lumtur në jetë?!)

Ndaj dhe ndoshta kur e pyes nëse ka diçka që do ndryshonte po të kthehej mbrapa në kohë përgjigja e saj më mrekullon dhe nuk lë hije dyshime për njeriun që është: “Ndoshta të përjetoja dhe njëherë fëmijërinë, jo për ta ndryshuar atë, por për ta jetuar dhe njëherë.”

Uarda ka pasur profesione të ndryshme në jetë që i është dashur të bëjë, si çdo grua që dëshiron të kontribuojë për familjen e saj. Foodblogger është një pasion që u kthye në një profesion së bashku me atë të nutricionistes, por nëse nuk do ishte një Foodblogger me siguri do e njihnit si food stylist ose shkrimtare.

Një gjë është e sigurt, në këtë jetë Uarda do linte shenjën e saj pasi personaliteti shumëngjyrësh që e karakterizon nuk do e lejonte të rrinte në hije si spektatore e jetës së saj, përkundrazi.
Foodblogger që ndjek me kënaqësi dhe gjen veten në stilin e tyre të gatimit janë: Nigella Lawson dhe Lorraine Pascale.

Vështirësitë

Vështirësitë kanë qenë të shumta në jetë dhe nisin që në momentin që transferohet në Itali ku duhet të nisi çdo gjë nga zero. Po ashtu edhe me faktin që në Shqipëri nuk respektohet e drejta e autorit. Foto dhe recetat e saj qarkullojnë nëpër portalet më të njohura në Shqipëri pa deklaruar burimin apo autorësinë.

Kjo shpesh herë e ka bërë të ndihet keq pasi nuk i është njohur puna që ajo bën me aq shumë dashuri. Por nga ana tjetër është e lumtur që ka ndërtuar një komunitet në faqen e saj me vajza dhe gra të mrekullueshme që e mbështesin prej vitesh dhe njohin “dorën” dhe stilin e saj të fotografuarit apo idetë që e përfaqësojnë dhe e mbështesin në çdo risi qe sjell.

Fakti që siç përmenda më sipër, njerëzit kërkojnë gjithmonë të shikojnë më shumë nga jeta private e një personi dhe nuk fokusohen tek puna dhe vlerat që ajo mundohet të transmetojë: “Faqja u ndërtua vetëm me qëllimin e food dhe lifestyle të cilin sot e kësaj dite respektohet duke futur dhe doza të vogla përditshmërie timen për vajzat qe më ndjekin. Por asgjë nuk është e pamundur nëse e do vërtet.”

Projekte dhe Këshilla

Mëmësia vjen për Uardën në plan të parë dhe çdo gjë tjetër kthehet dytësore. Gjithsesi siç e pohon edhe ajo vetë, ndoshta një libër i tretë mund të jetë në planet e një të ardhmeje jo shumë të largët.

Një këshillë e çmuar që do i jepte edhe Uardës 10 vjetë më të vogël, është që të ndjekë gjithmonë atë qe ka në zemër me pasion.

Në faqen e saj të webit do gjeni këto fjalë: “Aventura personale e një vajze si ju që dashuron verën, Kitty-n (mikun tim katërputrosh), pemën e Viti të ri, tortën me mollë, qumështin me biskota, kafen ekspres, romanet rozë njujorkez, melodinë e “La vie en Rose” , bukën me djathin francez dhe detin në dimër”- duke përmbledhur bukur dhe thjeshtë se kush është Uarda.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *