Ngjyrat e Mirela Sula

Për këtë artikull kam marrë gjithë kohën e nevojshme për ta publikuar pasi ka dy anë të medaljes në këtë rast: dëshiroj të jem e sinqertë gjithmonë në artikujt e mi duke shprehur atë që unë realisht mendoj, por gjithashtu dua të shikoj gjithmonë të bukurën te çdo femër dhe kjo gjë jo gjithmonë mund të arrihet lehtë. 

Jam një njeri pozitiv që dëshiroj të ndalem në jetë më tepër tek e bukura dhe çfarë mund të mësoj unë, se sa të kritikoj dhe të kapem në pikat që nxjerrin në pah më tepër anën e errët të një personi. (jo se nuk e kam bërë këtë gjë por kur arrin një fare moshe kupton se të fokusohesh më tepër te bukuria shpirtërore të jep më tepër lumturi se sa të gjykosh e të gjesh anën negative në çdo gjë e çdo veprim)

Ndaj edhe ky artikull ka ardhur si rrjedhojë e një studimi të mirë pasi ka pasur një dashuri me shikim të parë dhe pastaj një ndryshim 360 gradë të impaktit të parë. E sërish ndryshim pas 7 muajsh… Do jua shpjegoj më poshtë përse bëhet fjalë.

Në shtator të 2019 marrë një e-mail në inbox ku një grua prezantohet me pak rreshta por më bën menjëherë përshtypje fjalët që kishte zgjedhur dhe misioni që kishte ndërmarrë. Mendova se ishte një shenjë nga universi pasi unë në atë kohë isha pikërisht në kërkim të një guide apo mentoreje, quajeni si të dëshironi. (më poshtë gjeni emailin)

Ndaj ato pak rreshta në e-mail më çojnë në një faqe regjistrimi (në gjuhën teknike të marketingut quhet lindin page) dhe unë u mrekullova që në Shqipëri dikush po e bënte këtë rol kaq shumë të kërkuar online në atë kohë nga unë. Ja tek më vinte mundësia ta bëja live dhe për më tepër me një grua shqiptare që dukej se kishte shumë për të dhënë.

Nuk u mendova dy herë dhe u regjistrova duke bërë pagesën minimale që kërkohej për të marrë pjesë në këtë seminar dhe meqenëse isha aq shumë e frymëzuar nga ato pak rreshta që kisha lexuar në atë moment për eventin dhe personin që po e organizonte, mendova ti bëj një dhuratë një mikeshës sime dhe blej një biletë edhe për atë.


Marrë me vetë kompjuterin pasi isha në punë full-time dhe nuk mund të mungoja ato ditë për projektet që kishim, ndaj vendos ta ndjek me një sy të dedikuar edhe punës e kur kërkohej ndërhyrja ime, hapja PC dhe  mundohesha ta zgjidhja sa më shpejt në mënyrë që të ndiqja seminarin 2 ditor të organizuar nga Mirela Sula në hotel @PLaza.

Fatkeqësisht dashuria me shikim të parë nuk zgjati dhe gjatë seminarit pata disa rezerva që nuk më lejuan ta shijoj ashtu siç prisja ndaj edhe nuk iu bashkova thirrjes së saj për krijimin e #GlobalWomanClubAlbania. Nisa të shkruaja artikullin direkt pas përfundimit të seminarit por duke e rilexuar nuk isha e lumtur me veten pasi po lexoja për herë të parë një artikull ku vetëm gjykoja dhe nuk po prekja aspak pjesën më të rëndësishme për mua: personalitetin e Mirelës, historinë e saj dhe çfarë ajo mund të më mësonte mua dhe njerëzve të tjerë që do e lexonin këtë artikull. Ndaj vendosa të mos e publikoj për momentin dhe ta rishkruaj kur të isha më e qetë.

Pavarësisht se kimia mes nesh dështoi, unë gjithsesi vazhdoja të lexoja e-mailet që më vinin nga Mirela dhe skuadra e saj gjithë këto muaj. Mendova se duhet ti jepja një shans tjetër pasi mund të kisha humbur diçka në atë seminar duke qenë se shpesh më desh tu përgjigjesha e-maileve të punës gjatë atyre dy ditëve dhe unë doja vërtet të kisha një opinion të sinqertë para se të shkruaja për Mirela Sula dhe rrugëtimin e saj deri në krijimin e një brandi ndërkombëtarë me zyra në Londër por më bashkëpunime në mbarë botën.

 Prandaj në e-mailin e radhës gjatë pandemisë, ku këtë herë Mirela organizonte falas një webinar, mendova se ishte momenti që kisha pritur. Unë doja ti jepja edhe një shans kësaj gruaje edhe vetes sime ndaj u regjistrova dhe e ndoqa me shumë vëmendje këtë herë duke mbajtur pranë bllokun tim të shënimeve.

Nuk mund të mohoj se historia e saj më preku dhe gjithashtu më frymëzoi pasi duhet vlerësuar shpirti luftarak, këmbëngulës dhe dëshira për tu rritur në çdo aspekt të jetës. Jam shumë e lumtur që këtë artikull po e publikoj tani pasi do ndalem tek figura e saj dhe rrugëtimi plot ngjyra, po nga ato më të errëtat që mund të shkaktojnë shumë dëme e fatmirësisht me kalimin e viteve dhe forcën e Mirelës kthehen në ngjyrat më të bukura të jetës. Ndoshta për detaje më të hollësishme do ju duhet të lexoni librin e saj “Mos e lërë mendjen të ikë”. Unë po mundohem ta përmbledh në këtë artikull duke prekur momentet më domethënëse në jetën e saj.

Kush është Mirela Sula

Mirela Sula lind në Shkodër dhe transferohet në Pukë, në momentin që martohet në vitin 1996, në një fshat siç edhe ajo e quan me humor “mes maleve në katund”. Nis të punojë si mësuese në shkollën fillore të fshatit si fillim dhe më vonë në Pukë.

Në 1998 zbulon se vajza e saj e sapo lindur është  e sëmurë dhe Mirela së bashku me bashkëshortin nuk lanë mjek pa takuar për të shpëtuar vajzën e tyre. Nuk ka dhimbje më të madhe besoj për një nënë se sa të humbasë fëmijën e saj. Në atë moment nuk humbi vetëm betejën me vajzën por mendoi se humbi edhe betejën me veten pasi një depresion i rëndë e kaploi dhe nuk po mundte të shikonte dritë kurrkund.

Si për të agravuar gjendjen, asnjë person nuk e kuptonte dhimbjen dhe depresionin e saj. Familjarët fjalët depresion nuk e njihnin aspak dhe refuzonin ta pranonin se ekzistonte diçka e tillë. Ndaj beteja e saj ishte ndër më vështirat ato vite që me siguri do rrëzonin në tokë edhe shpirtin më  pozitiv e luftarak.

Nuk kaloi shumë kohë dhe zbulon se është shtatzëne për herë të dytë. Nuk mund të evitonte të ndjente si frikën ashtu edhe lumturinë njëkohësisht. Dëshironte të ishte mirë për fëmijën e saj dhe nuk donte ti transmetonte barrën e madhe që tashmë po i rëndonte supet prej kohësh. Ndaj nisë të lexoj shumë libra dhe nga një libër në tjetrin fillon të zbuloj autorët e mëdhenj me letërsinë motivuese si Napoleon Hill, Robert kyasoky, Dale Carnegie etj.

Librat i dhanë jo vetëm shpresë se mund të kishte një të ardhme më të mirë por edhe forcë e guxim të ndërmerrte një rrugëtim që do rezultonte fillimi i një sërë eventesh që do ndryshonin tërësisht jetën e saj. Zbuloi Tiranën dhe u magjeps pas bukurisë së kryeqytetit. Mendoi se e ardhmja e saj duhet të ishte aty dhe bind bashkëshortin të transferohen në Tiranë në vitin 2000, së bashku me djalin 1 vjeçar. Tirana ishte aq e bukur sa edhe e shtrenjtë ndaj Mirela nuk kishte ndërmend të dështonte dhe të kthehej shpejt mes maleve në Pukë ku tashmë shkonte vetëm për të vizituar familjarët.

 E vendosur  sa s’ka më, prezantohet në një intervistë pune si gazetare. Dëgjoi punonjësit të pëshpëritnin në korridoret e gazetës për pamjes e saj të jashtme dhe mënyrën se si ishte prezantuar në atë intervistë. “U pashë në pasqyrë. Ata kishin të drejtë. Dukesha një person nga fshati që nuk ishte kujdesur aspak për veten dhe po kërkonte punë në një gazetë të një standardi të tillë.” U largua dhe u prezantua për herë të dytë duke u kujdesur edhe për lookun e saj që të ishte sa më afër pritshmërive.

Kur e pyetën nëse dinte anglisht dhe rezultoi se nuk dinte, u largua dhe filloi një kurs anglishte intensiv. U ri-prezantua në gazetë dhe këtë herë ishte e vendosur që të merrte atë vend pune. E pyetën nëse dinte kompjuter por këtë herë nuk u largua pa marrë vendin e punës, pavarësisht nëse dinte apo jo kompjuter. Këmbënguli të kishte atë vend pune pasi ajo besonte se kishte shumë për të dhënë dhe kishte vetëm nevojë për një mundësi.

Kështu nisi punë si gazetare dhe njëkohësisht fillon specializimin në fakultetin e Psikologjisë. Më vonë do punojë si lektore pranë Universitetit të Tiranës dhe UET. Themelon revistën e parë psikologjike shqiptare ku është edhe kryeredaktore, gjithashtu themelon nje network grash (Women Equality in Decision Making) ku ndihmon gratë të marrë vendime mbi leadership dhe politikën. Fillon të shfaqet kudo në radio dhe televizione të ndryshme duke bërë të njohur edhe historinë e saj (ose më mirë një pjesë të historisë së saj).

Jeta bashkëshortore kishte mjaft probleme dhe Mirela nuk është e lumtur. Asnjë nuk e përkrah dhe nuk e kupton vendimin e saj për divorc. Në kërkim të një jete më të mirë, vendos të shesë gjithçka që zotëron dhe të transferohet në Londër në 2012, ku nis gjithashtu një PHD. Te gjithë I thanë se kishte bërë gabimin më të madh të jetës. Shpesh edhe i biri e mendonte gjatë vitit të parë kur kujtonte se kishte lënë një shtëpi të bukur dhe një jetë shumë të qetë në Tiranë për të jetuar në një  monolokal të pisët e aspak komod në Londër.

Mirela kërkoi për punë dhe ishte e gatshme të niste edhe si sanitare vetëm të mos kthehej në Shqipëri, ashtu siç kishte vendosur kur ishte larguar nga Puka drejt Tiranës, po e njëjta këmbëngulje e ndiqte edhe tani në rrugëtimin e ri drejt Londrës.

Lekët po mbaronin dhe ishte e dëshpëruar. Një ditë tek po shëtiste me të birin në një lagje te pasur të Londrës, djali u kthye të shikonte me admirim një vilë të bukur aty pranë. Mirela e pa dhe I premton qe një dite do I merrte një shtëpi të tillë, por kurrë nuk do e kishte menduar se do kishte ndodhur aq shpejt.  

Në një nga tentativat e panumërta për të nisur punë , fati e drejton në një interviste pune ku i kërkohet të bindte gratë që të vinin në workshop-in e organizuar. Mirela iu lut ta merrnin në pune pasi do ia dilte të sillte çdo javë 20 gra, kusht ky minimal për atë workshop.

I dhanë 6 javë provë dhe këtu fillojnë ngjyrat e bukura të ndryshimit. Javën e parë arriti të sjellë vetëm 3 gra dhe u ndje keq. Në javën e 6 kishte bindur 76 gra dhe jo më 20.

Kuptoi potencialin e saj dhe iu rikthye asaj që dinte të bënte më mirë: të shkruante. Ndaj dha dorëheqjen dhe themeloi revistën “Migrant Woman Magazine”. Pastaj kaloi në një nivel më të lartë duke themeluar Global Woman Magazine, Global Man Magazine, Business Woman talking-magazine. Hap kanalin e saj në Youtube ku fton personazhe të ndryshëm për ti intervistuar dhe prej aty BBC I jep një hapësirë ku të prezantojë emisionin e saj.

Në udhëtimet e ndryshme, që tashmë janë edhe të shpeshta në mbarë botën, takon Tony robins, Bryan Tracy e shumë personazhe motivues të njohur në mbarë globin. Kupton që kishte ardhur koha të shkonte “Globally” dhe krijon platformën @GlobalWomanClub, ku brënda 2 viteve krijon bashkëpunime në 27 shtete të ndryshme të Europës, Azisë dhe Amerikës.

Arriti ti blejë atë vilën e bukur që i kishte premtuar djalit, të ngrejë një rrjet grash të suksesshme që mbështesin dhe mentorojnë njëra-tjetrën, ofron shërbime coaching, organizon seminare të ndryshme  në mbarë botën duke qenë më shumë në udhëtim se sa në zyrën e saj në Londër…e ku i dihet se çfarë tjetër do zbulojmë vitin tjetër.

Një gjë është e sigurt- quajeni këmbëngulje, quajeni dëshirë për tu rebeluar dhe për tu arratisur, quajeni çmenduri … por vështirësitë Mirela i ktheu në sukses dhe kjo është ajo që dua të transmetoj me këtë histori pak ndryshe nga të tjerat, por plot ngjyra reale dhe suksesi botëror.  

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *