Ngjyrat e Fjona Cakalli

Fjona Çakalli është një vajzë ndryshe nga të tjerat. Rrallë do gjeni vajza që bëjnë një punë si Fjona dhe sidomos në Shqipëri.

 Fjona ka lindur në Tiranë nga dy prindër balerinë të shquar të Operës dhe Baletit. Fati deshi që në momentin kur shpërthyen protestat e vitit 1990 i ati të ishte në Itali pasi kishte fituar një burse si Primo Balerin në “La scala” dhe kur merr vesh se çfarë po ndodhte në Shqipëri, lëviz çdo gurë që të tërheqë bashkëshorten bashkë me vajzën në Itali. Kështu Fjona transferohet në Vercelli, Itali, në moshën 4 vjeçe dhe nga Tirana do ruaj si thesar kujtimet e lidhur me Teatrin e Operës dhe Baletit ku shpesh kalonte kohën si fëmijë kur performonin prindërit.

Vitet e para janë të vështirë për dy balerinë që janë mësuar më një stil jetese tjetër, ku në rrugët e Tiranës njiheshin dhe respektoheshin nga të gjithë dhe tani u duhej të bënin çdo lloj pune vetëm për të mbijetuar në Itali. Ndaj iu desh kohë derisa të gjenin sërish rrugën e tyre dhe të hapnin një shkollë baleti ku mësojnë të rinjtë Italian.

Fjona ka kaluar shpesh kohën e lirë në skenat e mëdha dhe e rrethuar me artistë dhe ka ndjekur për disa vite kërcimin klasik, por nuk ndan të njëjtin pasion me prindërit e saj për ta kthyer në profesion. Nuk ka ndjerë asnjëherë trysninë dhe ka patur fatin të ketë dy prindër që gjithmonë e kanë mbështetur në zgjedhjet e saj.

Ndaj shpesh në këto shfaqe Fjona ishte prezente fizikisht por mendjen e kishte tek teknologjia dhe elektronika. I kujtohet hera e parë që babai i dhuroi një Nintendo në vitin 1990 dhe të dy babë e bij filluan të eksploronin botën e re kaq tërheqëse të lojërave elektronike. Ishte dashuri me shikim të parë dhe Fjonës do i duheshin vite për të kuptuar që ky pasion mund të kthehej në një biznes fitimprurës.

Fjona ka një natyrë shumë kurioze dhe në çdo moment të bisedës sonë kuptoj që nuk resht kurrë së lexuari, studiuari dhe thelluari një tematikë derisa të ketë ezauruar çdo informacion. Ndaj dhe biseda jonë është shumë e larmishme pasi shkon nga teknologjia, elektronika, financa, streaming, gjendja politike aktuale etj etj.

Në vitin e fundit të gjimnazit mendon se fakulteti që bënte për të ishte ai i gjuhëve të huaja. E tentoi disa herë ta ndiqte si fakultet apo të gjente diçka që i përshtatej pranë IULM në Milano por nuk ishte diçka që arrinte ta tërhiqte dhe në fund hoqi dorë.

Si nisi sipërmarrja

Në moshën 22 vjeçe aplikon për një pozicion për të shkruajtur rreth produkte të ndryshme teknologjike. Refuzimi i pozicionit për shkak se nuk kishte eksperiencë ishte momenti që vendosi ta bëj vetë. Kështu nis 6 muaj studim natë e ditë me libra të ndryshëm (jemi në vitin 2007 dhe këto informacione nuk gjendeshin online siç mund ti gjesh kudo dhe falas tani) se si të hapë një blog dhe si të shkruaj një përmbledhje duke analizuar faktorë të ndryshëm për një produkt ose markë specifike.

Ndërkohë që punon me kohë të plotë në kompaninë “Europ Assistance”, kompani ndërkombëtare në fushën e shërbimeve mjekësorë për turistët, kohën e lirë e kalon duke lexuar, luajtur online dhe duke shkruar për eksperiencën e saj personale që pastaj filloi ta ndante online me ndjekësit e saj fillimisht në blog dhe rrjetet sociale, më vonë duke kaluar në platforma të posaçme me ndjekës nga e gjithë bota, siç është Twitch  .

Pak informacion 

Për ata që nuk e dinë se si një individ që thjesht duke luajtur mund të paguhet, e ndoshta me shuma marramendëse, mund të shkoni të lexoni historitë e ninjas që ka një vlerë prej 17 million dollar sipas të dhënave të fundit, me një audiencë në Youtube prej 23 milion nënshkrues dhe faqen në Instagram 15 milion ndjekës.


Mënyra e të përfituarit nga game janë të ndryshme: duke nisur nga konkurset e ndryshme që kompanitë e lojërave vendosin çdo vit, nga reklamat që bëhen për lojërat online  por edhe reklamat me branded ndërkombëtare si nga fusha e sportit dhe High Tech, gjithashtu abonimet për lojtarët Premium që në platformat si #Twitch dhe #Mixer kanë një gamë marramendëse ndjekësish që luajnë në mënyrë profesionale (ose jo) dhe kërkojnë këshilla ose ndjekin në live streaming profesionistët si Fjona dhe Ninja për të luajtur.

Nëse mendoni se është një humbje kohe duhet të dini që sipas Forbes në vitin 2019 janë fituar 129 milion dollarë vetëm nga kategoria gaming dhe mendohet se brenda 2022 përfitimet do dyfishohen. Ndaj mendojeni edhe njëherë pasi të fitoni disa miliona dollarë në vit nuk është e pakët dhe sidomos duke bërë një punë që me siguri ju pëlqen, pasi kjo punë nuk mund të bëhet nëse mungon faktori kryesor – pasioni dhe dashuria për video game.

 Fjona njihet në twitter rastësisht me Erikën, vajza që më vonë kthehet bashkëpunëtore dhe themelojnë së bashku kompaninë Tech Princess ku do të gjeni informacione dhe lajme nga teknologjia, intervista  ne formën e “Talks” dhe video të realizuara qoftë në formën e “review” por edhe promovimit të brandeve të ndryshme.

Fillimisht vajzat ishin vetëm duke ndjekur çdo seminar që organizohej në fushën e video game në mbarë botën, duke shkruar artikuj, realizuar video, intervista etj, pastaj persona të tjerë iu bashkuan skuadrës duke e rritur kompaninë  dhe duke lidhur bashkëpunime në shumë fusha.

 The driving Fjona

Fjona ka edhe një pasion tjetër- makinat. Ndaj para 3 vjetësh lind edhe Fjona drive Test ku Fjona bashkëpunon me marka të ndryshme për të testuar dhe promovuar makinat e tyre. Njëra prej tyre, që unë e kisha me merak pasi admiroj themeluesin, është Tesla.

Mund të shikoni test drive të Fjonës tek faqja e saj @thedrivingfjona dhe do kuptoni që mënyra se si promovon është një stil unik dhe i veçantë, që e bëjnë akoma edhe më tërheqëse këtë vajzë pasi bota e High Tech dhe Gaming (ashtu si ajo e Financial) është një botë e egër me lider burra. Por Fjona adhuron sfidat dhe ka rritur të rritet aq shumë sa të krijojë bashkëpunime të rëndësishme me marka të mëdha si BMW, MERCEDES, BENTLEY e shume marka të tjera.

Veçantitë e Fjona Çakalli

Admirimi im për Fjona Çakalli rritet akoma edhe më shumë kur shikoj videot e sponsorizuara për brande të ndryshme dhe kanë brënda edhe pak kritike konstruktive. Fjona më shpjegon se ajo ka një linjë të sigurt që ka ndërtuar që në fillim dhe atë nuk dëshiron ta humbasë për disa mijëra eurove që mund të bej me një bashkëpunim. Kjo është ëndrra e saj dhe ajo kur promovon diçka ia bën të qartë brandit që në atë video promovim do ketë edhe kritikën, që është pjesa e saj e sinqertë dhe kush nuk është dakord nuk mund të bashkëpunoj me atë.

“Interneti është një botë e larmishme ngjyrash. Mund të të ngrejë në një kohë të shkurtër por mund të të shkatërroj në një sekondë. Duhet të kesh të qartë në mendje dhe të jesh e sinqertë me ndjekësit e tu. Nëse ti shpreh një mendim jo të sinqertë për një produkt, ta siguroj që mund ti thuash lamtumirë karrierës tënde pasi do humbasësh besimin e ndjekësve dhe unë kam synuar gjithmonë cilësinë e raportiti që kam kirjuar me ata dhe jo rritja e numrave thjesht si simbol. Shumë brande që bashkëpunojnë me mua e dinë këtë gjë që përfitimi monetar nuk është e para në listën time, ndaj nuk ka çmim për mendimin tim të sinqertë për një produkt apo shërbim që promovoj.”

Fjona adhuron të zbuloj dhe të lexoj sa më shumë gjëra në kategori të ndryshme ndaj një gjë që ndoshta do habiteni është se ka mësuar për 5 vjet japonisht dhe flet rrjedhshëm japonishten. (e ka vizituar Japoninë dhe është dashuruar por nuk ka jetuar kurrë aty)

Gjatë kohës së karantinës ka bërë shumë intervista dhe shumë bashkëpunime live në radio të ndryshme italiane apo blogger/vlogger nga e gjithë bota. Ka zbuluar se adhuron të gjej çelësin dhe t’ju nxjerrë ato historitë e veçanta që e lumturojnë pamasë (në këtë pjesë e kuptoj plotësisht)

Momente të lumtura

E lumturojnë gjithashtu gjëra të vogla nga përditshmëria. Kur realizon një video dhe flet me babain duke marrë këshilla nga ai se si mund të realizohej ndryshe.  Prindërit janë fansat e saj më të mëdhenj dhe nuk humbasin asnjë video apo intervistë të sajën. (më besoni, më ka ndodhur që ta shikoj gjatë karantinës pothuajse çdo ditë live në radio apo programe të ndryshme Italiane dhe jam ndierë shumë krenare për atë)

Duke kaluar pjesën më të madhe të kohës në zyrë e mbyllur dhe shpesh kur udhëton në mbarë botën është gjithmonë me orare të limituar për të vizituar një seminar, pastaj të xhiroj videon, të bëj editim, intervista e kështu me radhë, ka kuptuar që momentet e thjeshta si takimi me njerëz në aeroporte apo taksi kanë lënë një kujtim më të thellë dhe human që ajo mundohet ti akumuloj dhe mos ti humbasë pasi është ajo prekja më botën reale që i mungon nga përditshmëria.

Tre janë ndoshta momentet më të veçanta që kujton me kënaqësi dhe nga këtu mund të kuptoni shpirtin e pastër dhe të  bukur të Fjonës:

Ndodhej ne “Mongol Rally” (në Mongoli) për një test drive për makinën Infinity dhe aty zbulon bukurinë e gjërave të thjeshta të jetës, se si njerëzit jetonin të lidhur me njeri-tjetrin dhe askush nuk e kishte idenë se çfarë ishte një llogari bankare. Zbuloi bukurinë e shkretëtirës dhe takoi njerëz që i kujton me nostalgji.

Moment tjetër është vizita në Formula 1, GP ku ndihej si një fëmijë në fabrikën e çokollatave dhe duke qenë një natyrë shumë kurioze nuk la pyetje pa i drejtuar menaxherit për çdo centimetër të atij vendi.

Gjithashtu një kujtim shumë i bukur që lidhet me fëmijërinë e saj janë momentet kur për pushimet verore kthehej me familjen në Tiranë dhe kalonte shumë kohë në shtëpinë e një mikeshe të ngushtë të mamit të Fjonës, që rastësisht është edhe një nga balerinat e para të Operës dhe Baletit, Aishe Toto (mamaja e Gerd Vasos, balerin shumë i dashur dhe i njohur për ekranin Shqiptar).

Një këshillë që do i jepte vetes dhe personave me karakter si ajo është që të besojnë më shumë në vetvete. Ka qenë shumë kritike ndaj vetes dhe ka menduar për një kohë të gjatë se të tjerët çdo gjë që e bënin, e bënin më mirë se ajo, ndaj edhe shpesh nuk ka arritur ta gëzoj suksesin e saj në mënyrën që e bënë tani duke u rritur dhe kuptuar rëndësinë e asaj që bën në stilin e veçantë që ka ndërtuar nder vitesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *