Ngjyrat e Shpëtime Lame

Shpetime Lame

“Në kopshtin tim nuk ka vend për barin e keq”- Shpëtime Lame.

Ka disa arsye kur mora vendimin dhe përgjegjësinë të promovoja historitë e vajzave dhe grave Shqiptare dhe njëra prej tyre ishte pikërisht për të frymëzuar sa më shumë vajza dhe gra të çfarëdo lloj moshe, besimi, etnie apo shkalle arsimi, se mund të arrijnë çdo gjë në jetë vetëm me pak këmbëngulje dhe pasion. Historia e gruas së këtij artikulli ka disa pika shumë të veçanta që më kanë prekur në nivel human, pasi është e pamundur të flasësh me këto vajza dhe gra çdo ditë e mos të prekin historitë e tyre.  Ky artikull ka surpriza pafund ndaj mos e humbisni historinë e Shpëtimes.

Kush është Shpëtime Lame

Shpëtime Lame, është nga zona e Sarandës. Mbetet jetime në moshën 10 vjeçare, me një vëlla të vogël 6 vjeç. Pasi i ati ri-martohet, kalon vite të vështira me njerkën dhe kërkon mënyra të ndryshme për tu larguar e për të krijuar një familje të sajën. Kur fati i vjen në derë dhe i organizojnë një martesë të kombinuar, do zbulojë se kjo do ishte gjëja e parë më e mirë që mund ti kishte ndodhur në jetë.

Vitet e vështira që kalon si jetime i lënë shumë shenja në shpirt dhe Shpëtime vendos ti hedhë në letër dhe të shkruaj rreth jetës së saj. Ndaj edhe unë nuk do ndalem shumë tek kjo pjesë e parë e jetës pasi respektoj vendimin e saj që të zbulojmë si ju edhe unë çdo gjë duke lexuar librin e saj. (që uroj të shikojë dritën në fund të këtij viti)

Shpëtime ka një familje të madhe, si ato tipiket tradicionalet shqiptare me prindërit e burrit, dhe vitet e para të martesës i është dedikuar rritjes së dy fëmijëve, mbarëvajtjes së shtëpisë dhe përkujdesjes së familjarëve me miqësinë që i shoqëronte shpesh ato vite. I pëlqen të krijoj fustanet për vajzën dhe gratë e shtëpisë vetë ndaj që në moshë të re ka qepur dhe qëndisur shumë. Kujton ato momentet kur vajzën e vishte me fustane nga më të ndryshmet në kopsht dhe pastaj në shkollë e ndihet krenare që fëmijërinë e vajzës dhe djalit ka arritur ti ngjyros me të gjitha nuancat e lumturisë. (në ndryshim nga fëmijëria e saj që mban mend më shumë gri)

Nga shtëpiake në bashkë drejtuese biznesi

Para 10 vjetësh humbet një familjar dhe bashkëshorti trashëgon biznesin që merret me materiale ndërtimi. Shpëtime në këtë pikë vendos të ndihmojë bashkëshortin dhe angazhohet çdo ditë në biznesin familjar, derisa u bë pjesë e pandashme dhe e domosdoshme e biznesit. Në momentin që të dy fëmijët transferohen në Tiranë për të ndjekur universitetin, kupton që puna është e vetmja gjë që do i mbushë ditët tashmë me ngjyra të tjera nga çfarë ishte mësuar më përpara.

Shpëtime është një nikoqire e vërtetë, adhuron të gatuajë dhe specialiteti i saj janë glikotë. (mezi pres të provoj glikotë e saj pasi fjalët më kanë ardhur deri në Tiranë) Ndërkohë që koha kalon mes punës brenda dhe jashtë shtëpisë, miqësitë që nuk mungojnë kurrë me dreka e darka, diçka e mundon thellë në shpirt.

Kujtimi i të ëmës po zbehet dhe ajo dëshiron të pikturojë  imazhin e saj. Fillimisht tenton ta hedhë në një punim xhami dhe pasi ia tregon artistes që ka në familje, të bijës, kupton që “ka dorë” për pikturë dhe më në fund bindet të nisi një kurs.

Shpëtimen e karakterizon një paqe e brendshme që besoj është fryt i shumë viteve punë me veten, një shpirt i bukur që nuk nxjerr kurrë fjalën e keqe për asnjë pavarësisht sa shumë mund ta kenë lënduar, një karakter solar që nuk lejon asnjë “bar të keq” në kopshtin e saj ku dëshiron ta ketë vetëm me lule shumëngjyrëshe që i dhurojnë kënaqësi e lumturi.


Puna me bashkëshortin e afroi akoma edhe më shumë në çift dhe ai ka gjithashtu një rol kyç në lumturinë e saj duke qenë mbështetësi më i madh dhe blerësi kryesor i punimeve që Shpëtime ka realizuar këto 2 vite.

Disa kuriozitete mbi Shpëtimen

Vajza e Shpëtimes është artistja Kristina Rexhaj, themeluesja e @Oniro.studio dhe në blog keni një shkrim edhe për të. Kristina ka një rol në këtë histori pasi jo vetëm që ka qenë një shtysë e madhe që Shpëtime të kultivoj pasionin e saj por, duke pasur më shumë eksperiencë në fushën e artit dhe kreativitetit, shpesh e këshillon për ngjyrat dhe metodat e ndryshme që mund të përdorë në pikturat e saj në telajo ose me laps.

Bashkia e Sarandës i ka propozuar që punimet e saj ti ekspozoj dhe ata të japin kontributin e tyre duke e ndihmuar në këtë nismë.

Ndërkohë që punonte në studion e saj në orët e vona të darkës kur gjithë të tjerët ishin në gjumë, kërkesa për të organizuar disa leksione fëmijëve të shkollës fillore në lagjen ku banon erdhi duke u rritur dhe Shpëtime krijon kështu grupin e vogëlushëve ku jep mësime për pikturë me dorë të lirë.
Arti dhe fëmijët janë pikërisht çelësi i buzëqeshjes që nuk mungon kurrë në sytë e saj.

Ajo që kishte nisur si një pasion vetjak për të shprehur emocionet e saj mbas një dite të lodhshme apo një dite të bukur, tashmë është kthyer një përditshmëri që i fal harmoni dhe ku shpesh gjen strehë në orët e vona të darkës. “Më duket sikur jeta ime ka rinisur nga e para. Kur pikturoj gjej paqe dhe pasi e kam mbaruar ndiej një lumturi të pashpjegueshme.”

Këshilla

 “Jeta më ka mësuar se padrejtësitë do ndodhin gjithmonë por nëse fal dhe nuk e mbush shpirtin me urrejtje apo ndjenja negative, mund të gjesh lumturinë edhe në gjestet e vogla e do jesh shumë herë më e lumtur.”

“Familja, arti dhe puna ta ngrenë shpirtin e të plotësojnë. Nëse diçka e bën me pasion do gjesh gjithmonë lumturinë.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *