Ngjyrat e Ana Meçaj

Ana Meça

“Njerëzit duhet të zgjohen në mëngjes dhe duhet të punojnë për të bërë ëndrrat e tyre realitet.” Ana Meçaj

Vajzën e këtij artikulli e kam takuar në shtator të 2019 në eventin e #globalwomanclub të organizuar nga #MirelaSula dhe Ana ishte një spikere, më e vogla në fakt ndër tyre dhe më tërhoqi vëmendjen me personalitetin e saj. Takimi jonë ishte një dëshirë reciproke dhe unë prita pak kohë para se ta përfshija në historitë e blogut edhe pse e dija që në momentin e parë që e takova se do ishte një histori e mirëpritur nga shumë të reja në Shqipëri.

Kush është Ana Meçaj

Ana Meçaj lind në Fier dhe në moshën 3 vjeçare transferohet me prindërit në Tiranë. Rritet në një familje patriarkale (si shumë familje Shqiptare) ku mbizotëron ideja se burri duhet të punojë e të sigurojë mirëmbajtjen e familjes dhe gruaja duhet të kujdeset për shtëpinë dhe rritjen e fëmijëve.

Duke u rritur kupton se kjo ndjenjë do e shtyjë të kërkojë gjithmonë e më shumë pavarësinë e saj dhe këmbëngulë për të qenë larg kësaj fryme patriarkale. Nisur nga kjo ide por gjithashtu nga dëshira e prindërve për të kërkuar më shumë nga vetja, vendos të ndjekë studimet universitare fillimisht në Stamboll dhe më pas zhvendoset në Vjenë për të përfunduar Bachelor për Menaxhim dhe Komunikim.

Ana ka ndjerë gjithmonë trysninë dhe paragjykimin e thellë ballkanas qoftë në shkollë nga stafi pedagogjik po ashtu edhe nga shoqëria që e rrethonte. Ndjen sikur askush nuk e kupton dhe e pranon me karakterin e saj të veçantë…se idetë e saj për jetën në përgjithësi dhe sipërmarrjen në mënyrë specifike janë të një niveli tjetër dhe cdo gjë në Shqipëri i “rri ngushtë”.

Por largimi fillimisht nga ambienti toksik dhe vetëbesimi që fiton duke studiuar në dy shtete kaq të ndryshme nga njëri-tjetri por kaq shumë inovator dhe mbështetës të mëdhenj të ideve që kanë të rinjtë, do e përgatisë për një të ardhme më të shndritshme.

Ana Meçaj është një vajzë me ide të qarta për jetën, me ato ngjyrat e ndezura që sjellin në mend ndjenjat e forcës dhe fuqisë. Ky ndërgjegjësim ka ardhur herët kur ka qenë një vajzë e vogël. Duket sikur teoria e “visualization” ka qenë një pjesë e lindur e Anës pasi kujton që në vegjëli ka pasur ide kreative dhe ka dashur gjithmonë të jetë një sipërmarrëse.

Në kuadër të saj ka bërë edhe zgjedhjet e jetës hap pas hapi. Duke nisur nga një gjë shumë e thjeshtë por mjaft e rëndësishme që ka bërë në moshën 18 vjeçe dhe aty e kuptova se kjo vajzë do ketë një rrugë të gjatë suksesi përpara.

Për të përfituar vizën dhe të studionte jashtë vendit, familja i ka mundësuar shumën e nevojshme që kërkohet në këto raste (një shumë që shkon nga 5-10 mije euro zakonisht pasi ndryshon nga shteti në shtet). Ana duke e pasur të qartë se ku dëshiron të arrijë në jetë, nuk e përdor këtë shumë edhe pse mund të ketë ndjerë nevojën në momente të ndryshme, (unë dhe me siguri 99% të studentëve të tjerë që kemi studiuar jashtë e kemi përdorur këtë fond vitin e parë të universitetit) por e bllokon për 3 vjet në bankë duke përfituar interesa dhe me idenë që të përdorë këtë shumë në momentin që do hapë biznesin e saj në Shqipëri dhe mos të ketë nevojë për të mare kredi. (kush nga ju e ka bërë këtë gjë të ngrejë dorën?)

Veçantitë e Ana Meçaj

Lexon shumë libra me temë biznesi dhe motivues. Ngrihet herët çdo mëngjes me një plan të qartë në mendje ku shpesh e harton një ditë më përpara (daily journal është tipike e biznesmenëve internacional) dhe çdo ditë mundohet ti qëndrojë besnike këtij plani.

Fakti që flet gjuhët e huaja në mënyrë perfekte si Anglisht, Gjermanisht dhe Turqisht mund të jetë një plus për karrierën që ka në plan, por Ana punon vazhdimisht që këto aftësi që ka përfituar të mos i humbasë, ndaj 1 orë në ditë ia dedikon ushtrimit të gjuhëve të huaja (qoftë edhe një orë para pasqyrës).

Besoj e kuptuat që keni përpara një vajzë shumë këmbëngulëse dhe tashmë më vetëbesimin e përfituar se ajo mund të zgjedhë rrugën më të mirë për të dhe çdo hap që bën e bën me idenë për t’iu afruar çdo ditë e më shumë stilit të jetës që e bën të lumtur.


I pëlqen e bukura dhe si një vajzë e re që është i pëlqen të kujdeset për veten dhe shpesh më thotë se këtë ia ka vënë detyrë gjithashtu vetes që mos ta lëri pas dorë për çfarëdo lloj arsye në jetë. (mund ta kuptoni edhe nga Instagrami i saj që është i kuruar me postimet që ndan)

Kjo vajzë jo vetëm që ka prirje në biznes por me plot gojë e shikoj një sipërmarrëse dhe lider në të ardhmen ku me siguri intervista e radhës do jetë pasi të ketë arritur atë suksesin që ka vendosur dhe do mund të ndaje me vajzat e reja një eksperiencë më të kompletuar .

Humbja e kohës është diçka që nuk ekziston në fjalorin e saj ndaj Ana ka bërë 4 biznes plan për çdo hap që i duhet të ndërmarrë për të nisur karrierën e saj si sipërmarrëse. Gjithashtu temën e bachelorit e ka vendosur pikërisht në linjë me atë që ajo dëshiron të bëjë në jetë duke e kthyer në një studim të mirëfilltë tregu që mund ti shërbej gjithashtu për planet e të ardhmes aspak të largët. (për sa i përket planeve në mënyrë më të detajuar, duhet të presim edhe pak për ti zbuluar)

Këshillat

“Një këshillë për të rejat apo moshataret e mia: mos humbisni kohën kot nëpër kafe.  Menaxhoni kohën që dëshironi për kafe, kohën për të investuar te vetja duke mësuar një aftësi të re apo një gjuhë të re. Mos e harxhoni kohën e çmuar në aktivitete që nuk sjellin asnjë prodhimtari për ju.”

“Mos I shikoni gjërat si të pamundura. Nëse dikush ia ka dalë mbanë atëherë edhe ti mund t’ia arrish.”  
Një këshillë e veçantë vjen edhe për prindërit – “Kuptojini fëmijët dhe pranojini ashtu siç janë. Mos i krahasoni me të tjerët duke i ndrydhur por jepni suportin tuaj për atë që duan të arrijnë apo për njeriun që duan të jenë.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *