Ngjyrat e Sabahete Osmani

Sabahete Osmani, e njohur ndryshe thjesht Sabi, është nga ato vajzat që kur e takon ndjen se një energji e madhe tërheqëse e karakterizon dhe pasi flet me atë e kupton nga buron kjo energji.

Sabahete Osmani lind në Tropojë dhe në moshën 5 vjeçare transferohet me familjen në Tiranë. Është shumë e lidhur me familjen dhe sidomos me vëllain e saj, më të voglin e fëmijëve. Ka një natyrë të qetë dhe kjo do rezultojë ndoshta edhe çelësi, pas shumë vitesh, i suksesit të saj.

Sabi përfundon universitetin në fakultetin e Shkencave Sociale. Në një nga eksperiencat e para të punës njihet me atë që më vonë do jetë bashkëshorti i saj. Të dy vendosin të hapin një biznes bashkë duke pasur lidhje të mira me shtetin fqinjë, Italinë.

Biznesi i parë do jetë ai i Call-center që do rezultojë mjaft fitimprurës, por Sabi është gjithmonë në kërkim të një ideje inovatore dhe çdo herë është gati të guxoje për më shumë. Ndaj kur së bashku me bashkëshortin vendosin të hapin një restorant në Golem “Restorant Perla” zbulon se adhuron edhe boten e marketingut.

Ngjyrat e sipërmarrjes

Biznesi i pare kishte krijuar mjaft lidhje me Italinë dhe pasioni i ri për marketingun bëjnë që të gërshetohen në një ide ndryshe nga bizneset e tjera. Një mënyrë e re turizmi në Shqipëri duke tërhequr jo vetëm me bukurinë e vendit tonë por edhe me kostot me të ulëta në fushën e mjekësisë dhe stomatologjisë. Ndaj shumë shpejt Sabi do lidhet me bizneset e tjera shqiptare në fushën e hoteleri dhe turizëm, do organizoje paketa të ndryshme turistike me qëllimin kryesorë që të promovojë shërbimin dentar dhe shumë shpejt fokusi i saj do jetë kthyer vetëm në këtë biznes të ri.

Lind kështu në vitin 2018 #EasyAlbania, një kompani turistike ndryshe nga të tjerat.

Sabi kujton momentet jo fort të lehta kur kanë hapur biznesin e parë më bashkëshortin, pasi ajo ka qenë shtatzënë dhe i është dashur të punoj fort për të arritur objektivat që çifti kishte vendosur. Gjithashtu në hapjen e bizneseve të tjera i është dashur të sakrifikoj shumë kohën më djalin derisa arriti një moment kur vendosi balancën e duhur midis punës dhe familjes.

Një ndihmë shumë e rëndësishme dhe konstante ka qenë familja e saj që i janë gjendur pranë në çdo hap që ajo ka hedhur. Mbështetja e madhe nga motra jo vetëm në kujdesin e djalit por edhe rritjes së tij, ndërkohë që Sabi dhe bashkëshorti punonin me orare të zgjatura e pa një ditë pushim në fillimet e tyre.

Po ashtu ndihma dhe suporti ne krijimin e EasyAlbania duke punësuar njerëz te besueshëm me të cilët ajo është rritur dhe mund të delegoj disa punë duke pasur besimin që çdo gjë do bëhet duke respektuar vizionin e saj. Pikërisht ky është një celës suksesi që Sabi thekson në ngritjen e bizneseve të ndryshme gjatë kësaj kohe: Stafi i përzgjedhur që ajo i ka besim të plotë.

Sabi së bashku me EasyAlbania do hapë edhe dyqanin #sweethome që gjithashtu shijon suksesin që ne momentin e hapjes. Tashmë ka arritur në balancimin e mirë dhe të shëndetshëm, duke deleguar shumë prej punëve dhe duke u fokusuar kryesisht në rritjen e EasyAlbania dhe shijimit të kohës me djalin dhe bashkëshortin.

Karakteristikat e Sabi Osmanit

Sabahete është shume e qetë dhe solare, adhuron risitë dhe punon fortë që çdo ide biznesi të kthehet në sukses. Ndoshta fillimisht më jep përshtypjen e një vajze me karakter të fortë dhe kryeneçe, siç janë vajzat Tropojane, por Sabi ka një anë tjetër që me siguri e ndihmon të arrijë atë çfarë do në jetë: Është shumë kreative dhe është gjithmonë në projektimin e hapit të radhës apo të idesë së suksesit që vjen mbrapa. Ka gjithmonë në mend objektivin kryesor dhe punon fort për t’ia arritur. Ka një mënyrë të dashur dhe të ngrohtë që të përfshin në atë që beson dhe mendoj shumë pak veta arrijnë ti thonë jo duke hasur një natyrë kaq të veçantë.

Sabi është një sipërmarrëse e re në fushën e shërbimeve dentare por jo vetëm. Duke folur me atë më zbulon se projekti i radhës është finalizimi i një aplikacioni që do ndihmojë në promovimin e turizmit Shqiptar dhe lehtësimin e kërkimit, nga ana e klientëve, të agjencive Shqiptare që ofrojnë paketa të ndryshme.

Për arsye se është ende në fazat e regjistrimit të patentës së këtij projekti, preferon të flasë njëherë tjetër më gjerë për këtë projekt që e shikon me shumë dashuri dhe beson se do jete sa inovator po aq edhe i rëndësishëm sidomos në këtë periudhë të vështirë që po has vendi ynë dhe industria e turizmit. (ndoshta ndër më të prekurit nga kjo pandemi)

 Ka një anë altruiste që e zbuloj shumë rastësisht duke biseduar me atë. Planet dhe projektet për të ardhmen kërkojnë ndoshta shumë fonde por Sabi ndjen se ka një mision në jetë- të shërbejë për shoqërinë dhe komunitetit që e rrethon në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndaj edhe dëshira e saj që të krijoj një mundësi punësimi për moshën e tretë në një projekt më vete në të ardhmen më lë pa fjalë.

Sabi përfshihet në çdo event ku fokus kryesor kanë turizmin, teknologjinë dhe gratë. Ndaj mund ta shikoni shpesh, së bashku me sipërmarrëse të tjera që i janë bashkuar lëvizjes së #globalwomanclub duke promovuar rolin e gruas në biznes apo në role të rëndësishme të sipërmarrjes.

Pak statistika

Drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimaj, në një aktivitet për gratë në biznes I mbajtur gjatë vitit të kaluar, theksoi se ka ndryshuar përfaqësimi i gruas në sipërmarrje, por që mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Sipas INSTAT në vendin tonë 25.5% e grave janë të përfshira në tregun e punës me pagë, ndërsa pjesa tjetër janë të punësuara në biznes familjar  apo të vetë punësuara. 42% e grave të punësuara janë në sektorin bujqësor, sektor që ka përfshirjen më të lartë të grave.

Kemi nevojë për një rritje të numrit të grave në biznes dhe pikërisht për të dhënë kontributin e saj dhe këshilla të çmuara për vajzat e tjera që dëshirojnë të nisin një rrugëtim të përafërt apo të njëjtë, Sabi I bashkëngjitet  grupit InnvestFund duke u bërë pjesë aktive si Prime Investor. (për më tepër info mbi INNvest Fund, lexo “Një bashkëpunim SUKSESI )

Tre janë ngjyrat që e karakterizojnë një vajzë si Sabi Osmani: çiltërsia dhe zemra e bardhë, e zeza klasike në veshje dhe bruz (turquoise) me nuancat e feminilitetit, durimit, intuitës, ëmbëlsisë, ekuilibrimit emocional dhe energjisë së pashtershme.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *