Ngjyrat e Noa Nur

Noa Nur_hajdeseflasim

 “Vullnet nuk kanë njerëzit që arrijnë, por njerëzit që vazhdojnë” Noa Nur.

Në një botë të egër ku ëndrra vrasësit janë me shumicë, disa sepse ashtu mendojnë vërtet pasi nuk kanë parë apo jetuar një realitet më të mirë, disa sepse dikush tjetër ua ka vrare ëndrrat dhe vazhdojnë trashëgiminë ta mbajnë gjallë duke ua vrarë të tjerëve… disa sepse askush nuk u ka treguar të kundërtën dhe e marrin për të mirëqenë që ashtu është.

Pastaj janë ata më të rrezikshmit që e besojnë verbërisht diçka  dhe mundohen medoemos ta kalojnë edhe ty si të vërtetë. Aq sa në një moment të caktuar mendon se ti realisht nuk mund të arrish në atë pikën që kishe vendosur dhe se të ëndërrosh qenkërka prej një bote tjetër imagjinare dhe ti mund të vet diagnostikohesh me probleme  si halucinacione apo çrregullim mendor në fazë drastike.


Kështu ndodh shpesh në mbarë botën por sidomos në shoqërinë tonë Shqiptare ku ende ndihen efektet e diktaturës që “vriste” çdo shpirt ëndërrimtar. Më ka ndodhur shpesh para dhe pasi u ktheva në Shqipëri dhe jam e sigurt që ju ka ndodhur edhe secilës prej jush. (kam shkruar një artikull për një eksperiencë të tillë, e gjeni këtu)

E dini çfarë kanë të përbashkët vajzat dhe gratë që kam intervistuar deri më tani? Janë luftëtare dhe janë fansi numër një i vetes dhe ëndrrave të tyre. Ndaj përpos shumë vështirësive, dyerve që u mbyllen në fytyrë apo gjithë JO-ve që marrin në fillimet e karrierës apo biznesit të tyre, ato kanë besuar tek vetja dhe tek ëndrra e tyre dhe i kanë realizuar sepse nuk kanë hequr dorë kurrë.

Copëza jete


Thonë se është e vështirë të shkruash për shkrimtarët pasi kanë një shpirt unik dhe shumëdimensional që në momentin kur mendon se i ke zbuluar, kupton se je akoma shumë larg. Unë zakonisht e kam këtë fuqi, të kuptoj përtej asaj që më rrëfehet dhe të shkruaj përtej asaj që të tjerët shikojnë.

Por duke folur me gruan e këtij artikulli e kuptoj fare mirë përse një pjesë ajo dëshiron ta mbaj mes nesh dhe jo ta shfrytëzoj për të bërë publicitet vetes apo punës së saj si shkrimtare. Sa më shumë flas me të, aq më shumë e adhuroj personalitetin e saj dhe e respektoj vendimin për të ndarë një copëz të jetës së saj.

Kush është Noa Nur

 Noa Nur është një grua plot surpriza dhe ju nuk mund ta merrni me mend se sa. Teksa bisedoj me të, sikur të ishim dy mike të mira që nuk takohen prej vitesh, një hije e lehtë trishtimi më bën kurioze  edhe pse ajo arrin shumë mirë ta maskoj me buzëqeshjen rrezatuese që ka dhe me sytë e shkruar që të përpijnë e të drejtojnë në një botë tjetër. Noan e karakterizon një çiltërsi çarmatoseshe dhe kushdo që e njeh do më japi të drejtë kur them që ka shpirtin e pastër e shumëngjyrësh të një fëmije.

“Sinqeriteti çarmatos njeriun e mirë dhe mbush arsenalin e të pabesit”

Noa është një nga ato gratë që të fton të ulesh këmbëkryq dhe të flasësh gjuhën e pastër të mëmës pa pasur ndrojtje apo komplekse. Transferohet në Shqipëri për dashurinë para 20 vjetësh dhe jeta e saj merr tërësisht një rrugë tjetër.

Fati do që familja e saj të jetë ajo dhe bashkëshorti. Edhe pse vështirësitë nuk kanë munguar gjatë jetës, Noa me shpirtin e saj pozitiv sa mund të mbajë me të një komb të tërë nëse do ishte e nevojshme, nuk lejon që ta ndryshojnë apo ta mposhtin. Dashuria për poezinë dhe shkrimin ka lindur që në fëmijëri dhe është i ati që i ka dhënë shtysën e parë. Pasi kupton modelin ku gjendet më mirë, fillon të japi jetë poezive të para që në adoleshencë.

Do kalojnë vite dhe shumë profesione të ndryshme para se të marrë guximin dhe ti ndajë me të tjerët poezitë dhe prozat e mbledhura gjatë viteve. “Poezia ka vdekur” e ka dëgjuar shpesh edhe nga shtëpitë botuese. Por Noa nuk heq dorë dhe kërkon personat e duhur me të cilët të bashkëpunoj dhe ti japi ngjyra ëndrrës së saj.

Si lindi libri dhe blogu

“Kurrë Gri” është libri i saj i parë dhe brenda do gjeni një mori nuancash dhe emocione që siç thotë edhe ajo, vetëm Gri nuk janë.
“Si mund të kthej kusur kur po ma thyen jetën me qindarka. Kjo qenka të jesh poet, të urrej atë që më shumë dua?”

 Kishte bërë tashmë hapin e parë duke nisur një blog para 6 vjetësh, që fillimisht shkruante për tematika në fusha të ndryshme dhe dalëngadalë fokusohet në atë që është sot @hajdeseflasim
Një emër kaq origjinal sa edhe Noa si personalitet. Libri erdhi si një përmbledhje e ngjyrave që kanë përshkuar jetën e saj, por Noa nuk ka reshtur kurrë së shkruari, ndaj më besoni kur ju them se ka material sa edhe për 2 libra të tjerë pa shkruar asgjë më tepër.

@hajdeseflasim të fton realisht të flasësh mbi tematika që mund të shkojnë nga ato më baziket për jetën e deri tek ato që mund të prekin shpirtin e çdo kujt: 
“Nuk dua të shpjegoj pse shkruaj. Konsideroje si të duash terapi apo fiksim. Konsideroje çmenduri apo humbje kohe. Për disa shkrimi apo arti është vetëm një terapi e trishtueshme, por nuk është. Vërtet, mbase të shkruash të bën mirë… të tjerë thonë të bën keq, sido që të jetë unë shkruaj. Kur shkruaj jam unë, sepse është e vetmja gjë që nuk më ka lënë kurrë, në kohë të mirë dhe në të keqe.”

Ngjyrat e Noa-s

“Kur shkruaj jam unë” nuk do të thotë vetëm që pas blogut dhe faqeve në rrjetet sociale është ajo fizikisht dhe jo një person që mirëmban faqet. Por kur shkruan është Noa, vetvetja. Çdo moment është i mirë për të shkruar. Kur është e lumtur shkruan. Kur është e mërzitur shkruan. Kur është e zhgënjyer shkruan. Kur është e frymëzuar shkruan. “Nuk më duhet shumë për tu frymëzuar. Unë frymëtohem shpejt. Më mjafton çdo gjë për ta kthyer në prozë ose poezi.”

Jam e sigurt që dikush tjetër në vendin e saj do kishte përdorur disa pjesë të veçanta të jetës së saj dhe portalet e mediat televizive do e kishin të ftuar në çdo program. Noa ndoshta do shiste mijëra kopje të  librit e mund të ishte kthyer shumë shpejt në një personazh publik (ose shtëpitë botuese me PR do e kishin kthyer në një ikonë duke i qepur një histori që realisht shet shumë) e tani do e shikonit kudo online. Por ka zgjedhur dhe dëshiron të njihet për punën e saj si shkrimtare pasi siç e thotë edhe ajo gjatë bisedës sonë- ”Suksesi është i mbivlerësuar”

“Heronjtë e vërtetë nuk kanë kohë të jenë të suksesshëm. Nuk kanë kohë të valëvisin arritjet e tyre. Ata kujdesen tepër të shpëtojnë botën e jo të jenë të famshëm. Nuk kanë kohë të korrin lavdi e fitore….Nëse ndihesh dështak, ka shumë mundësi të jesh hero.”

“Jam e kuqe

Dukem e blertë

Endem drejt blusë

Me raste jam e verdhë

Apo plotësisht e zezë

Por kurrë gri”

Nëse doni të dini më shumë, vizitoni faqen e instagramit #hajdeseflasim dhe porosisni librin #kurrëgri

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *