Ngjyrat e Anta Haxhiraj

Anta Haxhiraj per Colorourlives.com

“Më thuaj një gjë dhe unë do ta harroj. Më mëso diçka dhe unë do ta kujtoj. Më përfshij dhe unë do të mësoj.”

Mund t’ju ketë ndodhur që të keni dëgjuar “teorinë e tërheqjes” (Law of attraction) dhe se si mendjet pozitive tërheqin evente pozitive në jetë. Vajza e këtij artikulli mendoj se është prova reale e kësaj teorie. Jo vetëm që është një vajzë pozitive, e përulur, mendjendritur dhe shumë punëtorë, por edhe mjaft kreative me shpirtin e një sipërmarrëse inovative. 

Kush është Anta Haxhiraj

@AntaHaxhiraj është vetëm 27 vjeçe  por me siguri mund t’ju japë disa këshilla shumë të vlefshme mbi sipërmarrjen. Anta lind në Sarandë, në një familje që e përkrah që në hapat e parë të jetës. Ngjyrat e kreativitetit dhe dashuria për artin kanë zanafillën që në vegjëli dhe Anta do zbuloj pas shumë vitesh që këto vlera do ishin pikat mbi të cilat ajo do mbështetej për tu diferencuar nga të tjerët.

Në 2011 Anta vendos të studioj mjekësi të përgjithshme dhe transferohet në Tiranë ku do të nisë edhe jeta e saj prej sipërmarrëse. Në moshën 21 vjeçe hap një blog, #cocomed ku ndan këshilla dhe artikuj mbi kujdesin e lëkurës dhe çdo gjë rreth produkteve organike. Në atë kohë ndjek shumë bloggere dhe influecer të huaj që këshillojnë në mënyrë të veçantë linjën PuroBio. Nisur edhe nga kërkesat e shumta të mikeshave dhe ndjekësve të saj rreth produkteve organike më të përshtatshme për ato, vendos të bëj një blerje të vogël nga PuroBio dhe mbetet e surprizuar nga rezultati pasi produktet u shitën brenda 24 orëve.

Nis kështu që krahas blogut dhe rrjeteve sociale, që në atë kohë shërbenin vetëm për të drejtuar lexuesit në blog, të fillojë shitjen e produkteve të linjës Italiane në mënyrë ekskluzive. Anta kujton që nuk ishte e lehtë pasi në fillim nuk arrinte as të kishte një përgjigje nga brandi, por ajo nuk humbi besimin tek vetja dhe duke këmbëngulur arriti të nisë një bashkëpunim me kompaninë që më vonë do kthehej shumë frytdhënëse për të dyja palët.

Si lindi CocoShop

Anta kuptoi shpejt, në momentin që kërkesa për produktet organike po rritej në Shqipëri, që tashmë blogu nuk ishte i mjaftueshëm. Me ndihmën e partnerit, që në atë kohë jetonte në një shtet tjetër, hap dyqanin online të Cocomed dhe lind kështu CocoShop online, i pari e-shop në  kategorinë e vetë.

Ndërkohë që Anta kishte përfudnuar universitetin për mjekësi të përgjithshme por kishte nisur specializimin për mjekësi estetike, negocionte me brandin për të pasur produktet në kohë, merrej me shitblerjen, me marketingun online dhe dorëzimin, (që e bënte personalisht pranë universitetit) çdo gjë po bëhej më e vështirë. Shërbimi postar erdhi shumë në ndihmë dhe rrjeti i klientëve u rrit duke mundësuar shitjen e produkteve në gjithë Shqipërinë.

Më vonë kupton se ishte gati të bënte hapin e radhës dhe në 2015 hap dyqanin fizik të Cocoshop pranë librit universitar. Mendoi se më këtë lëvizje do kishte zgjidhur shumë kërkesa dhe menaxhimin e punës, por në fakt rezultoi e kundërta.

Klientët erdhën duke u rritur jo vetëm online por edhe në dyqan dhe kërkesat tashmë ishin nga më të ndryshme, ndaj shumë shpejt Anta do jetë në kërkim të një brandi tjetër që ndanë të njëjta vlera me linjën e parë. Nis bashkëpunimi me Biofficina Toscana dhe më vonë me Domus Olea Toscana duke mbuluar në këtë mënyrë çdo kërkesë për përkujdesjen e trupit, fytyrës, flokut dhe make-up.

Aktualisht Anta është kontraktore e vetme në Shqipëri i këtyre 3 linjave dhe nëse keni një biznes në fushën #skincare apo farmaci që trajtoni edhe produkte kozmetike e dëshironi të keni këto produkte, duhet të kontaktoni drejtpërdrejt me Antën pasi ajo mbulon Shqipërinë dhe tashmë Kosovën gjithashtu për këto brande.

Produktet kozmetike Italiane të CocoShop që janë të certifikuara, mund ti blini online nga faqja e cocomed.al, në dyqanin e CocoShop në Tiranë dhe Prishtinë por gjithashtu edhe në 11 pika të ndryshme që bashkëpunojnë me Antën në qytetet si Durrës, Sarandë, Elbasan dhe Shkodër. Jo keq për një vajzë kaq të re që nisi rrugëtimin duke hapur një blog për të dhënë këshilla mbi skincare dhe produktet organike apo jo!?

Vështirësitë e Anta Haxhiraj

Deri këtu lexuat pjesën e bukur të kësaj historie. Jeni gati për ngjyrat e vështirësisë, dyshimit, frikës dhe dilemave të ndryshme? Antës i është dashur shumë punë dhe shumë mund. Siç thashë edhe më sipër ka qenë vetëm një studente kur nisi këtë rrugëtim dhe siç mund ta merrni me mend një studente e mjekësisë nuk para ka shumë kohë për tu marrë me aktivitete jashtëshkollorë. Imagjinoni nëse merr edhe një hap të tillë të një biznesi online.

Anta ka pasur mjaft momente kur ka dyshuar nëse po bënte gjënë e duhur. Nëse pas çdo vështirësie që kalonte duhet të hiqte dorë pasi kishte bërë më të mirën por shpesh herë pasi zgjidhte një problem duhej të merrej me një tjetër pas pasur shumë kohë të gëzonte frytet e punës apo të relaksohej si shumica e moshatareve.

Fakti që partneri ndodhej në një shtet tjetër e bënte më të vështirë menaxhimin e kohës. (nga ana tjetër ka qenë fat pasi mbështetja jashtë mase e këtij personi arriti që të hapte e-shop online dhe më vonë kur jeta i solli pranë e mbështeti në zgjedhjet e tjera që bëri në jetë)

Nuk kanë qenë të paktat as herët kur e mbyllte ditën më frikën se ditën tjetër kjo gjë nuk do ekzistonte më. Lodhja, ngarkesa e tepërt ndoshta për një vajzë kaq të re që nuk ishte akoma eksperte as në këtë fushë dhe as në biznes në përgjithësi. Shumë herë i është dashur të mësoj nga gabimet e veta dhe shpesh herë i është dashur të bëj sakrifica, qoftë në aspektin monetar po ashtu edhe në atë kohor. Menaxhimi i kohës ka qenë një problem themelor derisa duke u rritur mësoi si ta menaxhojë si në planin  personal po ashtu edhe në atë profesional.

Ngjyrat e virtyteve

Anta është një vajzë mjaft e ëmbël, pozitive dhe shumë kurioze. Ndoshta me impaktin e parë nuk të jep përshtypjen, por është shumë këmbëngulëse, virtyt ky që mund të jetë edhe çelësi i suksesit të saj. Suporti familjar ka qenë më tepër emocional se sa monetar dhe pikërisht nga kjo arsye ajo është shtytur që në fillim kur ka menduar të hapë një biznes online: dëshira për të qenë e pavarur ekonomikisht dhe për të bërë diçka që ajo pëlqen. Edhe pse në të ardhmen e shef veten me një klinike të sajën “med-estetik” por gjithsesi cocoshop është si fëmija i saj dhe punon në çdo aspekt që të rritet bashkë me të.

Bashkëpunime të suksesshme

Në momentin që Cocoshop lindi si biznes, Anta pati fatin që Instagrami kishte ende një algoritëm të thjeshtë dhe rritja e ndjekësve erdhi në mënyrë shumë natyrale. Gjithsesi është fryt i një punë konstante dhe të mirë kuruar qoftë nga ana e kontentit dhe mesazhit, po ashtu dhe nga ana e kreativitetit vizual. 

Anta pikasi në atë periudhë 2 bloggere Shqiptare si #Fatma dhe #EstelaUjka të cilat bashkëpunuan me cocoshop duke rritur brand awareness dhe më vonë rezultatet në shitje.
“Rezultatet vijnë gjithmonë. Duhet patur pak durim pasi ndoshta nuk vijnë menjëherë dhe nuk duhet hequr dorë nga bashkëpunimet.”

Më vonë një investim të mirë Anta vendosi ta bëj në realizimin e videove dhe fotove nëpërmjet një agjencie të specializuar në fushën e marketingut, por duke ndjekur linjën e kreativitetit që Anta vendosë. Shfrytëzon të gjitha rrjetet sociale si youtube, facebook dhe instagram dhe realizon kështu video tutorial-in e parë në shqip me produktet e PuroBio me vlogeret si #Estela Ujka dhe #SaraKaraj.

Tashmë i dedikon një buxhet të konsiderueshëm marketingut duke parë edhe rritjen e biznesit dita ditës por i qëndron besnike vlerave që ka pasur që ditën e parë të krijimit: “Produkte organike të certifikuara; Cocoshop beson fort se përkushtimi dhe mundësimi i një shërbimi ndaj klientëve të një standardi të lartë na ka ndihmuar të rritemi dhe ky është kusht parësor për çdo njeri që dëshiron të punojë apo bashkëpunojë me ne!”

Thonë se mendjet e shkëlqyera i gjejnë bukuritë dhe i vlerësojnë ato dhe kjo është arsyeja pse këto mendje nuk mund të shmangin të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Ndaj nuk u çudita kur mora vesh se ngjyrat kaq kreative dhe inovatore të dy themelueseve si Fabiola Duro e #InnvesFund dhe #AntaHaxhiraj  kur bashkohen bashkë mund të sjellin një shpërthim ngjyrash suksesi. Prej vitit 2020 Anta është pjesë aktive e grupit Prime investor në #InnvestFund. (për më tepër info mbi INNvest Fund, lexo “Një bashkëpunim SUKSESI )

Këshillat dhe planet

Besimi në vetvete që ka kjo vajzë të lë pa fjalë dhe është diçka për tu admiruar në çdo aspekt të sajën.
Dëshira është që cocomed të rritet si dyqan fizik në treg dhe pse jo të zgjerohet ose të ketë një pikë të dytë në një qendër komerciale të kryeqytetit.

Ndërkohë Anta nuk kursen edhe këshillat për vajzat dhe gratë që dëshirojnë të nisin rrugëtimin e sipërmarrjes: – “Mos u nis nga suksesi i dikujt tjetër e ta marrësh si shabllon të gatshëm. Ajo që për dikë funksionon ose dështon nuk do të thotë që mund të funksionojë apo dështojë edhe për ty. Shembujt e suksesshëm duhen  por thjesht si shembuj. Mos u nis për të kopjuar por për të qenë vetvetja.”


“Këmbëngulja është shume e rëndësishme. Nëse nuk e provon atëherë je e dështuar që në fillim. Rezultatin nuk e di asnjëri kur nis këtë rrugëtim. Durimi është diçka tjetër që duhet të mësojë dikush që kërkon të ketë një biznes të suksesshëm dhe afatgjatë. Frytet e punës duan kohën e vetë dhe jo gjithmonë i shikon në momentin që ti mendon apo pretendon. Durim dhe këmbëngulje!”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *