Ngjyrat e Viola Xhafa

“Nxito ngadalë sepse formimi merr kohë” Viola Xhafa

David Grossman në një letër për Koronavirusin (që e gjeni në blog të përkthyer) shprehej se pasi të përfundonte karantina do kishte shume profesione të reja, si pasojë e zgjedhjeve që shumë njerëz gjatë kësaj periudhe do kishin zgjedhur të bëjnë. Njerëz që mund të fillojnë diçka krejtësisht të re, ndoshta diçka për të cilën kanë pasur dëshirë dhe ëndërruar që kur kanë qenë të vegjël, apo një punë me të cilën janë dashuruar kohët e fundit dhe kanë zbuluar se i bënë të lumtur.

 Për ata që kanë pasur “fatin” ta zbulojnë në kohë dhe kanë arritur të shkëputen në kohë nga puna e mëparshme pasi nuk kane qene te lidhur ne mënyrë specifike por thjesht u duhej një hyrje fikse për të përballuar jetesën, mund të quhet një fat. Për ata qe nuk kane pasur mundësinë te shkëputen por e kane gjetur tashme se çfarë duan dhe kane hedhur hapat e pare drejt kësaj rruge, mund te themi qe janë ne një pike te mire.

Kush është Viola Xhafa

Vajza e këtij artikulli është një nga ato vajzat qe me ranë ne sy direkt nga rrjetet sociale për 2 arsye: Për dashurinë që vendos në gatim dhe mënyrën spontane më të cilën prezantohet. Reale dhe me një buzëqeshje rrëzëlluese që të përfshin e të çon në një botë paralele ku çdo gjë prezantohet më e bukur dhe me shumë shije.

Viola Xhafa është një vajzë që ka lindur në Durrës dhe jeta e saj është e ndare midis Shijakut dhe Tiranës ne këto momente. Ka humbur të ëmën në një moshë shumë të vogël por ka pasur fatin të ketë një baba që ka qenë edhe miku i saj më i mirë dhe mbështetësi numër një për çdo zgjedhje që Viola ka bërë në jetë. Pasi përfundon universitetin në degën e Financë dhe Biznes ndërkombëtarë, teston veten në role të ndryshme në fushën e financës. Aktualisht punon në një kompani private si specialiste buxheti dhe marketingu.

Por Viola nuk është pjesë e historive të blogut për dashurinë e saj me numrat. Gjatë periudhës së karantinës një dëshirë që vlonte që kur ishte e vogël merr jetë dhe fillon të hedhë onlinë pa e menduar shumë blogun “Mamma Mia Diet”. Nëse mendoni se keni të bëni me ushqime dietike e keni shumë gabim. Viola adhuron shijet e shtëpisë, të ushqimeve të shëndetshme dhe atyre që i sjellin ndër mend kujtimet aq të dashura të familjes. Dashur pa dashur huazojmë shpesh fjalë dhe shprehje të gjuhëve të huaja dhe këtu ka zanafillën emri i blogut.

“Emri I bën pak karshillëk dietave, të cilat më shumë në fakt shikohen në kontekstin e reduktimit të kalorive, edhe pse mund të jetë definicion I gabuar. Ideja ishte të prezantonte faqen e cila do kishte gatime, por jo dietike, përkundrazi; gatime aq të shijshme sa të bëjnë të thuash ‘’Mamma Mia’’ – Oh my- nisur nga kuzhina italiane që është ndër më të preferuarat e mia.”

Kjo është historia e një vajze shumë të veçantë që mund ta takoni çdo ditë në rrugët e Tiranës por mund ti shpëtojë syrit tuaj të lodhur dhe të stresuar nga rutine e punës së përditshme. Ndaj nëse ju bie rasti ta shikoni dhe për më tepër të shijoni buzëqeshjen e saj gjithëpërfshirëse, jam e sigurt se nuk do ngopeni.

Ngjyrat e një babai shembullor

Viola ka një raport shumë të veçantë më të atin. Duke mbetur i ve në një moshë shumë të re, i ati është kujdesur që vajzat e tij të rriten në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të jetë prezentë për ato në mënyrë konstante në çdo fazë të jetës së tyre. 

“Përtej diskutimeve të nxehta, por që janë konstruktive, gjithnjë e përpos faktit që babi thotë se unë kam tendencën e kundërshtimit, ai është shoku im I ngushtë, model për sakrificën, përkushtimin e jo vetëm. Fakti që kemi qenë gjithnjë aq pranë besoj është mbi të gjitha meritë e edukatës që më ka dhënë ai.”

Ndaj edhe kur e pyes se cili është një kujtim që ajo e veçon nga të tjerët më thotë se është pikërisht një ditë 1 qershori në vitin 2000, kur Viola shkon me të atin për të blerë një tortë por rrugës iu prishet motori. “E mbaj mend si sot sa vapë ishte dhe sesi unë hipja dhe zbrisja nga motori duke menduar se njëherë e shtyja unë dhe njëherë babi. E çuditshme sa e fuqishme dhe e lumtur ndihesha.” Janë këto momentet që në pamje të parë mund të duken të thjeshta por që i sjellin gjithmonë në mend rëndësinë dhe vlerat e momenteve relativisht “të vogla” në jetë por me shumë kuptim.

Ngjyrat e veçanta të Violës

E ndarë midis punës, studimit, gatimit, ndihmës që u jep disa studentëve në lëndët që hasin më shumë vështirësi, gjen kohë edhe për të ndjekur trajnime dhe evente të ndryshme në fushat që ajo ndjen se ka nevojë të jetë gjithmonë e përditësuar. Së fundmi po mendon të bëj edhe një kurs gatimi për të investuar tek pasioni që ka dhe të rrisë dalë ngadalë vlerat e blogut “Mamma mia diet”.

Mësimi më i rëndësishëm në jetë për Violën është konstatimi që motivimi është i brendshëm. “Secili prej nesh duhet ta gjejë shtysën dhe frymëzimin brenda vetes dhe jo ta prese nga faktorë të jashtëm (siç dhe unë kam pretenduar më parë). Kjo gjë më bën të kërkoj gjithmonë më shumë nga vetja.”

Forca dhe dëshira për të qenë optimiste e jo vetëm një bricjap realist, e ndihmon shumë të shikoj bukuritë që e rrethojnë e për rrjedhojë të frymëzohet nga gjithçka. “E gjej veten shpesh të kundroj natyrën e të frymëzohem nga rritja e një bime, shiu që bie apo një bebe që qan e qesh.”

I pëlqen shumë ideja e “tabula rasa” ku presupozon se qenia njerëzore lind e pastër, pa ide të ngulitura, pa qëndrime të përcaktuara dhe identiteti që ato krijojnë varet shumë nga çfarë do ndodhi pas lindjes dhe kontekstit në të cilin rriten dhe jetojnë.

Momentet e rëndësishme

Viola është motra e madhe e dy vajzave në familjen e saj dhe ardhja në jetë e motrës ka qenë shumë emocionuese pasi kujton përgjegjësinë që iu dha për tu kujdesur për një krijesë tjetër, gjë të cilën Viola e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë çdo ditë.

Gjatë periudhës së adoleshencës kujton se kapej shpesh me të atin pasi e takonte vetëm në fundjave. Një miksim ndjenjash malli/presioni/dashuria dhe ndryshimet e moshës  e bënin shpesh në atë periudhë të niste debate, ndoshta të panevojshme, por që kanë arritur të unifikojnë dhe forcojnë më shumë lidhjen e tyre. Viola i kujton me mall ato momente pasi siç thotë edhe ajo ishin debate konstruktive dhe që kanë ndihmuar në krijimin e personalitetit të saj.

Një tjetër moment lidhet me atë që ajo quan “mini dështim” pasi i kishte premtuar vetes se do përfundonte universitetin me rezultate ekselente dhe punoi fort për t’ia arritur, por për arsye procedurale nuk arriti të pajisej me certifikatën e ekselencës ditën e diplomimit. “E kujtoj këtë ‘’dështim’’ pasi gjithmonë më bën ti rikujtoj vetes se fokusi duhet të jetë te përmbajtja, në këtë rast te çfarë unë kisha fituar nga shkollimi im dhe jo tek pajisja e një certifikate që në fund të ditës nuk e mat dot aftësinë profesionale, sidomos duke marrë parasysh hendekun mes çfarë kërkojnë dinamikat e tregut dhe çfarë ofron sistemi arsimor.“

“Mos dëshiro të ishte më e lehtë, dëshiro të ishe ti më I mirë.”

“ Duhet të mësojmë të ndihmojmë ata të cilët e meritojnë, jo ata që thjesht kanë nevojë. Jeta I përgjigjet meritokracisë, jo nevojës. “ JIM ROHN

Ngjyrat e këshillave

“Nxito ngadalë, nxito ngadalë sepse formimi merr kohë; jo domosdoshmërish duhet të jemi perfeksionistë në gjithçka bëjmë. Duhet ti japësh vetes kohën që të duhet pasi është tepër e rëndësishme. Nxitimi për tu rritur më shpejt, për të punuar më shumë, për të arritur më tepër duhet të vijë natyrshëm po me hapa të sigurt, të cilët kërkojnë kohën e vet.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *