Ngjyrat e Eva Cota

Eva Cota

“Njerëzit e parë që mund të ndihmojnë të shkëlqesh apo të fundosesh, janë ata që ke rreth e rrotull” Eva Cota.

Çfarë kane të përbashkët këto gra: Diane Hendricks, Meg Whitman, Marian Ilitch, Judy Faulkner, Johnelle Hunt, Oprah Winfrey? Sipas të dhënave të Forbes 2019, bëjnë pjesë në listën e grave milionere që e ndërtuan vetë këtë pasuri, të ashtuquajturat “Selfmade Women”.

Historitë e grave të tilla kanë edhe një element tjetër të përbashkët: besuan tek ajo që donin të arrinin dhe nuk hoqën dorë pavarësisht sa mbështetje kishin apo nuk kishin nga të tjerët.
Pasi të lexoni artikullin do kuptoni pse e krahasoj këtë vajzë me gratë që Forbes ka listuar si gratë që janë “bërë vetë”.

Kush është Eva Cota

Eva Cota lind në Librazhd, por kalon shumë pak vite aty pasi prindërit, të shtyrë edhe nga dëshira për ti dhënë 3 vajzave të tyre një të ardhme më të mirë, transferohen në Tiranë. Dëshira për të ndihmuar familjen por edhe për të pasur një pavarësi ekonomike e ka zanafillën që në moshë të vogël. Puna e parë që Eva ka bërë ka qenë në moshën 14 vjeçe. E ëma, ekonomiste në një kompani pijesh austriake, e merr me vete në ato kohë dhe Eva kujton se ai ka qenë momenti i parë që ka rënë në kontakt me shumë të madhe lekësh.

Në vitet në vazhdim, prindërit bashkë me 3 vajzat do kalojnë çdo vit periudhën e verës në Greqi duke bërë punë të ndryshme sezonale. Eva fillon të praktikojë anglishten në këto momente për herë të parë jashtë Shqipërisë por ende nuk di çfarë roli do ketë kjo gjë në zgjedhjet e jetës që do bëj më vonë.

Eva ndërpret punët sezonale në shtetin fqinj në momentin që duhet të nisë universitetin. Zgjedhja e parë nuk ishte pikërisht ajo që dëshironte dhe provoi sërish. Ishte viti 2008 dhe mënyra e aplikimit dhe përzgjedhjes së fakultetit kishte ndryshuar tërësisht  nga vitet e fundit ndaj kjo gjë e gjeti të papërgatitur si shumë studentë të tjerë. Alternativa e dytë këtë herë është anglishtja, por Eva ka dyshimet e saj nëse është zgjedhja e duhur.

Në ndihmë i vijnë prindërit dhe entuziazmin e tyre e mori si një sfidë (ndoshta gisht në atë kohë kishte edhe patenta që i bënë prindërit si motivim për të vazhduar atë vit universitetin). Fakti që prindërit e kishin parë këtë fakultet si zgjidhja ideale dhe kishin vendosur pritshmëri të larta, Evës i dha shtysë që të jepte maksimumin (edhe pse shpesh më përsërit që ajo nuk e dinte ende sa e dhënë ishte pas kësaj dege) dhe të mbyllë me sukses këtë periudhë të jetës së saj.

Efekti Butterfly

Në një nga periudhat që prindërit nuk ndodheshin në Shqipëri dhe ishte e nevojshme një përfaqësues nga familja për mbledhje me prindërit në shkollën e së motrës, Eva vendos të jetë ajo përfaqësuese. Mbledhja shkoi aq mirë sa zysha i ofron një mundësi që do i ndryshojë komplet jetën.

Në ato momente stafi kishte mungesë dhe po kërkonte një mësuese të gjuhës angleze. Eva ishte vetëm 19 vjeçe, në vitin e dytë në universitet, por nuk u tërhoq nga kjo përgjegjësi. Duke qenë motra e madhe e familjes, përkujdesja dhe mësimdhënia i erdhi shumë natyrshëm.

Ndërkohë që ndiqte universitetin, merrej me përkthime në darkë dhe punën si zysh paradite, nevojat gjithashtu filluan të rriteshin. Kërkon për një punë të tretë dhe nis si shitëse në një librari që merrej vetëm me tekste të gjuhëve të huaja dhe furnizonte shkollat që praktikonin mësimdhënien në gjuhët e huaja.

Eva thotë se eksperienca e librarisë i dha jo vetëm idenë për të hapur diçka të sajën në të ardhmen, por gjithashtu e përgatiti shumë nga ana e të menduarit dhe vepruarit në kuadër të një biznesi të suksesshëm. Trajnimet që bëri në atë kohë por edhe më vonë i ndezën një dritë që sa vinte edhe më shumë ndriçonte.

Së bashku me miken e saj, gjithashtu kolege, vendosin të hapin një kurs privat për tu mësuar fëmijëve të moshave të ndryshme gjuhën angleze, por duke ndjekur një metodë ndryshe nga ajo klasikja që kishin mësuar vajzat në kohën e tyre. Hedhin në një letër atë që më vonë do dukej një biznes plan dhe me një shumë simbolike që kishin në dispozicion nga kursimet e tyre vendosin të kërkojnë ambiente me qira.

Si lindi AEL

Zona ku Eva jetonte ishte në ndërtim e sipër dhe menduan që studion ta merrnin me qira gjithashtu aty, duke parë çmimet e tregut në Tiranë. Eva ishte vetëm 23 vjeçe dhe kishte frikë se askush nuk do e merrte seriozisht, por e armatosur me një guxim që shumë herë do e shtyjë të kërkojë dhe të bëjë më shumë, shkon e vetme në kërkim të një ambienti të përshtatshëm. Personi që zotëronte ndërtesën u entuziazmua aq shumë nga ëndrra e kësaj vajze të re, sa që i premtoi ta ndihmonte duke marrë përsipër disa kosto për të kompletuar ambientin.

Eva nuk dinte ende rrugën që kishte marrë realisht, por dinte që kjo gjë i jepte shumë kënaqësi dhe ajo dëshironte ta bënte duke ndjekur disa praktika bashkëkohore që do e veçonin nga qëndrat e tjera që kishin vite në treg. Në 4 tetor të 2013 hap dyert e asaj që më vonë do pagëzohej AEL (Academy of European Languages). Grupi i parë ishte vetëm me 6 fëmijë dhe për disa muaj kjo ishte situate totale.

Vajza që kishte vendosur të hapte qendrën me Evën vendos ta braktisë si projekt pasi nuk e shikon aq fitimprurës dhe Eva tani ndodhet e vetme. Ndërkohë që vazhdon të bëj edhe punët e tjera, fillon të studiojë mënyra të ndryshme se si mund të tërheqë fëmijët pranë qendrës dhe se si të bindte prindërit ti regjistronin.

Duke marrë si shembull shkollat me të cilat kishte pasur marrëdhënie pune gjatë eksperiencës si shitëse në librari, kupton që mënyra më e mirë për ti treguar dikujt që ti je e zonja në atë që bën , është t’ia demonstrosh me fakte. Eva fton fëmijët e lagjes që të flasin me prindërit dhe të mund të ndjekin qendrën pa asnjë kosto për një muaj pasi duhet të përgatisnin shfaqen e fund vitit me këngë dhe vjersha në anglisht.

Nis kështu të kërkojë tekstet e duhura, të shkruajë tekste të reja, të ideoj skenat, të provojë më fëmijët çdo ditë për festivalin, të merret me errësimin e duhur të qendrës me temë festive (me një buxhet shumë të limituar ndaj i është dashur të jetë jashtë mase kreative). Eva kujton atë periudhë me pak orë gjumë dhe shumë orë punë në sfera të ndryshme, por ia arriti qëllimit. Fëmijët ishin gati në kohë për shfaqen e fund vitit dhe suksesi ishte i menjëhershëm.

Në janar fëmijët që regjistrohen në qendër janë dyfish dhe Eva fillon të studioj mënyra të ndryshme dhe inovative se si tu mësonte fëmijëve gjuhën angleze. Nga ky moment do njihet si “qendra që ua ndjek qejfet fëmijëve” pasi çdo sezon organizohen aktivitete të ndryshme dhe praktikon metoda alternative për tua bërë më të këndshme dhe më efikase mësimin fëmijëve.

Eva adhuron fëmijët dhe adhuron të kalojë kohë me ata. Ka ndjekur kurse të ndryshme trajnimi dhe nuk resht kurrë së lexuari mbi botën e fëmijëve. Ka një marrëdhënie të veçantë me të gjithë fëmijët që ndjekin kurset e akademisë dhe ka një pakt me ata që nuk e thyen kurrsesi: Nëse u premton diçka, do bëj çmos që ajo të realizohet. Ndoshta ky është edhe çelësi që ua ka rrëmbyer zemrën pasi çdo video dhe foto që mund të shikoni në faqen e AEL është një kënaqësi për sytë dhe zemrën.

Zysh Eva nisë të organizojë edhe ekskursione të ndryshme me fëmijët dhe kjo është një pikë tjetër që ka fituar në zemrat e fëmijëve. Ekskursioni më i madh ka qenë në shkurt të 2020 me 72 fëmijë të grup moshave të ndryshme.

Tashmë AEL ka një program të mirë strukturuar dhe Eva u ka dhënë mundësinë edhe 2 motrave të saj të punojnë në qendër duke mbuluar role të ndryshme por shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e akademisë me përmasat që tashmë ka marrë AEL.

Ngjyrat e vështirësive

Eva e ka pasur të nevojshme të punojë me orare të zgjatura duke bërë 3 punë për shumë vite dhe kjo nuk ka qenë vetëm lodhje fizike por edhe sakrificë, duke hequr dorë nga disa gjëra që bashkëmoshataret e saj i jetonin pa preokupime të mëtejshme. Në 2016 shkëputet nga punët e tjera dhe fokusohet vetëm te qendra dhe përkthimet.

Frika e dështimit, që ndoshta po ndërmerrte disa hapa më të mëdha se ajo janë disa nga ndjenjat që shoqërojnë çdo person  në fillimet e karrierës së tij.
Eva gjithashtu i është dashur të bëj gabimet e saj dhe të mësoj prej tyre derisa arriti të gjej balancën e duhur.

Në momentin e parë që ka hapur qendrën, për fat të keq i ka munguar mbështetja familjare (monetare dhe shpirtërore) pasi zgjedhja e Evës nuk është kuptuar, përkundrazi deri diku edhe keqkuptuar nga rrethi familjar. Asnjë nuk besonte në ëndrrën e saj dhe shumë e shtynin të kërkonte një punë fikse që përmbushte standardet e shoqërisë sonë.  

Pas 2 vitesh nga hapja e qendrës, Eva e shikon të nevojshme zgjerimin e ambientit por sërish mbështetja nga familja nuk erdhi. Kur nxënësit që ndiqnin qendrën u bënë 100 dhe Eva duhej sërish të zgjeronte qendrën (pra një investim më i madh tashmë), këtë herë nuk kishte nevojë më për fonde por mori një surprizë të bukur pasi më në fund prindërit e kuptuan që kishte ngritur diçka nga hiçi dhe ishin të lumtur që ajo nuk kishte hequr dorë.

Veçantitë e Evës

Eva është një nga ato vajzat tipike që nuk ndalet kurrë. E thotë edhe vetë që në familje njihet si ajo më rebelja por ajo çfarë shikoj tek ajo është forca e madhe që ka për të luftuar e vetme betejat e saj.  Unë adhuroj jo vetëm shpirtin e saj sipërmarrës por më tepër pastërtinë dhe bukurinë e jashtëzakonshme që karakterizon këtë vajzë.

Është një nga ato historitë që do dëgjoja me mijëra herë pasi duke folur me Evën kupton që ka një energji pozitive aq të fortë sa dashur pa dashur të përfshin dhe të ri zgjon. Ka një mënyrë të butë të transmetimit të vlerave të saj por që kurrë nuk të lënë indiferente.

Historitë e veçanta që më tregon me fëmijët më bëjnë të kuptoj që lidhja që krijon me ata është aq e veçantë sa është një aftësi e lindur dhe askush nuk mund të arrijë atë gradë duke u sforcuar apo duke e bërë këtë punë vetëm me qëllim për të përfituar nga ana financiare. Duhet jo vetëm durim i madh kur bëhet fjalë për fëmijët (më besoni unë jam mami i një djali 4 vjeç dhe e di shumë mirë çdo të thotë kjo gjë) por edhe kreativitet konstant për të përçuar disa mesazhe të rëndësishme tek ata.

Eva Cota ka një forcë që nuk mund ta imagjinoni. Nëse vendos të bëj diçka do e bëj me çdo kusht (edhe pse para se ta marrë këtë vendim arsyeton dhe mendon shumë).
Aktiviteti fizik është një tjetër veçanti që i shtohet dhe po të shikoni faqen e saj në instagram do habiteni se ku e gjen gjithë atë energji. Para dy vitesh e gjysmë iu rifut studimeve, por këtë herë në degën për Biznes.

Eva për mua është një nga ato vajzat “Selfmade” që uroj një ditë ta shikoj në ato podiumet e famshme si Ted talks, ku përpara do ketë shumë vajza dhe gra që do i frymëzojë pamasë jo vetëm me historinë e saj por edhe me mesazhet që arrin të përcjelli.

“Planet janë që të hapë një pikë të dytë në Tiranë, ndoshta në qendër, duke respektuar shpirtin dhe linjën e AEL academy.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *