Ngjyrat e Odeta Elezi

Odeta Elezi

“Jeta më ka mësuar te injoroj të keqin por jo të keqen/ligësinë.” Odeta Elezi

 Në një epokë dixhitale ku çdo gjë po kalon online, nga shitblerja e produkteve dhe e shërbimeve të ndryshme, mund të pushojnë së ekzistuari disa profesione që janë bërë ndër vitesh dhe mund të lindin profesione të reja (siç realisht ka ndodhur). Profesione të cilat kushdo në fillim mund të mos i vlerësoj në mënyrën e duhur apo të kuptoj realisht mundin që qëndron mbrapa për ta realizuar një punë të tillë.

Ka njerëz që marrin si shembull këto punë “të reja”, duke parë suksesin që korrin jashtë kufijve dhe nisin me një ide të caktuar se ku duan të arrijnë. Ka nga ata që eksperimentojnë dhe testojnë derisa të kuptojnë nëse e gjejnë veten apo jo në atë fushë. Disa prej këtyre punëve mund të dështojnë në Shqipëri ose mund ta bëjnë shumë herë më të vështirë nëse do i drejtoheshe tregut shqiptar pasi jo çdo gjë që korr sukses në shtetet e bashkuara mund të jetë sinonim suksesi për çdo vend.

Kush është Odeta Elezi

Vajza e këtij artikulli e di mirë këtë gjë por nuk heq dorë pavarësisht ngërçeve që i është dashur të kaloj shpesh herë në fillimet e saj. Odeta Elezi lind dhe rritet në Gramsh dhe përfundon studimet në Gjeografi-Gjuhë Italiane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” (Elbasan). Odeta ka qenë një fëmijë me fat pasi është rritur nga dy prindër që i kanë falur botën në momentin që ka ardhur në jetë dhe derisa është rritur të ecë me këmbët e saj në rrugën shumëngjyrëshe dhe plot ngjitje e zbritje të jetës.

“Prindërit më kanë mësuar se jeta është e bukur dhe pavarësisht rrethanave apo vështirësive, çdo gjë mund të rregullohet me punë dhe vullnet.” Duket se këtë mësim të rëndësishëm Odeta do ta kthej në një mënyrë jetese që do e shoqëroj në çdo hap dhe vendim jete që ajo do të ndërmarr ndër vitesh. Ashtu siç vendosi të lërë Italianë dhe familjen atje që të kthehej në Shqipëri për të krijuar familjen e saj të re, të vendos  në praktikë mësimet e trashëguara nga prindërit kur përfshihet në një realitet komplet të ri dhe duke marrë përsipër çdo risk që mund ta çoj drejt suksesit apo dështimit.

Kujtimet më të bukura i lidh me fëmijërinë dhe nga momenti që u bë nënë. E dashuruar marrëzisht pas djalit dhe e dhënë deri në atë pikë sa ti dedikoj çdo çast të jetës së saj (përkujdes që shkon nga përzgjedhja e shqimit e deri tek aktivitetet që do bëjnë bashkë gjatë ditës) pohon se “Më duket sikur gjatë gjithë jetës time kam qenë një mami.” Dhurata më e bukur që ka marrë nga jeta është pikërisht djali dhe fati që ka krijuar familjen që gjithmonë ka dashur me personin që e mbështet në çdo hap.

Odeta duket si ato kukullat lozonjare me sytë e shkruar, buzëqeshjen e ëmbël dhe çiltërsinë që shpërthen nga të gjitha poret. Është e vështirë ti rezistosh një foto pa të shpëtuar një buzëqeshje pasi bën pjesë në atë kategorinë e njerëzve që sado rritje mund të ketë në rrjetet sociale, ka diçka shumë të fortë që e mban me këmbë në tokë dhe nuk harron kurrë se kush është: Familja e saj e vogël dhe vlerat me të cilat është rritur.

Mund ta kuptoni shumë qartë duke parë edhe instagramin e saj që puna që ka zgjedhur është adaptuar me vlerat që ajo dëshiron të përcjellë gjithashtu si individ, duke bërë kështu ndryshimin nga Influenceret botërore ku shpesh gjatë rrugës humbasin arsyen pse kanë nisur të bëjnë këtë punë. Odeta dëshiron të qëndrojë gjithmonë e sinqertë me këshillat e produkteve të ndryshme, ndaj edhe realiteti virtual që ka krijuar me ndjekësit e saj është shumë aktiv dhe e mbështesin pikërisht për këto cilësi.

Ngjyrat e vështirësive

Jo gjithmonë ka qenë një rrugë e bukur me lule shumëngjyrëshe. I është dashur të përballet me limitet që një qytet i vogël si Gramshi (si qytete të tjera të Shqipërisë me këto përmasa) është munduar të prekë disa herë punën dhe shpirtin e saj pozitiv.
Fakti që kjo lloj tipologjie pune është ende jo shumë e njohur (ndoshta akoma më pak e mirëpritur) në bizneset e zonës ku Odeta jeton, e bën ndoshta të vështirë rritjen e saj me hapa të shpejtë.

Nga ana tjetër, fakti që shumë biznese shqiptare po i dedikojnë kohë dhe buxhet këtij lloj marketingu dhe bashkëpunimeve pavarësisht vendit ku ndodhen, mund të jetë një plus për Odetën që ndoshta është ende në rritje në këtë treg të ashpër siç është ajo e influencer.

Odeta nga ana tjetër ka një bazë formimi pasi ka kohë që merret me rrjetet sociale dhe tashmë punon nga shtëpia si social media manager. Ndaj përpos klientëve që u dedikon kohën për përkujdesjen e faqeve të rrjeteve sociale, të studimit të tregut dhe ndërtimit të një plani marketingu afatgjatë, arrin të ndërtojë edhe bashkëpunime të drejt për drejtë me faqen e saj të instagramit që rritet çdo ditë e më shumë.

Veçantitë e Odeta Elezi

Ajo se çfarë më ra në sy direkt kur fillova të ndiqja Odetën është shpirti i saj i pastër dhe mund ta vini re nga kontenti dhe komunikimi qe ajo ka në faqen e saj. Pas kësaj interviste jam e sigurt që do e adhuroni edhe ju.
“Jeta më ka mësuar që çdo gjë e ka një zgjidhje, ky është çelësi i suksesit tim.

Jeta pa llogaritur sa vite ka dikush në kurriz të mëson dashur pa dashur shumë gjëra. Të mëson që mund të gabosh pasi nuk mund ti shpëtosh gabimeve nëse rrezikon, por të mëson dhe sesi te mos i përsëritësh këto gabime. Mua jeta më ka mësuar sesa e shkurtër është që të shpenzohet me inate, urrejtje, pengje apo “qarje” dhe sa e vlefshme është kur zëvendësohet me dashuri, mirësi dhe dhembshuri.”


“Më ka mësuar sesa e bukur mund të bëhet nëse arritjet i ndan me të tjerët. Kam mësuar sesa mund të vrasi një fjalë e thënë pamenduar apo një veprim i pamatur dhe sa e vështirë mund të jetë për ta riparuar.
Jeta me ngjyrat e saj më  ka mësuar që të jem përgjegjëse për veprimet e mija, të kërkoj falje kur gaboj unë dhe të fal gabimet e të tjerëve. Më ka mësuar të injoroj të keqin por jo të keqen. Më ka mësuar që përpos vështirësive dhe halleve të  shumta që të bien në kurriz ti mund të ngrihesh dhe ti përballosh në mënyrën më të mirë të mundshme.


Dhe mbi të gjitha, më ka mësuar që vjen një dite që ajo se çfarë ka rendësi realisht nuk është se çfarë bën dhe çfarë mendon, se çfarë thua apo vepron… në këtë botë jemi thjesht pasagjerë të së njëjtit tren dhe në fund destinacioni dihet për të gjithë. Ajo që më të vërtetë ka rendësi është se çfarë lëmë pas, trashëgimia dhe ngjyrat që shoqërojnë emrin tonë në kujtimet e atyre që lëmë pas .”

“Në fund të jetës nuk do të pendohem as për ndonjë note më të mirë  që mund të kisha marr në universitet, as për ndonjë veshje te pa blerë, apo për ndonjë udhëtim të pa realizuar. E vetmja gjë e cila për të cilën mund të pendohemi është koha që nuk kemi shpenzuar me fëmijët, burrin, prindërit.” Odeta e ka të shumë të qartë këtë koncept ndaj edhe jeta e saj rrotullohet pikërisht për mos të pasur asnjë pendim për të cilën ajo do donte të kthente kohën pas dhe ta ndryshonte.

Dashuria me shikim të parë është ajo që ka ndjerë për djalin dhe koha e kaluar me atë është koha më e çmuar për Odetën. E bëjnë të lumtur gjërat e thjeshta por shumë të rëndësishme për atë, si buzëqeshja, shëndeti, lumturia e djalit dhe çdo sukses i arritur në jetë, sado i vogël apo i madh.

Nuk duron dot padrejtësitë pasi është e dashur me të gjithë. Është këmbëngulëse në atë që do dhe punon fort për t’ia arritur.
Kështu e ka zanafillën edhe projekti i instagramit dhe ideja për ta kthyer në punë me kohë të plotë. Odeta sapo ishte bërë nënë me djalin Roan dhe vuri re se sa herë postonte foton e djalit njerëzit interagonin shpejt.

Nisur nga pasioni dhe dashuria e vjetër për fotografinë, gjithashtu për detajet dhe të bukurën, përpiqet të ndjekë këshillat e disa influencerave që ndiqte në atë kohë dhe zbulon se realisht efekti ishte imediat.

Kupton se është e prirur për botën dixhitale dhe fillon kështu të formohet nga ana profesionale duke mbuluar rolin e social media manager, por duke hedhur edhe hapat e parë si influencer. Tashmë është në një pikë të mirë pasi ka kaluar fazën fillestare duke hedhur hapa të plotë dhe mire strukturuar. Planet janë pikërisht të rritet në këtë fushë jo vetëm në numra ndjekësish por edhe në mënyrë profesionale.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *