Ngjyrat e Arjeta Leka

“Mos jeto me brengat e të kaluarës për sa kohë je në jetë dhe ke një të ardhme.” Arjeta Leka.

Nëse nuk e keni parë “Hair Love” ju këshilloj ti dedikoni 6 minuta, pasi është një film i shkurtër që do ju japë disa mësime jete të rëndësishme më besoni.
“Hair love” sfidon të kuptuarit tonë për flokët afro-amerikan, duke arritur në përfundimin se nuk është “e vështirë”, por përkundrazi diçka që kërkon “pak punë dhe shumë dashuri”, domethënë durim- një frazë kjo shumë e goditur dhe e përsëritur në këtë film.

Mënyra se si Matthew A Cherry (shkrimtari dhe regjisori) eksploron atësinë në komunitetin me ngjyrë është gjithashtu për t’u lavdëruar. Shpesh baballarët përshkruhen si të paprekshëm dhe të ftohtë, ndërsa “Hair Love” hedh poshtë këtë stereotip duke përshkruar baballarët në këtë rast sensibël, të kujdesshëm, të durueshëm dhe të dashur.

Kujdes, spoiler. Në fund do të qash (ose të paktën unë e bëra). Eventi i madh për të cilën vajza e vogël po përpiqet të jetë perfekte për këtë ditë është vizita që duhet ti bëjë nënës së saj në spital, e cila është duke luftuar me një sëmundje të rëndë (me shumë gjasa bëhet fjalë për tumor pasi ka humbur flokët).

Dhurata që ajo i jep mamasë së saj është edhe më e përbotshme si skenë: vizatimi nga vajza e vogël përshkruan një grua tullace dhe sipër kokës një kurorë, duke i treguar mamasë se ajo vazhdon të jetë mbretëresha e saj e bukur edhe pa flokët e saj.

Kush është Arjeta Leka

Gruaja e këtij artikulli më kujton për bukurinë dhe forcën e saj mbresëlënëse pikërisht  këtë film të shkurtër të animuar por aq të rëndësishëm nga mesazhet që mbart (ku fitoi edhe çmimin si filmi më i mirë i animuar duke prekur në mënyrë të veçantë tematikën e  ndërgjegjësimit mbi ligjin e ri kalifornian të quajtur akti CROWN).

Arjeta Leka, lindur dhe rritur në Elbasan deri në moshën 17 vjeçe. Që në moshë të vogël dallohej për ndjeshmërinë e veçantë mbi disa tematika, e gatshme për të dhënë gjithçka kishte për të ndihmuar apo për të bërë të lumtur personin tjetër. Arti ka qenë pjesë e pandashme e personalitetit, qepte dhe qëndiste veshjet, gjithashtu pikturonte në sezon provimesh për tu larguar nga stresi.

Pasioni për flokët ka qenë një dashuri me shikim të parë që erdhi duke u rritur bashkë me të( ëndërronte të bëhej parukiere ose stiliste kur të rritej). Dashuria për detajet dhe të bukurën ka bërë që të shtyj të gjitha femrat në jetën e saj që të kurohen duke nisur nga floku e deri tek veshjet pasi dëshiron ti shikojë si ikona bukurie. “Nuk dua të shikoj njerëz të vuajtur sidomos femrat, dua t’i shoh të forta, me kurajo, besim te vetja dhe të pavarura.”

Në moshën 17 vjeçe  Arjeta transferohet në Tiranë dhe jeta do ta vendosi shumë herë përballë vështirësive të ndryshme. Vështirësi që do e rrëzojnë në tokë disa herë dhe do e bëjnë më të fortë pasi të ngrihet. Humbja e prindërve është një nga gjërat që e ka shënuar ndoshta më shumë në jetë por nuk e ka mposhtur buzëqeshjen e saj dhe shpirtin e bukur altruist që ka.

Frymëzohet dhe merr energji kur shikon se ajo çka ajo bën sjell ndryshime për mirë, në aspekt njerëzor, shoqëror dhe shpirtëror. I është dashur shpesh herë në jetë të mbështetet mbi shpatullat e saj dhe të besoj intuitën duke i dhënë atij zërit të brendshëm fuqi ta influencoj të dal nga rutina e normales, të tejkaloj atë që bën sot e të bëj më shumë nesër. Çfarë gra të mrekullueshme kemi mes nesh që prekin jetën tonë dhe i japin ngjyra pa e kuptuar fare?!

Si lindi @back.to.curls

Në momentin që Arjeta bëhet nënë jeta e saj ndryshon rrënjësisht, duke nisur nga flokët. Dekolorimi gjithashtu i prish kaçurrelat e saj të bukur dhe vendos të ndjek më në fund metodën e famshme të kaçurrelave që në të gjithë botën njihet si “curly girl method” (që shkurtimisht të ndihmon të kujdesesh për kaçurrelat duke seleksionuar dhe duke evituar disa produkte) dhe nis të ndaj këto informacione, që kishte prej vitesh, në faqen e saj të instagramit @back.to.curls  

Bashkë me ndryshimet e flokut, studimet dhe testimet e ndryshme që kishte bërë hap pas hapi, fillon të ndajë këshilla të ndryshme me të gjitha vajzat shqiptare. “Backtocurls nisi si ide për të motivuar dhe për të krijuar komunitetin e “kaçurrelseve”, por kjo gjë tejkaloi pritshmëritë e mia duke u ndjekur dhe nga vajza e gra me flokë të drejtë që duan të kujdesen në mënyrë të shëndetshme për to. Në një të ardhme dëshiroj tu jem më pranë të gjithave duke u specializuar mbi këtë temë.”

Ngjyrat e veçanta të Arjetës

Arjeta është një mama (ka dy fëmijë që kërkojnë një angazhim të plotë), një grua që punon gjatë ditës full-time dhe kohën e lirë kur të gjithë flenë, merret me kontentin e instagramit dhe videot në youtube. Pasioni që e ka shoqëruar që në vegjëli tashmë gjen hapësirë dhe shpërthen në mënyrë të evoluar dhe të pjekur duke bërë të mundur rritjen e saj. Ka një shpirt kreativiteti dhe durim të jashtëzakonshëm që çdo vajzë e grua do e kishte zili. Por fundja durimi dhe këmbëngulja janë dy cilësitë që edhe ajo ia njeh vetes si çelës të suksesit të saj.

Ndoshta e vetmja breng që mund të ketë është që të kishte vazhduar paralelisht studimet me pasionin e saj, por Arjeta dhe kaçurrelat e saj janë në një rrugë të duhur realizimi si nga ana personale po ashtu edhe ajo profesionale. Ku i dihet, ndoshta një ditë do shikojmë një brand produktesh të dedikuar vetëm flokëve që mban emrin back2curls dhe Arjeta do ketë bërë tashmë gjithë punën e vështirë që qëndron mbrapa marketingut, ndaj unë do isha shume e sigurt për suksesin e saj të garantuar.

Fundja kur ke cilësitë dhe ngjyrat e personalitetit të Arjetës, suksesi është vetëm një term social që përshkruan një person të prosperuar, që gjithashtu mund të ketë fituar famë për rezultatin e saj të favorshëm duke arritur vizionet dhe qëllimet e planifikuara.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *