Ngjyrat e Brunilda Isaj

MoneySmart, Brunilda Isaj

“Shijojë më shumë jetën, sepse suksesi arrihet kur je një njeri i plotësuar me balancë dhe harmoni të çdo aspekti të jetës. Puna, familja dhe kënaqësia duhet të kenë hapësirat e tyre të merituara në ditët tona.” Brunilda Isaj

Në librin e tij “Rich dad, Poor dad” Robert ka shpalosur talentin e tij duke prekur disa pika shumë të rëndësishme kur bëhet pjesë për financat personale dhe si ti rrisim ato. Më poshtë një copëz e shkëputur nga libri:

“Jam i shqetësuar se sa shumë njerëz janë përqendruar më tepër në parat e tyre dhe jo në pasurinë më të madhe, që është edukimi i tyre. Nëse njerëzit janë të përgatitur të jenë fleksibël, të kenë mendjen e hapur dhe të mësojnë, ata do të bëhen më të pasur nëpërmjet ndryshimeve.

Nëse ata mendojnë se paratë do të zgjidhin problemet, kam frikë se ata njerëz do të kenë një udhëtim të ashpër. Inteligjenca zgjidh problemet dhe prodhon para. Paratë pa inteligjencë financiare, janë para që shumë shpejt kthehen të humbura.” Robert Kiyosaki (Rich Dad, Poor Dad)

Kush është Brunilda Isaj

Brunida Isaj, lindur në një fshat të vogël rrëzë Gramozit në Kolonjë, ndër vendet më të bukura dhe ende të paprekura të Shqipërisë, kalon aty fëmijërinë dhe adoleshencën e saj deri sa mbaron shkollën e mesme. Pasioni i hershëm kanë qenë librat, të cilat filloi t’i lexoj në seri sapo mbaron klasën e parë. Mban mend që i ati çdo javë i sillte nga një libër të ri, vëllimi dhe përmbajtja e të cilëve ndryshonte me moshën. “E kam akoma zakonin e të lexuarit pa fund dhe kudo që ndodhem, pavarësisht impenjimeve të përditshme.”

 Në vitin 1999 përfundon studimet e larta në fushën e Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Në atë kohë mendonte realisht që karriera e saj do zhvillohej në këtë drejtim, ose në fushën e përkthimeve letrare – në fushën e filologjisë dhe pedagogjisë- por jeta kishte në plan disa surpriza për të . Brunilda shumë shpejt do zbuloj se si mekanizmat e jetës të vendosin në një rrugë ku ti mund të jesh vërtet e zonja dhe jo në rrugën që ti mendon se është e duhura për ty.

Gjatë periudhës së studimeve, për shkak të profilit si mësuese e ardhshme e gjuhës së huaj, iu ofrua një mundësi për të dhënë kurse të mësimit të gjuhës shqipe për disa drejtues të huaj të një banke të nivelit të dytë. Aty zbuloi një ambient të sofistikuar dhe profesional, që e bëri të zbulojë një pjesë të vetes që nuk njihte dhe me gjithë përshtypjet më të mira, vendosi të jetë pjesë e atij realiteti. Në momentin që diplomohet, ishte tashmë pjesë e stafit të Bankës Emporiki në Shqipëri (sot Banka Amerikane e Investimeve), ku nisi karriera e saj si bankiere, e cila zgjati rreth 18 vite pa ndërprerje.

Mbi pothuajse një dekadë ka mbajtur pozicione të larta drejtuese në bankat e nivelit të dytë. Brunilda pohon se formimi  parësor nuk ka qenë asnjëherë pengesë, përkundrazi. Sigurisht që gjatë viteve i është dashur të marrë formim pasuniversitar në fushën e financës dhe bankave, gjë që  e kanë ndihmuar në rritjen e saj profesionale.

Si lind MoneySmart

MoneySmart vjen si rrjedhojë e karrierës financiare, pasi Brunilda largohet nga sistemi bankar. “Vjen një moment në jetën e kujtdo që sjell ndryshime të rëndësishme, dhe ndjen nevojën që të shohësh aftësitë e tua për të bërë gjërat që do në mënyrën që ti mendon është më e përshtatshme. Unë I kam pasion financat personale.

Mendoj që jeta do ishte shumë më e lehtë dhe më e bukur, nëse njerëzit i kushtojnë pak kujdes menaxhimit të tyre. Sigurisht që kjo kërkon një farë disipline dhe njohuri bazë të edukimit financiar, por gjithashtu ofrohet nga planifikuesit financiarë, si shërbim profesional i standardizuar.”

MoneySmart Albania është një koncept i ri në tregun shqiptar dhe Brunilda ka marrë përsipër ta promovoj vazhdimisht derisa të njihet dhe përdoret nga individi shqiptar. Ajo se çfarë ofrohet kryesisht janë shërbime këshillimi për të gjithë segmentet e individëve sipas nevojave të tyre dhe jo vetëm për ata me të ardhura të larta. Çdo individ në jetë përballet shpesh me vendimmarrje që kanë të bëjnë me produktet dhe shërbimet financiare, dhe ka nevojë për konsulencë të specializuar për të marrë vendimet e informuara.

Këshillues Financiar

“Këshilluesi financiar është një profesionist i financave i cili sugjeron dhe kryen shërbime konsulence për klientët në përputhje me situatën financiare të secilit. Shërbimi ofrohet i personalizuar dhe objektivi kryesor është të mbështesë dhe ndihmojë klientin të arrijë objektivat e veta financiare nëpërmjet shfrytëzimit maksimal të burimeve të veta financiare apo pasurore.

Këshilluesi financiar grumbullon informacion nga klienti mbi statusin financiar, pasuror, të ardhurat dhe shpenzimet mujore, si edhe objektivat financiare të klientit në të ardhmen. Ai analizon dhe vlerëson statusin financiar të klientit, duke u bazuar në të dhënat dhe informacionet e marra nga klienti dhe nga dokumentacioni shoqërues përkatës.

Harton raportin financiar dhe rekomandimet përkatëse të lidhura me të në drejtim të menaxhimit të financave personale. Në bashkëpunim me klientin, vendos në zbatim planin financiar duke e shoqëruar klientin me konsulencë në marrëdhëniet me Bankat dhe institucionet financiare, si edhe monitoron në vijimësi zbatimin e planit financiar dhe sugjeron modifikimet përkatëse nëse zhvillime të caktuara shkaktojnë devijim nga objektivat financiare.”

Pra, këshilluesi financiar vepron si këshilltar i besuar dhe përfaqësues me ekspertizë në të gjitha çështjet financiare të klientit, marrëdhëniet e tij me Bankat, institucionet financiare, dhe palët e treta që trajtojnë financat.

Në mbarë botën këto kompani kanë një rol të rëndësishëm në vendimmarrje dhe shpesh kryefamiljarët këshillohen se si të investojnë të ardhurat e tyre, qoftë për të rritur këto të ardhura për të paguar universitetet e fëmijëve, po ashtu edhe për të realizuar objektivat personale apo profesionale që mund të kenë.

Në Shqipëri ky rol njihet relativisht shumë pak nga individët edhe pse ka filluar të konsiderohet nga disa biznese.

Ndaj, MoneySmart Albania është duke ndërtuar rrugën në tregun Shqiptar duke testuar gjithë ngjyrat e hezitimit dhe skepticizmit nga klientët potencialë. Në përgjithësi popujt e Ballkanit janë pak tolerantë kur bëhet fjale për të ardhurat e tyre dhe sidomos shqiptarët, janë mësuar të mos ja besojnë njeriut financat e tyre dhe të mos marrin këshillim profesional në lidhje me to.

Këshillat në lidhje me financat individët preferojnë t’i marrin në mënyrë jo-formale, nga punonjës bankash apo ekonomistë të përgjithshëm, duke harruar që secili profil ka kufizimet e veta dhe nuk ka përgjegjësi për këshillimin që ofron në këtë mënyrë. Ndërkohë që punonjësit e bankave kanë si qëllim kryesor të promovojnë dhe shesin produktet e bankës ku punojnë, dhe nuk japin një situatë krahasimore të produktit apo shërbimit në banka të ndryshme, gjë që ofrohet nga MoneySmart Albania.

Karakterisitkat e Brunildës

Brunilda është një grua që të shfaq direkt besim sapo e shikon. Ka një vendosmëri dhe qetësi që të bën të kuptosh se ajo e di për çfarë po flet ndaj kur je në terrenin e saj mund të ezaurosh cdo dyshim që ke në mendje. Por nga ana tjetër është edhe një mama e përkushtuar e dy fëmijëve (djali 8 vjeç dhe vajza 16 muajshe) dhe mundohet të vendosë një balancë të shëndetshme midis projekteve të ndryshme, studimit dhe promovimit të biznesit, dhe kohës cilësore me familjen.

“Mendoj që jeta ime, dhe jo vetëm e imja, por e çdo gruaje, ndryshon rrënjësisht në momentin që behet nënë. Është një ndryshim rrënjësor në mentalitet dhe mënyrën e këndvështrimit, që reflektohet në çdo vendim që merret nga ai moment e tutje.”


 Brunilda hyn te ata personat që i karakterizon ajo ndjenja e fortë e vetë-motivimit (duke e parë në këndvështrim të grave të tjera sipërmarrëse që kam intervistuar, duhet të them që kjo është një cilësi e lindur). Mund të them me plot gojë se i bashkohet atij grupi njerëzish që dallohen për shpirtin e tyre perfeksionistë dhe detajistë. Jo më kot e motivojnë sfidat dhe vështirësitë në jetë.

“Unë jam njeri që gjithmonë them atë që mendoj. Kjo mbart me vete rriskë dhe duhet të marrësh parasysh pasojat, sidomos kur je pjesë e tryezave në nivele të larta ekzekutive apo e qarqeve profesionale të nivelit të lartë. Do të doja të isha më e rezervuar, por nuk mund të bie në kontrast me parimet e mia.”

Ngjyrat e bashkëpunimeve

Themeluesja e @Innvestfund, Fabiola Duro, është një sipërmarrëse që njihet për pro-aktivitetin e saj, inovacionin në mënyrën e të menduarit dhe vepruarit, si edhe sofistikimin në gjithçka që krijon. Nuk kishte si të mungonte bashkëpunimi mes këtyre dy grave që janë si një magnet për çdo vajzë dhe grua që ka një potencial dhe dëshiron ta shfrytëzojë për të nisur bashkëpunime frytdhënëse.

Gra të tilla, që sinkronizohen me energjinë dhe idetë inovative, janë të shtrenjta jo vetëm në komunitetin tonë por në mbarë botën. Mos i humbisni, pasi keni fatin ti njihni dhe ti keni mbështetëset tuaja më të mëdha.

Ndaj Brunildën e keni pjesë aktive të grupit  #InnvestFund prej këtij viti (për më tepër info mbi INNvest Fund, lexo “Një bashkëpunim SUKSESI ) dhe mbështetja e saj është shumë e vyer jo vetëm  në hapat e parë për këdo që ëndërron një biznes të suksesshëm, por edhe në vazhdimësi.

Brunilda ka në fokus primar MoneySmart Albania dhe planet janë për ta konfiguruar si një tërësi shërbimesh këshilluese, që përfshijnë edhe certifikimet dhe licencimet e duhura për ta zgjeruar më tej si gjeografikisht, ashtu edhe në drejtim të rangut të shërbimeve. “Shpresoj që tregu të na njohë dhe mirëpresë, sepse synimi parësor është të rrisim edukimin financiar të individëve dhe t’i ndihmojmë ata drejt arritjes së objektivave të tyre financiare.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *