Ngjyrat e Klara Profka

“Qaj por  Ec përpara. Edhe pse vetëm, por mos ndalo kurrë. Beso më shumë tek vetja dhe tek aftësitë e tua. Duaje më shumë veten.” Klara Profka

Të qash, të tregosh dobësitë e tua dhe frikërat nuk është e lehtë. Përkundrazi, kërkon shumë forcë dhe guxim. Në procesin e rritjes ka mundësi të humbasësh shumë gjëra dhe njerëz gjatë rrugës, por mos kij frikë, jeta është duke të përgatitur për të bërë hapin e radhës që do të afrojë më shumë me atë që të bën të lumtur.

“Të jetosh në këtë botë
duhet të jesh në gjendje të bësh tre gjëra;
ta duash atë që është e vdekshme,
ta mbash atë shtrënguar fort duke e ditur që jeta jote varet nga ajo
dhe kur të vijë koha, ta lësh të shkojë ” (Jennifer Lauck, Blackbird: A Childhood Lost and Found)

Vajza e këtij artikulli është e fortë, një trime  që më duket sikur do I lë mangët diçka nëse provoj ta shpjegoj. Ka një shpirt guximtar që të ngre në ajër e ti ndjen se mund të fluturosh e asgjë nuk është e pamundur. Por në të njëjtën kohë, me brishtësinë e saj therëse, të bën të gulçosh e të frysh fort që t’ia zhdukësh ato kujtimet e hidhura të fëmijërisë. Të vjen ta mbështjellësh në krahët e tu e të qëndrosh ashtu në heshtje për orë të tëra, derisa ta kuptoj që nuk është vetëm.

Kush është Klara Profka

Klara Profka, është një vajze 31 vjeçe, lindur e rritur ne Lushnje. Është diplomuar për Inxhinier Gjeodet në Tirane pranë Fakultetit te inxhinierisë së ndërtimit. Sot është e punësuar pranë Gener 2 në pozicionin Topografe për projektin e ndërtimit të rrugës Bypass Vlore. Pasioni i saj për artin dhe të bukurën ka zanafillë që në vegjëli, kur ishte 7 vjeçe thur shallin e saj të parë, kujtim ky që do e mbaj të gjallë për shumë vite.

“E dua artin, në çdo trajtë e formë që ai shfaqet. E dua pikturën, krijimet e dorës, qëndisjen, thurjen, dekorin…çdo gjë që personifikon të bukurën. E dua fantazinë dhe ngjyrat. Me ngjyra njeriu shpreh veten, emocionet e tij. Në ngjyra jeton”

Klara ka pasur një fëmijëri shumë të vështirë dhe i është dashur të bëhet “nënë” për motrën e saj në një moshë të vogël (nuk ju premtoj dot që nuk do qani duke lexuar këtë artikull por më besoni ia vlen çdo sekondë që do harxhoni për ta lexuar). Në moshën 10 vjeçare prindërit ndahen pasi i ati përfundon në burg në Itali dhe Klara do gjendet e vetme me të ëmën dhe motrën në një realitet aspak të lehtë.

Në moshën 15 vjeçare merr lajmin se personi më i shtrenjtë për të, e ëma, diagnostikohet me tumor dhe ky do ishte vetëm fillimi i një varg vuajtjesh dhe vështirësish. Për 8 vjet me radhë, Klara do lajë korridoret e spitalit me lot, ku e ëma ndoqi 6 ndërhyrje, 2 kimioterapi dhe 2 radioterapi…derisa një ditë e humbi betejë e vështirë dhe nuk ndjeu më dhimbje.

Klara ishte 21 vjeçe dhe kishte marrë përsipër të plotësonte një amanet – motra duhet të ndiqte universitetin dhe Klara duhet të punonte fort për këtë gjë. Nuk u ndal kurrë edhe kur iu desh të bënte nga 2 punë për të plotësuar ëndrrën e nënës së saj.

Nuk ia zgjati dorën askujt pasi askush nuk u ofrua ti jepte një dorë. Askush nuk e pyeti nëse i duhej diçka, nëse ia dilte aq e re më një përgjegjësi të tillë në jetë. Nëse kishte për të ngrënë apo ia dilte dot mbanë. Askush nga të afërmit nuk iu gjend dhe kjo gjë e shënoi përjetë Klarën.

Fati deshi që nga ana tjetër të njihte njerëz të mirë në këtë botë që o i ofronin ndihmën e tyre edhe pa pasur asnjë lidhje gjaku, por thjesht nga mirësia dhe ndjenja humanitare që kishin. Ndaj edhe Klara sot, ajo se çfarë vlerëson më shumë tek një njëri është pastërtia dhe pasuria shpirtërore, e jo ajo monetare.

Mund ta imagjinoni se si gjithë ato vite në spital më të ëmën mund të kenë shkatërruar gjendjen ekonomike familjare. Por Klara nuk u gjunjëzua kurrë përpara asnjë vështirësive. Kishte një engjëll pranë, motrën e saj që e donte aq shumë dhe dëshironte ti falte një fëmijëri të lumtur dhe me ngjyrat e ylberit. Arriti të plotësojë amanetin e të ëmës dhe motra të bëhet një inxhiniere duke u diplomuar me rezultate të larta.

Virtytet e Klarës

Klara është një vajzë empatike dhe altruiste. Është në gjendje të kuptoj thellë dhimbjen e tjetrit dhe ka për detyrë të bëj çmos që personi tjetër të ndihet më mirë.

Klara ka pasur një ëndërr në sirtar dhe ajo ka qenë arkitektura. Në momentin që duhet të zgjidhte universitetin, për shkak të vështirësive ekonomike dhe familjare që po kalonte në atë momente, zgjodhi diçka tjetër që gjithsesi e afroi me rrugën që e bën sot të lumtur. Falë internetit dhe dëshirës së saj që nuk shteron kurrë për të mësuar diçka të re në jetë, filloi në mënyrë autodidakte të merret me ëndrrën e dytë në sirtar, artin.

Në 2017 mposht frikën e saj dhe merr guximin të jetojë emocionin që i fali për herë të parë piktura. Mori penelat të lundrojë mes bojërave shumëngjyrëshe filloi të pikturojë Vorbullat.
“Prej shumë kohësh jetoja me frikën që do dështoja, që do thyhesha edhe kjo gjë shprehej më së shumti në mungesën e vetëbesimit për të bërë gjëra të bukura. Vorbullat ishin edhe janë vorbullat e jetës sime.  Në një sfond të erret gjithmonë kam pikturuar dritë, ngjyra jete.”

“Para disa vitesh isha duke punuar për realizimin e një galerie, ku të ardhurat që do vinin nga shitja e veprave të artit do shkonin për të ndihmuar vajzat që rriten në jetimore, për nënat që janë në vështirësi. Në vorbullat e jetës ky projekt humbi disi, por kam besim që shume shpejt do realizohet. Dua të krijoj një galeri ku e para që do kënaqem jam unë e pastaj çdo kush që do vij ti shoh, komentoj apo ti ketë në muret e shtëpisë së vet.”

Ka një datë të veçantë që e bën të qaj nga gëzimi dhe trishtimi në të njëjtën kohë. Në datën 31 janar Klara feston ditëlindjen dhe fati do që të jetë edhe ditëlindja e së ëmës. Historikisht e ka shoqëruar këtë ditë me prezencën dhe mungesën e saj.

 Ajo se çfarë e dallon këtë vajzë që ka kaluar gjithë nuancat e të zezës dhe grisë në jetë, është mirësia dhe shpirti pozitiv. “Sa herë zgjohem në mëngjes ,ndihem me fat. Me fat pasi një dite më shumë jetoj këtë jetë. Me fat se zgjohem çdo mëngjes pranë një njeriu të mrekullueshëm I cili është bërë shtylla më e rëndësishme për mua. Kam fatin që punojmë bashkë e nëse kemi një rutinë, e ndajmë përsëri bashkë. Sot bëj një jetë normale e më duket sikur të gjitha vështirësitë e jetës më janë shpaguar me qetësinë që tani kam.”

Klara fal shumë dhe jep po aq shumë. “Fal e jap mundësi pa fund edhe tek ata që më lëndojnë. Për mua falja është hyjnore, është një proces që të bën të rrish në paqe me veten. Duke falur të tjerët ne kemi falur veten nga mendimet e këqija që mund të krijojmë ndaj çdo kujt.”

Planet dhe projektet

Këmbëngulja është një virtyt tjetër që e karakterizon këtë vajzë kaq të veçantë. Është një person që punon fortë e në mënyrë konstante për të arritur atë qëllim që i ka vendosur vetes në jetë. Ashtu siç thotë edhe Klara – hapat mund të jenë si ato të një breshke – por rëndësi ka që ato hapa e sjellin çdo ditë e më shumë më afër objektivit të saj.

Përveç punës full time që i merr shumicën e kohës, Klara është duke punuar gjithashtu për të realizuar galerinë e saj. Dëshiron të krijoj një platforme për të ndihmuar shumë vajza që po kalojnë vështirësitë që Klara ka kaluar në jetë, qoftë duke humbur një person të shtrenjtë apo duke u gjendur vetëm në këtë jetë. Dëshiron ti ndihmojë ato të shkollohen përpos mundësive te mohuara. Të realizojnë ëndrrat e tyre në sirtar.

  Dëshiron një ditë të krijoj bibliotekën e saj prej 1000 librash. Duke adhuruar qëndisjen, punon gjithashtu në realizimin e bandave të cilat janë kopje e pikurave klasike. Ka edhe një ëndërr tjetër në sirtar; të realizoj dhe publikoj një libër ku në thelb ka motivimin.
Jam e sigurt që nuk i mungon asgjë për ti realizuar të gjitha këto dhe se është thjesht çështje kohe para se ta shikoni kudo nëpër portale këtë vajzë sypatrembur.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *