Ngjyrat e Amarilda Fejzullai

handmadeilda_Amarilda Fejzullai

“Kur blini diçka nga një artist “handmade” ju nuk po blini një produkt por një eksperiencë”.

E keni imagjinuar ndonjëherë se çfarë arti mund të krijohet me letrën? Unë jam dashuruar me Origami. Vetë fjala japoneze “origami” është një përbërje e dy fjalëve më të vogla japoneze: “ori” (folje rrënjësore “oru”), që do të thotë të paloset, dhe “kami”, që do të thotë letër. Deri vonë, jo të gjitha format e palosjes së letrës ishin grupuar nën fjalën origami. Para kësaj, palosja e letrës për lojë ishte e njohur nga një larmi emrash, duke përfshirë “orikata”, “orisue”, “orimono”, “tatamigami” dhe të tjerë.

Saktësisht pse “origami” u bë emri i zakonshëm nuk dihet; është sugjeruar që fjala ishte përvetësuar në kopshte, sepse personazhet e krijuar ishin më të lehtë për fëmijët e vegjël për tu shkruar. Një teori tjetër është se fjala “origami” ishte një përkthim i drejtpërdrejtë i fjalës gjermane “Papierfalten”, e sjellë në Japoni me “Lëvizjen e Kopshtit” të fëmijëve rreth vitit 1880.

Pak histori

Origami japonez filloi diku pasi murgjit budistë çuan letër në Japoni gjatë shekullit të 6-të dhe origami i parë i realizuar daton nga kjo periudhë, i cili u përdor vetëm për qëllime ceremoniale fetare, për shkak të çmimit të lartë të letrës. (source: Wikipedia)

Hera e parë që rashë në kontakt me një origami dhe artin e kartolinave të punuara me dorë ishte gjatë “World Expo 2015” në Milano (një expo që zgjaste 6 muaj, por prezantonte mrekullitë dhe kulturën e çdo shteti të botës dhe ti kishe ndjesinë sikur po I vizitoje të gjithë me radhë në një kohë të shkurtër). Në atë expo më kujtohet se u dashurova me prezantimin e Tajvanit dhe në fund bleva një kartoline 3D të punuar me dorë, që në atë moment mu duk gjëja më e bukur në botë.

Pasi shkova në shtëpi kërkova për historinë që fshihej pas një arti të tillë dhe lexova disa versione të ndryshme. Por njëra prej tyre ishte më e veçanta dhe kam dëshirë ta ndaj me ju:

Një nga modelet më të famshme të origami është lejleku japonez. Lejleku është i mbarë në kulturën japoneze. Legjenda thotë se kushdo që palos një mijë lejlek prej letre do të realizojë dëshirën e zemrës. Lejleku origami është bërë një simbol i paqes për shkak të këtij besimi dhe për shkak të një vajze të re japoneze të quajtur Sadako Sasaki.

Sadako ishte e ekspozuar ndaj rrezatimit të bombës atomike të Hiroshima kur ishte vetëm një foshnjë dhe ishte një e mbijetuar e bombës atomike. Në kohën kur ajo ishte dymbëdhjetë vjeçe, në vitin 1955, ajo u diagnostikua në stadin e fundit të leucemish.

Shoku i saj i klasës i tregoi për legjendën e lejlekëve origami, kështu që vendosi të realizojë një mijë lejlekë origami në mënyrë që ajo të jetonte. Sidoqoftë, kur pa që fëmijët e tjerë në lagjen e saj po vdisnin, ajo kuptoi se nuk do të mbijetonte dhe shprehu dëshirën në vend të kësaj, për paqen në botë dhe një fund të vuajtjes.

Një version më popullor i kësaj historie është se Sadako palosi 644 lejlekë para se të vdiste; shokët e saj të klasës pastaj vazhduan të realizonin, për nder të shoqes së tyre, pjesën tjetër të mbetur. Gjithsesi, ky version i historisë së saj është hedhur poshtë nga Muzeu i Paqes Hiroshima dhe familja e saj.

Ajo u varros me shumë lejlek origami, të palosur si nga vetë Sadako ashtu edhe nga shokët e saj të klasës. Ndërsa përpjekja e saj nuk mundi ti zgjaste jetën, ajo i u dha zemër miqve të saj të bënin një statujë të Sadako në Parkun e Paqes në Hiroshima. Çdo vit 10,000,000 lejlekë origami dërgohen në Hiroshima dhe vendosen pranë statujës.

Kush është Amarilda Fejzullai

Gruaja e këtij artikulli më solli në mend këtë histori për pasionin e saj të veçantë – me punimin e letrës dhe dhuratave të ndryshme që realizon të personalizuara për çdo njeri. Amarilda Fejzullai, lindur dhe rritur ne Fier, është diplomuar për financë dhe ka një karrierë gati 10 vjeçare pranë një banke të nivelit të dytë.

Dashuria dhe pasioni për kreativitetin e kanë shoqëruar që kur ishte fare e vogël dhe i lutej të ëmës ti mësonte punime dore të ndryshme. Kalonte më shumë kohën duke krijuar fustane shumëngjyrëshe për kukullat se sa të luante me ato. Me kalimin e viteve interesi u bë shumë më i madh, por ndrojtja dhe diku pasiguria, bënë të vetën.

“Punimet e mia të para, në moshë adulte, janë kryesisht kartolina që shoqëronin dhuratat e miqësisë sime ose riciklime të ndryshme, por punimi i parë i vlerësuar nga ana monetare është një album të cilin e porositi një kliente vetëm një dite pasi ishte hapur faqja në instagram. Deri në momentin e dorëzimit nuk e besoja që ishte e vërtetë, por një shaka e mikeshave të mia që më inkurajonin.”

Si lindi @handmadeilda

Një ditë të bukur, tre mikeshat e ngushta të Amarildës , duke pare pasionin dhe kreativitetin e saj, vendosën që duhet ta zgjeronte këtë aftësi pasi mendonin se ishte gati për të bërë hapin e radhës. Amarilda mendoi se nuk do ia dilte dot mbanë duke parë impenjimet e saj (një punë me kohë të plotë në bankë dhe 2 fëmijë për tu kujdesur ishin të mjaftueshëm si angazhim).

Njëra prej mikeshave e hapi vet faqen e instagramit dhe u kujdes që të rritej numri i ndjekësve. “Me hapjen e faqes fillova të kem kërkesa dhe kjo ishte një surprizë për mua. U desh shumë kohë që të përkushtohem dhe të merrem vetë pastaj me faqen që të krijoja atë komunitet që kam tani.”


“Vështirësitë kanë qenë të shumta në jetë por më pëlqen të fokusohem te momentet e bukura. Në fushën e krijimit, mund të them se vështirësia niste që nga vendosja e çmimeve ( dëshiroj që çdokush që i pëlqen punimet e mia ti ketë ato pavarësisht  mundësive që ka), te gjetja e materialeve, mundësia për ti realizuar ato duke mare parasysh impenjimet e tjera që mund të kem gjatë ditës.”

Çdo kërkesë për Amarildën është e veçantë dhe ajo i kushton kohën dhe dashurinë sikur të ishte punimi i parë. Po ashtu edhe entuziazmi që ka ndërsa pret me padurim reagimin nga personi që do marrë dhuratën apo porosinë. Mban mend pothuajse çdo gjë për çdo ide që ka krijuar; që nga personi që e ka porositur, dëshirat që ka shprehur, komunikimet e shumta, arritja e realizimit të porosisë e deri te reagimi i personit që e ka marrë.

Ngjyrat e Amarildës

Amarilda ka shumë vullnet dhe durim. Përpos pasionit, ajo që lëviz ujërat gjithmonë dhe e bën që të çoje çdo gjë deri në fund është përkushtimi që vendos në çdo gjë që beson dhe dëshiron. “Arti i jep ngjyra jetës” pohon financierja me shpirtin krijues të një artisteje të lindur.

Ajo se çfarë e frymëzon në jetë është lumturia e njerëzve që do, një foto, një fjalë e mirë, një emocion, natyra dhe librat. “Njerëzit që më rrethojnë dëgjojnë shpesh nga unë shprehjen “ kam një ide”.


Ndërkohë që është në dyzim për sa i përket rrugës që do duhet të marrë në të ardhmen – nga një anë investimi që ka bërë këto 10 vjet në profesionin e saj në fushën e financës, nga ana tjetër pasioni që e shoqëron nga fëmijëria- por një gjë e ka të sigurt: Nuk e shikon veten të heqë dorë nga të krijuarit dhe sidomos pasi merr fjalë aq inkurajuese dhe të dashura nga ndjekësit e saj.


“Shpesh herë më duhet të sakrifikoj për të arritur afatet e porosive, por pasioni dhe dëshira më bën ta çoj përpara këtë punë. Kështu dita ime përfundon në orët e vona të natës pothuajse çdo natë, por lumturia që marrë mbrapa nuk ka çmim.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *