Ngjyrat e Klea Pashaj

Klea PASHAJ

E keni dëgjuar atë shprehjen syno hënën, që edhe nëse nuk e arrin mund të kapësh yjet? Vajza e këtij artikulli synon hënën dhe arrin hënën, nuk ka kompromise të ndërmjetme kur bëhet fjalë për ëndrrën e saj.

Ndihem kaq krenare kur intervistoj vajza të reja që arrijnë me idetë e tyre të shkojnë përtej oqeanit, gjë që më përpara vlerësohej si e pamundur. Sigurisht, kjo gjë kërkon shumë punë dhe vullnet dhe më besoni, vajza e këtij artikulli i ka të dyja këto aftësi- punëtore e palodhshme dhe vullnet e guxim të pashtershëm.

Nga një anë ndihem e trishtuar që arrita ta zbuloj kaq vonë këtë vajzë dhe brandin e saj. Kemi një influencë kaq të madhe të vendeve të zhvilluara saqë edhe kur kërkojmë për produkte të ndryshme për përkujdesjen e trupit/fytyrës/flokut shkojmë menjëherë në brandet e mëdha e të njohura ndërkombëtare. Fare pak dija për botën e larmishme të vajzave dhe grave të mrekullueshme të vendit tim që po korrin një sukses me produktet e tyre origjinale.

Më ndiq me kujdes në këtë artikull pasi do zbulosh që: ka njerëz që lindin për të qenë lider dhe nuk ka hije që mund ti mbuloj rrezet e tyre dhe dy, mund të kesh gjithë pasurinë e kësaj bote por nëse nuk ke ide apo shpirt sipërmarrës nuk do dalësh kurrë nga kornizat ku ndihesh e sigurt.

Kush është Klea Pashaj

Klea Alexandra Pashaj kalon 5 vitet e para të jetës së saj në Greqi me familjen. Kur kthehet në Tiranë dhe nis shkollën, do mbushë kohën e saj edhe me kurse të ndryshme si piano, balet, gjuhë të huaj. Sjell në mend që faktikisht hera e parë që ka krijuar një model biznesi (edhe pse imagjinar) ka qenë vetëm 8 vjeçe dhe besoj që këtu ka zanafillën edhe ideja e saj për të qenë një sipërmarrëse.

Ka menduar gjithmonë veten si një liderë dhe protagoniste në jetën e saj dhe asnjëherë në prapaskenë. Për këtë arsye, gjithashtu duke pasur edhe prindër intelektuale dhe kërkues për sa i përket arsimit, Klea ka qenë gjithmonë një studente ekselente.

Rritet në një ambient shumë të dashur dhe të shëndetshëm familjar dhe pikërisht kjo dashuri dhe harmoni e trashëguar që nga gjyshërit e më vonë nga prindërit e saj, do bëj që ëndrra e saj primare të jetë krijimi i një familje të madhe në momentin që do takoj partnerin e jetës. Kjo vajzë më surprizon në shumë aspekte gjatë bisedës sonë dhe unë adhuroj gjithmonë e më shumë shpirtin e saj humanitar.

Si lind brandi @Alexandra_Organic

Në momentin që Klea duhet të zgjedhë fakultetin për të cilën të studioj, gjen barrierën e parë nga i ati. Klea vendos të studioj inxhinieri kimike (profesion ky i mbuluar nga i ati) dhe vendos ti shkoj deri në fund edhe pse nuk ishte zgjedhja e parapëlqyer e familjes. Në moshën 20 vjeçare njihet me personin që më vonë do kthehet bashkëshorti i saj. Duket sikur fati kishte plane të tjera të rezervuar për Klean pasi 7 muaj nga lidhja e saj do njohë prindërit e partnerit, që vijnë nga Amerika posaçërisht për këtë event.

Nga këtu nis bashkëjetesa e saj me bashkëshortin dhe një sërë “reaksionesh” zinxhir. Klea nis punë në një laborator kimik në Vorë. Kjo periudhë përkon edhe me periudhën e rebelimit të saj dhe eksperimenteve të ndryshme me flokët duke testuar shumë ngjyra. Nuk kaloi shumë kohë dhe rezultatet e produkteve kimike që bombarduan flokët në atë periudhë, patën një efekt katastrofik por edhe ndriçues. Klea humbet komplet flokët në atë periudhë dhe kujton se për disa muaj limitohej vetëm në punë dhe shtëpi pasi nuk ndihej në rehat me gjendjen e saj të re.

Duke parë që produktet që po përdorte nuk po jepnin rezultatin që dëshironte, ndërmerr një risk tjetër, por këtë herë do rezultojë i suksesshëm. Fillon të studioj formula të ndryshme dhe të krijoj një shampo për ti dhënë jetë dhe gjallëri sërish flokëve të saj të bukur. Pati një rritje të frikshme dhe Klea mendoi pse mos të realizonte këto produkte edhe për vajzat e tjera. Fillimisht ideja e saj nuk u mbështet nga rrethi familjar dhe kjo ndoshta ishte një faktor tjetër që e shtyu -n për të besuar më shumë tek vetja.

E pajisur me pasion dhe vullnet deri në grykë, nis të prodhojë shampot e para në kushtet shtëpiake (me një buxhet prej 20 mijë lekësh) dhe ti shesë ato online me kontenitor të thjeshtë të marrë nga jumbo (ndërkohë që nuk e përmbaj dot veten dhe qeshim të dyja për këtë detaj).  Pas 6 muaj kërkimesh, prodhimesh dhe shitje online, vjen momenti kur tashmë familja dhe bashkëshorti do e kuptoj se nuk bëhet fjalë më për një pasion kalimtar por ka premisa për tu kthyer në një biznes më të konsoliduar.

Falë kontakteve që i ati kishte në fushën e kimisë, arrin të lidhet me dy kimiste të rëndësishëm që punonin për L’oreal dhe nis bashkëpunimi me një laborator të certifikuar në Athinë për prodhimin e produkteve të para.

Klea vendos të specializohet në këtë fushë dhe investon tek formimi i saj duke ndjekur një master në Universitetin e Sienës (dhe këtu ndihem sërish e lidhur me Klea-n  pasi të dyja ndajmë një dashuri për fenë krishtere dhe kemi zgjedhur të pagëzohemi- Klea me emrin Alexandra dhe unë për nder të Shën Katerinës së Sienës).

Emri i brandit i erdhi natyrshëm dhe zgjedh ta pagëzoj pikërisht me emrin e saj të krishterë. Kështu në 2016 lind Alexandra_organic . Rritja dhe suksesi i brandit në një kohë të shkurtër do jetë një surprizë për Klea-n, por kjo sidomos falë këmbënguljes dhe punës së saj që vazhdon edhe sot e kësaj dite deri në orët e para të mëngjesit.

Tashmë ka një skuadër nga mbrapa që e suporton dhe mbi 40 produkte në treg. Pavarësisht kësaj, Klea nuk heq dorë nga pasioni i saj dhe kërkimi i produkteve të reja me cilësinë që dëshiron ta shoqërojë gjithmonë. Ka një ëndërr të re që ka nisur para 3 vitesh kur ishte shtatzënë me djalin e saj:  Në një udhëtim në San Diego, bie në kontakt me brandin Sephora dhe vendos të nisë një bashkëpunim të suksesshëm duke projektuar të shpërndajë produktet e Alexandra Organic në mbarë kontinentin Amerikan.

Përgatit një plan biznesi, bën gjithë kërkimet dhe studimet e mundshme, kujdeset për çdo detaj dhe merr përsipër të suportojë çdo gjë vetë. Projekti pritet shume mirë që në fillim nga bashkëpunuesit e rinj por kostoja e madhe që duhej për këtë nismë (rreth gjysmë milion dollarësh si fillim) e bën Klea-n të stepet fillimisht pasi kërkon ta realizojë këtë target siç ka arritur çdo gjë deri tani vetë nga zero.

Duke e parë të pamundur nga ana financiare, më në fund pranon ndihmën e familjes, që e shikon si një investim, për të finalizuar këtë projekt. Pandemia ngadalësoi kohën e hedhjes në treg në shtetet e bashkuara, por bëhet fjalë thjesht për çështje kohe dhe në 2021 mund të shikoni me siguri logon e Alexandra organic në Time Square.  

“Për mua është me shumë rëndësi që çdo formulë te jete e ndërtuar me porosi dhe sa më shumë e natyrshme dhe e pastër të jete e mundur, pa sakrifikuar një grimce të efikasitetit. Ky ishte thelbi , kur lindi Metodologjia e pastër 4- vjeçare @alexandra_organic pa sulfate të ashpër, silikone, phthalates, parabens, bojë sintetike, DEA).”

Produktet e Alexandra organic do jenë shumë shpejt në Evrope ndërkohë që vitin tjetër priten në mbarë botën. Jo keq për një ide që lindi në kushte rrethanore apo jo? Më kujton ato historitë e suksesshme amerikane si Steve Jobs që nisi gjithçka nga një garazh me miqtë e tij dhe pas 5 vjetësh kishin një kompani me kuotat e saj në bursë.

Nuancat e Klea Pashaj

Klea Pashaj karakterizohet nga një ëmbëlsi që e bën të pamundur mos ta adhurosh që në momentin e parë që bisedon me atë. Ajo se çfarë ka më shumë rëndësi mbi çdo gjë tjetër është familja dhe Klea dëshiron të rrisë familjen e saj të vogël bashkë me projektet e ndryshme. “Zoti më ka falur një djalë që adhuroj dhe më bën të prekë qiellin me dorë nga lumturia. Por dëshiroj shumë ti dhuroj motra dhe vëllezër dhe uroj jo gjë të realizohet një ditë.”

Për dikë tjetër ky mund të ishte momenti më pak i përshtatshëm për të zgjeruar familjen, duke parë periudhën e pasigurt ku jetojmë apo angazhimet që Klea ka ndërmarrë. Por jo për Klean. Ajo nuk frikësohet nga puna që e pret në momentin që do ketë një fëmijë tjetër, nga angazhimet profesionale që shkojnë gjithmonë duke u rritur apo nga orët e shkurtra të gjumit që do reduktohen akoma edhe më shumë.

Pikërisht se ndjen këtë dashurinë e madhe për fëmijët, momenti kur vjet ka humbur një shtatzëni (e shoqëruar gjithashtu me humbjen e njërit prej gjyshërve të saj me të cilin ishte shumë e lidhur) e ka shënuar, por nuk e ka bërë të humbasë shpirtin e saj pozitiv dhe luftarak.

Klea dëshiron që çdo vajzë që ka një profesion si ajo të ketë të njëjtin sukses. Shkëmbimi i eksperiencave mendon se është një ndër çelësat e suksesit, ndaj në momentin që i prezantohet mundësia për tu përfshirë në një projekt inovator dhe në linjë me atë se çfarë ajo beson, nuk ngurron të zërë vendin e saj. Tashmë Klea-n e gjeni në radhët e investitorëve ne InnvestFund (për më tepër info mbi INNvest Fund, lexo “Një bashkëpunim SUKSESI ).

“Zoti ka një plan të madh për të gjithë dhe nuk të jep asnjëherë kot një dështim apo një sukses. Nuk ka gjë në botë që të jepet pa tu dhënë edhe mjetet për ta realizuar.” Klea Pashaj.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *