Ngjyrat e Lolita Ndoci

“Mund të lexosh një manual dhe ta mësosh përmendësh se si bëhet noti, por po nuk u fute në ujë nuk do e mësosh kurrë notin.” Lolita Ndoci

Dashur pa dashur janë krijuar disa stereotipa punësh dhe i kemi ndarë me një doganë të padukshme se cilat mund të bëjë njëra gjini e cilat jo. Kështu ndër vitesh është menduar se femrat nuk kishin kapacitetin fizik te suportonin një maratonë dhe ndaj pjesëmarrja e tyre  në garat olimpike apo maratonat e ndryshme ka ndodhur shumë vonë duke e krahasuar me pjesëmarrjen e meshkujve (mund të bëjë një listë të gjatë punësh për të cilat është menduar ndër vitesh se nuk janë punë për vajza dhe gra).

Mirëpo, fatmirësisht dhe historikisht, ka pasur dhe ka ende vajza dhe gra të cilat thyejnë çdo pritshmëri e tabu dhe kthehen në një frymëzim për mbarë shoqërinë. Për mua, vajza e këtij artikulli është njëra prej tyre. Është një vajzë ende shumë e re por me një shpirt luftarak sa që duket sikur vjen nga dimension tjetër. Rastësia deshi që para një viti të merrja pjesë në një event të organizuar nga @womanfoundersalbania dhe aty pata fatin të njoh shumë vajza dhe gra të cilat shpresoj ti sjellë në këtë blog me historitë e tyre të suksesit. Lolita ishte njëra prej këtyre vajzave që më ra në sy në këtë event.

Kush është Lolita Ndoci

 Lolita Ndoci, lindur në Laç por është transferuar në Tiranë në moshën 5 vjeçe me familjen e saj. Është një nga ato vajzat që ka kuptuar misionin e saj në këtë jetë dhe ka zbuluar se çfarë e bën të lumtur në një moshë të hershme, ndaj edhe suksesi i saj është tërësisht fryt i një punë konstante dhe të madhe që ka bërë ndër vite. Lolita është vetëm 27 vjeçe, por ndërkohë është bashkëthemeluese e kompanisë Koni Solution Albania dhe pedagoge universiteti.

Çdo gjë nisi të ndryshojë në momentin që duhet të bënte zgjedhjen e saj për fakultetin që do ndiqte. Lolita ka pasur një raport shumë të mirë më shifrat dhe ka qenë një nxënëse shumë e mirë në matematik, ndaj edhe i ati ka menduar gjithmonë se zgjedhja e saj do kishte qenë një degë si Ekonomiku.

Duke surprizuar çdo pritshmëri të familjes, lolita vendos të studioj për inxhinieri telekomunikacioni dhe këtu fillojnë vështirësitë e para. Nuk pati që në fillim mbështetjen e të atit për këtë fakultet (dalim sërish në temë se si disa fakultete mund të konsiderohen më ideale për vajza dhe disa jo), por Lolita e vendosur që do i shkonte deri në fund kësaj zgjedhjeje, përfundon me sukses universitetin bashkë me masterin.

“ Mbaj mend që im atë ishte shumë I sigurt që unë nuk do e përballoja dot këtë degë dhe kur përfundova vitin e pare më tha se e kisha zhgënjyer në mënyrë pozitive. Ishte i lumtur që unë ia kisha dalë dhe mendonte se më e keqja kishte kaluar.” Në fakt Lolita sapo kishte nisur rrugën e saj dhe jeta kishte ende plot surpriza të destinuara. Në momentin që përfundon Universitetin me sukses, mendonte se e ardhmja e saj ishte në një kompani të madhe telekomunikacioni, siç është Vodafone apo kompani të këtij kalibri.

Lolita pati mundësinë të punonte për pak kohë në një kompani të tillë por jeta kishte plane të tjera. Njihet me njërin prej themeluesve të grupit KONI (që është një brand internacional) dhe në fund vendos të jetë bashkëthemeluese e kompanisë Koni Solutions, branchit në Shqipëri – një kompani software që fokusohet kryesisht në Filemaker development, web development dhe marketing solutions. Motoja e KONI-t është pikërisht “Ne i japim jetë projekteve tuaja” dhe Lolita është një nga ato vajzat që do i jepte jetë çdo projekti që do e merrte përsipër.

E fokusuar në atë që do dhe se si mund ta arrij, rruga duket e qëndisur për të. Normalisht mbështetja e kompanisë mëmë nuk mungoi në fazat e para të hapjes së kompanisë në Shqipëri në vitin 2017 (kur Lolita ishte vetëm 24 vjeçe) por është falë punës së jashtëzakonshme që kjo vajzë ka bërë gjithë këto vite për suksesin që KONI solutions mund të dëshmojë.

Lolita ka në portofolin e saj kryesisht biznese të vogla dhe të mesme në Kanada dhe Itali. Do donte shumë që kjo formulë dhe kjo metodë punë të përhapej edhe në Shqipëri por për momentin e shikon të vështirë për mënyrën se si konceptohen disa terma dhe metodologji pune në vendin tonë.

Ngjyrat e vështirësive

Një ndër momentet që më përmend në mënyrë të veçantë është momenti kur para një viti u divorcua nga ish bashkëshorti. Iu desh të kthehej sërish te shtëpia e prindërve, tek e njëjta dhomë ku kishte kaluar kohën e saj si adoleshente dhe për të nënkuptonte se kishte bërë shumë hapa mbrapa. Viti 2019 shërbeu si një vit leksione jete, ku iu desh të “rritej” dhe të rilindte akoma edhe më e fortë nga gjithë ajo situatë në të cilën e zhyti për një periudhë në një zonë gri.

Kuriozitete

*Lolita është një besimtare e Krishterë dhe një ditë në kishë me mikeshat e saj u thotë se dëshiron të hapi një kompani të sajën por nuk kishte mundësi financiare. Ishte vetëm 23 vjeçe dhe një vit më vonë takon njërin prej themeluesve të KONI Group…pjesa tjetër është thjesht histori.


*Emrin ia ka vendosur daja dhe kur i ati ka marrë vesh vite më vonë për librin që e ka bërë të famshëm këtë emër nuk e ka pritur shumë mirë, por tani është mbështetësi numër një i Lolitës dhe i veçantive që mbart ky emër falë vajzës së tij.


*Është fituese e @ukalbania_techhub dhe “Gruaja e Vitit ne ICT” (Information Communication Technology) me projektin e saj @skrivbord.co për te gjithë kontraktorët në fushën e ndërtimit ne Amerikën e Veriut (ju kujtoj që është vetëm 27 vjeçe).

*Adhuron sportin dhe në faqen e saj të instagramit mund ta shikoni tek praktikon aktivitet të ndryshme nga hiking, kacavirret nëpër male e deri tek hedhja me parashutë.

*Investon gjithmonë tek vetja dhe mirëqënia. Ndjek një rutinë të shëndetshme që mundohet ta respektojë kudo që ndodhet.

* E karakterizon një vetëbesim, kjo falë edhe aftësive që ka përfituar ndër vitesh. Ka një buzëqeshje ngjitëse dhe nëse je afër e ke të pamundur ti rezistosh.

“Nëse duhet të bëj dy gjëra njëkohësisht, heq dorë. Fokusi është gjithmonë tek një gjë e vetme dhe njëra pas tjetrës. Nuk mund të mendoj të shikoj televizor dhe të bëj një punë njëkohësisht. Për mua është e nevojshme që çdo gjë të bëhet me vëmendjen që meriton dhe një e nga një.”

* Tek @womanfoundersalbania ka njohur dy persona të rëndësishme me të cilat ka pasur jo vetëm feeling që në momentin e parë por edhe shumë mbështetje në projektet e ndryshme dhe ato janë themeluesja e #womanfoundersalbania Blendina dhe Arjeta e Timak SHPK.

* Me Arjetën e lidh edhe një projekt i përbashkët që kanë marrë përsipër për në kontinentin Afrikan. “Është  një projekt-startup që është menduar për të ulur numrin e përdhunimeve ndaj grave në Afrikën e Jugut. Imagjinoni një  byzylyk që sapo ndihesh e rrezikuar të lëshoj një alarm dhe njerëzit që ndodhen pranë ti vijnë në ndihmë. Byzylykët lindën si një ide për ti dhuruar dhe në të ardhmen të përhapet në mbarë botën falë investitorëve që programojmë të përfshijmë.”

*Bën kërkime të ndryshme shkencore dhe një ditë dëshiron ti publikojë në formën e një përmbledhjeje.

*Është duke studiuar për “Project Management Professional” që të pajiset me një certifikatë PMI (kjo vajzë nuk ndalet kurrë së studiuari dhe jo vetëm në fushën e saj).

“Beso shumë fortë tek vetja. Gjërat që vijnë në jetë nuk vijnë asnjëherë rastësisht.”

“Nëse ktheja kohën mbrapa do i jepja një këshillë vetes: Mëso të ecësh pasi vrapon shumë, rrëmbehesh shpesh por ka momente që duhet të jesh në sinkron me të tjerët…ka raste që disa gjëra kanë nevojë për më shumë kohë.”

“Ka momente që kam dhënë shumë dhe shumë shpejt.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *