Ngjyrat e Albina Shehu

“Nuk ke nevojë për shume veta rreth teje, më mirë pak e saktë.” Albina Shehu.

E keni vënë re se kur jeni nën trysninë e një ankthi, presioni, stresi zakonisht hidheni te gatimi dhe aty gjeni qetësinë? Për ato që e pëlqejnë gatimin sigurisht, do u ketë ndodhur shpesh herë kjo gjë. Do ju ketë ndodhur ë edhe emocionet tuaja, qoftë të bukura apo edhe ato më pak të bukura, do i keni derdhur talentin në kuzhinë duke shprehur gjithë ngjyrat e atij momenti.

Vajza e këtij artikulli është një nga ato vajzat që do ju bëj të reflektoni për disa gjëra në jetë. Dikush do mund të gjendet më tepër në historinë e saj e dikush që e njeh vetëm nga rrjetet sociale ndoshta nuk e ka njohur këtë aspekt të brishtë të saj. Unë e konsideroj jashtëzakonisht guximtare dhe fitimtare pasi jo të gjithë arrijnë të flasin lirshëm për disa tematika – që mesa duket pandemia i ka shtuar por njerëzit vazhdojnë ta mohojnë dhe vetëm sa përkeqësojnë gjendjen e tyre.

“Çfarë nuk të vret të bën më të fortë.”

Kush është Albina Shehu

Albina Shehu, lindur dhe rritur në Gjirokastër, pasi përfundon gjimnazin në qytetin e lindjes transferohet në Tiranë për të ndjekur studimet e larta në degën e mjekësisë Dentare. Albina ka qenë shumë e lidhur me Gjirokastrën dhe familjen e saj ndaj jetesa në Tiranë nuk ka qenë aspak e lehtë. Gëzohet me bukurinë që qyteti i saj ofron dhe faktin që është ndjerë gjithmonë e sigurt pranë një familje të shëndetshme dhe të madhe në të cilën u rrit deri në moshën 18 vjeçe.

Duke jetuar në një vilë së bashku me familjen e xhaxhait, kujton me nostalgji vitet më të bukura të fëmijërisë dhe adoleshencës, ku shpesh herë për të ishte e njëjta familje dhe bëhej gati të hynte në apartamentin më poshtë ku ndodheshin familjarët e tjerë. Kujton momentet e saj të preferuara kur binte shi pasi të gjithë strukeshin brenda në dhomën e madhe pranë zjarrit dhe Albina kishte mundësi të luante me vëllezërit dhe të afërmit e saj pa pasur shpërqendrime nga jeta jashtë atyre mureve.

Kujton sa i adhuronte ato momentet ku të gjithë mblidheshin pranë tryezës të dielave dhe provonin bashkë ushqimin e mrekullueshëm të së ëmës, që shquhet për kulinari dhe pjatanca plot ngjyra e shije. Sekretet e brumit dhe piteve që vetëm e ëma shquhej në atë zonë, Albina nuk përtonte tua vinte në dukje fëmijëve të tjerë se pitet e mamit ishin më të mirat.

Sekretet e brumit dhe të pjatave të tjera fatmirësisht u trashëguan nga e ëma te e bija dhe tani Albina pohon me krenari se ky pasion është realizuar më së miri në çdo ushqim që vendos të gatuaj.

Vështirësitë

Ardhja në Tiranë pati një impakt negativ fillimisht që u shoqërua me shumë vështirësi të ndryshme gjatë rrugës për Albinën. Fillimisht përshtatja në një qytet metropol si Tirana nuk dukej e mundur. Albinës i mungonte Gjirokastra me bukuritë e saj, me qetësinë, njerëzit e dashur, familjarët dhe të qeshurat e tyre, familja e madhe dhe drekat e darkat që kalonte nën shoqërinë e tyre…aty edhe aroma e drurëve të djegur në oxhak (mallëngjehet në këtë pikë të historisë kur i rikujton akoma edhe një herë).

I mungonte ushqimi i së ëmës dhe përkujdesja e ngrohtësia e saj. Pati vështirësi me menaxhimin e financave pasi nuk ishte mësuar të gatuante për një person apo te hante vetëm. Gatimi i kujtonte Gjirokastrën dhe familjen e madhe ndaj refuzonte të gatuante fillimisht, duke nisur kështu një regjim aspak të shëndetshëm.

U përball me disa premtime që nuk u mbajtën, me afrimitet që nuk panë kurrë dritën e diellit. Mori vetëm bërryla dhe kjo e thelloi gjendjen e saj emocionale. Fillon kështu një kalvar psikologjik që do prekë gjendjen e saj emocionale deri në kriza paniku e ankthi. Kriza që shoqëroheshin nga shqetësimet e fakultetit e deri te mungesa e dashurisë dhe ngrohtësisë familjare.

Një luftë kjo, siç edhe vetë ajo e quan, që do zgjasë gjatë gjithë periudhës që ishte studente. Stomatologjia dhe mjekësia në vetvete nuk janë degë të lehta dhe jam e sigurt duke i përballuar ato vite me një gjendje emocionale të tillë, e besoj që Albina nuk ka dëshirë të përmendë diçka të veçantë nga ajo kohë.

Kujton një ditë në mënyrë specifike ku ka përjetuar një gërshetim emocionesh që përshkonin të gjitha ngjyrat nga e zeza, grija, e kuqja, jeshile e bardha- në momentin kur e ëma duhet të bënte një ndërhyrje kirurgjikale dhe i ka përjetuar me shumë ankth ato orë derisa doli nga salla e operacionit dhe mori lajmin e mirë.

Ndërkohë, nga ana tjetër kishte gjetur terapinë e saj për tu qetësuar dhe duket se po e ndihmonte mjaft mirë. Duke studiuar deri në orët e para të mëngjesit 2-3, nisi të gatuaj recetat fillimisht frymëzuar nga e ëma pastaj duke ndjekur disa foodbloger të huaj. Fillon kështu të ri-zbuloj dashurinë për gatimin dhe të krijojë momente të reja lumturie, duke mos jetuar vetëm në të kaluarën.

Si lindi MySweetTooth.Cuisine

Duke ndarë pjatat dhe recetat online vuri re që kishte një impakt mjaft pozitiv. Në momentin që një mikeshë e këshillon të hapë një blog, nuk e mendoi dy herë pasi kjo dëshirë kishte kohë që po vlonte nën lëkurë. Hap kështu blogun @MySweetTooth.Cuisine ku fillimisht ndan vetëm receta të thjeshta dhe lehtësisht të realizuara nga çdokush. Tashmë në faqen e saj të Instagramit do gjeni edhe dy rubrika të tjera që janë të ndara në video/këshilla profesionale mbi higjienën e gojës dhe probleme të ndryshme dentare, si dhe pasionin e radhës të Albinës që është kujdesi i lëkurës.

Do thoni çfarë pune ka një dentiste në profesion me kuzhinën dhe sidomos ëmbëlsirat (mirë kujdesin e lëkurës e kuptojmë)!? E kush më mirë se sa një dentiste mund t’ju këshillojë çfarë është më mirë të hani për dhëmbët tuaj dhe pastaj si të kujdeseni për to? Albina është një natyrë perfeksioniste ndaj pasioni për lëkurën ka zanafillë të hershme. Pasion ky që u thellua dhe konsolidua në momentin që studion dermatologji dhe kirurgji.

Nga dëshira e madhe për të qenë sa më reale dhe profesioniste në këshillat që dëshiron të ndajë me ndjekësit e saj, nuk ndalet kurrë së lexuari dhe informuari në mënyrë profesionale për kujdesin e lëkurës, ndaj lind kështu edhe kategoria e tretë në blog – review për produktet e lëkurës.

Ndërkohë që nis punë si stomatologe, gatuan me shumë dashuri për veten dhe ndan recetat online me miqtë e saj virtual, njeh kështu edhe njeriun e jetës me të cilin ndan edhe të njëjtin profesion, si dhe ambient pune. Albina flet me shumë dashuri se si i fejuari është tashmë për të një shtyllë e rëndësishme, se si e frymëzon dhe e shtyn gjithmonë për më mirë.

Me siguri nëse do kthehej mbrapa ka disa gjëra që do i bënte ndryshe thotë Albina, por ajo që nuk do ndryshonte kurrë janë momentet e fëmijërisë. Ushqimi me të cilën është më shumë e lidhur pasi i sjell gjithmonë në mend kujtime të bukura dhe shkëput një buzëqeshje nga veshi në vesh, janë pitet e të ëmës. (ose kulaç siç i themi ne nga jugu).

“Mjeshtre brumi e quaj mamin. Në fëmijëri çdo fundjave zgjohesha me pitet e ngrohta dhe i merrja në dore të luaja me fëmijët e tjerë në lagje. Mburresha me faktin që mamatë e tjera nuk e arrinin dot brumin e mamit tim. Pas shumë vitesh më në fund e përvetësova dhe unë recetën dhe aftësinë e saj për ti realizuar në atë mënyrë.”

Raporti me të ëmën duket se ka qenë gjithmonë shumë I fortë dhe dashuria për kuzhinën i afroi akoma edhe më shumë nënë e bijë. Duke ndarë receta dhe eksperienca me njëra-tjetrën. “Ajo është nga ato nënat ideale qe na përgatiste çdo gjë të freskët e të mirë për mëngjes , drekë, mes vakt dhe darkë. Kishte gjithmonë diçka të mirë të përgatitur nga ajo në frigorifer ndaj më ka frymëzuar të jem si ajo. Në fakt të gjithë ne në shtëpi gatuanim, sidomos në dimër duke shfrytëzuar edhe zjarrin e oxhakut që i bënte disa ushqime akoma edhe më të shijshme.”

Disa këshilla të çmuara

Tani që luftoi betejat e saj dhe jo vetëm i fitoi por dëshiron të frymëzojë sa më shumë njerëz, ka fituar një vetëbesim që i ka zeruar çdo kompleks që mund të ketë patur apo mund të ketë një njeri. Një vit pasi kishte përfunduar universitetin, beteja e saj me krizat e ankthit mori ngjyrat e fitores dhe tashmë ndihet e lirshme të flasë për çdo gjë dhe të mbajë fjalime para një publiku.

E karakterizon një elokuencë që mendoj do e shfrytëzoj mjaft mirë për të shtuar një rubrikë të re në faqen e saj duke dhënë edhe këshilla si të përballoni më mirë disa momente të vështira në jetë (duke qenë se për vite me radhë i është dashur ti përballoj vetë).

Ju ftoj të mbani shënim pasi po përmbledh më poshtë shkurtimisht ato që nuk kanë nevojë për shumë fjalë dhe që për mua janë themelore nëse doni të jeni të lumtura apo të keni sukses në jetë:

“Vetmia nuk është gjë e keqe
*Nuk ke nevoje për shume veta rreth teje!
*Perfeksioni nuk është diçka e keqe!
*Besoji më shumë atij impaktit të parë/energjisë, kur takon një person!
*Mëso të thuash JO! (nuk do resht së përsërituri në çdo post këtë pjesë)
*Nuk mund ti kënaqësh të gjithë! Me siguri nëse përpiqesh jo vetëm që do dështosh por do jesh duke ndrydhur veten.
*Të qenit ndryshe nuk të distancon nga shoqëria!”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *