Ngjyrat e Lorena Gjana

Lorena gjana_colorourlives

Të ka ndodhur ndonjëherë të shikosh një person drejt e në sy dhe të mendosh “çfarë është duke ndodhur në kokën e tij/saj” në atë moment specifik?

Ka persona të cilët mund ti lexosh dhe kuptosh më shpejt, pastaj ka persona të tjerë për të cilët të duhet kohë ti vëzhgosh në situata të ndryshme për të kuptuar thelbin e karakterit të tyre pasi një intervistë nuk është e mjaftueshme. Vajza e këtij artikulli më kujton një kryevepër të Pixar (e di ç’do mendoni, c’punë ka kjo vajzë me një film të animuar… por më ndiq për të zbuluar më shumë).

Inside Out” është një film I animuar shumë I arrirë I studios Pixar (studio e themeluar nga Steve Jobs në 1986) dhe unë jam mrekulluar me mjeshtërinë që është munduar të shpjegoj ndjenjat njerëzore, si formohet karakteri i njeriut dhe vlerat me të cilat rritet. “Inside out” nis me një shpellë të errët, si ajo shpella e Platonit, e vetvetes së paformuar ende. Në fillim shfaqet “Lumturia” (Joy) si një zanë e bukur që vezullon plot shkëlqim e pozitivitet dhe hapja është pikërisht në këtë mënyrë: ”A shikoni ndonjëherë dikë dhe pyesni veten se çfarë po ndodh brenda kokës së tij?”

Më vonë shfaqen ndjenjat e tjera me ngjyrat përkatëse: Zemërimi I kuq, Frika vjollcë, Neveritja jeshile dhe Trishtimi blu. Karakteret shfaqen me gjini të miksuar (në krahasim më adultët që kanë vetëm personazhe sinonime të ndarë në meshkuj apo femra) pasi pikërisht Riley (fëmija që do përjetoj gjithë këto emocione në situata të ndryshme gjatë filmit) është duke krijuar personalitetin e saj dhe brenda ka ndjenja dhe emocione që përzihen dhe shpesh nuk kuptohen lehtë.

Ndërkohë që Lumturia (Joy)-një mikro menaxhere patologjike që mendon se vetëm ndjenjat pozitive vlejnë në jetë- mundohet të krijoj vetëm kujtime dhe momente të lumtura për vajzën, por në fund do kuptoj se trishtimi është një emocion po aq I vlefshëm dhe i rëndësishëm sa lumturia.

Kush eshte Lorena Gjana

Vajza e këtij artikulli më përcjellë në shumë situata të ndryshme këto ndjenja mikse të cilat nëse nuk je e kujdesshme të shkosh përtej, mund të kaloj rrugës dhe ndoshta nuk do e kuptosh se çfarë “bombe  emocionesh” ke humbur të përjetosh.

Lorena Gjana, lindur në Pogradec në një familje e cila ka hasur shumë vështirësi në fillimet e veta,  si shumë familje të tjera Shqiptare në atë periudhë. Lorena ka patur fatin të ketë një mbështetje të fortë dhe përkrahje për çdo vendim të rrugëtimit të saj nga familja.

Ajo nis hapat e parë drejt kërkimit të vetvetes dhe zbulimit të asaj që dëshiron në jetë në momentin që vendos të kryej studimet e larta në Qipro për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ndërkohë që masterin e pare në lidhje me Diplomacinë Mesdhetare (pak fati dhe pak dëshira e aventurës së re) do e kryej në Universitetin e Maltës dhe të dytin për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Qeverisje në Universitetin Tsinghua në Pekin, Kinë.

Ndoshta iu desh të shkonte deri në anën tjetër të globit për të zbuluar se çfarë dëshironte realisht në jetë, në fund kthehet në Shqipëri dhe kupton se gjithçka që ka dashur ka qenë gjithmonë aty dhe pranë saj. Nis kështu eksperienca e saj profesionale 8 vjeçare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ndër to 5 vjet e emëruar si Sekretare e parë në Ambasadën në Prishtine. Duke qenë një person që dëshiron gjithmonë të eksploroj dhe të rriskoj, Lorena vendos pas 8 vjetësh se kishte ardhur momenti të shikoj mundësi të reja, përtej administratës dhe diplomacisë.

I bashkëngjitet një prej organizatave më me eksperience në Shqipëri në implementimin e projekteve zhvillimor, Co-PLAN, ku dhe forcon aftësitë e saj në komunikim strategjik, koordinim projektesh dhe menaxhim.

Lorena mendon se njeriu është gjithmonë në zbulim dhe elaborim të vetes në radhë të parë pastaj të botës përreth, ndaj do ishte shumë e vështirë ta përshkruaje me disa fjalë karakterin e veçantë të kësaj vajze. Mendoj se përmbledh karakteristikat më të rralla që mund të gjej tek një person i vetëm, pasi herë më transmeton atë gruan e rritur dhe konfidente, dhe herë atë vajzën e vogël ende në kërkim të vetvetes, që po eksploron çdo gjë për herë të parë ndaj të magjeps me ngjyrat e emocioneve shpërthyese që të përfshijnë tërësisht dhe harron çdo gjë përreth.

“Nëse do provoja të shpjegoja karakterin tim, do nisja me kureshtjen, që unë do e quaja një virtyt,  pasi luan një rol te rëndësishëm në atë që unë jam dhe përfaqësoj. Mendoj se kureshtja shtyn çdo linjë tjetër të zhvillimit personal në perspektiva të ndryshme të jetës. Reflektimi mbi atë çfarë përjeton, ndërveprimet me atë që të rrethon dhe qartësia për atë që dua të arrij janë pika kyçe mbi të cilat më duhet të punoj vazhdimisht.

Preferoj të mendoj që e vërteta dhe sinqeriteti drejtojnë gjithçka që bëj dhe jam. Duke filluar, sinqeriteti me vetveten e më pas me të tjerët. Kam zgjedhur të jem njeri I drejtpërdrejtë edhe në rastet kur e vërteta është e vështirë të dëgjohet pasi mendoj se zhvillimi dhe impakti është më pozitiv duke funksionuar në këtë mënyrë. Atë pres dhe nga të tjerët sigurisht, më mirë një e vërtete e hidhur se sa një iluzion.”

Ndërkohë që mësimet më të rëndësishme në jetë i ka gjithmonë të lidhura me të atin, pasi nuk ka ngurruar ti tregojë me fakte dhe histori reale suksesi të grave të ndryshme që ka hasur në rrugëtimin e tij profesional (duke mos kursyer peripecitë që kanë hequr) dhe kjo i ka dhënë shtysë Lorenës që nëse punon fort për atë që dëshiron, asgjë nuk mund ta ndalojë të arrij suksesin. Ndërkohë, melodia dhe harmonia e natyrës janë dy kombinime perfektë për Lorenën që i falin kënaqësi dhe qetësi shpirtërore.

Mbas një periudhe 3 vjeçare të një pune intensive dhe plot sfida nga më të ndryshme në CO-Plan, ajo vendos ti bashkohet ekipit të INNVEST për të sjellë eksperiencën e saj në funksion dhe shërbim të mbështetjes të ekosistemit të biznesit nga një perspektivë komplet e re dhe e pa eksploruar më parë.

Ne 24 muajt e ardhshëm Lorena dhe ekipi i Innvestfund, është angazhuar për të konsoliduar dhe zgjeruar rrjetin sa më shume në mënyrë që të rritet akoma edhe më tepër roli i INNVEST si aktor në ekosistemin e biznesit. “Për të bërë këtë do të na duhet që të ideojmë programe të targetuara për biznese të mëdha e të vogla dhe të zhvillojmë aktivitete për të ndërmjetësuar dhe stimuluar bashkëveprimin midis anëtareve të rrjetit.”

Prioritet për këto muaj do te jete suksesi I Akademisë se Menaxhimit të Inovacionit, ndërkohë që ajo se çfarë rezervon e ardhmja mbetet gjithmonë një mister dhe Lorena është e bindur vetëm për diçka- do përjetoj çdo eksperiencë në maksimum dhe çdo hap që do ndërmarrë do e afroj drejt objektivit të saj më të madh që ka vendosur në jetë (që me siguri do e zbulojmë një ditë në të ardhmen në një artikull tjetër).

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *