Ngjyrat e Alda Lale

Alda Lale_ColorurLives

“Çdo ditë mendoj se marrim mësime në jetë, sado të vogla që mund të jenë dhe disa prej tyre lënë shenjë për një kohë të gjatë. Asgjë nuk është e përhershme në jetë, përveç vetes tënde.” Alda Lale

Alda është vajza tipike që do doje të kishe në grupin shoqëror: është e drejtpërdrejtë, e guximshme, ka një stil të veçantë dhe të fton gjithmonë të dalësh nga zona jote e komfortit duke të prezantuar me një këndvështrim të realitetit që ndoshta nuk do e mendoje.

Nuk bie pre e nënshtrimit të shoqërisë mbi stereotipin që duhet të jetë një vajzë (e hijshme, femërore etj) por krijon rrugën e saj duke shpalosur një vetëbesim që nuk tundet e nuk stepet nga gijotina e tabuve.  Nuk shtyp identitetin e saj por e përqafon dhe i prezantohet botës me krenari në versionin më real të vetes, moskokëçarëse deri në pikën që here herë mund të duket misterioze e here gotike.

Pastaj ke mundësinë të shkëmbesh dy fjalë dhe kupton se buzëqeshja e saj është komplet e kundërta e asaj që mendoje se kishe zbuluar deri në atë moment. Krijon një aureolë ngjyrë vjollcë  rreth saj, me një forcë magnetike të jashtëzakonshme dhe ti pa e kuptuar je në një dimension tjetër: në një mbretëri misteri dhe magjepsëse ku asgjë nuk përfaqësohet në mënyrë banale dhe të zakonshme.

Po të kërkosh online kuptimin e ngjyrës vjollcë do shikosh që lidhet me fisnikërinë, madhështinë, krijimtarinë, përkushtimin, pasionin etj. Persona të tillë janë të rrallë dhe unë i konsideroj jashtëzakonisht të vyer. Alda ka një personaliteti të veçantë që i rrit vlerat dhe e bën të duket në sytë e mi si ajo lulja e lotus-it në moçalin e një shoqërie që po humb identitetin çdo ditë e më shumë.

Kush është Alda Lale

Alda lind dhe rritet në Korçë deri në moshën 18 vjeçe kur transferohet në Tiranë për të ndjekur studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Shkenca Politike. Eksperiencat e para profesionale nisin në fushën e medias në një nga televizionet më të njohura të vendit, Top Channel, për të eksperimentuar më vonë në fushën e marketingut dhe financës. Alda është një person që ka uri për dije në mënyrë të vazhdueshme dhe kur nis diçka mundohet ta përvetësojë  në mënyrë perfektë para se të hidhet në një eksperiencë tjetër.

Korrekte dhe e orientuar drejt detajeve – cilësi që e bëjnë të përshtatshme nëse dëshiron të transformosh një projekt në biznes- pas 10 vjet eksperience në fushat e marketingut dhe financës, së fundi i bashkohet grupit @innvestfund duke dhënë kontributin e saj që në hapat e parë që projekti merr formë.

INNVEST nxit zgjidhje inovative që fuqizojnë sipërmarrësit dhe investitorët të krijojnë një ekonomi më dinamike në të gjithë Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor përmes mentorimit, trajnimit, mbështetjes, konsulencës dhe ndërmjetësimit

“Lumturia është momentale dhe çfarë më bën të lumtur në një fazë të jetës nuk më bën ndoshta në një fazë tjetër. Me siguri mund të them me plotë gojë se ajo çfarë më bën të lumtur në çdo moment të jetës sime është kur ndihem e sigurt me veten dhe në atë që bëj.”

 Periudha historike që po jetojmë ndoshta mund të ketë hedhur poshtë shumë projekte dhe plane afatgjata dhe Alda dëshiron të qëndrojë më këmbë në tokë. “Misioni dhe objektivi për këtë vit është që Innvest të ketë një qëndrueshmëri dhe të mundet të krijoje plane afatgjata për vitin e ardhshëm kalendarik. Plane të cilat të jenë sa më shumë të pavarura nga rrethanat duke dhënë më shumë rezultate të prekshme dhe më pak humbje kohe.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *