Ngjyrat e Ermira Kaso

Ermira Kaso

“Çfarëdo që të bësh dhe çfarëdo të të ndodhë, e rëndësishme është të qëndrosh në lëkurën tënde dhe të bësh gjërat që të bëjnë ty të ndihesh mirë” Ermira Kaso.

 Na ishte një herë një vajzë e vogël që ëndërronte të kapte të gjitha nuancat e perëndimit dhe fillon kështu të vizatojë nëpër muret e shtëpisë (veprim ky që do i kërkohet vite më vonë që ta zgjeroj nëpër muret e rrugëve të qyteteve të ndryshme, lokaleve, zyrave, kopshteve për fëmijë etj).Nis që në vegjëli pasioni për artin dhe pikturën në veçanti.  

Ermira Kaso, lindur në Ersekë në 1987, transferohet në Tiranë për shkak të transferimit të të atit (që ndiqte një karrierë ushtarake) dhe dashurohet që në fillim me Tiranën dhe karakteristikat që ky qytet i falë që në momentet e para.

Ka marrë pjesë në çdo aktivitetet që shkolla organizonte me qendrat kulturore dhe një ndër kujtimet që sjell në mend gjithmonë janë konkurset që organizoheshin te Galeria e Arteve dhe në zemrën e Ermirës zënë një vend të veçantë. Kujton me nostalgji fëmijërinë e saj, ku në dallim nga e motra që është 6 vjet m e madhe, gëzonte liri të plotë nga prindërit dhe kjo e ka shtyrë të eksperimentoj ndër vitesh me jetën e saj.

Për çdo njeri që ka një talent të tillë do mendonte se rruga më e mirë për ta kultivuar është të ndjekë një shkollë arti. Por jo për këtë vajzë çapkëne. Ermira dëshiron gjithmonë të eksperimentojë dhe të testojë veten 360 gradë ndaj edhe pse pasioni i saj për artin nuk zbehet kurrë, vendos të vazhdoj studimet në shkollën e mesme “Qemal Stafa” (edhe pse kishte fituar të drejtën për të ndjekur liceun artistik për pikturë edhe akademinë e arteve për skenografi).

Sërish kur ndodhet para zgjedhjes për studimet e larta vendos të ndjekë studimet në fakultetin ekonomik për menaxhim dhe specializohet për marketing. Ndërkohë që pikturën nuk e braktisë kurrë për asnjë moment dhe kujton me nostalgji momentet kur zysh Zanfira Heta shpesh e  ftonte në shtëpinë e saj për të pikturuar së bashku, duke e prezantuar botën e bukur të bojërave sipas perspektivës së saj. “Pikturën e kam konsideruar gjithmonë si guva ime e ngushëllimit dhe arratisë drejt bukurisë dhe lirisë.”

Piktura e parë me borja ka qenë një riprodhim i një portreti të Botticelli-t. “Ishte interesant dhe ngelet në shtëpinë time përherë sado amatore me duket tani.” 

Jeta me njëmijë e nje degëzimet e saj do ta drejtojë në role të ndryshme në sistemin bankar, kontabilitet, menaxhim e marketing. Për 10 vjet Ermira profilizohet në këtë botën e ftohtë të financave që nuk ka asnjë lidhje me pikturën, por gjithmonë fundjavave kthehej tek vetja dhe pasioni i saj.

Ndërkohë që vjen një moment, ndoshta profesionet e ndryshme nuk po i falnin më sodisfaksion dhe ndihej shumë larg vetes, vendos të shkoj disa muaj në Amerikë të vizitojë motrën dhe të nis një aventurë të re drejt kërkimit të vetvetes.

Pandemia vjen në momentin ndoshta më të duhur për Ermirën pasi jeta e vendos tani të përballet me veten dhe të kërkoj ato përgjigjet të cilat nuk i gjeti as duke shkuar mijëra kilometra larg. Vendosë të pikturojë me kohë të plotë natë e ditë derisa më në fund arriti në përfundimin se sado të shmangesh dhe dezertosh nga ajo që do, gjithsesi pasioni do të të kërkojë të kthehesh aty ku ai është.

“Aktualisht jam duke u marrë vetëm me pikturë, në kërkim të vetes, në kërkim të profilit tim artistik, veshur me atë që e quaj stilin tim identifikues.”

Ermira ka pasur gjithmonë në krahë dhe mbështetje të madhe dy prindërit që e kanë shtyrë çdo herë drejt kësaj rruge dhe kanë qenë fansat e saj numër një. Duke parë edhe besimin e tyre, ndër vitesh ka marrë pjesë në konkurse të ndryshme – vlen të përmendet “Tirana in a box”, konkurs i organizuar nga bashkia e Tiranës, ku Ermira prezantoi elementet e rëndësishme identifikues te Tiranës në një kuti plot ngjyra perëndimi (fitoi gjithashtu një nga çmimet e konkursit).


E dashuruar me ngjyrat e perëndimit (gjithashtu e karakterizojnë ngjyrat e kontrastit) Ermira shpesh në pikturat e saj do ri sjellë në një formë apo në një tjetër këto nuanca që të ngrohin shpirtin. Piktura tashmë nuk njeh kufij (më kujton pak #Banksy) dhe mund ta gjeni Ermirën duke pikturuar një gurë, një mur, një rrugë (si eventi që organizonte qyteti i Sarandës ku Ermira së bashku me disa miq të tjerë artistë mbushën çdo mur gri të këtij qyteti me lule) një filxhan, një bluze, një kuti çfarëdo, telajo të dimensioneve të ndryshme e një mori objektesh që transformohen në vepra arti plot ngjyra.

Ndërkohë që rutina e saj ka ndryshuar në periudha të ndryshme të jetës -në të shkuarën orientohej përgjithësisht nga puna private në kompanitë ku punonte dhe fundjavave merrej me pikturë dhe me shoqata në ndihmë të ambientit si fotografe dhe piktore- tashmë rutina ka një tjetër koncept.

“Që nga prilli jam marrë vetëm me pikturë, në çdo dimension të saj. Aktualisht kam disa projekte të cilave dua ti jap zë në bashkëpunim me miq dhe rutina ime lidhet me këto projekte duke krijuar referenca edhe këtu ku jam. Ndërkohë jam duke shijuar edhe nipin dhe mbesën që i kam patur përherë larg. Pikturimi me ta më ngazëllen veçanërisht.”

“Të lumtur më bëjnë emocionet, dhe dita më e bukur apo e vështirë lidhet me to. Të gjithë kemi patur disfata në çdo aspekt, ndjenjash apo profesionale, ndodhì që na ndryshojnë si njerëz. Fatmirësisht për mua kanë qenë aty familja, miqtë dhe piktura. Përherë edhe në momentet më të vështira, ajo ka qenë arratia më e mirë që mund të kisha. Sidomos muralet, më futin në një botë paralele ku nuk mendoj dhe vetëm veproj, është njësoj si të jesh pezull.”

Ermira është një vajzë modeste dhe ndoshta nuk arrin ta shikojë ende potencialin e madh që ka dhe shpirtin pozitiv që përcjell me çdo punim unik, por jam e sigurt që është në rrugën e duhur dhe ndoshta do ia dëgjojmë shpesh emrin në të ardhmen. Ndonëse ka një diplomë në financë dhe një specializim në marketing, eksperiencat e ndryshme në rrugëtimin e saj e kanë pasqyruar shpirtërisht dhe këtë mund ta vini re edhe në punimet e saj që sa vijnë edhe bëhen më të bukura.

Kuriozitet: Ermira mund t’ju duket shumë konfidente me kamerat dhe kjo vihet re gjatë intervistave të ndryshme që mund të gjeni në youtube, kjo falë edhe të një mini eksperience që ka patur në televizion (duke marrë pjesë në Big Brother5).

Në rrjetet sociale do e gjeni me emrin “Art by Mikaso” që përfaqëson arkivën e punëve të saj ndër vite dhe së shpejti do të riorganizohet në një formë tjetër. “Mikaso është emri që shoqëria më ka dhënë prej vitesh dhe vendosa të përfaqësohem me të në punët e mia.”

“Planet për të ardhmen janë që arti të ketë më shumë hapësirë tek unë, kjo e veshur në disa projekte për të cilat jam ende duke punuar.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *