Ngjyrat e Marcela Tringaj

Marcela Tringaj_colorourlives

“Shmang entuziazmin dhe besimin e tepërt se jo çdo gjë që tingëllon e duket frymëzuese qëllon të jetë e tillë.” Marcela Tringaj

Mund të keni parë shpesh filma amerikan ku protagonistja në një pikë të jetës së saj lë çdo gjë (status social, punë të mirë, qytet-shtet) dhe largohet duke nisur komplet jetën  nga e para. Kalon nëpër ato kalvarët e vështirësive që ndonjëherë të duken aq të vërteta sa mullinjtë e erës të Don Kishotit, dhe pastaj arrin të zbulojë se çfarë i fal lumturi. Pothuajse pesë minutat e fundit të filmit i dedikohen gjithmonë mbylljes me një fund të lumtur duke transmetuar dhe një mesazh (ose të paktën unë mundohem ta gjej gjithmonë atë të bekuar mesazh) ku vërtitet edhe i gjithë thelbi i filmit.

Mirëpo, nuk kam parë ndonjë film se si vazhdon më tej historia, si zhvillohet jeta apo karakteri i personazheve. Është pak e njëjta pyetje që i kam bërë dikur vetes (në moshë të hershme në adoleshencë) pasi lexoja historitë e bukura me princeshën dhe princin. “Në fund të gjithë jetuan të lumtur e të gëzuar”-mua kjo shprehje më linte një boshllëk të madh. Si jetuan të lumtur? Domethënë kaq ishte, kaluan gjithë peripecitë dhe pastaj s’ka më, që në atë moment çdo gjë shkonte për mrekulli e bukuri?

Vajza e këtij artikulli më kujton disi (por shumë pak pasi vlerat që mbart janë shumë më të mëdha dhe të veçanta) ato protagonistet e këtyre filmave të famshëm. Mirëpo veçantia e saj për mua është akoma edhe më mahnitëse sepse historia e saj nuk ka një “Dhe në fund jetuan të lumtur” por ka një vazhdimësi që e tregon çdo ditë duke qenë kaq shumë reale dhe frymëzuese sa më kujton shpesh edhe një grua tjetër të veçantë që kam njohur gjatë këtij rrugëtimi (e kam fjalën për Dhurata Thanasi dhe artikullin e gjen këtu).

Kush është Marcela Tringaj

Marcela Tringaj lind në Librazhd dhe kalon aty edhe adoleshencën, për tu shkëputur më vonë e të ndjekë studimet e larta në Vlorë, ku ka edhe origjinën. Kujtimet më të bukura të fëmijërisë lidhen më gjyshërit dhe harmoninë që përcillte shtëpia e tyre. Dashuria që përcillnin bënte që shpesh shtëpia të ishte e mbushur plotë  me fëmijët e fisit.

Shtëpia e madhe me bahçe, kopshtaje e pemëtore ku çdo stinë sillte të mirat e saj ka akumuluar kujtimet nostalgjike dhe më të vyera së bashku me raportin e veçantë të njerëzve që jetonin aty. Marcela thotë se shquhej nga fëmijët e tjerë si më e ngathëta ku edhe për tu ngjitur në pemë për të vjelë frutat mjaftohej me ato pak që linin të tjerët. E kush mund ta merrte me mend se vite më vonë kjo vajzë e vogël, që ishte e fundit gjithmonë edhe në lojërat me fëmijët e tjerë, do bënte diçka aq shumë të veçantë sa asnjë nga fëmijët e tjerë më çapkënë s’do kishte guxim ta bënte.

 Ndërsa Marcela rritej, fillon të krijoj një personalitet të veçantë që do e dallojë nga fëmijët e tjerë. Dy janë kujtimet që shkëput nga fëmijëria e saj:

Kur kam qenë në klasë së gjashtë arrita të ndërtoj bibliotekën e klasës. Të gjithë nxënësit sollën libra nga shtëpia dhe kështu krijova një kënd të vogël me librat tanë. I kyça në një dollap me kanat prej xhami dhe I regjistrova në një fletore. Krijova kartelat e personalizuar për çdo abonim dhe madje mbaj mend se u vendosa pulla regjistrimi çdo libri, siç bënte biblioteka e qytetit (në këtë pikë kuptoj se sa e organizuar dhe e vendosur është në atë që dëshiron të bëj).

Në klasë të shtatë angazhova një grup të vogël nga klasa për të krijuar revistën e shkollës. Kopjova materiale të mira nga disa revista të huaja për fëmijë dhe me disa krijime nga bashkëmoshatarë. Ajo revistë afërmendsh nuk u botua kurrë ndërsa atë dosje ende ime më e ruan në shtëpi (besoj në këtë pikë ndan të njëjtin mendim me mua që kjo vajzë ka lindur për të bërë vepra të mëdha dhe që do lenë shenjë në histori, duhet thjesht pak durim).

“Përpos kujtimeve shumë të bukura në shtëpinë e gjyshërve në fshat, gjithashtu zënkat me vëllain dy vjet më të vogël kanë qenë gëzimi im fëminor pasi më kujtojnë atë rolin aq serioz që kisha ndërmarrë në të qenurit motra e madhe” (mos harro këtë detaj pasi jo më kot e kam shprehur disa herë lidhjen e saj të përzemërt me fshatin).

Qëllon që vajza e vogël rritet dhe pasi diplomohet në Vlorë për Drejtësi vendos të ndjekë studimet pasuniversitare në Zvicër. Vendimi nuk ishte i lehtë pasi tashmë kishte edhe një fëmijë 5 vjeç por Marcela nuk trembet nga sakrificat që duhet të bëj (kujdes, jam duke zbuluar një detaj tjetër shumë të rëndësishëm, nëse ke humbur fillin deri tani të këshilloj ta rinisësh sërish këtë artikull pasi është shumë e rëndësishme se si do zhvillohen ngjarjet më vonë). Vendos që të fokusohet në përfundimin e karrierës universitare dhe duke lënë djalin më të ëmën në Librazhd, përfundon në kohë specializimin e saj.

Transferimi i radhës vjen në Angli për një specializim të dytë, por këtë herë ndodhet së bashku me familjen e vogël që kishte krijuar. Një fillim i ri, qytet i ri, kulturë dhe gjuhë tjetër por Marcela nuk dorëzohet. Me vajzën e vogël dhjet muajshe frekuenton çdo ditë leksionet në auditor. Me gjithë ankesat e studentëve të tjerë që nuk arrinin të ndiqnin leksionet me prezencën e një fëmije të vogël, Marcela falënderon që nga ana tjetër kishte pedagogë që ishin jo vetëm shumë mirëkuptues por ofronin ta mbanin në krahë vajzën e vogël ndërkohë që shpjegonin leksionet.

Në të njëjtën kohë që vazhdon studimet dhe rritjen e fëmijëve, punon  me kohë të pjesshme për “British Red Cross”, “Oxfam UK”, përkthyese ligjore për “Premium Linguistic Services” dhe sikur mos të mjaftonin këto ishte edhe “Student Ambassador” për universitetin ku punonte. Ndërkohë që detyrimet familjare ishin gjithmonë në vend të parë për Marcelën dhe ndiqte nga afër ecurinë  dhe përshtatjen e të birit në shkollë dhe integrimin social në jetën e re.

“Në këto kushte më duhej të bëja zgjidhje që shpesh nuk më linin shumë mundësi zgjedhjeje. Të kaloja ligështimet e humbjes së mundësive të mira profesionale për shkak të pamundësive për t’i realizuar në kushtet e mia familjare. Të arrija të vendosja prioritete dhe t’i gëzohesha ç’më ngelej në mundësi.”

Vendos kështu të lërë Anglinë dhe mundësitë e shumta profesionale dhe transferohet në Shqipëri, këtë herë në Tiranë. Sërish një fillim i ri, por këtë herë integrimi dhe lumturia familjare dukeshin më të realizueshme. Marcela vendos të hapë studion e saj ligjore, duke bërë kompromis me veten për të respektuar oraret që dëshiron ti dedikojë punës dhe kohën që dëshiron të kaloj më familjen e saj. Kompromis ky që besoj do bënte çdo grua që dëshiron të ketë një karrierë por nga ana tjetër mos të ketë pengje për kohën e tepërt në punë dhe kujtimet e humbura me fëmijët.

Si lindi “Fshat e zanat

Lidhja e veçantë me fshatin e krijuar që në vegjëli do forcohet akoma edhe më shumë në momentin që Marcela kthehet në Shqipëri dhe kupton se pasuria që kemi është vërtet e çmuar por ka shumë mangësi, qoftë në terma infrastrukturor po ashtu edhe në krijimin e një rrjeti komunikimi dhe bashkëpunimi.

“Në Shqipëri nuk ka një media të dedikuar që ofron qasjen e një komuniteti në termat e qëndrueshmërisë, kooperimit dhe ekonomisë lokale përmes bujkut, prodhuesit e tregtarit të vogël. Edhe pse jetojmë në një shoqëri aq materialiste dhe ekonomi ku të mëdhenjtë janë përfituesit e parë, përmes kësaj nisme përpiqem të mos përcjell vetëm lajme por njohuri e fakte që mund të ndryshojnë perceptimin për rolin e potencialin tonë si pjesë e një komuniteti.

E gjitha nisi nga dëshira për t’i dhënë diçka vendit tim. Që student mendoja si shumë shqiptarë që e kishin të ngulitur në mendje rrokjen e ëndrrës evropianë, edhe unë mendoja se të mirat do na vijnë vetëm prej të huajve si komb. Nisur nga fakti që shumë fenomene e ngjarje në vend, këto dekadat tranzicioni, janë menaxhuar me ndihmën e organizatave të huaja. Kështu vendosa të studioja marrëdhënie ndërkombëtarë dhe ligj evropian e të bërit biznes.

Gjatë studimeve të thelluara me iniciativë kuptova se potenciali I zhvillimit të një vendi si i yni ka edhe një mundësi tjetër: atë të dhënies rëndësi të potencialit të njeriut të zakonshëm e komunitetit ku bën pjesë, Fillova të hulumtoj literaturën mbi ekonominë lokale, zhvillimin e qëndrueshëm dhe aty gjeta veten. Pasioni për fshatin dhe studimet sollën si rezultat blog-un modest “Fshat e Zanat”.

Nuancat e “N’Harmoni”

Nuancat e kësaj gruaje nisën të bëheshin më të qarta dhe më rrëzëlluese pikërisht në momentin që shikoj një post para disa javësh në rrjetet sociale dhe bëhej fjalë për revistën “n’Harmoni”. Marcela kujton se nuk kishte bazat për të hedhur në treg një revistë apo çfarë i duhej  për ta realizuar, kujton vetëm se kishte një dëshirë të pa shfrenuar që duhet ta bënte dhe kërkoj një opinion dy prej personave që gëzojnë respekt të veçantë për të: gazetarit Adi Krasta dhe deputetes Grida Duma. “Dija që duhet të bëja diçka por nuk dija se si- është shprehur Marcela në intervistat e ndryshme të dhëna këto kohë. Por unë do i kujtoja Marcelës se revistën e parë ajo e ka realizuar në një moshë më të vogël edhe pse në ato kohë ishte më e vështirë për ta publikuar.

“n’Harmoni” synon që të bëj bashkë artikuj, ndjesi, vështrime e analiza lidhur me rëndësinë e zhvillimit rural dhe rëndësisë së potencialit të komuniteti. Gjithashtu të bëjë bashkë njerëz me dëshirë e pasion për të sjell narrativë për ato tema që nuk janë aq në modë ditët e sotme.”

Veçantitë e Marcela Tringaj

Marcela është imune ndaj dështimeve dhe e aftë për të ri guxuar gjithmonë, pavarësisht gjithçkaje; e ndjeshme dhe empatike për raste të cilat nuk kanë qenë kurrë pjesë e përvojës së saj dhe entuziaste e optimiste e pandreqshme.

E bëjnë të lumtur mëmësia dhe shembulli i mirë që dëshiron të jetë për fëmijët dhe familjen e saj. “Do veçoja të entuziazmuarit nga gjëra e gjeste të vogla të bëra me ndjenjë. Copëza lumturie nga kushdo në ditë të zakonshme dhe përkrahja në ditë të vështira. Rutina e ditëve që të lejon ndonjëherë dhe të parazitosh e të kesh kohë të pyesësh e t’i përgjigjesh vetes. Të befasohesh nga kthimi I të mirave që ke bërë, atëherë kur s’e pret por dhe nuk je duke pritur asgjë. Të besosh se ke ndryshuar botën edhe kur ke mbjell një fidan kur pyje të tërë priten dhe se mos mjaftohesh me aq. Të kontribuosh në arritjen e dikujt.”

Ka shumë rëndësi për të kontributi i saj me virtytin e një qytetari të devotshëm në mos në vendin e saj në përgjithësi, të paktën në komunitetin ku bën pjesë. T’u tregoj mirënjohje atyre që besuan dhe e ndihmuan në kohët më të vështira dhe tua shpërblej atyre që e vlerësuan apo përkrahën vizionin e saj.

Nuk merr asgjë për të mirëqenë. “Asgjë nuk është plotësisht e përhershme. Si të mirat e të këqijat. Nuk dua të më kaploj mendjemadhësia sepse asnjëherë arritjet nuk janë 100% prej meritës individuale. Patjetër që puna pasioni janë vendimtare porse mos të harrojmë e të marrim të mirëqenë ose mos të jemi të vëmendshëm ndaj ndihmës së marr, kushteve dhe mundësive që ndodhemi, njerëzve që na rrethojnë. Për shembull: ka shumë herë më të mirë se unë në mësim nxënie ama jo të gjithë patën mundësinë të studiojnë në një nga shkollat më të mira botërore, sikur mua. Çdo arritje, mundësi apo aftësi nuk varet plotësisht nga ne e ndaj duhet të jemi mirënjohës e jo egoist.”

E ndërsa planet për të ardhmen i ka shumë të qarta – dedikimi në edukimin e fëmijëve për t’u bërë të aftë që të ndjekin ëndrrat e tyre e jo vetëm qytetarë të devotshëm. Mësimi nëse duan diçka ndryshe e që nuk arrihet nga shoqëria të bëhen vetë ndryshimi; përkushtimi në mënyrë dinjitoze i profesionit, atij të avokatisë (pavarësisht terrenit të vështirë) dhe të krijoj një hapësirë të mirëfilltë mediatike për “Fshat e zanat”.

Këshilla që do i jepte çdo të reje: “Merri gjërat më shtruar dhe jo me një sakrificë deri në vetëmohim. Shmang entuziazmin dhe besimin e tepërt se jo çdo gjë që tingëllon e duket frymëzuese mund të jetë e tillë.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *