Ngjyrat e Alba Ruço (2)

“Ky libër më beri të kuptoj magnituden e një force të brendshme që nuk e dija që e kisha. U desh një lëkundje e rrethanave të jashtme për të shkundur gjithë botën time të brendshme.” Alba Ruço

E keni parasysh atë periudhën gri që shumë persona e eksperimentuan gjatë pandemisë dhe karantinës? Ka njerëz që në momentet më të errëta të jetës arrijnë të nxjerrin në pah virtytet e tyre më të mira, rrezen më të shndritshme në sfera të ndryshme të jetës. Ka persona që e përjetuan pandeminë në mënyrë të plogësht, më pasiguri, frikë totale dhe një ndjesi humbjeje (një prej tyre jam edhe unë në disa aspekte). Ka pastaj të tjerë që gjatë kësaj kohe kanë zbuluar vokacionin e tyre, kanë nisur një biznes (e di që do çuditesh tani por ta siguroj që kam prova me njerëz real) ose kane ndërruar komplet jetën.

Ke një artikull në blog që flet gjerë e gjatë për emocionet (me të gjitha nuanacat e emocioneve) që çdo kush eksperimentoi gjatë pandemisë.
“Do të ketë nga ata – ata që janë në gjendje, natyrisht – që do të lënë punën që për vite me radhë i ka shtypur dhe nuk i ka bërë  aspak të lumtur. Disa do të vendosin të largohen nga familja e tyre. Disa do vendosin të sjellin një fëmijë në botë, ose disa do vendosin pikërisht mos ta bëjnë si pasojë e frikës së përjetuar në këtë periudhë. Do të ketë nga ata që do të dalin nga dollapi (nga çdo lloj dollapi).”

Historia e Albës (kjo pjesë e historisë) nis pikërisht gjatë kësaj periudhe. Gjatë një interviste me Albën për jetën dhe përfshirjen e saj në grupin #Innvestfund, fare rastësisht flasim gjithashtu për një ëndërr të saj në sirtar që nuk i kishte dhënë kurrë krah më parë. Një ditë Alba më pyet nëse mund ti hidhja një sy një materiali të shkurtër që kishte përgatitur dhe ti jepja mendimin tim të sinqertë. Sapo lexova materialin që më dërgoi e kuptova që  kisha përpara një histori që mezi po priste të shkruhej.

Nis kështu rrugëtimi i Alba Ruço dhe librit të saj të parë “Ana e errët e Merit”.

Alba e ka të qartë ne vija të përgjithshme historinë dhe ndjesinë që dëshiron të përcjellë te lexuesi. Ulet çdo darkë në tavolinën e sallonit, krahë bibliotekës, kur të gjithë janë në gjumë dhe mbizotëron qetësia që ajo ka nevojë për të shkruar me radhë kapitujt e librit; – të atij libri që nuk besonte as vetë në fillim se do mund ta mbante ndër duar në një kohë aq të shkurtër.

Ndërkohë që jashtë dhe brenda shtëpisë qetësia ka pushtuar botën, Alba brenda ka një furtunë që mezi pret të shpërthej në rreshtat e një dorëshkrimi. Pranë vetes mban gjithmonë një filxhan çaj, një qiri aromatik dhe muzikë me raste të veçanta. Kështu fjalët bëhen rreshta, rreshtat kapituj e në fund një libër.

E lexoj historinë (ndoshta do kem qenë ndër personat e parë) dhe rrëmbehem komplet nga 2 gratë e këtij libri – Ana, që është njëri personazh dhe ana e errët e Merit. Dy gra të forta që kanë aq shumë të përbashkët por në të njëjtën kohë janë kaq të ndryshme, kaq afër njëra-tjetrës dhe kaq larg shpirtërisht. Dy gra, jeta e të cilave ndërthuret si imazh i së njëjtit puzzle, edhe pse me nuanca të ndryshme. Dy gra që dashurojnë shumë, secila sipas mënyrës së vetë.

“Drita ndaj errësirës. E bardha ndaj të zezës. E mira ndaj së keqes. Cila do të mbizotërojë? Rrëfimi ndërtohet rreth një boshti fillimisht të padukshëm. Ngjarjet fillojnë paqësisht e papritur, marrin një rrjedhë të vrullshme e surprizuese. Dilemat ekzistenciale shërbejnë si një çelës për të zbërthyer misteret që shpërfaqen ngadalë e që shumohen pak nga pak. Gjithkush mund ta gjejë sadopak veten te ngjarjet e dhimbshme që gërshetohen natyrshëm, teksa pafajësia përballet me padrejtësinë. Vlerat, dinjiteti dhe morali, nëpërkëmben, ndërsa meskiniteti, xhelozia dhe dyfytyrësia triumfojnë. “

Ndërkohë që Ana për Albën ka pushtuar qenien e saj në qetësi dhe here herë e gjen të vështirë të dalë prej saj. Ana ka një karakter shume kompleks, është e vështirë të dallosh nuancat që merr dhe që përcjell. “Mendoj se tek ajo e gjejmë veten të gjitha femrat nga pak. Sado të forta apo të brishta jemi, luftojmë brenda nesh me shumë zëra të cilët shfaqen në momente të caktuara. Shpesh nuk e dimë çfarë duam dhe arsyet nga pas që na bëjnë konfuzë në kompromiset që na ofron jeta.”

Meri nga ana tjetër është një grua moderne, inteligjente dhe shumë e ndjeshme. Gratë për mua nuk janë të ndara në protagoniste dhe antagoniste pasi të dyja në thelb janë dy gra që vuajnë rrethanat e jetës dhe veprimet e tyre, si kundërpërgjigje ndaj këtyre rrethanave, do zbulojnë më shumë rreth personalitetit dhe karakteristikave që secila grua ka brenda vetes- një engjëll dhe një djall. Për të zbuluar më shumë ju këshilloj të lexoni librin.

 Personazhet janë veshur dhe ridimensuar në detaje gjatë rrugës, konceptuar në mënyrë të tillë që lexuesi të gjejë sadopak veten në sfidat e tyre. Përveç shkrimit, Alba u morr dhe me ideimin e supervizimin e skicave, të cilat morën dyfishin e kohës për tu realizuar në detaje në krahasim me shkrimin.

“Skicat të marrin shumë energji, sepse janë  përftimi i imagjinatës sime që duhet të përkthehet në një linjë me lexuesin. Me gjithë ndihmën e ilustratores @Stela Ingjilizit, ky proces, ku përfshihet edhe kopertina, ishte një pjesë shumë delikate.” S’mund të presësh ndryshe nga një detaiste që si punë parësore ka menaxhimin (dhe jo vetëm) e një brandi si #argjendaripirro.

Më në fund, pas disa javë intensive shkrimi, vjen lajmi i mirë. Libri do të botohej dhe Alba derisa do ta kishte në duart e saj ishte ende skeptike. “Ishte një bebe me kopertinë kartoni, e shumëfishuar në kopje. Kur e morra në dorë mendova që është e pamundur ta kem shkruar unë të gjithën. Sidomos kur ishte i kompletuar edhe me skicat, mu duk një punë shumë voluminoze e publikuar në një kohë rekord.”

“Ky libër është një filiz i brishtë për mua. U krijua në një moment me ngarkesë të madhe emotive, por edhe frymëzues. Qëllimisht ka marrë jetë në këtë periudhë që jemi akoma nën influencën e një izolimi. Pra për mua përfaqëson një gjendje, e rrethuar me një lloj atmosfere të caktuar e cila është e paraqitur qartë edhe në ndodhitë e rrjedhës në libër. Kjo nuk domethënë qe ngjarjet janë të errëta apo pa shpresë, përkundrazi. Ato janë njëkohësisht të mbushura me vetë motivim, me daljen e diellit pas një stuhie dhe me kuptimin dhe pranimin e qenies tonë në relativitet me të tjerët.”

Kurioze në këtë pikë e pyes Albën se nëse do kishte mundësinë të ftonte një autor/e librash kë do ftonte, dhe për çudinë time më të madhe më përgjigjet: “Do ftoja Rupi Kaur, një autore të re shumë të talentuar, pioniere e një zhanri shumë të veçantë poezie shoqëruar me skicat e saj. Një inspirim I vërtetë për guximin e femrës së lirë! Do rrija gjatë e gjerë me të për ti dëgjuar sfidat e jetës së saj, rrugëtimin nga një familje tradicionale indiane deri në autoren bestseller e përkthyer në shumë gjuhë.”

 Ku i dihet, ndoshta në të ardhmen do jem duke intervistuar një grua tjetër dhe mund ti drejtoj të njëjtën pyetje e përgjigja kësaj here mund të jetë autorja e “Ana e errët e Merit”.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *