Ngjyrat e Klaudia Cenomeri-t

“S’ka gjë që nuk arrihet nëse ke dëshire. Mos mendo përfundimin por rrugëtimin që duhet të bësh “step by step” dhe ke për të arritur atje ku ke vendosur.” Klaudia Cenomeri

Kur kam vizituar për herë të parë Duomo-n në Milano, Koloseun në Romë, Sagrada Familia e Casa Batllo në Barcelonë, nuk mund të mos mendoja për mendjen gjeniale që fshihej mbas atyre veprave arti të ndërtuara me aq mjeshtëri që I kanë rezistuar kohës, epidemive dhe ndryshimit rrënjësor të njerëzimit.

“Ajo e arkitektit është një profesion i lashtë si gjuetia, peshkimi, kultivimi dhe eksplorimi. Pas kërkimit të ushqimit vjen kërkimi për një shtëpi. Në një moment të caktuar, njeriu, i pakënaqur me strehët e ofruara nga natyra, u bë arkitekt.” Renzo Piano

Fati I Klaudia Cenomeri-t dukej I vendosur që në djep, mund të sugjeronte dikush, me njërin prind inxhinier, rritur mes fletëve A4 të projekteve të ndryshme s’kishte si të ndodhte ndryshe.
Por Klaudia vokacionin e saj e kupton në një moshë të pjekur dhe e vendosur në atë që dëshiron të bëj gjithë jetën e saj, do ndërmarri rrugë të ndryshme që gjithmonë do I konfirmojnë zgjedhjen e saj të duhur.
Klaudia lind në Berlin, Gjermani dhe kthehet me familjen në Shqipëri në 1994. Duke u rritur kupton se pasioni I saj për bukurinë dhe përsosmërinë shkon përtej një pasioni të thjeshtë

“Një libër nëse nuk të pëlqen nuk e lexon, një këngë gjithashtu nëse nuk të pëlqen nuk e dëgjon. Por një ambient ku duhet të jetosh apo punosh, je I detyruar ta shikosh”.

Arkitektura është si ai libri I madh I njerëzimit që mbart në çdo objekt një histori po aq të lashtë sa edhe vetë profesioni. Mjafton të përmendësh piramidat e tempujt të ndryshëm (pantheon) nga lindja në perëndim, e nga veriu në jug. Historia e njerëzimit shkruhet në kolonat e tyre po ashtu si arti dhe kultura e çdo periudhe që duket sikur marrin jetë çdo natë për të marrë frymë lirshëm, e kthehen në vendin e vet  pa dalë rrezja e parë e mëngjesit.

Klaudia e kupton rëndësinë që do ketë ky profesion për atë në momentin që nis karrierën universitare pranë Universitetit Polis.  Nis kështu rrugëtimi I arkitektes që kurrë nuk e humbi fokusin e saj nga qëllimi final. Pas përfundimit të studimeve, në moshën 23 vjeçare nis eksperiencën e saj si arkitekte pranë Bankës së Shqipërisë, për projektin e rikonstruksionit, zgjatimit dhe interierit të godinës qendrore të Bankës.

Ky projekt vjen si bashkëpunim me studion arkitekturore Petreschi që do zgjas pothuajse 3 vjet. “Si profesioniste e re pata mundësinë të punoja pranë emrave të njohur të arkitekturës ndërkombëtare për një projekt me vlera të mëdha arkitektonike dhe kulturore për Shqipërinë. Ndjekja hap pas hapi që në fazat e para deri në zbatim të projektit dhe puna e përditshme në grup  më beri më të kujdesshme dhe më të ndjeshme ndaj zgjidhjeve arkitektonike dhe sidomos ndaj objekteve me vlera të veçanta”.

 Eksperienca me bankën e Shqipërisë, godinë  e cila konsiderohet një nga monumentet e trashëgimisë kulturore te vendit, i dha shtysë Klaudia-s për të kërkuar më shumë nga vetja dhe të zbulonte nuanca të reja të arkitekturës.

#freepik

Një vend shumë të rëndësishëm në formimin e saj profesional ka pasur pjesëmarrja në projektin e organizatës vullnetare “Inside Out Africa” për ndërtimin e shkollave për komunitetin vendas në Abetenim , Ghana. “Përfshirjen në një projekt te këtij formati e kam pare si një investim profesional, kulturor dhe personal. Ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme dedikimi ndaj një projekti në një kulturë dhe vend krejtësisht të panjohur si dhe adaptimi me kushtet e limituara teknike.

“Mes të gjithash në një realitet të tillë është shumë e rëndësishme të jesh një ekzekutues fleksibël I punës pasi ne mund të mundohemi ti thjeshtojmë gjerat por nuk mund të vendosim sesi funksionojnë për ta. Përfundimi I projektit duke u përshtatur hap pas hapi me realitetin ishte një sukses. Unë arrita të jap kontributin tim profesional dhe personal duke iu bashkuar komunitetit dhe duke mësuar çdo ditë nga ata në mënyre që të arrihej misioni ynë si vullnetarë”.

Pasioni dhe dëshira për të mësuar sa më shumë teknika inovative e çojnë në aventurën e radhës si pjesë e programit të MIP Internship Albania nga AADF, në NYC pranë “ Float Studio”. Këtu do zbuloj drejtimin e saj specifik dhe për çfarë dëshiron të kujtohet më vonë, si ata arkitektët e mëdhenj që sot e gjitha bota i njeh për veprat që kanë lënë pas. Në 2019 transferimi në USA do jetë jo vetëm një eksperiencë unike e rrethuar me profesionistë që ajo vlerëson, por edhe një mënyrë e re të parit arkitekturën.

” Float Studio është një studio e njohur në New York për natyrën inovative të projekteve të cilat zhvillon, ku arrita të bëhesha pjese integrale e punës së përditshme duke dhënë kontributin tim si arkitekte. Kjo eksperiencë më përfshiu në mënyra të reja të projektimit të hapësirave, siç janë zgjidhjet inovative për ambientet e start-upeve, pra ne thelb daljen nga mënyra standarde e projektimit. Pjesëmarrja në procesin e punës më lejoi të përmirësoja aftësitë e mia kreative, bashkëpunuese si dhe ato teknike profesionale.”

Trashëgimia që do të lejë pas tashmë është shumë e qartë, pikërisht si ajo rrezja e parë e mëngjesit që të ngroh butësisht shpirtin dhe të frymëzon për një ditë më të mirë.


“Si profesioniste e lirë, pas përqasjeve të larmishme profesionale kam mundësinë të jap kontributin tim dhe të vazhdoj të përmirësoj veten dhe aftësitë e mia në punën si arkitekte dhe dizenjuese urbane. Kam shumë besim te puna e përbashkët profesionale dhe nëpërmjet profesionit I shoh mangësitë e tregut si mënyra më e mirë për t’u inspiruar e për të krijuar zgjidhje inovative për vendin tim.”

Nuk ndalet sigurisht këtu, pasi dashuria e saj për arkitekturën është aq e madhe sa dëshiron ta ndajë me të gjithë. Ndaj kur i ofrohet mundësia për tu bërë pjesë e investitorëve në grupin INNVEST FUND (për më tepër info mbi Innvest Fund, lexo “Një bashkëpunim SUKSESI )  ajo nuk ngurron , si një sipërmarrëse që jo vetëm do ndihmojë me fond monetar por dëshiron të përcjellë sa më shumë nga ato idetë e saj inovative tek brezat e rinj që ndajnë të njëjtin pasion si ajo për arkitekturën dhe jo vetëm.

#freepik

Pas eksperiencës 7 vjeçare në fushën e arkitekturës dhe dizajnit, brenda dhe jashtë vendit, prej dy vjetësh tashme ka krijuar hapësirën e saj ku ushtron profesionin duke bashkëpunuar me kolegë dhe studio arkitekturore e dizajni për projektimin e ambienteve me karakter të ndryshëm.

“Duke marrë shkas nga përvoja dhe nevoja e profesioneve të lira dhe alternative për hapësira bashkëpunimi lehtësisht të adaptueshme, mendoj se idetë inovative janë thelbësore për zhvillimin dhe roli I arkitektit është po aq I rëndësishëm për të ndihmuar klientët të tregojnë më mirë historinë e tyre. Bazuar në këtë hulumtim, fokusi kryesor për mua, ndër të tjera, është zgjerimi I njohurive dhe projektimi e hapësirave inovatitive me fokus zhvillimin e bizneseve dhe start-upve.


“Aktualisht kam ruajtur marrëdhënie shumë të mira pune me FLOAT Studio, për mundësi bashkëpunimi në të ardhmen për projekte të kësaj natyre në Shqipëri.”

Klaudia veçon tek vetja disa cilësi që mendon se e kanë ndihmuar në rrugëtimin e saj drejt zbulimit të vetvetes dhe suksesit: fokusimi në radhë të parë, fleksibiliteti kur bëhet fjalë për të mësuar dhe dëshira për të përpirë sa më shumë informacione mbi botën që e rrethon. Forca dhe frymëzimi që e kanë shtyrë edhe në momente të vështirë ka qenë gjithmonë besimi tek vetja. Edhe pse mendon se në një botë paralele po mos të kishte qenë arkitekte do kishte qenë një regjisore ose psikologe shumë e mirë.

Empatia që përcjell kjo vajzë të bën të mendosh se është një njohëse e mirë e njerëzve dhe me siguri do kishte shkëlqyer edhe si psikologe. Ndaj edhe këshillat që dëshiron të ndajë për vajzat e reja që duan të kenë sukses në jetë janë: “Provo, se edhe nëse dështon në fund do dalësh ndryshe nga ajo eksperiencë dhe diçka më tepër do kesh përfituar gjatë udhëtimit. S’ka gjë që nuk arrihet nëse ke dëshire.  Mos mendo përfundimin por rrugëtimin që duhet të bësh “step by step”  dhe ke për të arritur atje ku ke vendosur.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *