Ngjyrat e Gloria Kaçi

Gloria Kaci

“Jo gjithmonë do marrësh çfarë dëshiron. Pavarësisht sa plane mund të jesh duke bërë apo sa fort mund të jesh duke punuar për diçka, disa gjëra thjesht nuk ecin ashtu sikur ne mendojmë apo dëshirojmë. Do të dështojmë, por do ngrihemi prapë. Do gabojmë, por do nxjerrim mësim për herën tjetër.” Gloria Kaçi

Na ishte njëherë një vajzë e vogël me sytë e shkruar e kulluar si kristali që adhuronte te kalonte kohë me gjyshen e saj, mësonte të qëndiste e të thurte kurora me lulebore në stinën e  pranverës. Për shkak të impenjimeve të punës që kishte i ati, vajza rritet dukë ndërtuar një raport shumë të ngushtë me të ëmën, raport ky që do jetë shumë i rëndësishëm kur të jetë adulte.

Momentet më të lumtura dhe që shënojnë jetën e saj janë pikërisht momente të tilla që kalon me familjen pasi edhe pse për shumë mund të jetë klishe, por për të familja është gjëja më e çmuar. “Mund të më quash fare mirë një vajzë mami” thotë Gloria dhe shikoj në sytë e saj një farë nostalgjie dhe ëmbëlsie që të rrëmben e të shoqëron në ato kujtimet e fëmijërisë  që gjithkush (të paktën uroj) shtrëngon fort në zemër.

Gloria Kaçi, lindur dhe rritur në Berat, transferohet e vetme në moshën 15 vjeçare në Tiranë për të vazhduar studimet (në atë kohë të shkollës së mesme). Vendimi i ardhjes në Tiranë do rezultojë të jetë një vendim më i guximshëm seç mund të kishte imagjinuar Gloria. Kjo për faktin e thjeshtë që duke lënë pas familjen më të cilën kishte një lidhje të ngushtë, përpos të gjithave do duhet të përballet më herët se bashkëmoshataret e saja me një ambient aq stimulues po aq edhe sfidues siç është ai që të ofron një qytet si Tirana.

Gloria është një vajzë e ndjeshme, e brishtë dhe shfaq empati për gjithçka që e rrethon. Bie pre shpesh e bullizmit në shkollë dhe konvikt ku kalon vitet e adoleshencës dhe më vonë ato të universitetit. Evente këto që do e shënojnë edhe vite më vonë pasi të jetë një adulte dhe të ketë fituar konfidencën që e karakterizon.

Nga ana tjetër, vendimi për të studiuar inxhinieri kompjuterike do rezultojë të jetë ai i duhuri pasi do kthehet në profesionin e saj me kohë të plotë. Por unë dhe Gloria nuk biem në kontakt për ndonjë projekt ndërtim faqe internet apo softueri.  

Ka pasione që lindin gjatë rrugës dhe ka nga ato pasionet e hershme që e kanë zanafillën thellë në kujtimet apo ëndrrat e fëmijërisë, atëherë kur kreativiteti është i pastër dhe buron plot ngjyra pa kufij (nuk po flas për ëndrrën e shumë fëmijëve për të qenë astronaut e të fluturoj në hapësirë).

Gloria ka një dëshirë që i vlon prej kohësh. Kur ka qenë e vogël krijonte aksesorë të ndryshëm me çfarë do lloj materiali që i binte nëpër duar. Tani që është adulte dhe ka mundësi të studioj materiale dhe teknika të ndryshme, fillon një periudhë kërkimi specifik pasi ka një dëshirë – do të sjelli një risi e jo vetëm një produkt kreativ që të pëlqehet nga të gjithë.

Nis kështu gjatë pandemisë – ku të gjithë dashur pa dashur patëm në dispozicion më shumë kohë për veten e me veten – të realizoj më në fund produktet e para që kishin kohë që kishin zënë vend në kujtime fillimisht dhe pastaj në letër. Projekt ky që do na bëj të biem në gjurmët e njëra tjetrës dhe të admiroj punën dhe shpirtin e mrekullueshëm të Glorias.

Kush nuk e njeh “Folenë e Glorias” ju ftoj ti hidhni një sy faqes së saj në rrjetet sociale @gloriasnest dhe besoj do më japë të drejtë për dy arsye: punimet janë unike dhe dashuria me të cilën Gloria i ka bërë pasqyrohet nga fillimi deri në fund. “E kam quajtur faqen “foleja e Glorias” sepse për mua është fiks si foleja për një zog pasi ka fluturuar gjithë ditën. Është vendi ku unë gjej paqe duke punuar dhe krijuar.”

 Përveç dashurisë dhe përkujdesit të veçantë Gloria sjell si risi, pikërisht atë që mendoj e dallon nga krijueset e tjera,  materialin që shumë pak ose aspak mund ta keni hasur në aksesorët në Shqipëri– argjilë polimeri. Material ky që kërkon shumë durim pasi kërkon plot 13 faza përpunimi derisa produkti final të jetë ai që shikoni në faqen e Glorias.

“Çdo gjë është e punuar me dorë në më të voglin detaj. Çdo produkt kalon në të paktën 13 hapa para se të dorëzohet tek klienti. Është tërësisht SLOËW MADE FASHION. Pra secili koleksion apo produkt kalon 1 nga 1 në hapa të vegjël të ndryshëm.

Për mua është shume e veçantë pasi kam kontakt të drejtpërdrejtë me materialin dhe i jap formën e dizajnin që dua. Më jep mundësi për ti dhënë jetë fantazisë sime. Arti për mua është ushqim për shpirtin. Një domosdoshmëri në jetën e çdokujt. Meriton kohën dhe përkushtimin e duhur.”

Gloria ka hasur mjaft vështirësi gatë rrugëtimit të saj duke nisur nga bullizimi në fëmijëri, bashkëjetesa në moshë të vogël me njerëz me karakter arrogant dhe komplet të kundërt nga i saji, më vonë nga humbja e disa njerëzve të dashur e deri tek gjendja e ankthit me të cilën është duke luftuar së fundi. Ajo që Gloria nuk di është pikërisht se unë adhuroj njerëzit me shpirt luftarak si ajo që edhe pas shumë disfatave e vështirësive të shumta, arrijnë të përcjellin një ndjenjë paqeje dhe dashurie vetëm dukë i parë në sy – ato sytë e shkruar të saj që flasin aq shumë edhe pa pasur nevojë ti shpreh me zë.

Vajzat dhe gratë si Gloria, që e dinë çfarë do të thotë të luftosh çdo ditë me një hije që të përndjek në çdo hap të tëndin dhe nuk e di kur mund të bëhet më e madhe se ty por vazhdon jeton, lufton, buzëqesh, krijon, qesh e qan nga lumturia dhe nuk lejon që të mposhti, janë gratë më të forta që mund të takosh në jetën tënde. Nëse ke rastin të njohësh një grua të tillë, përqafoje fortë pasi je shumë me fat që është në jetën tënde. Ka shumë për të dhënë e për të thënë dhe nëse tregohesh e kujdesshme do mund të mësosh po aq shumë.

Gloria-n e bën të lumtur një zog qe fluturon, një pamje e natyrës ashtu pa filtra. Një ecje në ditë me shi. Një mace lozonjare që luan e çdo gjë tjetër që ka të bëj me krijimin pasi kështu janë shpirtrat krijues, frymëzohen e lumturohen nga çdo gjë që i rrethon. “Jam këmbëngulëse dhe me vullnet. Nuk heq dorë derisa ta çoj në fund atë që kam nisur. Nuk jam PERFEKTE, por jam PERFEKSIONISTE në gjërat që bëj. Pra edhe pse nuk mund ta arrij plotësisht perfekten, bëj të pamundurën për të bërë më të mirën e mundshme.”

Disa këshilla shumë të vyera që dëshiron të ndajë me çdo vajzë e grua: “Merr kohë për veten tënde.
Mëso të thuash jo.
Nuk mund të kënaqësh dot të gjithë.
Vepro, mos hezito.
Mjaft u shqetësove se çfarë mendojnë të tjerët për ty.”

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *