Ngjyrat e “INNVEST FORUM 2021”

Ju e dini që Colorourlives ka një bashkëpunim tashmë prej disa kohe më grupin Innvestfund dhe dëshira për të promovuar çdo iniciativë të këtij grupi, apo të vajzave e grave që bëjnë pjesë, është shumë e rëndësishme për bloggun.

Para shumë vitesh dëgjoja shpesh raste të personave që kanë pasur një ide por nuk kanë arritur ta realizojnë dot pasi nuk kanë gjetur mbështetje ekonomike ndaj dhe shumica e braktisnin atë idenë. Sot dëgjoj ende raste të tilla por shumë të pakta në numër fatmirësisht pasi ekzistojnë mënyra të ndryshme për të kërkuar financim për biznesin që lufton fort e nuk resht kurrë së besuari se një ditë do jetë suksesi i radhës.

Innvestfund është pikërisht një prej grupeve të para të këtij lloji që jep mundësinë vajzave dhe grave në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkan të kalojnë nga stadi I një ideje embrion në një histori suksesi e biznesi. Në blog gjeni historitë e ndryshme të suksesit dhe gjithashtu historitë e personave që qëndrojnë mbrapa Innvestfund dhe më besoni nuk do reshtni së kërkuari më shumë nga vetja pasi ti lexoni.

Pse po e ri sjell sërish në këtë shkrim ngjyrat e Innvestfund po mendon? Sepse shumë shpejt organizohet një event që dëshiroj mos ta humbasë asnjë vajzë e grua që lexon shkrimet e bloggut apo që rastësisht tani është duke lexuar këtë artikull.

Çfarë është Innvest Forum

Në një vit të përcaktuar nga një sfidë dhe transformim i jashtëzakonshëm, INNVEST Forum 2021 “WomEn Move Forward”, në bashkëpunim me Dhomën Ekonomike të Gruas në Shqipëri, më datë 21 Maj 2021, pranë qendrës më inovative në kryeqytet – TUMO Center Albania, sjellin për herë të parë forumin “WomEn More Forward” 2021.

Forumi ka gjetur mbështetjen nga partnerë kryesorë si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe një grup bashkëpunëtorësh të tjerë të rëndësishëm si EU for Innovation, TUMO Center Tiranë dhe Bashkia e Tiranës. INNVEST Forum 2021 “WomEn Move Forward” pritet të mbledhë një koleksion të fuqishëm të zërave inovativë dhe vizionarë në rritje dhe zhvillim, për të cilët po shkojnë drejt sfidave të papara të sotme, për të shkaktuar lëvizje të mëdha, të bëhen sipërmarrës, dhe rindërtojnë një të nesërme të re.

Roli Kyç i InnvestFund

Fondi i Investimeve për Inovacionin (InnvestFund) ka në mision ndikimin direkt në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, duke ofruar mundësi për rritje, duke mbështetur dhe duke nxitur start-up-et dhe sipërmarrësit e rinj, SME-të dhe sipërmarrjen në tërësi, duke minimizuar hendekun midis ideve të reja të biznesit, rritjen, zhvillimin, diversifikimin dhe mundësive të investimit të tyre.

Fabiola Duro, themeluese dhe drejtuese e INNVEST, thekson se “qëllimi i INNVEST është të injektojë inovacionin nëpër sektorë të ndryshëm, si një nxitje e rëndësishme për ndryshime pozitive. INNVEST bashkon sipërmarrësit kryesorë, investitorët, politikë bërësit, median dhe bashkon një grup të gjerë idesh inovative për të adresuar sfidat ekonomike kombëtare dhe rajonale”.

Zonja Duro shton se misioni i INNVEST është të nxisë përfshirjen ekonomike, përparimin dhe fuqizimin e grave në Shqipëri, nëpërmjet mbështetjes dhe zhvillimit të sipërmarrjes. “Përmes këtij forumi vjetor, ne do të rrisim fuqizimin ekonomik të grave në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet inovacionit dhe sipërmarrjes, për krijimin e vendeve të punës, zbutjen e varfërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ndaj, ky event i përvitshëm pritet të ndërtojë ndërgjegjësim dhe mundësi për gratë dhe bizneset e drejtuara nga gratë.”

Bashkëpunimi me BERZH

Si një mbështetës dhe partner kryesor i këtij  forumi, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (#BERZH) ka në prioritetet e saj jo vetëm mbështetjen nëpërmjet programit për “Gratë në Biznes”, por dhe mbështetje që ofron mbi dixhitalizimin dhe inovacionin e SME-ve (Small and medium-sized enterprises), programe për sektorin e agrobiznesit dhe turizmit, ofrimin e programit “Star Venture” dhe “Youth in Business’, si dhe fokus shumë të veçantë I kushtohet implementimi të projekteve për investime dhe iniciativat eco “GREEN”.

BERZH gjithashtu ka zhvilluar programe gjithëpërfshirëse të Grave në Biznes (WiB) që ofrojnë një përgjigje efektive për të adresuar natyrën shumëdimensionale të barrierave të SME-ve, duke përfshirë gjithashtu edhe qasjen e tyre në aspektin financiar. Sot, SME-të kur drejtohen nga gratë, shpesh janë pioniere të inovacionit. Ndaj dhe audienca e synuar e “INNVEST Forum 2021- WomEn Move Forward” janë gratë nga SME-të dhe sipërmarrja në tërësi nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Forumi pritet të ndiqet live më datë 21 Maj 2021, në orën 10:00 në kanalet zyrtare të Bashkisë së Tiranës dhe INNVEST.

Ndaj për të gjitha ato vajza dhe gra që  nuk kanë reshtur së besuari tek ideja e biznesit e nuk dinë ende si të sigurojnë financat e duhura për të mbështetur biznesin apo dëshirojnë të mësojnë nga gratë e suksesshme që bëjnë pjesë në grupin InnvestFund, ju ftoj ta ndiqni këtë event dhe uroj të merrni eksperiencën më të frytshme të mundshme.

 Siç do thoshte një mikja ime Italiane – “Ngjyrat e ëndrrave guximtare qofshin gjithmonë tapeti për të ngjitur shkallët e suksesit tuaj”.

Ju gjithashtu mund te lexoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *